SHËNIME PËR MUZIKANTIN

një biografi muzikore e Markelian Kapidanit

nga Mikaela Minga

Ka qenë viti 2008, kur profesori im Gjon Kapidani më dhuroi albumin Balkan Piano të Markelian Kapidanit. E dëgjova me kërshëri këtë prurje të tijën, e cila bashkonte gjuhën pianistike të jazz-it me ritme, melodi dhe harmoni ballkanike; një aliazh origjinal, i mbrujtur me energjinë dhe vitalitetin e një muzikanti fort kërkues ndaj vetes. Prej atij momenti, jam munduar t’i ndjek projektet krijuese të Markelian Kapidanit që, me po atë energji dhe vitalitet kërkues, lëvizën nga pianizmi solistik, drejt ansambleve jazz, duke referuar Ballkanin muzikor tek stile e gjini si Bebop, Swing, apo Latin jazz, pa lënë mënjanë edhe punët e tij me Euphonia Ensemble që kanë në fokus vokalitetin. Dhe, rreth 10 vjet pas atij kontakti të parë me Balkan Piano, vendosa  të shkruaj sërish për punën e Markelian Kapidanit pasi lexova draftin paraprak të këtij libri, mbi aspekte teorike e praktike të muzikës jazz.

Markelian Kapidani, në mënyrë shumë modeste,  zgjedh ta titullojë Shënime për muzikantin, duke mos pretenduar të jetë nga ato vëllimet e rënda dhe impenjative. Sidoqoftë, këto Shënime… janë strukturuar mbi bazën e një koncepti teorik të qartë dhe të evidentuar qysh në fillim: ritëmharmonia. Ai e përqendron vëmendjen fillimisht tek ritmi, jo thjesht në nivelin teknik e skematik, por si një element thelbësor i vetë ekzistencës së muzikës jazzShpjegimet e detajuara sa i takon ritmeve dhe karakteristikave të tyre janë një nga kontributet më të rëndësishme që sjell ky libër. Kjo për arsyen sepse Kapidani e zgjeron gjeografinë e tyre jo vetëm në kuadër të atij çka ishte embrioni afro-amerikan i jazzit, i përfaqësuar nga swing-u apo modelet që gëluan në tokën amerikane. Ai shqyrton këtu edhe ato ritme të cilat janë bërë pjesë e jazz-it si rrjedhojë e “oreksit” të madh që ky i fundit ka pasur për të përfshirë edhe gjini e stile muzikore që vijnë nga një gjeografi e përmasave globale.  Për t’u përmendur ritmet e  Flamenco-s, Clave-s dhe variantet e prejardhura prej tyre. Ndërkaq, po aq i thelluar dhe i detajuar është Kapidani në drejtim të analizës së harmonisë jazz, duke marrë në shqyrtim shkallët, modet, tonalitetin dhe konfigurimet e tyre brenda jazz-it përmes akordikës me voicings. Ndihmon shumë nga kjo pikëpamje edhe prania e shembujve të shumtë.

Ky është një tjetër aspekt me vlerë i këtij libri. Shembujt e shumtë, që shoqërojnë të gjitha aspektet e trajtuara brenda tij ndihmojnë jo vetëm në qartësimin e tyre, por njëkohësisht i japin dorë studentit apo atij që është i interesuar për këtë muzikë, që të mund të ushtrohet më tej vetë.

Kapidani është munduar që të trajtojë aspekte që kanë të bëjnë sa me krijimtarinë, aq edhe me interpretimin; ai merret sa me aspekte teorike, aq edhe me anën praktike të kësaj muzike; me logjikën që e ndërton atë, aq edhe me rëndësinë që ka përvoja dëgjimore dhe veshi muzikor në muzikëbërjen jazz.

Kjo është rezultat, besoj i përvojës dhe reflektimeve personale të një muzikanti të cilin prej më shumë se 30 vjetësh tanimë e shohim të angazhuar brenda botës jazz. Markelian Kapidani, ama, është një artist te i cili bëhen bashkë edhe përvoja muzikore jashtë jazz-it: profili si kompozitor, me atë si instrumentist; eksperienca si artist i skenës, po aq edhe aranzhues e njohës i mirë i studios së regjistrimit, ndërkohë që ai vjen nga një formim muzikor “klasik”, i shkollës së kompozicionit në Shqipëri, i cili pas kësaj ka lëvizur edhe në fusha të tjera, si ajo e muzikës së lehtë shqiptare të viteve ’90, më tej muzikës pop italiane, world music, etj.

Për arsye të njohura, jazz-i në Shqipëri mundi të bëhej pjesë e jetës artistike shqiptare  vetëm pas rënies së diktaturës dhe Markelian Kapidani ndan me lexuesin edhe një pjesë autobiografike në lidhje me këtë. Ndërkaq, është e vërtetë se sot kemi muzikantë aktivë që luajnë dhe interpretojnë jazz; kemi edhe plot festivale të dedikuara. Megjithatë, në nivelin e mësimdhënies akademike jemi ende në hapa fillestarë. Ndaj, këto Shënime për muzikantin kanë një vlerë shumë të veçantë dhe përbëjnë një kontribut për t’u vlerësuar. Nuk pretendojnë të jenë në nivelin e një teksti akademik universitar, madje e sfidojnë e kritikojnë në mënyrë efektive akademizmin skematik “klasik” të mësimit të muzikës. E duke bërë pikërisht një gjë të tillë, ato arrijnë të hedhin baza të rëndësishme të mësimdhënies jazz në Shqipëri. Duke ardhur nga një muzikant i cili tanimë mund të thuhet se ka kontribuar bindshëm në bërjen e një historie të jazz-it rreth e rrotull këtij vendi që quhet Shqipëri, ato i ofrohen muzikantit në mënyrë të strukturuar, të qartë, duke e ndihmuar jo thjesht me njohjen, por mbi të gjitha me familjarizimin me atë që qëndron në thelb të kësaj gjuhe muzikore. E ndërsa lexoja Markelian Kapidanin me këto Shënime… m’u kujtua një thënie shumë kuptimplotë e Wynton Marsalis të cilën autori i këtij libri e përmbush plotësisht: “Jazz-i nuk është vetëm: “Shokë, me thënë të drejtën, kjo është çka ndjej të luaj. Në fakt, është diçka shumë e strukturuar e cila rrjedh nga një traditë e caktuar dhe kërkon shumë mendim e studim.”

 

(c) 2019, autorja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Rreth Autorit

Mikaela Minga është etno/muzikologe pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve. Merret me praktika të ndryshme muzikore të arealit ballkanik e mesdhetar, me muzikën në shek. XX dhe lidhjet e tyre të shumanshme në rrafsh artistik dhe social-kulturor. Është autore librash, esesh dhe artikujsh të ndryshëm.

Author Archive Page

1 Koment

  1. Nuk jam krejt i sigurte nese eshte vertete kontribut per shkollen shqiptare te muzikes muzika jazz por mund te them me bindje qe ska aspak lidhje me kulturen muzikore ne pergjithesi europiane dhe aq me pak ballkanike por edhe akoma dhe me pak ose me mire aspak me kulturen muzikore shqiptare. Muzika e Jazzit ka lindur vone ne perendimin e larget dhe sigurisht ka qene atribut i nje shoqerie te caktuar kryesisht me ngjyre !
    Nuk eshte ne shtratin shqiptar muzika Jazz, ky “kostum” nuk i rri mire muzikes origjinale shqiptare . Por kam respektin per ju si studiuese qe me ben bertete kurioz per ta lexuar kete liber.

Lini një Përgjigje te Sofika GjinoAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin