UDHËTIMI I KËNGËS (I)

E vërteta dhe e rremja “O e bukura More”

Kënga “O e bukura More” këndohet prej shumë vjetësh edhe në Shqipëri, e mbsuame arbërore e jona. Mendohet të jetë kënga më e vjetër në shqip ende gjallë që është kënduar vazhdimisht për mbi 500 vjet prej arbëreshëve dhe që ka një famë që rritet me vitet.

Duke mos ditur ku e kur tamam nisëm ta dëgjojmë, dhe nga që melodia dhe ndjesia që kënga jep janë emocionuese e të dëgjuara shpesh, vjetërsia që kënga bart në përmbajtje dhe formë bëhet lehtë edhe e jona: na duket të jetë po aq e lashtë mes nesh, shqiptarëve, sa mes Arbëreshëve të Italisë ku lindi. Por Moreja (Morea) fjalavjen, është një element gjeografik që shijuesi i zakonshëm i këngës nuk e njeh. Edhe ai që e di se bëhet fjalë në fakt për Peloponezin e sotëm grek, nuk di lidhjen mes arbëreshëve dhe arvanitëve, dhe as vendbanimet e këtyre të fundit në Greqi. Por ka një element të këngës që na mahnit e përlot të gjithëve, dhe që nuk e vemë kurrë në dyshim: faktin që kënga doli nga zemra e të parëve Arbëreshë që arritën nga Moreja (Peloponezi) për në Arbëri, në vitet e para kur dhimbte malli për mëmëdheun e largët, dhe më pas u përcoll brez pas brezi e fshat më fshat për t’u bërë himni kombëtar i arbëreshëve. Për vjetërsinë bindja jonë e përgjithshme është e saktë; sa për kuptimin e këngës në origjinë, gabojmë: as në këtë krah të Adriatikut dhe as në atë Italian, nuk ia dimë zakonisht historinë këngës së njohur.

Nga studimet historiko-etnografike dhe analizat tekstuale bërë këngës nga studiues arbëreshë[i] shfaqet një histori e ndryshme nga ajo që të gjithë lidhim me “Të bukurën More”. U kujtoj më poshtë lexuesve tekstin e këngës, në një version zyrtar botuar në Piana degli Albanesi në vitin 2005. Veç variacioneve të lehta si p.sh., në formën e së kryerës së thjeshtë të përdorur (sigmatike ose jo), me ose pa fjalën “Zonjë” për rastin e mëmës, si dhe në shfaqjen dyformëshe “at” ose “tat” në kuptimin e babait, poezia shfaqet shumë e ngjashme në zona të ndryshme arbërore.

Image 1

Sipas studiuesve arbëreshë kënga nuk lind si këngë patriotike që shpreh trishtimin dhe mallin e thellë për atdheun e humbur, Morenë nga ku erdhën një pjesë e arbëreshëve pas një lëvizjeje më të hershme arbërore për në këto toka të Bizantit që janë Peloponezi i sotëm (*). Kënga në fakt lindi si një ritual kompleks funebër që qante të vdekurit e familjes në një prej tri festimeve të të vdekurve që për arbëreshët bëhej në ato që ne sot quajmë Rrëshaja (periudha e Pentecost) që në arbërisht del me variante të ndryshme si russalle/ shal/ shal(j)e/ sciaglie e dëshmuar edhe në ditën përkujtimore të “të shtunës së shal(j)es” (Lat. Rosaliae që në antikitet ishte festa e të vdekurve në disa zona të Ballkanit dhe gadishullit italik).

Rituali që ndodh pikërisht në fund të pranverës në kalendarët ritualë të besimeve arbëreshe, përfshin ngjitjen në majë të malit të tufës së grave, performimin e këngës në fjalë, dhe zbritjen në fshat ku kryheshin gostitë tipike që shoqëronin celebrimet e ditës së të vdekurve.

Kënga gjendet në shumë fshatra arbëreshë dhe është ndër ato këngë që lidhin arbëreshët e kontinentit me ata të Siqilisë, por nga forca dhe dëshmimi i hershëm i ritualit që përfshin këngën, duket se foleja e saj ka qenë Siqilia, dhe veçanërisht fshati ku ka kohë që arbërishtja ka vdekur, Palazzo Adriano. Kënga shfaqet fillimisht si material poetik popullor i mbledhur në Siqili më 1736, duke dëshmuar një jetesë të sigurtë të para 1700-ës edhe për metrikën tetë-rrokëshe si edhe për mungesën e rimës. Më 1866 bën dy rishfaqje publike: në apendiksin e Gramatikës së Krahasuar të Kamardës si dhe në Rapsoditë e një Poeme Shqiptare të De Radës.

Prej këndej bëhet edhe më e njohur se më parë. Iintelektualë të mençur Arbëreshë si V. Dorsa, G. Crispi e G. Schirò ishin ndër të parët që diskutuan teorikisht këngën “O e bukura More” rreth viteve 1840-1870 duke vendosur një lexim të ri patriotik e historik të këngës, mbi atë të një rituali fetar që rrinte në kufijtë e legjendës.

Nga analiza e fakteve të përdorimit të gjallë të këngës në motin e këtyre autorëve, si edhe nga interpretimet e tyre shtesë, Mandalà nxjerr përfundimin se intelektualët romantikë të 1800-ës vendosën ta “historicizojnë” këtë këngë magjiko-fetare (sido që po ata vetë sillnin edhe plot elementë etnografikë e ritualë që e lidhinin këngën logjikisht me festën e rrëshajave) dhe ta ripërmbajtësonin me një kuptim të paqenë historik që lidhej me përkujtimin prej arbëreshëve të ditës famëkeqe të rënies së Bizantit në duar të turqve.

Që prej këndej, kënga funerale nis e këndohet si këngë patriotike ku qahet atdheu i të parëve dhe himnizohet malli për të. Mandalà studimin kritik të ritit të këngës “O e bukura More” dhe falsifikimit të historisë së saj, e bën në një sfond studimi të një rrjeti mitesh krijuar nga individë dhe nga masa e intelektualëve arbëreshë, sa me qëllim aq edhe për forcë zakoni e respekti për ç’ish shkruar më parë. Ai flet për “valë falsifikuese” të qëllimshme e të prira ideologjikisht, që nisin me intelektualët e viteve 1700 që vendosën themelet e historiografisë arbëreshe (sipas “ideologjisë albaniste”) duke lançuar një proces rindërtimi të identitetit kulturor dhe historik me qëllim fisnikërimin e origjinave dhe jetës arbëreshe.

Më tej romantikët arbëreshë të viteve 1800, bazuar mbi versionet mitike e të falsifikuara historike shkruar nga idhujt e tyre intelektualë pararendës, shtojnë të vetën duke ekzaltuar më tej origjinat e veta e përforcuar falsifikimet e trashëguara prej paraardhësve. Vetëm në këtë sfond të përgjithshëm, agjentë aktivë të të cilit, para dhe krahas arbëreshëve, patën qenë intelektualë romantikë po aq të zellshëm të shumë kombësive të tjera, mund të kuptohet loja transformuese e “së bukurës More”.

Historinë e këngës më pastaj ne e njohim. Kënga “O e bukura More” që, në teshat e veta patriotike tingëllonte edhe më joshëse dhe lartësuese, edhe më në modë, edhe më e intonuar me Mesdheun romantik të vonuar, pas modifikimeve të shekullit të XIX, fuqizohet dhe shndërrohet në një himn të gjithë arbëreshëve.

Që në vitet 70 hyn me një sukses të jashtëzakonshëm edhe në Shqipëri, dhe ne na mallëngjen e na bën të ndihemi të vlershëm e të kërkuar më fort sesa mallëngjen e u vlen arbëreshëve vetë. Në një farë mënyre, sido që kuptimi i saj origjinal ka ndryshuar paq, funksioni i saj mbetet konsistent: nga një artifakt simbolik brenda një rituali jo fort të nyjëtuar materialisht, ajo rikthehet të luajë rishtaz një rol thellësisht simbolik.

Vetëm se tashmë, jo vetëm për Arbëreshët, por për gjithë shqiptarët e shqipfolësit, shumë prej të cilëve rijetojnë emigracionin, ku atdheu i lënë dhe malli për të rikthehen në tema të nxehta aktuale, ekzaltuese dhe lehtësisht romantizuese e manipuluese. Nuk kam takuar Arbëreshë që nuk e njohin këngën, por kam takuar Arbëreshë që nuk e dinë se çfarë është Moreja. Por në një performancë simbolike, elementët konkretë dhe përmbajtja gjeografike apo historike nuk kanë asnjë vlerë. Këngës, mitit, Zotit u besohet pa i racionalizuar apo marrë në pyetje.

Është interesante të imagjinohet ç’do kish ndodhur sikur intelektualët romantikë militantë arbëreshë të mos kishin ndërhyrë dhe falsifikuar këngën (ose edhe historinë në tërësi). Një botë pa mitet e veta origjinale dhe mistifikimet historike a do ishte vallë më e mirë? Besoj se për këtë nuk ka një përgjigje që vlen në të gjithë rastet, dhe pyetja vetë ka nevojë të mprihet e nyjëtohet shumëfish që të prijë një studim të besueshëm.

Por, po të më duhej të përgjigjesha përgjithësisht në rastin e këngës vetë dhe rolit të saj, do thoja se nën kuptimin e ri historiko-romantik, kënga ka pasur një rol të fuqishëm mobilizues që ka përforcuar identitetin arbëresh, njësimin e “identiteve të ndryshme arbëreshe” nën të njëjtin petk sado ireal në lidhjen e tij gjeografike me Morenë, dhe ka ndihmuar në qëndresën shekullore të gjuhës dhe kulturës arbëreshe në kushtet kur mbijetesa e minoriteteve në Europë rrezikohej seriozisht nga proceset agresive shtetkomb-formuese.

Është kjo arsyeja që në të gjitha studimet mbi arbëreshët dhe krahasimin mes tyre dhe arvanitëve, une konkludoj se ndryshimi themelor i dy grupeve mbetet në atë që arbëreshët kanë pasur një elitë prirëse aktive shkolluar fillimisht në dy-tre kolegjet-manastire të famshëm të nisur më 1700-ën, elitë që më pas ripolli veten e vet vazhdimisht në ditë të vështira duke krijuar traditë e duke prodhuar ideologji komunitet-formuese dhe komunitet-mbajtëse.

Ndërsa arvanitët, për arsye politike e kulturore që lidhen me kushtet e Greqisë, nuk mundën (dhe nuk u lejuan) kurrë të krijojnë një elitë unifikuese dhe ndrituese për komunitetin. Kjo është arsyeja themelore e shpërbërjes së ndjenjës së tyre etnike ose atij që sot studiuesit e rinj grekë e quajnë pa të drejtë “etnicitet bosh”, i stigmës “së pashpjegueshme” për origjinën, gjuhën dhe kulturën “ndryshe” që kanë.

E prapë, a ka mite që do të ish më mirë të mos ishin krijuar? A ka të tillë që, duke mos qenë falsifikues, do ta kishin bërë jetesën e komunitetit më realiste dhe më të aftë për të parë drejt dhe larg? A mund të masim sa dëm dhe sa dobi ka pasur komuniteti dhe shoqëria nga falsifikimi historik dhe miti, apo është jo etike nga ana shkencore, edhe ta ngresh këtë si pyetje për diskutim? A ka mite të mirë dhe mite të këqij? A është i mirë falsifikimi i këngës së Moresë dhe i keq ai i falsos së koronejve princër që erdhën në Itali dhe sollën rilindjen arbëreshe apo ai i vëllezërve Reres? A mistifikojmë në fakt të sotmen dhe të ardhmen nga çdo përpjekje për të parë anët “pozitive” të mitit antik?

Këto janë pyetje që duan një studim më vete. Ajo që unë ngulmoj të shpreh është se nuk mund të kuptohet prodhimi simbolik pa e lidhur me kohën e vet, ideologjitë që ushqyen motorin e mitit dhe funksionet që ai kreu në epokën kur lindi dhe u rrit. Po aq u duhet hapur rrugë në kohët moderne, kur janë relativisht të fuqishme ideologji (edhe institucionale madje) të reja që mbështesin dijen shkencore po aq sa të drejtat identitare dhe kulturore të individit dhe komunitetit, analizave skrupuloze kritike të miteve të krijimit.

Kjo duhet kryer sidomos e së pari në rastet kur mite të tillë ndeshen me progresin, barazinë dhe respektin, harmoninë njerëzore dhe tolerancën. Dhe miti i vjetër, i apropriuar nga një shoqëri e re që ia gëlltit jokritikshëm gjithë lëndën ideologjike që ai bart prej shekujsh, ka shumë gjasa të pjellë aksion reaksionar, shtypje njerëzore apo edhe luftë dhe asgjësim.

Së fundi, duhet mbajtur mendja hapur ndaj shumë të vërtetave. Ato janë komplekse dhe të ndryshueshme. E vërteta absolute, ashtu si autentikja janë konstrukte relative dhe iluduese. Cila është jeta e vërtetë e këngës “O e bukura More”, dhe cili mund të thotë se origjina e saj është më e vërtetë sesa jeta e saj e dytë apo e tretë? Autentikja është ajo që njohim si përdorim fillestar apo ajo që njohim si më të vërtetë? Kush mund t’u mohojë vërtetësinë lotëve dhe duartrokitjeve që derdhen kur këngën e këndon Elsa Lila apo plot këngëtarë të tjerë që shpesh e ndryshojnë totalisht mesazhin fillestar apo edhe atë dytësor të këngës, dhe solistëve apo publikëve që as nuk e kuptojnë se çfarë po këndojnë apo çfarë filtrojnë nëpër aparatet e veta shqisore dhe kognitive?

Komodifikimi i këngës në dekadat e fundit shtjellohet në pjesën e dytë të shkrimit.

[vijon]

[i] Analiza kritike e tekstit të këngës dhe rrethanave të krijimit të saj nis me një studim të F. Altimarit të 1983-shit, kompletuar nga punë dhe studime etnografike të Bolognarit, dhe më së fundi rianalizuar në librin e M. Mandalasë të vitit 2007. Mundus vult decipi  – i miti della storiografia arbëreshe. Palermo: A. C. Mirror. Tek ky i fundit gjendet i përmbledhur shtjellimi kritik i historisë së këngës në faqet 209-216.

(*) Harta e mëposhtme, e Ballkanit Bizantin në prag të pushtimit osman, tregon se ku gjendej pikërisht Moreja e këngës (në hartë: MOREA):

byzantine_empire_1355

Nuk ka komente

  1. “…intelektualët romantikë të 1800-ës vendosën ta “historicizojnë” këtë këngë magjiko-fetare (sido që po ata vetë sillnin edhe plot elementë etnografikë e ritualë që e lidhinin këngën logjikisht me festën e rrëshajave) dhe ta ripërmbajtësonin me një kuptim të paqenë historik që lidhej me përkujtimin prej arbëreshëve të ditës famëkeqe të rënies së Bizantit në duar të turqve.”

    Vertet ata e historicizuan kengen, por nuk “vendosen” ta benin kete. Dua te them se nuk u mblodhen nje nate pa hene si ilegalet ne kuvend per te marre vendimin historik te “falsifikonin” apo te krijonin mitin. Ata thjesht bene nje interpretim te ri te tekstit ne perputhje me rrethanat historike te kohes se tyre.

    Kjo kenge si çdo tekst letrar eshte nje “veper e hapur” dhe mund t’u nenshtrohet interpretimeve te ndryshme nga breza te ndryshem. Pavaresisht motiveve zanafillore, teksti i kenges “na autorizon” (ta themi me fjalet e U. Eco-s) ta lexojme ate edhe si kenge patriotike.

    Sa per pyetjet me natyre etiko-morale qe shtron, mendoj se mitet autentike si ky per te cilin flasim jane krijime historiko-kulturore dhe si te tilla nuk mund as te zhbehen, as te gjykohen moralisht. Historianet thone shpesh se historia nuk behet me “sikur”.

    1. Qarte. Ti po thua : “ja dhe kinezet, e kane kthyer Maon ne nje ‘gadget’, pra le ta marrim Maon “e aktualizuar” ne varjantin qe e propozojne sot kinezet. C’rendesi ka se çfare perfaqesonte origjinali, ideologjikisht, perderisa sot ai eshte rikuperuar ne nje forme tjeter. Historia nuk behet me sikur”.

      Sikur po abuzohet çik si shume me kete punen e historise qe nuk behet me sikur-e…

      1. Stalker, kete nuk e them une, por ti, duke e vene edhe mes thonjezash sikur ta kem thene une. Gjithsesi ke shkuar shume larg, i ke rene nga Kina. Me fal, por nuk te ndjek dot.

    2. Ne fakt, kam dashur te them tamam ate qe kam thene. E kam shpjeguar qarte se cfare ndodhi ne ate periudhe me kengen. Pjesen e falsifikimit, ate te ideologjise romantike ne baze te interpretimit, dhe te respektit per themelet e paraardhesve. Mund ta rilexosh tekstin. Ne fakt, ata perzgjodhen faktet, duke pasur edhe plot te tjere, madje edhe gjeten nje ngjarje qe t’i shkonte pershtat atij interpretimi qe i dhane ne fund, sepse kishin nje qellim, ate qe te lartesonin identitetin arberesh, origjinen e tij dhe forcen qe rrjedh nga nje veprim i qellimshem atdhedashes mbi bazen e te cilit dhe mallin per dheun e humbur ata ndertuan identitetin kolektiv dhe vendosen barrikaden e rezistences ndaj asimilimit. Nje sugjerim: ndoshta do ndiheshe me e/i bindur po te lexoje variantin e gjate te literatures se ciles i referohem, edhe te ideologjise qe u parapriu, dhe ndoshta ashtu mund te kuptoje se “vendosen” nuk ndodhi rastesisht, si nje nder interpretimet e mundshme te kenges.
      Gjithcka kalohet ne site morale dhe gjykohet, sidomos nese nuk eshte e vdekur, por edhe po te ishte.
      Pjesa me “sikur” eshte logjikisht e palidhur me etiken, por eshte interesant qe e solle ketu. S’ka kuptim te studiohet historia pa “sikur”. Ne informohemi nga “historiane” te ndryshem besoj. Gjithcka qe ndodh ka vlere ne raport me boten a jeten sikur ajo te mos ndodhte. Perndryshe historia do ishte nje shkence e vdekur dhe pa asnje vlere apo kuptim.

      1. Presje,

        falemnderit per sugjerimin! U interesova dhe me thane se libri i Mandala-se do te botohet se shpejti ne shqip ne Tirane. Sapo te dale, do ta lexoj.

        Shkrimi yt me pelqeu shume dhe m’u duk tejet interesant. Ka vetem diçka aty qe me terhoqi vemendjen dhe qe nuk ka te beje aq me objektin konkret te shkrimit sesa me nocionin e mitit siç kuptohet (ose keqkuptohet) rendom nder shqiptaret sa here qe flitet per “mitizime te se vertetes historike”. Qysh nga nentitulli pata pershtypjen (por mos me ler te gaboj) se miti shihet ne kundervenie me “te verteten historike” si te ishte genjeshter se ciles u dashka t’ia çjerrim masken.

        Se pari, duhet te merremi vesh per kuptimin e termit, sepse, sikurse na mesojne autore si Karoly Kerényi, Claude Lévi-Strauss dhe Mircea Eliade, polisemia dhe tipologjia e mitit eshte shume e nderlikuar. Duke e marre ne sy rrezikun e banalizimit dhe te thjeshtezimit te problemit, po kufizohem, per arsye kohe dhe vendi, te them se miti autentik si dukuri dhe prodhim kulturor nuk eshte sinonim i genjeshtres dhe mashtrimit. Funksioni i tij nuk eshte t’i hedhe hi syve popullit per ta futur ne rruge te gabuar e as t’i fuse shkopinj nder rrota historianeve qe kerkojne “te verteten historike”. Historia dhe Miti dhe nuk i kundervihen njeri-tjetrit sikurse E verteta i kundervihet Genjeshtres. Miti si çdo dukuri socio-kulturore eshte pjese e historise, nderthuret dhe bashkevepron me te here si objekt, here si subjekt i saj. Detyra e studiuesit eshte ta analizoje mitin per te zbuluar rrethanat dhe shtysat qe e krijuan, strukturen narrative, funksionet, peshen dhe rolin qe ka luajtur ne zhvillimet historike dhe ne kulturen e nje populli, pa e demonizuar dhe pa u perpjekur “ta demaskoje” ate si te ishte nje mashtrim i kurdisur djallezisht nga nje grup komplotistesh me synime te erreta. Barthes (ne vepren Mythologies) na ka mesuar se edhe sot mitet, si sisteme komunikimi, jane pjese e shoqerive moderne, jane te pashmangshme, jetojne mes nesh dhe ne jetojme me to.

        Per te shmangur keqkuptimet, me duhet te them se sa me siper nuk duhet marre si kritike e shkrimit tend, i cili, e perseris, me pelqeu shume, por si refleksion qe e merr shkasin nga shkrimi yt.

        Pjesa me “sikur” lidhet logjikisht me pyetjet e natyres etike qe ti shtron ( a ka mite që do të ish më mirë [sikur] të mos ishin krijuar?… A ka mite të mirë dhe mite të këqij? etj. etj.)

        Sa per ate historine qe behet me “sikur”, eshte si ajo puna e kushtit qe duhet te permbushe halla per ta thirrur xhaje.

        1. Them me lart “Këto janë pyetje që duan një studim më vete. Ajo që unë ngulmoj të shpreh është se nuk mund të kuptohet prodhimi simbolik pa e lidhur me kohën e vet, ideologjitë që ushqyen motorin e mitit dhe funksionet që ai kreu në epokën kur lindi dhe u rrit. Po aq u duhet hapur rrugë në kohët moderne, kur janë relativisht të fuqishme ideologji (edhe institucionale madje) të reja që mbështesin dijen shkencore po aq sa të drejtat identitare dhe kulturore të individit dhe komunitetit, analizave skrupuloze kritike të miteve të krijimit.”

          Pra miti shihet si prodhim historik. Pra nuk eshte shkrim militant qe niset te sulmoje mitin si vlere negative absolute. Une madje flas per vlerat e gjithe fare falsifikimeve, prodhimeve mitike, interpretimeve te pjesshme dhe subjektive. Mund ta analizosh kritikshem mitin, qe gjithashtu e konsideron prodhim te mencur, estetik dhe te domosdoshem social-historik. Me vjen keq qe edhe nese shkrimi pelqehet, ka nje paramendim ne leximin e tij (ose nje paralexim) qe lidhet me “kategorine” se ciles mund t’i perkase autori.

          “Sikur” eshte pjese e interpretimit te historise dhe cdo lloj interpretimi (edhe e historise se kenges dhe rolit te saj). Halla mund te thirret xhaje po qe se vendosim keshtu, por do ishte nje loje pa vlere. Ndersa interpretimi i historise eshte ndoshta perpjekja me e vlershme e individeve.

          Kur them “Dhe miti i vjetër, i apropriuar nga një shoqëri e re që ia gëlltit jokritikshëm gjithë lëndën ideologjike që ai bart prej shekujsh, ka shumë gjasa të pjellë aksion reaksionar, shtypje njerëzore apo edhe luftë dhe asgjësim.” kuptohet nuk po flas me per kengen, por nje situate me te pergjithshme qe lidhet me subjektivizimin e se shkuares ne menyra qe pengojne progresin. Prape nuk “sulmoj mitin”, por diskutoj situata te mundshme te ndeshjes se elementeve te ndryshme kulturore pa nje veshtrim e pergatitje kritike.

          Por e gjithe kjo eshte dicka qe mund te diskutohet dhe qe nuk me bezdis fort. Une nuk kam asnje bindje te palujtshme e te mbyllur. Por nuk me pelqeu qe komenti yt (pasi shkrimi te kish pelqyer), ishte kryesisht per faktin qe une keqperdorja fjalen “vendosen”;

          1. “Por nuk me pelqeu qe komenti yt (pasi shkrimi te kish pelqyer), ishte kryesisht per faktin qe une keqperdorja fjalen “vendosen””

            Nuk te pelqeu! E kuptoj qe nuk te ka pelqyer, por nuk eshte faji im. Ti ndoshta do te doje qe te gjithe te ishin ne nje mendje me ty, mirepo kjo jo vetem qe eshte e pamundur, por jeta do te ishte shume e merzitshme sikur te ishim te gjithe dakord e te mos kishim perse te diskutonim.

            Meqenese ngul kembe, po te them se komentin e shkrova pikerisht sepse nuk isha ne nje mendje me fjalen “vendosen” e cila, sipas meje, bashke me togfjaleshat e shpeshte “falsifikuan kengen”, falsifikimi i kenges” etj. le te nenkuptohet per nje vendim te vetedijshem qe deshmon vullnetin e intelektualeve arbereshe per te shtremberuar apo per te fshehur te verteten duke e falsifikuar ate. Folja “falsifikoj” ka pikerisht kete kuptim, apo jo?

            Une mendoj se ne kete rast nuk ka pasur nje vullnet te vetedijshem per te falsifikuar kengen duke shtremberuar dhe fshehur te verteten. Ka pasur thjesht nje interpretim te ri te kenges ne kushte dhe rrethana historiko-kulturore dhe ideologjike te reja. Ti vete e thua se intelektualet arbereshe “sillnin edhe plot elementë etnografikë e ritualë që e lidhnin këngën logjikisht me festën e rrëshajave”. Ne fakt, me sa kam lexuar une, Crispi per shembull e thote hapur se arbereshet e Sicilise me rastin e kremtimit te rreshajave ngjiteshin ne malin e trendafilave dhe kendonin ritualisht kete kenge ne kujtim te te afermve te vdekur. Pra ata nuk e fshihnin apo nuk e shtremberonin te verteten.

            Tani, kur arbereshet e Sicilise me rastin e rreshajave ngjiteshin ne malin e trendafilave dhe kendonin “O e bukura More”, perveç kujtimit dhe mallit per te afermit e vdekur, eshte e natyrshme qe te ndjenin edhe mall per vendlindjen ku ishin varrosur te paret e tyre. Malli per vendlindjen ku kane mbetur varret e te pareve eshte nje ndjenje krejt e natyrshme per qeniet njerezore, sidomos per te merguarit, pavaresisht ideologjive, patriotizmit, nacionalizmit e “izmave” te çdo lloji. Ketu nuk ka as falsifikim, as fshehje te se vertetes.

            Me pas, ne kushtet e romantizmit dhe te ideologjise qe ai bartte, ajo ndjenje e natyrshme malli u shnderrua po aq natyrshem ne motiv patriotik. Me kohe origjina rituale fetare U HARRUA dhe mbeti vetem motivi patriotik, çka beri te linde miti. Ishte nje proces i natyrshem qe ndodhi ne menyre te vetvetishme, ne kushtet e reja historiko-kulturore pa pasur nevoje per vullnete individesh falsifikatore. Ne fakt Mircea Eliade ne vepren e tij “Myth and Reality”, duke analizuar procesin e krijimit te mitit, nje nga fazat e para te ketij procesi e quan “FORGETFULNESS”. Para tij Ernest Renan, nje nga teoricienet e pare te nacionalizmit, ne esene e famshme “Ç’eshte kombi”, lindjen kombit e sheh te lidhur ngushte me kushtin e domosdoshem te harreses kolektive.

            Qe te mos zgjatem me tej, po e mbyll duke thene se mitet historike autentike nuk jane pune falsifikatoresh.

            Natyrisht, ka edhe mite ne origjine te te cilave gjejme falsifikime te vetedijshme historike. Karoly Kerényi keto i quan “mite te teknicizuara”. Po kjo eshte tjeter çeshtje.

  2. Për një kohë goxha të gjatë “Moj e bukura More” më titrohej brenda si “Moj e bukura, more!”, meqë zëri i trishtuar dukej haptas se i këndonte një bukurie të dashur që kishte mbetur pa u hipur dot anijeve të mërgimit. Duke thirrur dyfish (edhe me “moj”, edhe me “more”), arbëreshi përpiqej kështu ta zvogëlojë gjithnjë e më shumë largësinë nga bregu më breg etj.

    Të tillë skenarë kurdisen vetiu në kokë, sidomos kur je i vogël, nga mekanizma të brendashkruar mbrojtës kundër kaosit që punojnë me superxhiro sidomos në rrethana kur ka s’ta kanë më ngenë të të sqarojnë, psh kur prindërit lodhen me ty e nis i kap gjumi.

    E rëndësishme është përmendja e gjumit, në rastin tonë, pse programi televiziv ku Vaçe Zela këndonte “Moj e bukura m/More”, fillonte të paktën në ora 19.00, dhe duke filluar pikërisht nga kjo orë, klasa punëtore (ku bënin pjesë fuqishëm prindërit e mi) nuk kishte më përgjigje për asgjë, dhe topitjen për gjumë e bënte edhe më të pakthyeshme kontrasti i djegur mes grive në ekranin e televizorit ILIRIA, me Vaçen gjithnjë e më të pashqueshme tek vaiste kryet në muzgun bregdetar, dhoma humbte ngjyrat vetiu e shndërrohej pak nga pak në bardh’e-gri, valiumi televiziv ka vënë ndërkaq poshtë përfundimisht klasën punëtore.

    Situata vetëm komplikohet në raste si ky, kur këngët duket, qoftë dhe gabimisht, sikur kanë ndonjë sfond erotik dhe pyetja për to gjithsesi të thërmohet në tentativa për ta formuluar sa më pasikletshëm. Kështu deri vonë, një këngë që transmetohej të mërkurave muzikore kosovare e që ia bënte: “tuj shetit’ për ara t’xhata/ midis barit’ njom’/ ne të dy na zuni nata/ ram’ e fjetëm deri vonë”, unë e dëgjoja si: “tuj shetit për ARANÇATA”!

    Skandaloz si karrem, ky i kosovarëve dialektorë, për ta tërhequr prenë nëpër bar me premtime arançatash, kodra pas bregut, po kush jam unë të gjykoj, përderisa askush nuk po proteston, përderisa e jep vetë RTV-ja. Kush i mban mend tani gjithë vargjet e tjera të këngëve që ngatërroja i vogël, por psh. një mik, që mbase po na lexon, më tregonte sesi vargun e njohur të këngës: “Si dukat i vogël je/ hajde shpirt të rrish me ne”, fëmijët e tij deri vonë e dinin në formën “Si lugat i vogël je!”. Deri sa morën ta këndojnë e u diktuan, mekanizmi i fëmijës, duke nuhatur erotikë, pra rrezik, nxirrte automatikisht lugat nga dukati i panjohur. Por akoma më lugat se lugati është në fakt origjinali me krahasimin komodifikues me paranë të trupit të dëshiruar, një trop evokues prostitucioni, mbase.

    Kjo për të thënë se fëmijët, sido që të jetë, kuptimit i shkojnë brenda nga penxherja, kur të tjerët presin rradhën tek dera me letërnjoftim në dorë. “Moj e bukura e bukura, more” vazhdon, padyshim, të mbetet për mua kuptimi i vërtetë, i patjetërsueshëm dot, në zërin që këndonte “Moj e bukura More.”

    1. Per nje kohe te gjate e kam perfytyruar vargun si “Moj e bukura Morene” ku Morena ishte vajza e zemres qe kishte lene pas kengetari. Morena mund te kish qene Rovena ose Ruena. Nuk do te kete paraqitur ndonje problem per mua ne ate kohe kalimi tek Shqiperia sepse ne ate moshe nuk kishte dashuri me te forte se ajo per vendlindjen dhe mund ti kendohej me po aq pasion e mall sa dhe Morenes.

  3. Shumë tërheqës – intelektualisht – parashtrimi dhe argumenti i Presjes.

    Na thotë, autorja, se kënga – si tekst – është aq e përhapur në fshatrat arbëreshe sa të përbëjë një element që i bashkon; dhe se i referohet një rituali funebër në kontekst fetar.

    Na thotë edhe se, nga forma tekstuale, mund të deduktohet se është më e vjetër se shekulli XVIII.

    Nga ana tjetër, siç ma konfirmuan edhe dy studiues muzikologë në FB (Tole dhe Minga), melodia e tanishme e këngës është e re, shumë e re; dhe nuk ka lidhje me muzikën tradicionale arbëreshe dhe aq më pak me atë shqiptare në Ballkan.

    (Një procedurë e ngjashme përvetësimi është përdorur me këngët partizane, të cilat kanë melodi që vijnë nga Lindja sllave, në masë të madhe. Por nuk besoj të ketë këngë që ta karakterizojë më mirë brezin tim se “Bashkohu shokë!”)

    Të kthehemi sërish te teksti: atdheu i humbur, të cilit i këndohet, është Moreja jo Shqipëria. Moreja nuk është Shqipëri as ka qenë ndonjëherë Shqipëri. Por ka qenë vendi ku jetonin të parët e shumë arbëreshëve të sotëm.

    Që një këngë, tek e cila i këndohet me mall një krahine të Peloponezit, me një melodi italiane tradicionale, të shndërrohet në këngë flamur të patriotizmit të diasporës dhe të patriotizmit shqiptar, tregon se miti – kur bie në duart e ideologëve – mund të bëjë mrekullira.

  4. Fjala “falsifikim” eshte perdorur, por jo si sharje. Tani qe ti e permend, me ve ne mendim pse kam zgjedhur pikerisht ate fjale: une besoj se e kam huar nga ata qe “zbuluan” burimin e kenges (qe une e sjell nga te tjere dhe nuk e kam hulumtuar vete), sepse ne librin e Mandalase kjo eshte fjale shume e perdorur. Por kur dicka falsifikohet, mund te thuhet se eshte falsifikuar edhe sikur falsifikatori te kete qene njeri i mire. Relapso: mos u kap me ndjesite personale qe te japin fjalet si “falsifikohet” apo “vendosin”. Nese ato kane kuptimin me te cilin jane perdorur, dhe s’jane perdorur gabimisht, nuk “falsifikojne” gje. Kjo ishte pjesa qe “nuk me pelqeu”. M’u duk ne shije te keqe. Jo sepse nuk ishim ne nje mendje. Madje une dyshoj qe te mos ishim ne nje mendje. Per mendimin tim, ti me paragjykove, dhe kjo te beri te nenlexosh cfare thoja.

    Per menyrat se si eshte interpretuar fjala “More” flet pjesa e dyte e shkrimit. Te gjithe i kemi dhene kuptimet qe kemi mundur asaj fjale dhe jo vetem asaj. Pjesa e dyte eshte disi me e lehte dhe ndoshta e shkruar me me shume humor.

    Puna me kengen me ka marre muaj. Eshte shume e veshtire te gjesh materiale. Sidomos kur je larg Shqiperise dhe Italise. Kam pyetur reth 15 persona, vec librave qe kisha ne shtepi dhe mund t’i konsultoja. per fat kemi Internetin, dhe mund te degjoja sa shume kontekstualizohet kenga ne kushte lokale te ndryshme. Shume njerez me kane dhene pergjigje te pjesshme sepse jane me pushime ose nuk kane kohe, te tjere s’ma kane varuar fare ose e kane kuptuar ndryshe pyetjen qe u beja. Eshte normale kjo ne gusht. Nuk kam te drejte te pretendoj me shume. Por ai studim qe nisa te kryeja kish drejtim tjeter, dhe eshte nje projekt qe do ta kryej kur te mund te bej kerkime direkte. Me eshte dashur t’i drejtohem kujt munda, lart e me lart deri ku arrita, por me perjashtim te nje pyetjeje qe lidhej me nje element te kenges ne nje variant te vet qe nuk e degjoja dot, dhene nga G. Schiro’ Di Maggio, qe iu fut dhe e degjoi aq here sa desha une, dhe qe per cdo kundershtim timin, e rishikoi tingullin e kenges, te tjeret me dhane pergjigje qe nuk i fusja dot ne shkrim si interpretime faktuale, edhe sikur te ishin te drejta, sepse ishin te pabazuara dhe dhene lehtesisht. Ne nje bisede ne kafene mund te ishin interesante, madje mund te te drejtojne si duhet ne kerkime te reja, por nuk kishin argument a prove dhe mbeteshin pershtypje.

    Nuk eshte serioze te them ketu cili ishte qellimi im fillestar lidhur me kengen; kur te kem rast ta studioj ate qe desha, do e shkruaj. Por kjo qe eshte “historia” ime me Te bukuren More dhe dy pjeset qe solla ne PtF. Kam akoma shume vrima qe duhet t’i mbush, dhe ketu solla vetem aq sa munda te mesoj dhe pata prova te mjaftueshme ta besoja.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin