AJO TJETRA, PSIKOZË E PAKLASIFIKUAR, NJERIU PLOT

(Enumeracion)

nga Adri Kalaja

Burri nuk duhet ti japë asnjë shpjegim gruas, ai duhet ta bindë.
E.M.REMARQUE

Jemi ajo që na mungon, përgjithmonë
C.BENE

1.

Thonë se zoti i shkartisi kartat e gjenezës si një shofer autobusi – pasi ka bërë muhabet me doganierin – kartat dhe pasaportat. Ndonjëherë ndihem në siklet që i vëzhgoj këto njerëz, dhe, më pas, një foshnje fillon e qan. Kam kaluar goxha orë nëpër sedilje, pa lexuar por vetëm duke ju nënshtruar mizorisë së radios.

“Për Stamboll?”

Kishte pyetur shoferi dhe kjo kishte mjaftuar për mua të më bënte të ndihesha keq. Mjafton të ndalosh në Selanik dhe prishet besimi mes njerëzve. Gjatë këtij pushimi po shihja njërin që po shkruante me ëndje në një bllok sepse do takonte të dashurën në qytetin e radhës, kishte frikë dhe mall njëherësh, si gjithmonë në këto raste kur tjetra është shtatzënë. Ika të marr një kafe dhe një pupël gri më ra në të. E mora dhe e nxora me dy gishta pa u ndjerë në faj për krimin. Në tokë ranë ca njolla, nuk kujtoj në çfarë ngjyre ishin. “Ajo më kishte vjedhur një libër, mundësinë e të shkruarit për të. Hajdute e përsosur. Silera K. quhej. Pasi më kishte futur në burg më kishte rrëmbyer dhe biografinë, domethënë mundësinë e jetës tonë bashkë. Mund të shkruaja për të vetëm duke e harruar. Kjo është një harresë konstante. Jam një hutaq-autor.” Kështu m’u rrëfye djali. Letra e fundit prej saj i kishte ardhur si vinë ato faturat e ujit në shtëpi të vjetra. Pa ndonjë shpresë e pa ndonjë qëllim më vete. Gruaja është si puna e çezmave të bashkisë. Po e hape pak më shumë se duhet, shpërthen.

“Mendoj,- i thashë-, që ti luan tepër teatër me fjalët.”

“Teatri është shpikur për njerëzit e heshtur kryesisht, ato që i tradhton gruaja.”

“Legjendat tregojnë për një aktor që për të ushtruar kujtesën kishte punuar gjysmën e jetës si fatorino.”

“Ja ku e kemi fatorinon tonë, le ta pyesim, duket më pak i trembur sesa ai egjiptiani andej tutje që duket si grua turke me sy të jeshiltë.”

“Vrava veten mbrëmë. U dergja aty përtokë, shkrumb e hi nga zjarri që ndeza, nga zjarri që mbet veç hiri i saj që shkruante me hap veç historinë e jetës sonë. Vrava veten mbrëmë, dergjej aty përtokë, e përshtatur nga fjalët që tha, ashtu si tek liqeni ishte ëndrra jonë, prekja e botës që na bashkon. Vrava veten mbrëmë. Ishim të dy të shtrirë përtokë, na vinte era myshk mes luleve tona, të një maji blu, në gusht, trëndafil që nuk është lulediell. I marrë zambak.”

Fatorinoja kishte ndërhyrë në muhabet pa teklif. Sapo na kishte recituar një pjesë nga autori i njohur maqedonas Vigan Tërbuni. Autor ky që po bënte namin mes grave në moshë të thyer dhe latifondistëve të gramatikës. Ajo më fliste për të si për ndonjë prej atyre tipave që dalin në televizor. Ka shtëpi në fshat. A nuk e kemi të gjithë një shtëpi në fshat? A nuk jetojmë të gjithë në Shqipëri? Pyetje e thjeshtë. Kisha vrarë gjithçka çfarë ishte origjinale te unë duke kërkuar me të një kimi tjetër bote. A thua se ishte tjetri im i fundit, apo i vetëm, e shihja si referent, apo si pengesë, nuk e di e dashur vete, jam i humbur në frikë. ”Të lutem jo me kopje” Nuk isha i sigurt kush foli, djali apo unë.

“Lërmëni t’ju rrëfej një histori, për një malësore që kishte frikë të rrëfente emrin në regjistrin e autobusit, të paktën egjiptiani tjetër u tregua më kurajoz, policët me të vërtetë mund të mos dinë anglisht por të paktën nuk po na kërkojnë përkthyes.”

“Është si historia e atyre mësuesve që gjatë kohës së pandemisë u bënë më të dashur me studentët pasin kishin parë në mësim online kushtet e shtëpive.”

“Dëshmia e algjerianit në polici nuk përputhet me atë të asaj që e denoncoi. Ajo veç mohon me kokë, ai veç pohon.” Ndryshe nga çfarë mund të mendoni, ndërhyrjet e fatorinos nuk po na mërzisnin. Më dukeshin goxha ngucëse. Nuk e di çfarë mendonte djali. Fatorinoja më kujtonte atë nipin tim mistrec që pas deklaratës së fortë të së ëmës “ka ardh fiti me verën!” iu përgjigj “e çfarë funksioni kryejnë ato?”.

Vërtet në Shqipërinë e tranzicionit, askush nuk kryen e as ka funksion.

2.

Mësuam gjatë mbylljes – siç do njihet tash e tutje periudha e shtetrrethimit si pasojë e virusit – që ka njerëz të tjerë që u ngjajnë të afërmve tanë. Duke ndenjur shumë me disa njerëz tiparet e tyre shpërhapen dhe tek të tjerët. Unë nuk e harroj kurrë ngjyrën e flokëve të mamasë dhe prandaj ajo e ndërron sa më shpesh. Teksa po bëja një cigare për të më ra në sy lidhja mes letrave që kishin ndenjur për shumë kohë në sirtar. Ato ishin ngjitur bashkë dhe vështirë se shqiteshin. M’u kujtuan të gjithë gjellët që kishte gatuar në vite për tim atë vetëm nga vështirësia e asaj cigareje. Ai hante më mirë nga dora e hallës. Mbaj mend se pasi morën vesh jevgjit që në lagjen tonë ishte blerë një pistoletë dilnin shpesh rrugëve me parullën “hekra të vjetra”. Jemi një brez i ligështimit në ujë. Tërësisht të pashqetësuar nga biodiversiteti fetar. Asnjëherë nuk na ka vajtur në mendje të duam të jemi në varrimin e tjetrit. Ika të marr një dhallë. Edipi në kolonat e McDonalds.

“Duhet të dallosh i dashur mik se ato që e kthejnë dhallën me nge nuk kanë shumë kohë dhe e bëjnë për të imituar lëvizjen e orës me rërë ndërsa ato që e tundin masturbohen shumë e për pasojë kanë tepër kohë të lirë.”

“Si shkrimtare dua t’i jap lexuesit botën, jo apartamentin”. Kështu më ishte përgjigjur njëherë ajo. E kishte dobësuar inkoshientin në mënyrë të atillë që nuk shihte më as ëndrra. Jetonte vetëm.

“Paska qenë dita e verës sot”- tha shitësi pasi ika të blej një shishe verë.

Gjithmonë më pëlqente ta kujtoja asisoji. Shishja e verës ishte e treta për shitësin.

“Dua t’u marr erë gurëve të veshkave që të janë formuar nga gjithë alkooli që ke pirë për mua”- kështu më tha njëherë e një kohë.

“Te Wilde-i nuk ka një dalje nga virtyti të personazhit, ngjarja do të ishte fantastike sikur Doriani të kishte qenë piktor. Do të tregonte, e kundërta dialektike që një aristokraci lexuese i beson ngjarjes, që arti, në këtë rast piktura është më i rëndësishëm për të sesa jeta reale. Është njëherësh estet dhe virtuoz, por një virtuoz në kalimin e dytë. Jo në atë antimoralist.”Komenti i fatorinos më kishte tërhequr vëmendjen. Romani “Qethja” të cilin kisha me vete, rrëfente historinë e një shitësi metrazhesh i cili fillon të vrasë ato që kishin qepur copat e blera në dyqan vetëm nga xhelozia për mallin e bukur që se kish më që, ky roman nuk po më joshte.

Tjetri është më i lehtë të ofendohet, prandaj tezja ime është raciste, gjithmonë ka nevojë për një tjetër të dobët që të ndihet uni superior. Por fatorinoja më dukej simpatik. Edhe jeleku i kishte hije. Dukej që kishte lexuar. Biblioteka më e pasur në Shkodër i përket Nexhos, thoshte im gjysh. I njëjti që më kishte treguar historinë e një fejese të bërë që në djep kur djali, gjatë një vizite te kushërinjtë e parë, e kishte ngatërruar për motër komshijen dhe e kish marrë të lozte. Unë nuk fryj dot një tullumbac e megjithatë i kisha premtuar asaj që do e qëlloja me gurë zalli nga çdo cep i botës. Druri i llastiqeve marrë nga pema e jetës.

“Jam i vetmi që kafeja më jep efektin e kundërt, më sjell gjumë. More këto njerëz a e shohin veten në pasqyrë para se të vijnë t’iu bëj portretin.”

Kështu tha djali teksa fshiu buzët me këndin e peshqirit që kishte vjedhur te banjoja e marketit afër doganës ashtu si do kishte rrokur fundin e vajzës që po e priste.

2.

Djali më kujtonte banakierin e lagjes. Pasi Italia kishte fituar europianin, pas parashikimit tim dhe ai nuk kishte vënë bast për të, sipas këshillës sime, nuk dinte si të sillej me mua. Pata shkelur rregullën e artë. Mos u kthe kurrë dy herë në të njëjtën ushqimore. Kuptova që djali e sheh botën si një shitës. Blinte si të ishte duke shitur, domethënë me shumicë, ngaqë shitësja e bënte me turp. Ndoshta e imagjinonte të zhveshur pa tatuazhe.

3.

Shitësja shkonte në bankë vazhdimisht, mund të thoni se kishte kredi apo këmbente para, thjesht kërkonte të ndërtonte fytyrën e plotë të njeriut përsëprapthi. Donte të gjente një dydollarësh amerikan. Humaniste.

4.

Kisha një mik unë dikur që e jepte kohën me qira për njerëzit e vetmuar. Njeri më i ekzagjeruar se aktorët e shfaqjeve teatrale në filma. Nuk mbante prej atyre cigareve me të dredhur që e mbajnë zjarrin brenda ndezur për shumë kohë. Ashtu si fshirësja e rrugës që i flet fshesës ashtu dhe unë i flisja cigares. Ai vinte era Fasligen, që i afrohet asaj të shurrës. Mirë është që pas një udhëtimi të gjatë të shurroni gjithmonë shkurreve. Do ju shohin me më pak dyshim.

5.

Të duash të kujtosh emrin e shokut është njësoj si të të duash të ndërrosh identitetin dhe të krijosh një kartë fallco. Por nuk është njësoj me të ndërruarit gjini. Ka një magji tek emrat që ruajnë bukurinë e personit. Mendoj se çdo person me fat në botë ka emrin e duhur për të por kjo nuk i pengon t’i kontrollojë policia në mënyrë tepër pasionante në doganë.

6.

Ja, ato të tjerët. Po hanë ça ka falë zoti. Mendoj se kjo është një mënyrë të thëni për të treguar se po hanë mbeturinat e perëndisë. Plehrat. Durimi i shoferit më bën të mendoj se egjiptiani i kalonte ditët më përpara në një sallë lojërash kompjuterike. As nëpër kalçeto të paktën. Zakon ky i rinisë pasi kanë shterur ëndrrat e t’u bërit sportistë me nam. Një komshiu im punon trajner ekipesh. Njëherë ka ardhur i biri të na bënte stërvitjen, i ngjante si dy pika uji, i gjithë ekipi u rinua përnjëherësh dhe fituan tre ndeshje rresht. Lule marshallahun që gjendej në cep të rrugës e kishin ujitur goxha, gjë që më bën të mendoj se për sa kohë të ketë njerëz që përcaktojnë territore do ketë dhe lule kaq të shëmtuara, si ato vajzat që i marrin në qafë, i rrëmbejnë dhe ja mbathin, por ky fenomen nuk ka nevojë për koment të mëtejshëm. Në pritën e dekës së një dhëndri të tillë shkodran, mbetur në tentativë, secili shpresonte një ftesë për përgimin. Fjalë që askush nuk e di çdo thotë. Harrova për një çast se komshiu im trajner quhet Gim dhe i ka shumë qejf dedikimet. Pehashi i myslimanëve ishte rritur shumë kohët e fundit në lagje dhe Gimi po korrte sukses me arritjet e veta, hoxha i dedikonte shpesh fjalime. Nëna e Gimit, familje e persekutuar, rronte akoma me frikën e shtetit, pa dalë nga shtëpia. Shyqyr nuk presin akoma pusullën e telefonit.

7.

Ajo i jepte ritëm ekzistencës së vet, fliste pa shqiptuar asnjë fjalë. Njëherë më tha që lindja e kinemasë vjen si pasojë e zbehjes së imagjinatës historike.

8.

Jemi në film tani. Film i realizuar nga pikëpamja e mamasë së Gimit, vëllai i vogël i të cilit ka humbur, kështu i thonë asaj. Homoseksual i mbyllur në burgjet e Enver Hoxhës ishte denoncuar si i çmendur dhe i vetëvrarë më pas. Dhëndri i familjes bënte si shurdh në mënyrë që motra prostitutë, prej mungesës së parave, të spiunonte klientët, edhe shtetërorë, sidomos shtetërorë. Kur kishin rënë në dashuri, katërmbëdhjetë vjeç të dy, një avokat mirëdashës i kishte lejuar të martoheshin. Mamaja asgjë nuk di.

9.

Gazetarja e autobusit kishte punuar njëherë në kamp refugjatësh. Tani po përpiqej me mish e me dhëmbë të dilte sa më shpejt nga situata e doganës. Në kamp e thërrisnin çdoherë me një emër të ri ose i thonin emra fallco dhe përfundonin duke dalë në gazetë me emrin e vërtetë. Kjo nuk ka gjasa kombinatorike të ndodhë. Imagjinata e gazetares është e limituar. Tani nuk ka kamera me vete.

10.

The bad, the good and the ugly është një protestë e regjisorit ndaj normave politike të Hollivudit, ai i vendos të gjithë filmat me skenë provinciale, me taverna dhe shkretëtirë, shoqëria i përdor këto filma për eksport njerëzish të bukur nga jugu i Amerikës, për ti arratisur nga helmi i rrethanave të tyre.” Fatorinoja padyshim kishte mendime interesante. Ekrani i vogël i autobusit tregonte megjithatë vetëm reklama. Nuk e di nga i kishte dalë koha.

11.

“Askujt nuk i ka vajtur mendja sesi influencon copëtimi i historisë së filmave të tillë tek televizioni normal dhe si e ndikon kohën Netflixi, që mundet ta vesh në pauzë, apo home cinema. Ka shumë njerëz të papunë që shohin filma, ashtu si ka shumë njerëz që s’kanë kohë t’i shohin të plotë filmat prej punës dhe kjo influencon në psikologjizimin e narracionit, pra sesi shumica e përfytyron historinë.” Vazhdon fatorinoja.

12.

Loti është një turmë.

13.

Një shoqja ime shahiste kishte përfunduar duke u bërë banakiere në një hotel në bllok. Në listën e koktejleve kishin futur dhe “qumësht gjiri me shumë whiskey” për djemtë që i merrnin shpesh mamatë në telefon. Në atë lokal gjendej dhe një balerinë e përsosur që vidhte gjëra nga dhoma dhe pa bërë zë i transportonte në dhomën tjetër edhe atëherë kur dukej se ishte me çantë në dorë. Ndërronte vendet dhe i pëlqente të çmendej kur kisha kriza heshtjeje. Jetonim bashkë prej vitesh. Kishte histori në familje.

14.

“Edhe sheshxhirimi i influencon aktorët.” Këtë herë kishte folur djali.

15.

Piva një hap qetësues dhe shkova me pushime brenda mendjes time.

16.

“Nxjerrja e topit të basketbollit nga barku është si nxjerrja e pistoletave nëpër filma, duhet shumë shpejt.”- më shpjegonte në ëndërr im atë.” Shkrimi është ajo që është e vërtetë për dy njerëz të ndryshëm”- u përgjigja unë. Isha në gjendjen mes gjumit dhe vdekjes kur u ndjeva i lidhur nga ëndrrat që po shihja.

17.

Nuk u besoj kurrë anekdotave që ngjallin dhembshuri të përkryer, dhembshuria duhet të jetë e pakët ose e shumtë. Vuajtjet e fëmijëve më prekin, të foshnjave jo. Nuk donte të kishte të bënte me të por shqetësohej për mirëqenien e tij. Lotët e dytë të dikujt, ashtu si kafeja e dytë, nuk shijojnë kurrë njësoj, pasi dikush e ka parë njëherë të qurravitet, kërkon lojë tjetër. Kjo është një klishe. U zgjova.

18.

Më ishte shqepur çanta. Duhej ta dërgoja te rrobaqepësi. Ai ishte rrobaqepës që gjuante dyqane metrazhi në prag falimenti, si hienë që sillet rreth kufomës kapitaliste. Më pëlqen të imagjinoj dikë që më vjedh vargje poezie nga muret e dhomës ashtu si më ka humbur një copë zhgarravine nga çanta.

19.

A ka një dhunë që ta detyrojë diskursin të jetë i folur. Nuk kthej dot përgjigje. Ngjarja mediale, për shembull, manifakturohet si event i kundërt me mërzinë ontologjike. Të gjithë e kanë vënë re që zhurma e makinave afër doganës pengon zhurmën e ujit që duhet të rrjedhë aty. Sikur të kishte një lumë. Mendova të flas me gazetaren.

20.

Personi që punonte si shkrojtës te reklamat e kompanisë së verës, shkruante etiketat, dukej shumë i interesuar për llafazanërinë e fatorinos.

21.

Një burrë dhe fëmija i tij bebe janë në sfond dhe ai pëshpërit me vete: “të lutem zot jepi zë të flasë dhe të ankohet ku i dhemb, jepi zë të flasë se çfarë kërkon.” Më bëhet sikur fëmija reciton poema ose i thotë “ekzistenca jote nuk kushtëzohet prej mirëqenies time”. Të njëjtat fjalë i shfaqen egjiptianit në dhomën e paraburgimit.

22.

Unë kam lënë bukën që zoti ma epte përditë dhe frigoriferi im në Tiranë u ngjan mbetjeve të dasmave. Përmban sulfite. Kjo ishte arsyeja e divorcit. Njëra nga çështjet kryesore si të kesh sukses në jetë është të mësosh të shmangësh situatat ku djersin. Prandaj nuk u paraqita në takimin me avokatin. Kështu thotë psikologu. Atë që do dyzet faqe ai e thotë më dy llafe. Tezja gëzohet.

23.

Shkronjat e reklamës në shpinë të autobusit ishin lodhur dhe unë megjithatë mendova se sytë e mi ishin zhdukur, apo ishte e kundërta.

24.

Shitësi i bombolave të gazit, njeri i heshtur që po shkonte në Stamboll për kushedi çfarë arsyeje dukej sikur qante nga trajta e gazit, fytyra i qe ënjtur. I kishte rënë. Njeri me turp. “A ndërron rasë mbiemri kur ndryshohet pasi ke zbritur nga mali?” E vetmja pyetje që më bëri.

25.

“Pra, aktorja fillon dhe bën muuu në mes të skenës së teatrit!” Rrëfimi i fatorinos ishte bërë më gazmor.

26.

Sipërmarrësit të ndërtimit – ngaqë kantieret e punës zakonisht nuk kanë kafene afër – i kishte bërë dëm kafeja e vetme që kishte pirë dhe po u fliste të gjithëve për tenis.
“Rërë e imët, si ajo kohë që sheshohet në fusha tenisi më hynte në papuçe atë ditë që harrova atletet”. Poet në rini. Padyshim. Në momentin kur qeshën të gjithë ai fillon e fërkon pulpat me lesh. Gruaja e tij pret në shtëpi t’i rriten thonjtë e këmbës që kur të vallëzojë me të të duket më e gjatë.

27.

Isha ulur në beton dhe po përpiqesha të gjeja fillimin e një letërngjitësi të riparoja sadopak çantën. Mu kujtua se kisha harruar një kuti ilaçesh gjumi brenda kitarës. U ngrita të marr një sanduiç me scamorza dhe pomodorini secchi. Nuk kishte të tillë. Jam në doganë, bëj mirë të mos flas marrëzira.

28.

Në shekullin e 21-të është bërë më e lehtë të vjedhësh. Të gjithë shohin celularin.

29.

Mendoj se në Stamboll janë të ndaluara orgjitë nëpër xhami.

30.

Vajza flokëkërleshur në krah të së ëmës kishte nevojë të arratisej nga ajo. Kishte gjoksin e vogël, dukej sikur sapo kishte hequr sasi kanceri.

31.

“Dukesh sikur do marrësh dy çaj”. Më tha banakieri. Mua më bënte përshtypje që ai i shmangej gjithmonë në kohë pikës së ujit që binte nga tavani.

32.

Mendova se shoferi i autobusit asnjëherë nuk e kishte lënë derën hapur gjatë udhëtimit. Përndryshe nuk do ishin bërë tetë orë që prisnim. Me siguri e mendonte të fjeturin me dikë si përbuzje ndaj atyre që nuk kishin me kë të flinin.

33.

Dhoma e policisë i zhveshur, stoli me dërrasë prej kompensate me dizajn mermeri. Stoli kishte formë sediljeje. Një kuti alarmi sipër. Shufra hekuri blu, këmbët prej hekuri me kënd, shenjat e kambaleve në mur, dritarja po me hekur, gërvishtjet në murin e dhomës. Nuk dija në ishte hedhur boja më pas apo më vonë, dukeshin si gdhendjet e një poeme që ishte dënuar. Firmë apo ndryshe, kishte diçka artistike aty, dhe një sy i vetëm që shihte aty. Muret qenë mbushur me emra. Boja më duket ishte me gëlqere. Futa gishtin te vrima në mur, nuk më binte, megjithëse duart i kisha me djersë. Dera ishte bojëkafe. Korniza e saj shumë e shkulur, me patjetër që do qe e rëndë, kolonat ishin të trasha, ndërtesë klasike padyshim, nuk e kuptoja pse nuk ishin të mbushura me izolant, prej atij sfungjerit portokall. Te stoli ishin bërë ca gërvishtje me thonj, po shpresoja të më rriteshin thonjtë. Mendova të dhisja në cep për t’i dhënë sinjal botës që isha aty. Nevojtorja i ngjante dhëmbit tim të prishur. Dikush kishte çarë me këpucë me majë murin. Kjo shenjë barazie më dha një vetëkënaqësi të dyshimtë. U ngrita në këmbë dhe po shihja diellin që perëndonte. Nuk më kuptonin kur flisja. Poshtë shkëmbit ishte vizatuar një grafiti pa kuptim. Ngjante me një hieroglif.

34.

Zëri i prostitutës ngatërrohej me atë të taksistit që kishte gjetur rast të propozonte zgjidhje alternative për ne. Për tepër shumë më pak lekë.

35.

Mora të ha një farë kungulli, ajo, e zhveshur, i ngjante shpinës së një insekti.

36.

Fillova të lexoj pasazhe nga romani. Një ndodhi bëhet e vërtetë sapo lexohet, ky është ndryshimi me gënjeshtrën. Gjithmonë më është dukur interesante Tirana në pranverë, shpesh në vitet studentore çfarë bën një qytet i tymtë për nga natyra në kohën kur pjesa tjetër e qyteteve vrapojnë. Për saktësinë e një dite më qëlloi të ulesha nga autobusi i vogël jeshil pikërisht atëherë pikërisht atëherë kur ai dukej se do shkërmoqej nga vitet. Në fakt, autobusët Volkswagen që s’isha mësuar të merrja kur qeshë i vogël duket se kishin dalë mode si ëndërr. Nipi i dikujt, si shumica, dajës tim të kthyer në konservator, paradoksalisht prej emigrimit dhe shqiptarisht prej faktit se kishte tre motra i mbeti të më shpjegonte mbi rendin e ri botëror nëpërmjet ngadalësisë së autobusit. Si një shaka e stërmadhe, për datëlindjen e së bijës ngarkoi këtë autobus me njerëz, autobus, që vite më pas humbi në errësirë. Ndodhi e vitit 2011, kjo patjetër formoi llafologjinë time të vonshme, pjesërisht prej faktit se unë ndjehesha i lehtësuar sa herë që kthehem në shtëpi prej udhëtimeve të gjata. U ktheva. Shpesh kam pyetur veten nëse kam ndonjë pasion të fshehtë për erën e këmbëve. Frigoriferi i vogël Elektra qëndronte në anë të tavolinës prej ahu. Abazhuri lart nuk ndizej në darkë. Dysheku nuk pat batanije, më saktë, batanija e tij qe ngulitur poshtë tij, biles kishte sipër kuverta dhe një mbushje, një vend për mbushje, vajzat diskutonin sipër. Në një moment ajo fillon e sillet sikur nuk është në një mbledhje në zoom por sikur po e sheh dikur nga prapa.

37.

“Një sistem i mbyllur bipartiak ka një dialektikë të brendshme në raport me të kaluarën. Regjimi i Enver Hoxhës e konservonte energjinë si trajtë të luftës me të kaluarën duke e bërë aq eficiente sa procesi i hiçëzimit në kampet e përqendrimit.” Ndërhyrja e fatorinos më bëri të ngre kokën.

Adri Kalaja

Shkodër, 2021

Rreth Autorit

Adri Kalaja ka lindur në Shkodër më 21 gusht të 1997. Sapo është diplomuar nga UT, FSHS në Filozofi (niveli Master Shkencor) me një tezë mbi M.Foucault (në 2020). Interesat kërkimore-teorike shtrihen në një larmi fushash, me fokus filozofinë por gjithashtu antropologjinë, veçanërisht atë kulturore.

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin