DER ERLKÖNIG

nga Arb Elo

Im nip, që është tanimë gjimnazist e të cilit i duhet në shkollë të analizojë „Faust“-in e Gëtes, porse edhe „Cubat“ e Shilerit dhe „Fizikanët“ e Dyrrenmatit, u bë shkas për radhët e mëposhtme.

Meqenëse mes nesh bie kësisoj shpesh fjala për Gëten, më është dashur mua vetë së pari të rifreskoja dijenitë e mia për këtë klasik jo vetëm të gjermanishtes e ta përjetoj nga afër kështu peshën që ai ka në mësimdhënien dhe edukimin letraro – gjuhësor në botën gjermanofolëse, ku më ka rënë fati edhe të jetoj.

Ndaj ishte afërmendsh të nisesha e të rikujtoja ca lexime të largëta të veprës së tij të dhënë asokohe në shqip nga S. Luarasi, si dhe të kërkoja të tjera shqipërime në rrjet, për të gjetur emra nga më të njohurit, që janë marrë me Gëten.

Fan Noli, Luarasi i lartpërmendur, Ndre Mjeda, Sejfulla Malëshova, Lasgush Poradeci, Perikli Jorgoni, Shpëtim Çuçka, etj.; radha e tyre lexohet si një who is who e ajkës së përkthimit shqiptar.

Nuk mund të mungonte aty edhe emri i Robert Shvarcit me një shqipërim të tij të një balade të Gëtes, me të cilën kanë edhe të bëjnë rreshtat që vijojnë: „Der Erlkönig“

Titull të cilin Shvarci e ka dhënë me Mbreti i pyllit“. Mu këtu, qysh në titull, nis edhe vështirësia e shqipërimit të kësaj vjershe fort popullore, që u jepet shpesh nxënësve të fillores këtu, kur këta nisin e merren me gjuhën dhe letërsinë e vendit të tyre e të cilën shumë gjermanë e identifikojnë, – bashkë me „Faust“-in natyrisht, – me emrin e rëndë të autorit.

Subjekti i këtij shkrimi është pikërisht firoja e nuancave të një teksti poetik nga një gjuhë në tjetrën, përgjatë shqipërimit të kësaj pjese, humbjes që i ndodh nga ndërskriptimi origjinalit, – humbje për të cilën, kuptohet, nuk mund të bësh, e as nuk po dua të bëj, me faj kënd, – aq më pak përkthyesin e njohur R. Shvarc, i cili na ka dhuruar në shqip sa e sa shqipërime mjeshtërore.

E megjithatë, – për fat të mirë a të keq, vështirë të ftillohet kjo, – askush nuk është i imunizuar prej lajthitjeve, në qofshin këto më poshtë të tilla; as Shvarci, e admirimi që kam përjetuar kur kam lexuar „Tre shokët“, bie fjala, nuk më pengon ta lexoj çdo tekst të tij sikur të ishte i pari. Parantezë mbase e panevojshme kjo më sipër, por ja që ndjeshmëria jonë (po dua ta shmang fjalën: shqiptare) është shpesh fort më patetike se shija kritike kur bie fjala te figura të tilla si ky, porse edhe Kadareja etj., siç u pa edhe në kremtimet pa kripë të para ca ditëve, por kjo është temë tjetër dhe, tekembramja, nuk është as e tillë, temë pra: të tjera halle ka ky popull, ndërsa këto më sipër ku m’i gjen.

Dua të them se problemin unë e kam me tekstin e jo me përkthyesin e tij.

Çka ndoshta mund të mëtohej në formë kritike këtu, do të ishin të tjera përkthime, të cilat mbase do të nxirrnin anë të tjera të tekstit të Gëtes në pah, anë që kanë firuar në shqipërimin e Shvarcit, ndërkohë që për hijeshinë, metrikën dhe poezinë e këtij të fundit nuk më takon aspak mua të gjykoj; këtu më intereson vetëm saktësia gjuhësore dhe besnikëria ndaj origjinalit.

Ja edhe origjinali i kësaj balade përkrah përkthimit:

Der Erlkönig

Wer reitet so spät durch Nacht und Wind?

Es ist der Vater mit seinem Kind;

Er hat den Knaben wohl in dem Arm,

Er faßt ihn sicher, er hält ihn warm.

 

“Mein Sohn, was birgst du so bang dein Gesicht?” –

“Siehst, Vater, du den Erlkönig nicht?

Den Erlenkönig mit Kron und Schweif?” –

“Mein Sohn, es ist ein Nebelstreif.”

 

“Du liebes Kind, komm, geh mit mir!

Gar schöne Spiele spiel’ ich mit dir;

Manch’ bunte Blumen sind an dem Strand,

Meine Mutter hat manch gülden Gewand.” –

 

“Mein Vater, mein Vater, und hörest du nicht,

Was Erlenkönig mir leise verspricht?” –

“Sei ruhig, bleibe ruhig, mein Kind;

In dürren Blättern säuselt der Wind.” –

 

“Willst, feiner Knabe, du mit mir gehn?

Meine Töchter sollen dich warten schön;

Meine Töchter führen den nächtlichen Reihn,

Und wiegen und tanzen und singen dich ein.” –

 

“Mein Vater, mein Vater, und siehst du nicht dort

Erlkönigs Töchter am düstern Ort?” –

“Mein Sohn, mein Sohn, ich seh’ es genau:

Es scheinen die alten Weiden so grau. –”

 

“Ich liebe dich, mich reizt deine schöne Gestalt;

Und bist du nicht willig, so brauch’ ich Gewalt.” –

“Mein Vater, mein Vater, jetzt faßt er mich an!

Erlkönig hat mir ein Leids getan!” –

 

Dem Vater grauset’s, er reitet geschwind,

Er hält in Armen das ächzende Kind,

Erreicht den Hof mit Müh’ und Not;

In seinen Armen das Kind war tot.

 

Johann Wolfgang von Goethe

Mbreti i pyllit

Kush sulet me kalë nëpër terr e stuhi?

Është babai me djalin e tij

Foshnjën ndër krahë fort e shtrëngon

E mban me kujdes, nga era e mbron

 

– O bir, fytyrën me frikë pse e fsheh?

– Mbretin e pyllit, babush, a s’e sheh,

me kurorën mbi kokë e bishtin e gjatë?

– Është mjegull ajo, o bir, është natë!

 

“Fëmijë e dashur, eja me mua

kam lodra të bukura, si thua?

Do të të çoj mes lulesh përrallore,

do të të vesh me rroba princërore!”

 

– Babush, babush, a nuk po e dëgjon

Mbreti i pyllit çfarë më premton?

– Qetësohu, o bir, askush nuk të flet

është era në pyll, që klith e bërtet –

 

“Fëmijë e dashur, a s’po vjen me mua?

Çupat e mia do jenë shoqet e tua;

Vallen do heqin e do këndojnë

me ty gjithë ditën, do lodrojnë”

 

– Babush, babush, a s’të ngjan se janë

çupat e mbretit atje matanë?

– O bir, o bir unë dalloj fort mirë

janë vetëm livadhet në errësirë –

 

“Të dua shumë, pamja jote më tërheq!

Dhe në mos ardhsh me dashje, do të vish me të keq!”

– Babush, babush, ai po më kap e po më merr

Mbreti i pyllit më kall frikë e tmerr!

 

Babai rrënqethet, me vrap kalin e nget

Fort djalin shtrëngon, që regëtin e s’flet

Me ankth e llahtar arrin në shtëpi

Por i vdekur ish djali në krahët e tij.

 

përktheu: Robert Shvarc

 

Vështirësia, siç shkrova, nis qysh në titull. Erle në gjermanisht ka kuptimin e një verri [VERR m. bot. Dru i ulët me lëvore të lëmuar ngjyrë hiri, me gjethe vezake e të dhëmbëzuara, dhe me lëndë të fortë që rritet buzë lumenjve e në vende me lagështirë dhe që përdoret zakonisht në ndërtim. Verri i bardhë. Verri i zi. Dru verri. Gjethe verri. Pyll me verra.], mirëpo nuk është aspak e qartë nëse vetë Gëte ka patur këtë parasysh, pemën pra, kur e ka shkruar baladën apo bëhet fjalë këtu për një gabim të transportuar po ashtu nga një përkthim tjetër nga danishtja, përkthim ky i Herderit i një balade me subjekt të ngjashëm, i cili e ka sjellë fjalën Ellerkonge kësisoj, si Erlkönig pra, por që do i binte të ishte Elfenkönig në gjermanisht, mbreti i zanave pra, i orëve, shtojzovalleve, karkanxhollëve, etj., varësisht si do të jepej në shqip fjala Elf e gjermanishtes ose dhe e anglishtes.

Më e ndërlikuar bëhet kjo e tëra kur gjen në fjalorin gjermanisht-shqip të Ali Dhrimos (kam përpara botimin e vitit 2007, Infbotues) fjalëformimin Erlkönig të dhënë në shqip me të barazvlershmin mbret i pyllit e ku është pothuajse e pamundur të zhbirilohet, nëse Shvarci e ka marrë  titullin e tij prej këtej, apo Dhrimo është mbështetur te Shvarci për ta futur fjalëformimin në fjalorin e tij në këtë formë.Me një fjalë, nuk është e qartë nëse Gëte e ka transportuar lapsusin e mundshëm të Herderit në baladën e tij; ndërkaq dihet me siguri se përkthimi i këtij të fundit i baladës daneze ka qenë materiali, prej nga Gëte është nisur të shkruajë versionin e tij.

Nuk dihet pra me saktësi nëse Gëte donte të thoshte „Mbreti i verrishtes“, apo „Mbreti i zanave“; ajo që unë kuptoj deri më këtu është që Mbreti i pyllit, – në mos më tepër një farë kompromisi për të dalë nga kjo dilemë, – është, pak të thuash, titull shumë i pasaktë e që e tjetërson shumë atë të Gëtes, që ka zënë vend vetiu edhe në gjermanisht si i tillë e të cilit shumëkush ia merr me mend semantikën, mbase edhe pa e ditur mirë se ç’është vërtet një Erlkönig.

Kush kalëron kaq vonë nëpër natë dhe erë? – përkthimi literal i vargut të parë gjendet te Shvarci si: Kush sulet me kalë nëpër terr e stuhi? Nata bëhet terr, era bëhet stuhi, kalërimi bëhet sulet me kalë.

Es ist der Vater mit seinem Kind; Është babai me fëmijën e tij; Gëte nuk e qartëson akoma gjininë e fëmijës këtu, – kreshendo e cila ndodh një varg më tutje: Er hat den Knaben wohl in dem Arm – E mban çunakun mirë e bukur – ose: shëndoshë e mirë – në krah.

Te Shvarci fëmija bëhet djalë dhe kreshendoja ndodh në kah të kundërt, djalin e shohim në vargun e tretë tash si foshnjë, ndonëse është paksa e vështirë të përfytyrohet një foshnjë të trialogojë, siç do të ndodhë më poshtë, me babain dhe mbretin, në atë formë.

Mund të vazhdohej kështu deri në fund e të analizohej e tërë balada sikurse dhe përkthimi i saj, mirëpo kësisoj nuk do i bëja nder as përkthyesit e as vetes, pasi është e vërtetë që jam amator në këtë fushë, mirëpo jo aq, sa për të mos e kuptuar se shqipërimi fjalë për fjalë nuk të çon asgjëkundi e që gjërat nuk mund të shihen me këtë optikë.

E megjithatë, jo për t’ia ulur vlerat shqipërimit të Shvarcit, të cilin shumëkush që nuk di gjermanishten mund ta krahasonte me përkthimet e panumërta në gjuhë të tjera, e as për të synuar ndonjë përsosmëri të pamundur, më duhet të shprehem se ky, përkthimi pra, është mjaft i tjetërsuar, është tjetër gjë, më ngjan shumë më tjetër nga ç’është origjinali, ose nga ajo që mendoj unë se na qenkësh ai.

Goethe-Erlkoenig-Schwind-Trans768

Ilustrimi nga Moritz von Schwind (1804-1871)

Sa për të marrë një shembull: ndërsa unë skenerinë e Gëtes e përfytyroj pazgjidhshmërisht mesjetare, mitologjike e goxha të rëndë, me raportin e respektit të distancuar atë-bir mes tyre, që më vjen i tillë nga mënyra e komunikimit, kur i biri i drejtohet babait të tij me mein Vater – im Atë, si të thuash, dhe ky atij me mein Sohn – biri im; në përkthimin e Shvarcit nuk e gjej këtë përpjestim, por në vend të tij has fjalët babush dhe bir, të cilat përçojnë një tjetër klimë, përgjërimtare ndoshta, mirëpo sidoqoftë të një tjetër natyre nga ajo e origjinalit.

E gjitha kjo skizmë, ky dyzim mes dy teksteve, më përcjell përgjatë krahasimit të tyre me adashin e vet, ndërkohë që do të dëshiroja ta lexoja Gëten të shqipëruar shkëlqyer, siç do meritonte të përkthehej një gjigant i tillë, ndonëse e kam të qartë që kjo është veçse formë dëshirore shpesh e papërkthyshme në realitet .

Mbase, nga ana tjetër, pikërisht këto afrime të pakryera mirë, këto qasje të kithëta, në thelb të pamundura, ndaj origjinalit që nuk u jepet, na e bëjnë këtë të fundit edhe më të shtrenjtë, pak a shumë kjo si proçesi që ndodh me atë që quhet „pasurimi“ i mineraleve në botën e xeherorëve.

Do të dëshiroja gjithashtu, në vend të mbylljes, t’u sugjeroja atyre që nuk e lexojnë dot gjermanishten, por që ndoshta e kuptojnë kumtin muzikor të saj duke e dëgjuar, një urë tjetër të dy kulturave, Aleksandër Moisiun dhe recitimin e tij (të përsosur, sipas meje) të baladës në fjalë:

si edhe  tingëllimën që i ka shtuar kësaj vepre Franc Shuberti:

Ngushëllime fort të epërme këto për këdo që nuk e ka mundësinë e të paturit të hartës territoriale të tekstit në shkallën një me një.

 

1 Koment

  1. ah more Traduttore Traditore! është vërtet një fat i madh apo një thesar i madh kur një gjuhë/kulturë ka “tradhëtarë” të një cilësie të lartë. Të shpresojmë që gjuha shqipe do të vazhdojë të ketë të tillë…

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin