EMOCIONE KOSOVE (II)

nga Të çelen arkapijat

Duke i unifikuar kosovarët përmes refuzimit të PS-së shqiptare, meqë kjo përfaqësoka jugun e largët për ta, Skënder Limani më duket se ka anashkaluar në mënyre futbollistike gjithë mbrojtësit e enverizmit në Kosovë, të cilëve nuk ua pengonte e nuk ua pengon jo vetëm jugu, po as karakteristika të tjera shumë më pikante, të duan Enverin.

Më duket emblematik enverizmi në këtë mospërmendje, sa kohë që autori kosovar mëton të na transmetojë si fakt të kryer ftohtësinë e dyfishtë ndaj të majtës dhe jugut në krahinën e tij, e ndërkaq pika më ulëritëse ku puqet e majta me një element jugu është pikërisht Baca i papërmendur i jo pak kosovarëve që mbushin salla sporti çdo 16 tetor.

Përmenda vetëm një ekstrem, më të dukshmin, pa dashur të hyj edhe vetë në përgjithësime akoma më vulgare të kosovarit si enverist, tipike deri vonë në anën tonë të kufirit. Por meqë the medium is the message, nuk e anashkalova dot adresën ku ishte botuar ky artikulli që nxjerr se kosovarët janë të ftohtë me PS-në, vetëm pse kjo ardhka nga poli i Jugut.

Me sa e njoh shtypin e Kosovës, besoj se të tilla cilësime tentojnë të koleksionohen më ngjeshur në organe të rilindjes gege, të cilat sillen gati të gjitha rreth një ish-rocker-i, shkrimtarit të talentuar e intelektualit karizmatik Migjen Kelmendi. Hasmëve të tij të shumtë linguistikë në vend, Migjeni ua merr për të madhe servilizmin kulturor ndaj Tiranës që, sipas tij, barazohet me pranimin pa kushte të “toskërishtes” dhe hierarkive apo narrativave zyrtare të cunguara të Republikës së Shqipërisë në kulturë a histori. Një lloj paradigme e tipit “Black is beautiful” dhe një lloj emocioni revizionist e kritik ndaj “hegjemonisë toske” është element i pakapërcyeshëm në qasjen e organeve që frymëzon a drejton Migjeni Jr.

Por kundër pretendimit të ftohtësisë me jugun, sjellë nga Limani, flasin, edhe duke heshtur përditë në Kosovë, qindra kosovarë me emra prekës (tip Paris Hilton) si Saranda, Vlora a Berat, pa përmendur Asdrenin, Fanolin e Dritërotë e shumtë e deri Bubulinat që na e gjallëronin në mënyrë të papritur minutazhin e apelit në bankat universitare të pasnëntëdhjetës, kohë kur listat u hapën edhe për shqiptarët e jashtëkufinjve.

Lëvrimi lokal e i shumëmediatizuar i muzikës popullore të jugut, ndërgjegjja e ndezur për Çamërinë, pelegrinazhet me autobusë karvanesh drejt Vlorës, plotësuar nga sipër me një establishment romantikësh naimianë me Qosen e portrete të tjera thinjoshësh nga institucionet e kohës së autonomisë, sikur e relativizojnë këtë pretendim, i cili në fakt e merr rëndesën pikërisht aty ku nuk duhet: tek një interpretim regjionalist, personal e intuitiv ky, mesa duket, i faktit se kosovarët nuk na e dashkan shumë PS-në shqiptare.

Kam përshtypjen se veç regjionalizmit, që nuk do anashkaluar asnjëherë në shoqëri ende-gati-rurale si e Kosovës, ku homogjenizimi është penguar mjaftueshëm edhe nga kondita e pushtimit, përshtypja antipësë e kosovarëve mbase do kërkuar tek Rugova mbarëpopullor apo tek ftohtësia e njohur me të cilën karakterizoheshin marrëdhëniet e tij me socialistët tanë, krahasuar me nxehtësitë që rrezatonte gjakovari Berisha.

Në anën tjetër, nuk është sekret ftohtësia e këtij të fundit ndaj UÇK-së e strukturave që dolën prej saj pas lufte, po ashtu si nuk është sekret as bashkëpunimi i socialistëve me po këta.

Këto përshtypje, që lidhen me dinamikat e aleancave ndërpartiake Kosovë-Shqipëri, më tepër se sa me sentimentin e mirëqenë tribal, sigurisht lënë hapur më shumë se një mënyrë interpretimi. Dikush i sheh, apo preferon t’i shohë si të lidhura me nënidentitete kulturore. Ka të tjerë që leximet e tilla identitare (kosovar/geg vs shqiptar/jo-vetëm-geg), i shohin më tepër si teknologji opinionformuese sesa opinionshpjeguese. Kjo sepse intelektualë e veprimtarë të ndryshëm në Kosovë, me sa duket, i druhen peshës së stërmadhe të Shqipërisë në krahinën e tyre dhe është çështje jetike për shumëkënd prodhimi i dasive të mëtejshme apo ripërcaktimeve identitare mes shqiptarëve, në mënyrë që të “përzënë” konkurentët që zbritën, si të thuash, bashkë me lirinë prej bombardierëve të NATO-s.

Ngritja e një muri gjuhësor do ta mbante garën të hapur vetëm për mëtonjësit zonalë dhe do të përligjte nga brenda edhe dizajnin ndërkombëtar për mosndryshimin e kufinjve. Prandaj, me gjithë sharmin revolucionar që përçojnë në gjeste, parë “nga sipër”, kosovaristët janë, duan s’duan, një projekt konservator, në sensin që insistojnë për të konservuar ndarjen.

Kurse parë nga poshtë, në të njëjtat faqe kosovare ku lexojmë për rivendikimet e gegërishtes, lexon edhe kujën për rrogën e majme të Ardi Krastës prej Tirane në ndonjë fakultet privat prishtinas, krahasuar me kolegët vendorë “që nuk dijnë mirë shqip”, apo denoncime të tradhëtisë së zyrtarëve që u falin hapësirën kosovare televizioneve të Shqipërisë… (Megjithëse krahasimi nuk përmbyllet krejtësisht, reagime të tilla do t’i përqasja me ato të shumë gjermanolindorëve pas bashkimit, kur strukturat e Gjermanisë Federale synuan të imponohen totalisht, duke nxjerrë jashtë loje gati gjithë përvojën lindore.) Kështu këto shqetësime …”maltusiane” kanë nevojë të problematizojnë e esencializojnë deri në kufinjtë e divulgimit popullorçe, prandaj mbase iu duhet të insistojnë në kategori të forta demarkacioni.

Nga ana tjetër, mendoj se fobia antikosovare e Maks Velos është pak më e qartë në konture e origjinë, duke qenë se i përket krejtësisht doracakëve të standartizuar të paramodernitetit. Nuk besoj se e tija është fobi tosk vs. geg, siç me të drejtë nënvizon Xhaxhai, po as tiranas vs. kosovar nuk besoj të jetë. Personazhi, në artikullin e vet tip manifesti, botuar 3 vjet më parë në faqen hapëse të gazetës më të madhe në vend, thoshte se kosovarët janë, përveçse “primitivë”, edhe “qaramanë”, se kërkojnë që “fajet e veta t’ua hedhin të tjerëve” (serbëve, p.sh.), e kështu kërkojnë të na armiqësojnë me të krishterët e Ballkanit. (As Velo e as gazeta ku ky botoi artikullin nuk kanë kërkuar kurrë falje për këto fyerje ndaj një popullate të sapodalë nga përzënia kolektive e nga masakrat.)

Në një debat te TV Klan mbi shqiptarët e Maqedonisë, pak javë më parë, Velo shkoi deri në atë pikë në cilësimet e veta antimuslimane, saqë publicisti Artur Zheji, i pranishëm, e pa të udhës të deklarojë se si i krishterë, distancohej nga “fondamentalizmi i krishterë” i Maks Velos. (Pasazhet e nxehta, ku Velo thotë se minaretë e shqiptarëve të Maqedonisë i duken “si raketat e Iranit”, bënë xhiro të plotë në televizionet maqedone dhe transkriptin e tyre e gjen ta citojnë si trofe Julia Gorin me alarmistë të tjerë luftënxitës të së djathtës elektronike.)

Shënim: menduam ta nxjerrim këtë koment si shkrim më vete, për shkak të qasjes origjinale dhe intelektualisht brilante ndaj një problemi që rrallë e sheh të trajtuar haptazi. Materialin e përshtati ortografikisht Bujku, ndërsa ndarja në paragrafe dhe ndonjë redaktim tjetër minimal janë të miat [2Xh].

Nuk ka komente

  1. Xhaxha,

    te falemnderit perzemersisht per vleresimin dhe ndjese per kohen qe ke harxhuar me formatimin e redaktimin. Falemnderit shume dhe Bujkut, me te njejten ndjese per mundin ne rregullimin ortografik.

    1. Të lutem! E bëra me kënaqësinë më të madhe. Faleminderit juve që u ulët e shkruat sa më sipër. Ju uroj sa më shumë frymëzim.

  2. Te celen arkapijat,

    “…te duan Enverin”

    Kosovaret nuk mund te cilsohen keshtu. Eshte e vertete se ka pase disa te rij/intelektual te cilet shifshin perkrahje nga prapaganda enveriane ne aktivitetin e tyre kunder represionit Serb, por numri i tyre ka qene shume i vogel, ndoshta eshte shume te thuash me qindra individ. Qendrimi i ketyre te rinjve duhet kuptuar ne kete kotext. Edhe sot ka nje numer shume, shume te vogel prej atyre qe mund te idealizojne aspekte enveriane. Eshte e tepert te identifkosh kosovaret me individ qe ‘mbushin salla sporti me 16 tetor.’

    Eshte gjithashtu e vertete se kosovaret, me fjale te tjera populli i tere, haptas solidarizohej me ineteresat e kombit shqiptar. Si do u sillte nje kosovare ne kete realitet! Tu beheshin vegel e politikes serbomadhe e ti kunderveheshin propagandes qe vinte nga Tirana! Perkundrazi, ata shifshin perkrahje ne propaganden anti-jugosllave te Tiranes.

    Problemet kosovare sot kane ndryshuar por inteligjencia e saj mbetet e koshiente shqiptare. Jane te teperta edhe citimete veri/jug. Kosovaret jane me pak lokalista se shume. Ku ke pare nje popull me tradite to kufizuar shkollore te mundohet me pervetsuar gjuhen letrare, e ne medien e saj te reprezentohet e tere Shqipria, jug dhe veri.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin