MENDIME TË PAKREHURA (LX)

(nga Stanislaw Lec*)

Proverbat kundërshtojnë njëra-tjetrën. Këtu qëndron urtësia e popullit.

Nuk ka Torquemada që t’u nxjerrë njerëzve aq shumë sekrete sa etja për famë.

Kur biem nga Hëna, pse vallë duhet të biem gjithnjë me këmbë në Tokë?

Mund t’i mbyllësh sytë para realitetit, jo para kujtimeve.

E kam të qartë se ç’mendoni: “Ex oriente lux, ex occidente luxus!”

Kur thërrasin “Rroftë progresi!”, gjithnjë pyet: “Progresi i kujt?”

Çudi sa e zorshme është të ngjallësh edhe jehonën më të dobët në kokat bosh.

“S’ish gjë, thjesht një meteor,” tha qiriu, gjithë përçmim.

E morën për dikë tjetër, por ia kthyen ndërshmërisht kufomën.

Nuk paguan njeri taksë për krimin.

Gjeli këndon edhe atë mëngjes kur do të përfundojë në tenxhere.

Sa keq që, për të shkuar në parajsë, duhet ta bësh rrugën me furgonin e ndërmarrjes funerale!

Asnjë reformë kalendari nuk do ta shkurtojë kohën e shtatzënisë.

E mbante veten për shkrimtar, por nuk ishte veçse spiun.

Besoj unë në Zot? Një Zot e di.

Nuk mjafton të thuash: “Jam!” Duhet edhe të jesh.

Të ketë vallë vegjetarianë mes kanibalëve?

Truri im ish tepër i lodhur, për të sajuar edhe një mendim të vetëm të rremë.

Duhet të jesh gjithnjë vetja. Një kalë pa kalorës është gjithnjë kalë. Një kalorës pa kalë nuk është veçse njeri.

Çfarë torture ishte! Rreth e rrotull veç gra lakuriqe, të veshura gjer në grykë.

Pasi t’i kesh kujtuar ca gjëra, thjesht një dush i ftohtë nuk mjafton. Duhet më parë një banjë me ujë të nxehtë.

Puritanët duhet të mbajnë gjethe fiku mbi sy.

Kush zgjohet në krevatin ku nuk kish rënë për të fjetur, le të verifikojë menjëherë identitetin.

Çmimi i njeriut rritet – me aq sa ai paguan.

Gjithfarë mendimesh vijnë rrotull në kokë. Disa madje e kuptojnë se mund të dalin që andej.

Jam kurioz të di nëse ka kafshë që, kur na shohin, thonë: “Ecce homo!”

Qëllon që një autor ta mbarsë kritikun me mendimet e veta, por kritiku pastaj e dështon fëmijën.

Një pikëçuditëse e squllur shndërrohet në pikëpyetëse.

Gjithnjë duhet filluar nga fundi.

Mos i kërko Zotit cila rrugë të shpie në qiell: ka rrezik të të tregojë më të vështirën.

 

(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Nouvelles pensées échevelées (frëngjisht).

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin