PUNËTORË, DEMBELË, PARAZITË

Këto ditë u fol për dembelizmin, veçanërisht në kontekstin e diskutueshëm të “dembelizmit të shqiptarëve”, një togfjalësh që nuk do të thotë veçse “shumë shqiptarë janë dembelë.”

Vetë fjala, dembelizëm, është nga ato hibride që dalin prej kryqëzimit të një teme të huazuar nga turqishtja-osmanishtja, dembel; dhe një prapashtese të huazuar nga gjuhët perëndimore: -izëm; shqipja shquhet edhe për marifete të tilla, sinergji, shartime ose kolazhe leksiko-kulturore.

Por në shqipe dembelizëm ka pasur konkurrencë me dem(b)elí në veri dhe dembel-llëk në jug (Dizdari); përndryshe, përtac, që është sinonim me dembel, nuk ka dhënë gjë *përtacizëm, por është mjaftuar me një përtaci.

Ka fituar dembelizmi edhe ngaqë folësit kanë pasur nevojë për një fjalë që të tregojë jo vetëm një ves, të qenët dembel, por edhe një lloj qëndrimi ose psikologjie që mbështetet në kultivimin e këtij vesi.

Dhe që, në thelb, ndihmon për ta kthyer vesin në virtyt.

Fjala është e ligjërimit libror, formal, burokratik; nuk ndodh që t’i thotë prindi fëmijës “ti vuan nga dembelizmi”. Duke e abstraguar një karakteristikë psikologjike nga subjekti, ose duke e ndalë “të qenët dembel” nga personi vetë, dembelizëm përfton një lloj efekti ekzorcizues.

Natyrisht, të jesh dembel, nuk kërkon ndonjë lloj zotimi; mjaft t’i shmangesh punës, ose të parapëlqesh të vrasësh kohën. Shqipja ka një folje të specializuar për të shprehur atë që “bën” dembeli: rri; një folje që mungesën e aktivitetit e paraqet si një lloj aktiviteti.

Dembeli është ai që rri; ndryshe nga përtaci, i cili përton të bëjë këtë ose atë, ose që përkufizohet në mënyrë negative, përkundrejt një veprimtarie të shmangur. Ka diçka ekzistenciale të përgjithshme te të qenët dembel; një lloj qasjeje ndaj jetës që nuk është shumë larg soditjes; prandaj edhe kushedi na vjen më e lehtë të themi dembelizëm, duke i dhënë vesit dinjitetin e një doktrine motivuese, të një kategorie me skepticizmin ose optimizmin; edhe pa shkuar deri te budizmi, racizmi ose ekspresionizmi.

Dembel është edhe nga ato përcaktime që zakonisht ta japin të tjerët – jo aq ngaqë është sharje ose fyerje, sesa ngaqë askujt, si rregull, nuk i duket vetja dembel. E shumta, ti mund të thuash “përtoj ta bëj këtë apo atë”, ose e shumta “nuk di pse qenkam kaq përtac sot”; por vështirë të dëgjosh dikë të thotë: “unë jam dembel nga natyra.” Kjo edhe ngaqë dembeli, ose ai që nuk e ka qejf punën ose nuk do të punojë, gjithnjë me vete gjen ndonjë arsye tjetër për sjelljen e vet: është i lodhur, ose ka punuar shumë dhe tani po shplodhet, ose kjo punë nuk i takon atij, ose nuk e paguajnë mirë, ose është sëmurë, etj.

Sërish si rregull, cilësimi dembel për një person vjen nga dikush që e pret atë person të punojë (më shumë); në kuptimin që dembel do të ishte ai që rri, në një kohë që duhej të ishte duke punuar. Kjo e ka një domethënie që brenda ekonomisë shtëpiake dhe familjes patriarkale – ku shpesh si dembele del nusja; por e merr kuptimin e vërtetë brenda një marrëdhënieje të punësimit; meqë dembel mund të jetë punëtori për pronarin, por vetëm shumë rrallë dhe përjashtimisht pronari për punëtorin.

Çka do të thotë se dembel nuk është aspak i pafajshëm, si përcaktim; meqë shpesh nuk ka kuptimin “ai që nuk ka qejf a dëshirë të punojë”, por kuptimin “ai që nuk po punon sa dhe si duhet për mua”; dhe këtu kalojmë nga leksiku në ekonomi politike.

Te një koment në faqen online të MAPO-s lexova, rastësisht, mendimin se nuk është “dembelizmi” e keqja e shqiptarëve, por “parazitizmi” – ose dëshira për të jetuar në kurriz të tjetrit; një mendim që më bëri pastaj të arsyetoj prirjen e shumëve prej nesh për të jetuar me rentë: duke dhënë apartamente, troje dhe dyqane me qira ose, më në përgjithësi, duke ofruar shërbime negative, të tipit “më paguaj, që të mos të bëj keq”.

Në popull, dembeli dhe paraziti mund të jenë dy anë të së njëjtës medalje – sepse kush ia përton punës, duhet të gjejë megjithatë një burim jetese dhe pastaj të parazitojë mbi të. Megjithatë, shumë nga ata që dalin në krye të punëve sot janë, në thelb, parazitë – dhe jetojnë duke mbledhur a vjelur rentë për influencën që ushtrojnë a frikën që ngjallin; ose me punën e të tjerëve.

Këtu do të ngrihen shumë dhe do të më thonë se edhe parazitit i duhet të punojë, ndonjëherë rëndë, për të ruajtur statusin e vet si parazit; për shembull, një i fortë, që pasurohet duke u marrë përqindje bizneseve përkundrejt “mbrojtjes” a si tutor prostitutash; ose duke dhënë pará me fajde; ose duke ndërmjetësuar midis krimit të organizuar dhe një partie politike.

Dhe nuk do të ishte çudi që, brenda kësaj dinamike, paraziti të ankohej për viktimën e vet dhe ta quante “dembele” më fort e më shpesh se ç’të ankohej viktima dhe ta quante atë “parazit.”

Për t’u kthyer tek ekonomia politike, dembeli mund të përfaqësojë edhe fazën më primitive, ose naive, të protestës prej kujt nuk dëshiron të punojë, sepse puna nuk i jep frytet që priste; me kusht që në skajin tjetër të kësaj proteste të gjendej një parazit.

Përkundrazi, ai dembel që rri dhe pret momentin, kur të shndërrohet edhe ai vetë në parazit, nuk është veçse duke riprodhuar një marrëdhënie sociale në thelb të pabarabartë dhe të padrejtë.

Natyrisht, edhe keqbërësit, ose atij që jep e merr, me mish e me shpirt, për t’u pasuruar në mënyrë të paligjshme, ndonjëherë duke vënë edhe kokën në rrezik, mund t’i duken të tjerët, ose ata që druhen t’i futen kësaj karriere, si dembelë.

Dhe, tek e fundit, në një shoqëri ku ata që dalin në krye nuk dalin falë virtyteve, por falë veseve, është tejet problematike që fajësosh “dembelizmin”, sa kohë që edhe politika, edhe mediat haptazi nxitin parazitizmin si model të suksesit.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: