1X10: DRITËSON VERA DHE IA BEH NATA

Titulli: Dritëson vera dhe ia beh nata
Autor: Jón Kalman Stefánsson
Shtëpia Botuese: Ombra GVG Viti 2020
Përktheu: Ermira Danaj


1.

… ne kemi diçka që fshatrat e tjerë nuk e kanë–këtu tek ne nuk ka asnjë kishë. Dhe asnjë varrezë. Sidoqoftë, janë bërë shumë përpjekje për ta korrigjuar këtë veçanti, dhe një kishë pa dyshim që do të linte shenjën e saj në bashkësinë tonë, tingulli i paqtë i kambanës së kishës do të gjallëronte ata më të trishtuarit; ai tingull ndjell lajmin e mirë të përjetësisë. Dy herë është përpjekur Solruni, drejtoresha e shkollës fillore, të mbledhë nënshkrime për një peticion me tre kërkesa: një kishë, një varrezë dhe një prift. Por ka mundur të mbledhë vetëm trembëdhjetë nënshkrime, që nuk janë të mjaftueshme për një prift, as për një kishë, e aq më pak për një varrezë

2.

Befas, një natë, ai nisi të ëndërrojë në latinisht. Tu igitur nihil vides? Iu desh ca kohë të kuptonte se ç’gjuhë ishte; në fillim mendoi mos ishte ndonjë gjuhë e sajuar, siç ndodh shpesh nëpër ëndrra. Në ato vite, gjërat dukeshin shumë më ndryshe këtu në fshat, ecnim pak më ngadalë dhe Kooperativa mbante gjithçka të bashkuar. Ai ishte drejtor i Punishtes Artizanale, sapo kishte mbushur të tridhjetat. Kishte gjithçka dëshironte, ishte i martuar me një grua bukuria e së cilës mahniste të madh e të vogël, kishin dy fëmijë dhe për njërin prej tyre, Davidin do të flasim në faqet e mëtejshme të librit. Drejtori riosh dukej i lindur për lavdi; familja e tij jetonte në shtëpinë më të madhe të fshatit, ngiste një Range Rover, kostumet i kishte të qepura për merak, të gjithë ne të tjerët dukeshim ngjyrë gri karshi tij, por erdhi një ditë që ai nisi të ëndërrojë në latinisht.

3.

Diçka shqyhet brenda jush, copat e zemrës mbase, kur një njeri që ju e njihni plotësisht, më të cilin jeni dashuruar, jeni martuar, keni bërë fëmijë, një shtëpi, kujtime, papritur shfaqet para jush tërësisht ndryshe, tërësisht i huaj. Sigurisht që është budallallëk të mendosh se e njeh një njeri plotësisht, ka gjithnjë qoshe të errëta, madje ndonjëherë edhe dhoma të tëra të errëta…

4.

Sigurisht gjithçka është përmbys dhe relative, shumë fjalë kanë kaq shumë kuptime sa të marrin mendtë, për shembull njeriu me të cilin ti jeton në një shtëpi mund të jetë më i largët se sa planeti Mars, dhe asnjë anije kozmike apo teleskop nuk mund ta zvogëlojë këtë distancë. Por askush nuk jeton vetëm me qiellin…

5.

Më parë, zyra e postës ishte një ndër pikat qëndrore të fshatit prej nga ku lëvronin letrat dhe pakot, ku gjendeshin dy kabina telefonike për ata që iu nevojitej të telefonin jashtë rrethit, dhe ku të martave bëhej radhë e gjatë–ishte dita e fundit për të porositur pije alkoolike në kryeqytet. Por tashmë ato kabina telefonike nuk janë më; iku koha kur Agusta mund të dëgjonte historitë e fshatit. Madje tashmë dyqanin e pijeve alkoolike e kemi brenda në fshat, të hapur prej orës 1 të drekës deri në 2 e gjysmë po të drekës, të martave dhe të enjteve; ja pra që çdo gjë ndryshon.

6.

…atë që fsheh nata, e zbulon dita. U zgjuam me kokën që na rrotullohej, me zhurmën e programeve në televizor, u dendëm me ilaçe kundër dhimbjes së kokës, ushqyem fëmijët, gjetëm faturat e restorantit në xhep, u kujtuam për shumat e majme që kishim paguar dhe psherëtimë.

7.

Varret tona janë hedhur aty-këtu, në mënyrë të rastësishme nëpër fushë, e mbani mend besoj që në fshatin tonë nuk ka varrezë, as ka pasur ndonjëherë, dhe nuk dihet ende si do vejë kjo punë; varet nga prifti që do kemi. Më e keqja është të vdesësh në mes të verës, jo për shkak të këngës së zogjve dhe ditës së gjatë, por sepse është periudha e korrjeve dhe shirjeve; priftërinjtë janë edhe bujq, dhe iu duhet të kujdesen për punët e arës aq sa dhe për famullitë; nuk iu pëlqen shumë të zvarrisin punët në arë për shkak të ndonjë banori të vdekur

8.

Vetëm. Numri 1, në shifra romake I ose i; numri i plotë më i vogël, një njeri, një javë, një ditë, një plus një, një nga një, një herë, jo dy, nëse heq një prej një nuk mbetet asgjë përveçse zeros, që është asgjë. Përse jetojmë, mendoi ai, me ballin e mbështetur pas shpatullës së gruas, po nuk mendoi dot për asgjë që mund të mendonte, thjesht qëndroi në krevat, hunda e tij gati nën sqetullën e saj, era e fortë e trupit të saj, ata të dy në shtrat, qielli atje lart, pak më afër, një korb duke fluturar, më afër akoma, era, edhe më afër, frymëmarrja e saj, afër fare, një frymëmarrje e kujdesshme, e ndrojtur, nuk e dija se frymëmarrja mund të ishte e ndrojtur, nuk e dija se mund të ekzistonte një zero aq e madhe sa të gëlltiste ekzistencën, nuk e dija se mund të kishte një erë trupi kaq të fortë, nuk kisha parë sy kaq gri, ai lëvizi kokën me vështirësi, e ngriti aq sa mund të shikonte fytyrën dhe sytë e saj gri.

9.

Ajo kishte ije të gjera, kofshë të ngjeshura dhe tha, nuk kam qenë më parë me një burrë. Sa vjeç je? Tridhjetë e gjashtë. Unë s’kam qenë me një grua të virgjër më parë, tha ai dhe mendoi për himenin, nuk është aty prej kohësh i tha ajo si ta kishte kuptuar ç’kishte në mendjen e tij, nuk më janë dashur burrat…

10.

Tekla ngjan si emër makine, por Tekla nuk është makinë. Është një heroinë që ka jetuar rreth dy mijë vjet më parë, e cila rrahu burrin që tentoi ta përdhunonte, por meqenëse ai ishte një burrë me influencë në një botë të dominuar nga burrat, ajo u dënua me vdekje dhe iu hodh një luaneshe të egër e të uritur, por luanesha sa pa Teklën ndryshoi përnjëherësh dhe zuri t’i lëpijë këmbët, dhe Tekla u lirua e jetoi për shtatëdhjetë e dy vite në një shpellë, më pas themeloi një manastir, të gjitha këto janë të shkruajtura në menu.

 


1×10 është një seri e re që i prezantohet lexuesit të Peizazhe të Fjalës. Ideja është e thjeshtë: një libër në dhjetë copëza. Ky “cungim” i librit nuk vjen gjë nga parimi se mjafton një gotë për të marë vesh ç’verë ka fuçia, por nga shpresa se oreksi për dijen dhe leximin vjen duke “pirë”.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin