EKSTREMET QË U PUQËN

Më bëri përshtypje një paragraf në intervistën e shkrimtarit italian Roberto Saviano dhënë emisionit “Shqip” të R. Xhungës.

Duke folur për lidhjet mes organizatave mafioze të Italisë dhe atyre të Shqipërisë, Saviano thotë:

Me siguri duhet tё ketё ndonjё kёrkues qё po i studion dokumentet e Sigurimit, por i ftoj vёzhguesit shqiptarё t’i studiojnё ato dokumente. Vёrtetojnё zyrtarisht marrёdhёniet midis Kamorrёs dhe shtetit shqiptar, para rёnies sё regjimit komunist. Pёrkon, tё paktёn nga kёto dokumente, me fundin e marrёdhёnieve midis Kinёs dhe Shqipёrisё. Shqipёria pёrjetoi njё krizё shumё tё ndёrlikuar dhe udhёheqёs tё shtetit shqiptar tё regjimit komunist takuan drejtues tё Kamorrёs napoletane, nё veçanti Paskuale Galason dhe Mikele Xaxan, tё cilёt e pranuan kёrkesёn e Shqipёrisё pёr tё shitur armё, armë qё Kamorra ua shiti palestinezёve, irlandezёve, e tё gjitha karteleve kriminale qё donin. Armё shqiptare tё shitura nga Kamorra. Nё kёmbim Shqipёria i ofroi mbёshtetje nё rrugёt ujore pёr kontrabandёn e cigareve, mikpritje tё tё fshehurve, pra anёtarёve tё Kamorrёs.
Meqё po flasim pёr regjimin komunist nuk mund t’u ofronte tregun e lirё, sepse nuk ekzistonte tregu. Por kur regjimi ra, ata i kishin ndёrkaq tё gjitha pikat e referimit atje, sepse ata gjeneralё, ata ambasadorё, ata funksionarё komunistё pastaj u bёnё demokratё, dhe ata japin sot lejet pёr tё hapur fabrikat, mundёsinё pёr tё investuar nё banka etj.

Në të vërtetë, pak është folur për këto lidhje, së paku në nivelin që përsiat Saviano.

Me pak fjalë

Le t’i përmbledhim, për qartësi, ato që thotë shkrimtari italian:

– Regjimi komunist në Shqipëri, nëpërmjet segmenteve të veçanta të shtetit, drejtorive sekrete ose organizmave të ngjashme, që vepronin jashtë kuadrit ligjor, ka pasur marrëdhënie me Camorra-n italiane.

– Këto marrëdhënie kanë filluar, të paktën, pas ndërprerjes së ndihmës kineze për ekonominë shqiptare.

– Udhëheqës të shtetit shqiptar kanë takuar drejtues të Camorra-s napolitane, dhe pikërisht Pasquale Galasso dhe Michele Zazza, për t’u kërkuar të ndërmjetësonin në tregtinë e armëve.

– Armët shqiptare Camorra ua ka shitur palestinezëve, irlandezëve dhe kujtdo tjetër që nuk i siguronte dot me rrugë normale.

– Shqipëria, në këmbim, i ka ofruar Camorra-s mbështetje në rrugët ujore për kontrabandën e cigareve, si dhe mikpritje ose strehë kamorristëve që kërkoheshin nga policia italiane.

– Lidhjet që vendosi shteti shqiptar me Camorra-n kanë shërbyer si bazë për investimet italiane, veçanërisht nga Italia e Jugut, në Shqipëri pas vitit 1990.

Pak histori anash

Praktikisht asgjë nuk është thënë për këto gjëra në shtypin shqiptar; as nga historianët dhe arkivistët, që nuk kanë lënë analizë urine të Enver Hoxhës pa botuar e madje serializuar.

Arsyeja? Mund të ketë shumë arsye – p.sh., Saviano mund të jetë ndonjë konspiracist, ose njeri që i ka për zemër teoritë e komploteve; ose dokumentet për çështje të tilla janë zhdukur me kohë; ose, më në fund, njerëzit që janë përzier në këto allish-verishe janë sot e kësaj dite në krye të punëve të Shqipëri – veçanërisht në timon të ekonomisë.

Megjithatë, disa nga të dhënat e Saviano-s mbështeten, tërthorazi, edhe nga fakte të tjera, në mos të njohura, së paku të përfolura në mjedise që s’kanë të bëjnë me letërsinë italiane.

Për shembull, kontrabanda e cigareve nëpërmjet detit, ose shitja e armëve të lehta që prodhoheshin në Poliçan. Si me njërën tregti, ashtu edhe me tjetrën, merreshin njerëz pak a shumë të lidhur me shërbimet e fshehta, diplomacinë, zbulimin dhe kundërzbulimin; dhe gjithçka kryhej, siç e përmenda, jashtë kuadrit ligjor, ose në formë operacionesh të zeza (black ops).

Vetëkuptohet se çdo operacion i tillë, në Shqipërinë e asaj kohe, mund të kryhej vetëm me miratimin dhe mbikëqyrjen e anëtarëve më të lartë të kupolës së shtetit.

Nuk habitem që zyrtarët totalitarë kanë gjetur gjuhë të përbashkët me kamorristët dhe mafiozët e tjerë në Itali; veç interesit të përbashkët dhe pozicionit në thelb jashtë ligjit ndërkombëtar, këtu ka ndihmuar edhe mendësia konspirative, ose ngjashmëria në metodën e punës, midis Sigurimit të Shtetit dhe Mafias.

Qëllimi i regjimit të Tiranës, në ato kohë, ishte kryesisht që të sigurohej valuta e domosdoshme për shtetin, duke shfrytëzuar kanale kriminale dhe para-kriminale, në kushtet kur ekonomia shqiptare nuk kishte mundësi tjetër për të mbijetuar në izolimin financiar ku e kish futur autarkia hoxhiane.

Logjika ta do edhe që lidhjet me kamorristët, në krye, të jenë iniciuar nga kontaktet e vjetra të Tiranës me palestinezët dhe grupe të tjera majtiste dhe paraterroriste, që vepronin në Europë dhe në Mesdhe.

Për këto lidhje italo-shqiptare është folur pak jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Itali; me sa duket, sekretet janë ruajtur mirë nga të dy anët e Adriatikut, ndoshta edhe ngaqë, në shkëmbimet fitimprurëse, janë përzier zyrtarë të lartë edhe nga ana italiane.

Kur u bë deti duty free

Një kujtim imi nga viti i largët 1980 – ka qenë një ditë pranvere, në mars ose në prill, nëse e mbaj mend mirë, kur një shok imi i fakultetit, Ben R., më lajmëroi se në afërsi të Durrësit ishte mbytur një anije me cigare kontrabandë dhe plazhi ishte mbushur me kuti kartoni plot paketa cigaresh të gjithfarë markave, por kryesisht amerikane.

E lamë shkollën atë ditë, dhe u kuturisëm në Shkozet. Lajmi kish qenë i saktë: e gjithë vija e plazhit, nga porti deri poshtë te Iliria, ishte e mbushur me kartonët që kishte nxjerrë deti: cigare Marlboro, Winston, Camel, Kent, More, Chesterfield (pa filtër), Muratti Ambassador dhe të tjera që nuk më kujtohen – me mijëra, mijëra, mijëra paketa; shpërndarë në rërë si leshterikët. Për fat të keq, të tjerë kishin punuar natën dhe kishin marrë gjithë ç’mund të shpëtohej; cigaret që gjetëm ne ishin të gjitha të dëmtuara nga uji, të papërdorshme. E kaluam gjithë paraditen duke qëmtuar kutitë (beachcombing, i thonë amerikanët), me zemër të plasur, sepse i kishim bërë mushkëritë gati për shijen “amerikane” që në tren. Asgjë nuk mund të rekuperohej më, gjithçka kish vajtur dëm.

Më pas, miqtë e të afërmit që kisha në Durrës më dërguan cigare me ambalazhe të shumëngjyrshme; ne pinim aso kohe DS, ndonjëherë edhe Partizani të Gjirokastrës; por shija e këtyre të anijes së mbytur ishte krejt tjetër, crisp, aromatike, e tjetërbotshme, herë si mjaltë, herë si çaj mali, herë si arra. Ne i kujtonim amerikane, meqë paketat ishin të shkruara anglisht (ç’mund të ishte tjetër një Marlboro?); por pastaj qarkulloi një fjalë, ose një pësh-pëshe, se këto ishin cigaret “tona”, që i bënim ne për “andej” – kuptohet, çështja ishte kaq delikate, sa nuk mund të përflitej përveçse me përemra.

Gjithsesi, për mua ishte hera e parë që dëgjoja për këtë marifet që, pas gjase, e bëkëshin këta “tanët”; dhe në fakt, vetëm dy vjet kishin kaluar që prej prishjes së marrëdhënieve me Kinën. Sa për anijen fatkeqe, për të cilën në krye thanë se ishte mbytur, u sqarua më pas se kish qenë fjala për një motobarkë nga të kontrabandës, të ndjekur nga Guardia di Finanza ose kushedi ç’autoritet tjetër i rreptë i Adriatikut natën; për të mbuluar gjurmët, ekipazhi e kish hedhur kargon në det, dhe valët e kishin sjellë në Shkozetin tonë.

Nuk di nëse ka ndodhur ndonjëherë gjë e ngjashme me armët e Poliçanit; armët janë të rënda dhe fundosen – për t’u hapur punë arkeologëve të shekujve që vijnë.

Transplantime zemrash

Gjithsesi, e pavarësisht nga kujtimet e mia personale, historia e marrëdhënieve të regjimit komunist të Tiranës me Mafia-n italiane ka rëndësi jo vetëm për historianët, por për të kuptuar fillimet e kapitalizmit në Shqipëri pas vitit 1990; një argument që ka mbetur tabú, për arsye të vetëkuptueshme. Në fakt, kur regjimi shqiptar po merrte tatëpjetën, në fund të viteve 1980, Sigurimi i Shtetit ishte ndoshta e vetmja strukturë organizative në gjendje të merrte masa operative urgjente për të mbijetuar, në kushtet e ndërrimit të epokës; për të mbijetuar jo aq si shërbim i fshehtë, sesa si një strukturë njerëzish të armatosur me pushtet – pushtet ekonomik dhe kapital social në lidhjet me Perëndimin; kombinuar me informacion, në trajtën e dosjeve për qytetarët.

Kush ka pasë shkuar në plazhin e Durrësit me pushime, gjatë viteve 1970, do ta mbajë mend anijen “Punëtori”, e cila përdorej për të shëtitur plazhistët në gjirin e Durrësit. Kjo anije, që kushedi në ç’varrezë skrapi ka përfunduar, ishte dëshmi e gjallë, madje monumentale, e autarkisë industriale shqiptare. E kishin prodhuar në Kantierin Detar, me forcat e veta, me një karroceri që ishte e tëra metalike, e rëndë, e salduar, e vidhosur, me erë të fortë hekuri; kalonte anës bregut, e mbushur me dingas me plazhistë, tek-tuk me ndonjë ngjyrë të ndezur nga kamerdaret që merrnin me vete, për qejf, kalamajtë; kalonte anës bregut me një zhurmë shurdhuese, që ia bënte motori; teksa prej oxhakut të vetëm i dilte tym i zi, si i Titanikut. Nuk kishte asgjë turistike ajo anije, madje as emrin; më shumë sesa objekt, ishte provë se “edhe ne” mund të prodhonim mjete të tilla lundruese, i kishim mundësitë dhe forcat (po në ato vite mbaj mend që u eksperimentuan, gjithnjë në Durrës, barkat prej betoni). Më kish bërë gjithnjë kurioz zallahia e madhe e motorit të anijes, që nuk është se çante kushedi ç’dallgë e stuhi kur na kalonte përpara me 3 km/orë, prandaj pyeta një kushëririn tim durrësak, habitué i banakëve të pijetoreve të varfra të qytetit; ky më tha se ekipi i teknikëve që kish ndërtuar anijen nuk kish gjetur dot një motor të hajrit dhe, si përfundim, kishte pasur idenë gjeniale që të përshtaste për atë punë një motor… tanku.

Megjithë mesazhin e paqes që rrezatonte sa herë që i vinte rrotull gjirit, anija “Punëtori” e fshihkësh kështu nën kuvertë zemrën e një makine të luftës; të sprovuar ndoshta jo aq në beteja, sesa nëpër oficinat e panumërta të remontit të ushtrisë sonë me përkufizim heroike.

Mëkati i parë apo i radhës?

Ajo anije më kujtohet, kur mendoj për ekonominë shqiptare të tregut, të pas 1990-ës; vërtet kapitaliste e lirë, e hapur ndaj Perëndimit dhe Adam Smith-it, aventuroze dhe krijuese, e balancuar si ekuilibristi në tel, midis hapësirës së ligjit dhe hapësirës së krimit; por gjithsesi me një motor tanku në brendësi, sa kohë që fijet ia luante aleanca edhe e shenjtë, edhe blasfemike, e Sigurimit të Shtetit dhe e Camorra-s italiane; besëlidhja e murgjve të totalitarizmit me demonët e krimit kapitalist. Sikur të mos mjaftonte vetë natyra e sipërmarrjes private, ajo aleancë e besëlidhje ka vulosur, ndër të tjera, edhe mëkatin primordial të ekonomisë shqiptare pas-komuniste.

Nga ana tjetër, historianët e Luftës së Ftohtë zakonisht e pranojnë se regjimi i Enver Hoxhës vërtet tregonte simpati dhe ofronte përkrahje edhe financiare për grupet marksiste-leniniste anembanë botës, por kujdesej t’u qëndronte larg operacioneve sekrete që do ta ekspozonin si rogue – p.sh. duke bashkëpunuar me terroristët e majtë (Brigate Rosse në Itali ose RAF-i në Gjermani; Al Fatah-u e të tjera si këto), duke u siguruar këtyre armatime, baza, kampe stërvitore dhe lehtësi të tjera logjistike.

Regjimi, me një  fjalë, ia arriti që ta ruante “të pastër” figurën e vet në raport me ligjin ndërkombëtar, pavarësisht nga çfarë ndodhte në Shqipëri politikisht dhe ekonomikisht. Prandaj akuzat e Saviano-s do të shërbenin edhe për ta rishkruar disi atë kapitull të marrëdhënieve të Shqipërisë totalitare me Europën, veçanërisht gjatë viteve 1980; kur lidhjet e dikurshme ideologjike me marksistë-leninistët u zëvendësuan nga lidhjet ekonomike me kamorristët dhe mafiozët e tjerë në Itali. Në këtë mes, s’është për t’u përjashtuar as bashkëfajësia e autoriteteve italiane, madje edhe atyre jugosllave, që kontrollonin Adriatikun në veri të Shqipërisë; ose brigje që, tradicionalisht, kanë shërbyer si strehë për kontrabandistët, kusarët dhe piratët e të gjitha ngjyrave.

Nuk ka komente

  1. Në ka patur diçka që mund të konsiderohej Sekret (për antonomazi), kjo ka qënë uzina e Poliçanit… dhe sot fare mirë mund të dijmë GJITHÇKA që është bërë në të (ç’është prodhuar, sa, si, ku shkonte dhe ku ka përfunduar).

    Kur flet Saviano për të tilla gjëra, mund të habisë ndonjë italian (megjithse edhe në Itali nuk janë të paktë ata që e shikojnë si të ekzaltuar)… sepse po ta dëgjojë njeri (nga ne) që fabrikat shqiptare kanë prodhuar Marlboro dhe ky “sekret” qënka ruajtur edhe më mirë se ‘sekreti i Fatmës’, do shkulej së qeshuri.

    P.s: “Qëllimi i regjimit të Tiranës, në ato kohë, ishte kryesisht që të sigurohej valuta e domosdoshme për shtetin
    Kët post scriptum e shtova vetëm për t’i treguar Xhibit se përse nganjëherë mund t’i dukem si nostalgjik apo si komunist.

  2. Xhaxha, kudos per temen.

    Jo vetem per ato qe thua, por dhe per zhvillimet e tjera ekonomike/financiare menjehere pas prishjes se sistemit (apo dhe pak para tij) dhe gjate dy-tre viteve te para, a sa qe koha qe hipi inflacioni dhe u zhvleresua leku shume.

    Keto mbase kane qene dhe fillimet e mafio-bizneseve shqitpare, qe me vone u bene aktoret kryesore ne ndertim–>media, etj.

    Per ta askush nuk flet…

  3. Kudos xhaxhai,

    Gjera shume interesante, vertet. Edhe une kam menduar gjere e gjate per keto pune ditet e fundit, sidomos ne lidhje me vitet 1980… Gjithnje ne lidhje me temen, Katherine Verdery do te flase, per Securitate-n rumun @ CUNY GC ne 25 mars, ora 4:15 – 6 pm, rreth temes “Secrets and Truths: Knowledge Practices of the Romanian Secret Police”. Si gjithmone, ajo sjell ide te reja, frymezime dhe ftesa per te menduar 😉

  4. dihej qe kontrabandistet e cigareve italiane kishin nje baze “pushimi” ne Durres dhe magazinat ne Shkozet, por malli ishte gjithmone ityre….Ne kishim DS, Partizani, etj…
    Megjithate mendoj qe nuk ishte nje aktivitet i permasave te tilla ku mund te themi se ai shtet mbahej me kontrabande.
    Kishte permasa te vogla.

  5. Cigaret marlboro, merit chersterfilled etj. bliheshin ne rruge te regullt tregetare nga shteti yne. Zakonisht malli vinte ne rruge tokesore me maune nga veriu (Mali i zi) dhe thuhet se merej ne fabrikat e cigareve ne zvicer. Pastaj magazinohej diku prane shkozetit dhe i shtitej me nje surplus kontrabandisteve italiane qe vinin deri ne portin e durresit me motvedetat e tyre per ta terhequr, e me pas futur kontrbande ne shtetin e tyre. Ah po, ndermjet qindra kolive ta zeme me marboro originale, per te fituar dicka me shume, shteti yne nxirte ne pune per dite diele ne fabriken e cigareve durres te besuarit e tij, te cilet fallsifikonin disa koli dhe i perzinin me ato origjinale. Kur kishte raste qe cigaret tona marlboro nuk ishin prodhuar shume origjinale, nuk jua jepnin italianeve, por i dergonin per ti tregetuar tek hotel dajti. Shteti ne ate kohe ishte ne krize valute dhe makinacione te tilla ishin mese te domosdoshme per mbijetesen e tij.

  6. Me nji fjale rikonfermohet ajo thenia: ‘nqs do te njohesh te vertetat e historise, ndiq rrugen qe ka bere paraja’.

    1. Jashtë teme. Këto ditë e lexova romanin autobiografik të Vera Bekteshit “Vila me dy porta”. I mësova disa të vërteta historike. Keni ndonjë lidhje me këtë familje?

  7. Ne lidhje me kontrabanden e duhanit, dhe per te tjera e te tjera, mund te lexoni librin e Ylli Polovines “Ndarje me te shkuaren”. Lexim te mbare.
    Nga Nipi.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin