PA VLERË, POR I LLOGARITSHËM

Pashë një status Facebook-u që më pëlqeu, dhe u mata t’ia vë një “like”, por pastaj vura re se statusi i kish marrë tashmë nja 470 likes. Dhe këtu pyeta veten se çfarë do t’i shtonte statusin gjesti im, meqë sa më të i madh të jetë një numër, aq më shumë i afrohet së vërtetës pohimi i gabuar se n+1 = n. Ia vlente, pra, që të harxhoja energji performative, sa kohë që kjo nuk do të linte gjurmë gjëkundi?

Këtu mendova se ka edhe statuse që marrin një numër astronomik të “likes”, të thuash se këto i vendos tashmë një makinë, meqë me siguri vetëm një makinë mund t’i analizojë dhe të kuptojë se ç’do të thotë gjithë ky kor pëlqimesh, përtej popullaritetit si veti sasiore dhe tiranisë së numrave të mëdhenj (demokracisë). Unë zakonisht ndalem diku aty te 50 likes, por jo rrallë e shtoj ndonjë për qejf, kur shoh se një status i mirë nuk ka marrë aq likes sa duhet.

Nëpërmjet vendimit që marr, dua jo aq të shpreh gjykimin tim, sa të vendos një farë drejtësie sociale.

Nga përvoja, edhe si autor që poston tekstet e veta në rrjetet sociale, jam i sigurt se një pjesë e madhe e “likes”-ve nuk duan të thonë se personi në fjalë e ka lexuar tekstin – por thjesht shprehin simpati. Ka shumë lexues të mi që tashmë “e dinë” jo vetëm se çfarë kam shkruar në të kaluarën, por edhe se çfarë do të shkruaj: ngaqë më njohin, më kanë adoptuar si personazh në fantazitë e tyre prediktive. Ka të tjerë që nuk kanë ndërmend ose kohë të më lexojnë, por besojnë se duhet ta vënë një “like”, për arsye të ndryshme.

Me sa shoh, shumë “likes” shërbejnë thjesht për riprodhimin e klikave dhe grupeve të interesit – përfshi këtu edhe interesin intelektual ose artistik; kjo edhe ngaqë shumë prej nesh e kanë kuptuar, qoftë edhe vetëm me intuitë, si funksionojnë algoritmet e Facebook-ut. Meqë postimi dhe evidentimi i materialeve që nxjerr gjithkush bazohet në analiza të AI (inteligjencës artificiale), ne po mësohemi, si qenie kampione të përshtatjes që jemi, për të komunikuar me këtë alienitet dhe për ta manipuluar.

Por kjo do të thotë edhe se, me çdo “like” që vendosim, e zëvendësojmë perceptimin e realitetit me një ekran virtual, të cilin e ndërtojmë vetë, dhe që duam ta marrim si të barasvlershëm të botës. Kjo nuk ka lidhje me çfarë na pëlqen ose na intereson, dhe as me misionin që mund t’i kemi vënë vetes – është çështje mbijetese në pyllin e virtualitetit. Në kuptimin “I like, therefore I am.”

Thonë se një kampion i bejsbollit amerikan, Yogi Berra, kur e pyetën nëse dëshironte të hante darkë te një restorant i respektuar, u përgjigj kështu: “Askush nuk shkon më atje. Ka shumë njerëz.” (Nobody goes there anymore. It’s too crowded).

Kjo batutë, që shpreh edhe një paradoks, mund të mos jetë e Berra-s, por kjo nuk është se ia heq gjë gjenialitetin. Në kontekstin e temës që kam hapur, ajo ilustron më së miri hezitimin – besoj të gjithkujt – për të shtuar një “like” te një status a post që ka marrë tashmë aq shumë pëlqime, sa çdo pëlqim individual i mëtejshëm të mos ketë më kuptim (emri yt i shtohet një liste të cilën askush nuk e kontrollon dot më, veç kompjuterit). Sa më të mëdhenj të jenë numrat, aq më i papërfillshëm është individualiteti yt si përdorues interaktiv i rrjetit social – edhe pse ti, normalisht, e shton një “like” me shpresën se gjesti yt do të mirëkuptohet gjëkundi. Por në fakt jo: je thjesht duke punuar FALAS për algoritmin, AI-në, tregtarët e mëdhenj dhe kushedi ç’përbindësh tjetër jo-njerëzor.

Dhe të mendosh që Facebook-u ende po ngurron ta shtojë butonin “thumbs down”… me siguri, për të mos u detyruar pastaj të ndërtojë një sistem algoritmesh dhe një AI të bazuar në refuzimin, përbuzjen dhe urrejtjen. Turma është e rrezikshme edhe kur pëlqen, por një turmë që urren është e rrezikshme edhe për turmën që pëlqen.

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin