QYTETI POSHTË

Lexim i Dekalogu i një lagjeje tiranase; Ese rrëfimtare mbi çfarë humbim

nga Alen Bejko

Njëri prej imazheve më goditëse te Dekalogu i një lagjeje tiranase është ai i Osman Zekthit, “akrobati i mirënjohur i Tiranës, i cili në ditë festash dëfrente kryeqytetasit duke ecur si ekuilibrist mbi litarin e tendosur me shkop, skajet e të cilit ndeheshin nga një ministri në tjetrën”. Përshkrimi fare mirë mund të shërbejë si metaforë pamore e njërës prej epokave të Tiranës, asaj totalitare, kur ekzistenca prekare e frymës tradicionale e vështirë të kapshme të saj, që i jepte përmasën e vet qytetëse si krejt të ndarë prej asaj kryeqytetase, varej nga një ekuilibrim i kujdesshëm i banorëve kundrejt regjimit.

Zotësia instinktive e shoqërisë tiranase në të kuptuarit e asaj që mund të lejohej me një sy mbyllur e asaj që ishte totalisht e ndaluar prej partisë-shtet, analizë e ligjërimeve të pushtetit, konformim në dukje me të, por njëkohësisht përshtatje me vështirësitë e reja me qëllimin për t’u prekur sa më pak prej tyre, vërtet përbën një akt ekuilibri politik, shoqëror dhe ekonomik. Ngushtësia marramendëse, hera-herës rrezikzezë e hapësirës shoqërore në të cilën zhvillohej kjo marrje e dhënie, vend që i përkiste më shumë imagjinarit kolektiv se botës fizike, jep veçse një pamje të hopshme, një ide të pakësisë së empatisë dhe vështirësive të mahnitshme në të cilat bubërronte kjo botë.

Dekalogu, me autor Krymin, merr jetë pikërisht në hapësirat e ngushta e gjysmë të fshehta të një bashkekzistence herë më shumë e herë më pak të nderë midis kërkesave aspak imponuese por të paepura të komunitetit tiranas dhe ekzigjencave bombastike e në thelb spektakulare të pushteteve të ndryshme që kanë dashur të lënë mbresën e tyre mbi qytet ndër dekada. Pra, i përjetimit të përditshëm dhe jetësor të të qenit banues i saj në epoka të ndryshme, një shtjellë zakonisht e pashkruar ku historia e madhe dhe rutina e ngushtë bëhen bashkë e përjetohen njëlloj. Mbivendosja e ngjarjeve, përvojave, e cila gjen pasqyrimin e vet në përshtatjet e vazhdueshme të shtëpive të vogla qytetëse që tanimë strehonin familje të shumta, me raste dy a tre kurora, të mbetura bashkë për të mos humbur vilën me oborr e marrë autorizimin për në parafabrikatin e pashmangshëm.

Veçoria prej palimpsesti e këtyre banesave dhe kësaj jetese urbane tiranase, thelbësisht dhe befasisht racionale, qasje empirike që ruan e shfrytëzon maksimalisht ekzistuesen, duke i dhënë hapësirën më të madhe që mundet risisë, në një ripërdorim të vijueshëm të gjithçkaje, me sa më pak shpërdorim, i vjen pas shtatit dhe këtij libri. E shkurtër, por e rrëmbushur, kjo vepër e cila qëndron diku midis letërsisë artistike e non-fiction-it, aq e ndjeshme dhe e papërshkrueshme sa atmosfera e shtëpisë ku është mbarsur, ofron një shumësi leximesh në çelësa të ndryshëm. Teksti kryesisht narrativ, me feksje analitike të mprehta, por dorëlehta të atykëtushme, gjithnjë jep në rilexim potencialitete të reja në qasje dhe interpretim.

Lexuar në mënyrën më thjeshtëzuese, Dekalogu është një histori urbane e familjare e një qoshku fare të vogël të Tiranës, shtëpisë përdhese në Rr. Him Kolli, nr. 13, ku për një kohë të gjatë banuan Riza Bermema e Safet Tafaj me familjen e shoqërinë e vet. Jetët e tyre dhe të lagjes risillen mrekullisht në jetë nëpërmjet një vendimi fin për të shpërfillur kontekstin e gjerë kohor dhe paraqitur një përzgjedhje skrupuloze, por të ndjerë imtësish krejt vetjake. Kështu, për ndryshimin epokal të ardhjes së pritshme të komunisteve në pushtet, kemi komentin lapidar të Sadi Bermemës, drejtuar të birit, Rizait, mekanik, që ndihmonte komshiun e rrugës, Qemal Stafën, me shaptilografin, “T’kom pa që je tu u ngatarru me trakte e me t’kuqtë. Nigjo ktu mër damuz, shqip po ta thomi, bo me e mor Moskovi kët ven, ke me dal m’xhade me pyt sa o sahati”.

Me zërin autorial neutral e gjysmë ironik, Krymi nga ana e vet arrin t’i shkruajë një letër dashurie qytetit pa rënë në pathos apo nostalgjinë që shoqëron rëndom ripërjetimin e kujtimeve të dashura. Rrëfimi minimal, por i imët i lagjes së Rizait dhe Safetit, Mëhallës së Re, njëkohësisht përmbush funksionin e një ekskursi etnografik paksa të distancuar në një Tiranë ende paramoderne, paçka se e viteve 1950. Është e pamundur të mos shquash interesin e autorit kur flet për Safetin, shtëpiake, mjeke popullore dhe qëndistare, e cila, megjithëse asfare fetare në kuptimin formal të fjalës, dukuri fare e shpeshtë në qytet,  shfaqte një sensibilitet të spikatur për botën e bestytnisë, populluar “nga hëna, xhindët, perritë, nuset e ujit, e veçanërisht nga drurët, të cilët ndaheshin në hijemirë e hijekeq”.

Njaq empatik, paçka se ndër rreshta mund të dallosh buzëgazin e heshtur të autorit, është kallëzimi i një praktike mjekësore më idiosinkratike të shtëpisë, në të cilën Lili, vajza e xhajës së Safetit, që vuante nga reumatizma e besonte se “uji tokëzohet njëlloj si korrenti, pra mjafton të lidhësh çdo gisht dore e çdo gisht këmbe me rubinetin e çezmës dhe uji i tepërt do të “shpërngulej” nga trupi për t’iu bashkuar ujit të rrjetit”, vinte në shtëpi “dhe shtrihej në oborr e i kërkonte Rizait që t’i lidhte telat e bakrit”. Skica ilustron, veç anakronizmit humoristik të personazheve, një aftësi të rrallë e të papritur për të ruajtur kamjen mendore, imagjinarin e tyre, rrethuar nga grabitja e pareshtur materiale, dhe dëshmi force karakteri shoqëror e vullneti për të jetuar.

Pranëvënia e këtyre dy botëve: njëra sikur e shpikur prej ndonjë autori të letërsisë fantastike dhe tjetra një realitet i zymtë, i varfër e i rrezikshëm i ‘ndërtimit të socializmit’, afërsia kaq e madhe, njëkohshëm ndarje e plotë midis publikes dhe, në mos privates së ndaluar me ligj, së paku intimes, tregon kapacitetet e jashtëzakonshme ndërmjetësuese e zbutëse që kjo shoqëri e marrë trashëgim ruajti edhe nën shtypje të skajshme. “Indiferenca e heshtur” e banorëve të Dekalogut merr tiparet jo aq të një rezistence qytetare, gjë kjo fare e pamundur në kushtet shqiptare, por të ruajtjes së një nukli a bërthame humaniteti, njerëzilliku, që, për nga thellësia e shtresëzimi i vet, i kundërvihej vetvetiu rrafshimit identitar që promovonte regjimi.

Në leximin e vet më bashkëkohor, Dekalogu i referohet përsëri këtij humaniteti tolerant e modest qytetës, kësaj radhe plazmuar si një lloj simpatie thuajse e vetvetishme për të përbashkëtën e ekzistuesen, për të qenë parim i duhur udhërrëfyes në zhvillimin e mëtejshëm të Tiranës. Më shumë se politikave publike për qytetin, prodhime procesesh të komprometuara, thirrja u drejtohet privatëve, nesh, të cilët, tashmë që përsëri kemi të drejtën e fjalës për qytetin, duhet të dimë ta ruajmë trashëgiminë kaq brumosëse shoqërore e urbane të Tiranës. Ripërdorimi i sensibilitetit tiranas në ruajtjen e asaj që kemi teksa bëjmë përpara, njëlloj siç banorët e Mëhallës së Re ditën të shfrytëzonin rrethanat e tyre fare të kufizuara për të ndihur ardhjen e modernizimit në lagje e në jetët e tyre, do të ishte vlerë e paçmueshme e shoqërisë sonë, tipar që do t’i jepte asaj një qytetari të fituar me mund e për rrjedhojë të spikatur.

Radikalisht, Krymi parashtron dhe idenë se kjo e shkuar plot ngjarje e ndeshtrasha, me urtinë e përhershme që t’i bënte pjesë të sajën të gjitha risitë, mund të shërbejë edhe si model për të ardhmen që nuk është ende pjesë e imagjinarit shoqëror. Veçanërisht pertinente për epokën tonë të ngrohjes globale është sjellja e ‘shtëpisë’ së pushimit të Bermemëve, një kuti e stërmadhe e gjetur prej Rizait në vendin e punës në uzinë, “ambalazh i drunjtë tornoje”, që, falë zotësisë e prakticitetit të tij, “qe shndërruar në një kabinë plazhi ekologjike nën hijen e pishave”, si shembull të një ekologjizmi vendas e me pak kosto. Propozimi i qasjeve të këtilla, relativisht të lehta dhe të aplikueshme në masë, për të plotësuar nismat e mëdha kombëtare e ndërkombëtare, shpeshherë vështirë të ‘përkthyeshme’ në realitetin vendas, është po aq novator e praktik sa dhe melhemet e Safetit apo shpikjet e Rizait në kohë të vet.

Idealisht, Dekalogu duhet parë si gastare kaleidoskopike e Tiranës së shek. XX, që falë ngërthimit të hollë e elegant të narrativës, arrin të lëshojë një mori të ngjyra-ngjyrshme rrëzëllimesh letrare, kulturore, etnografike-sociologjike, e mbi të gjitha njerëzore. Megjithëse libër i ndërtuar mbi dëshirën e kulluar intelektuale të analizimit dhe shembullizimit maksimal të ndodhive e jetëve që trajton, vetë tema e zgjedhur e rrënjos thellë në aspektin dhe përjetimin njerëzor të qytetit, Tiranës, që nuk është lehtë të zbërthehet në këtë përmasë të tij. Dekalogu duhet dhe ka për t’u lexuar, besoj, për shumë vite me radhë, për meritë të vlerave të veta librore, por është sot, në kushtet e një mësymjeje të pareshtur mbi qytetin, kur dimensioni humanist i veprës, sëmbon më thekshëm në shpirt.

Must read.

(c) 2020, Alen Bejko. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

3 Komente

  1. Autori tek ky artikull perdor ironi te holle ndaj nje qasjeje letrare rreth kotesise qe eshte bere trendy kohet e fundit, qe ngjan deri diku me ”qualunquismo” te Italise se pasluftes, ku ne qender ishte njeriu dosido ose i zakonshem, pra ”uomo qualunque”, veprat dhe (mos)bemat e tij.

    1. Falemnderit për komentin, Dies Irae.

      Me thënë të drejtën, nuk e kam marrë me aq shpoti leximin e veprës, ndaj më vjen keq që jep këtë përshtypje. Në lidhje me njeriun e zakonshëm, që mund të quhet protagonist i librit, kam menduar, në mënyrë jo veçanërisht të strukturuar, që ‘mosbëmat’ e tij, pra të mosvepruarit në rrethana shoqërore ku konformizimi demonstrativ me partinë apo me masat ishte kërkohej me ngulm, ishte e vetmja formë deri diku e pranueshme e ‘disidencës’. Ja pse kjo lloj indiference anonime, prej njerëzish që nuk kishin peshë në opinion publik a në shoqëri, m’u duk interesante.

      Si qasje e kam gjetur fillimisht te A. V. që e trajton këtë në nivel ligjërimor te një seri shkrimesh për organizatat bazë të këtu te PTF dhe në këndvështrim pak më të ndryshëm te “Gjuha e thyer, gjuha që thyen”.

      1. Pershendetje, me vjen keq qe nuk ishte ironi e holle.
        Ditet e fundit, rilexova me shume vertikalisht sesa horizontalisht,dimrin e Kadarese. Shkas u be debati ne shtyp rreth arrestimit te Kadarese ne 1982, sipas variantit qe jep libri i nje prokurori te diktatures, qe thote se Kadarene e shpetoi ai nga arrestimi e pasojat e natyrshme, per shkak te romanit Dimri i Madh, i cili ne rast se Kadareja do hynte ne burg, logjikisht do te denohej me djegie.
        Cdo rilexim per mua eshte i pakendshem, keshtu rezultoi edhe ky. Kadareja u perpoq te bente nje liber epik, alla lufta e paqja, po e vetmja gje epike ishte sahanlepirja e shokut Enver. Kishte bere nje sahanlepirje qe duhet te jete maja artistike e sahanlepirjes ne letersine shqiptare, sidomos pjesen ne Moske, se keto pas Moskes calonin disi.

        Aty jane edhe disa personazhe qe dallohen per mosbemat, thjesht jane futur ne menyre joorganike ne liber si bicim tregimesh, qe duhen ngecur diku. I kalova shume vertikalisht.

        Ku eshte problemi qe shoh ? Keta qe nuk bejne asgje, ishin te domosdoshem per regjimin.

        Regjimi nuk ishte duke ndertuar as socializmin e as komunizmin, por nje strukture pushteti te perbere nga kastat, meqenese piramidat me kasta te ngurtesuara jane ato me jetegjatat ne histori.

        Nuk u duheshin me shume sesa nje numer i caktuar komunistesh, gjithcka ishte e llogaritur me laps ne dore.
        Biles si thote Kadareja edhe mes komunisteve kishte nje ”ne” dhe ”ata”, ku protagonisti nis si pjese e ”ata” dhe e perfundon si pjese e bindur e ”ne” .

        Pra, nuk ka asgje disidence te lejuar apo te palejuar, jane thjesht popull qe duhet te jete e te kerruset ne pune qe pakica sunduese te beje ate ka deshire apo synim te beje. Ata me mosbemat e tyre do te bejne pikerisht asgje, fiks ajo qe i duhet pakices sunduese.

        Njeriu i ri komunist nuk ishte nje projekt qe mund te kishte sukses pa kete masen qe nuk ben asgje. Njesoj si modeli nazist i kastave dhe i njeriut te ri arian apo ne Itali njeriu i ri fashist, kemi te bejme me nje ambicie te shekujve 19 e 20 per te transformuar shoqerine nepermjet transformimit te njeriut.

        Kete e gjeta rastesisht edhe tek teksti i nje kenge te 1993, grupi i njohur Ace of bace, kenga Happy Nation

        Happy nation living in a happy nation
        Where people understand
        And dream of the perfect man
        A situation leading to sweet salvation
        For the people for the good
        For mankind brotherhood

        Shekulli 21 duket se eshte shume cinik rreth mundesive te njeriut dhe projekteve per ekzistencen e nje njeriu te se ardhmes, praktikisht bote tjeter.

        Ne kete kuptim, cili eshte qellimi i nje letersie qe shkon tek kotesia dhe qe i kendon deles ne vend te qengjit te pandalshem?

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin