Po ndiqja – pa shumë vëmendje – një podkast për kamerat e vrojtimit dhe privatësinë dhe m’u kujtua se ka familjarë, ose edhe çifte, që e “bashkëndajnë vendndodhjen” e tyre në hartat, në mënyrë që njëri ta dijë gjithnjë se ku është tjetri (ose të tjerët). Gjë që nuk ka të bëjë me vendndodhjen në shtëpi. Në shtëpi edhe unë sikur ndihem më i qetë, kur e di se ku është pikërisht partnerja ime – në ç’dhomë. Jo se kemi ndonjë shtëpi kushedi sa të madhe, por gjithsesi, keqkuptimet dhe paqartësitë nuk i përjashton dot.
Por këtu e kam fjalën për – po sjell një shembull çfarëdo – për nënën që e di gjithnjë se në ç’pikë të hartës i gjendet vajza (teknikisht: telefoni i vajzës). Tani, vajza mund të jetë e relativisht e vogël, p.sh. 14-vjeçe, por edhe mjaft e rritur, 30-vjeçe. Privatësia mund të dalë më lehtë si shqetësim në rastin e dytë; por edhe e kuptoj që disa vajza e bëjnë një sakrificë, për të qetësuar ankthin e nënave, edhe kur janë vetë nëna.
Ka qenë një kohë, për ne që e mbajmë mend, kur e merrnim dikë në telefon dhe nuk kish pse të pyesnim “ku je?” – përveçse kur kjo ku je? kish kuptimin “pse nuk ke ardhur akoma” ose “pse nuk je nisur”. Numrat e telefonave, deri pak a shumë në fillim të viteve 2000, i bashkëlidheshin një vendi specifik: telefoni i shtëpisë, telefoni i zyrës, e kështu me radhë. Telefoni i përkiste vendit që strehonte aparatin, dhe ti – që nga momenti kur përgjigjeshe – e konfirmoje vetvetiu vendndodhjen: afër telefonit.
Me celularët punët kanë ndryshuar: ti mund ta marrësh në telefon partneren dhe ta pyesësh “ku je?” dhe ajo të të thotë se “sapo kalova urën (mbi Hudson)”, paçka se është, në fakt, duke u përpjekur të dalë nga krevati i të dashurit të vet pa e zgjuar (ose në majë të gishtave për të arritur, në raftin e lartë të bibliotekës publike, një riprodhim të kodeksit Venetus A). Kur ti merr në telefon partneren dhe të përgjigjet, kjo do të thotë se ajo e ka telefonin me vete.
Dhe ti thua: po mirë, të paktën telefonin nuk e paska humbur.
Nuk e bashkëndaj vendndodhjen time me njeri; dhe askush nuk e bashkëndan me mua – por e pranoj se më ndodh, jo dhe aq rrallë sa ç’do të kujtoja – që të ndiej ankth, kur një person i afërm me mua, p.sh. partnerja ose ime bijë – nuk përgjigjen. Në ato raste, vetëdija ime merr trajtat e pyetjes ku je? – të thuash se një çift koordinatash gjeografike do të më qetësonte menjëherë. Edhe pyetja vetë tingëllon e çuditshme: ku je? në vend të më normales pse nuk përgjigjesh? Gati sikur nuk ia pranon dot vetes se tjetri mund ta shohë që po e merr ti dhe të mos mundet ose, fundja, edhe dojë të përgjigjet, në atë moment. Ku je? Edhe thjesht vetëdija e një gjeolokacioni preciz mjafton për të të qetësuar.
Shumë pak vite më janë dashur, për ta humbur aftësinë e orientimit në Manhattan – një metropol gjeometrik dhe i numëruar. Kur dal nga metroja, më ndodh që të mos dalloj dot më nga është veriu dhe nga jugu; dhe, më shpesh akoma, nga është perëndimi dhe nga lindja. Falë gravitetit, ende e dalloj se nga është lart dhe nga poshtë. Në Manhattan, veç të tjerash, as gjeolokacioni nuk punon mirë dhe harta që ke në telefon fillon të lajthitë dhe të të tregojë sikur po ecën mbi ujë. Por numrat e avenyve dhe të rrugëve ndihmojnë, të paktën për t’u kthyer mbrapsht.
Ironia këtu – dhe po dua të kthehem në temën e privatësisë – se kamerat e panumërta rrugëve e dinë se ku je, ndoshta edhe se ku po shkon, dhe po t’ia vlente sado pak, mund edhe të të identifikojnë me emër. Por ky është një informacion që, me gjasë, nuk i shërben askujt, përveç ndonjë dyqani zarzavatesh ku unë shkoj për të blerë mangot e mia të preferuara; prandaj privatësia nuk më shkelet, por vetëm e vetëm sepse sistemi nuk ka nge të merret me mua. Nëse qëllon që të më sulmojnë gjëkundi ose – larg qoftë – të provojë ndonjëri të më hedhë në gropën e shinave të trenit në metro (rrezik i rëndomtë në NYC), sistemi do ta regjistrojë ngjarjen dhe do të ndihmojë për ta identifikuar agresorin brenda pak ditëve.
Dua të them: sistemi i kamerave të vrojtimit (të përgjimit) e di mirë se ku gjendem, siç e dinë po aq mirë antenat e sinjalit 5G dhe rrjetet Wi-Fi publike, që më ngatërrohen këmbëve si pezhishka merimangash kudo që shkoj; vetëm partnerja ime nuk ka pse ta dijë, në emër të privatësisë.
Më vijnë ndërmend skena nga një kohë tjetër, kur kam shkuar për herë të parë në një qytet të panjohur – i vetëm dhe me xhepin bosh – dhe jam vërtitur rrugëve, i hipervetëdijshëm për anonimitetin tim. Të cilin e kam pasë përjetuar si një lloj lirie absolute. Në Romë, shumë vjet më parë, më pëlqente të shkoja në lagje të panjohura, të futesha kuturu në kërkim të ndonjë ndërtese më të lartë se të tjerat, pa njohur njeri dhe pa më njohur njeri. Këtë mund ta realizoja edhe sot në New York, me pak më shumë mundim; por pa i shpëtuar dot vëmendjes policore të qytetit dhe sensorëve të antenave 5G, të cilat ndjekin nga pas telefonin tim.
Imazhi ideal i kësaj lirie të anonimatit do të ishte që të dilja nga stacioni i trenit në një qytet krejt të panjohur; me mundësinë e rrallë për të shijuar mungesën e peshës së vetes. Por kam frikë se këtë lloj mundësie, sado të pagjasë, do ta kisha përjetuar si agorafobi. Të induktuar nga oksigjeni me tepri, me qytetin vetë që do të më shndërrohej në një dhomë hiperbarike.
Ndoshta lidhet disi, me këtë neurozë hipotetike, fakti që këto muajt e fundit po më bezdis rregullisht në ëndërr telefoni. Një telefon i një modeli enigmatik, shumë i lehtë dhe i kromuar, me ekran të bardhë neon, si të një e-lexuesi (p.sh. Kindle Paperwhite). Një pajisje që nuk ekziston (ende) në realitet. E personalizuar në maksimum, më lejon që të komunikoj vetëm me pak vetë, si të ishte Walkie-talkie; por nuk ia shquaj dot gjërat që më thotë në ekran. Ky telefon është edhe shpulla që më jep agorafobia, duke më konfirmuar izolimin total. Më thotë: urime, arrite të mos figurosh në asnjë hartë. Gjë që nuk do të thotë veçse që nuk ekzistuakam.
Te podkasti që po dëgjoja, një nga folësit shpjegoi se nuk e bashkëndante vendndodhjen me të shoqen, ngaqë preferonte të ushtronte të drejtën për të qenë i ndershëm. Në kuptimin që e shoqja gjithnjë mund ta pyeste në telefon se ku ishte (ku je?) dhe ai do t’ia thoshte aty për aty: akoma në ballkonin panoramik të Empire State Building, se janë prishur ashensorët; ose, duke u qethur, në Grand Central. I pëlqente, me fjalë të tjera, që edhe ky aspekt sado i vogël i marrëdhënies të bazohej në besimin, jo në të dhënat e gjeolokacionit. Përndryshe, në vend që ta merrte në telefon për ta pyetur ku je? (por në fakt je akoma me mua?, pyetje jo aq naive sa ç’mund të duket), e shoqja mund t’ia kontrollonte vendndodhjen në Goole Maps dhe t’ia kursente vetes (dhe atij tjetrit, dhe krejt sistemit) telefonatën verifikuese të linjës. Diçka si Alo Dedë, për shekullin XXI, ku akti i të përgjigjurit vlen ku e ku më tepër se çfarë thuhet (“po vij, ne te lave pas!”).
Thoshte ai tipi: asnjë lloj teknologjie nuk mund ta zëvendësojë besimin. Dhe besimi këtu nuk është aq bindja e verbër se ai tjetri nuk po bën asgjë që nuk do ta bënte në praninë tënde, por besimi aktiv se nuk do ta bënte. Jo ankthi zero, por aftësia për ta mënjanuar shqetësimin, për ta mbajtur zjarrin e paranojës të ulët.
Dikur këtë virtyt e kanë quajtur ndershmëri, por fjala sot sikur e ka humbur pak statusin që ia jepte dikur feja, shkolla dhe edukata qytetare. M’u duk sikur folësi, në podkast, po rrekej të shpjegonte se vlerësonte jo vetëm ndershmërinë si të tillë në një marrëdhënie, por edhe kënaqësinë morale që të jep vetëdija e ndershmërisë. Në shembullin konkret, ndershmëria sillej si kusht i nevojshëm për besnikërinë; por mund të përfytyrohen edhe skenarë të tjerë të njëvlershëm. Dhe kjo lloj ndershmërie, që të bën ta gëzosh jetën në mënyrë shumë delikate, kërkon edhe shumë kurajë dhe integritet.
Ka pastaj mes nesh edhe shumë që jo vetëm mendojnë se ka një Zot që na “vështron” dhe na gjykon të gjithëve, por edhe që janë të bindur e kanë Zotin me vete, sa kohë që veprojnë ndershëm. Paçka se ky përfytyrim do ta shndërronte Zotin në një lloj kamere vrojtimi dhe antene 5G dhe pajisje tjetër të ngjashme; që do të na mbronte jo vetëm nga e keqja prej tjetrit, por edhe nga tundimi që mund të ndiejmë për të bërë keq ne vetë. Ashtu çdo lloj shpërblimi ose ndëshkimi moral do t’i delegoheshin një qenieje, tek e cila mund të arrish vetëm me besim.
(c) 2026 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI (Midjourney).
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.