RRËFIMET E MAGJES – INTERVISTA

[marrë nga gazeta MAPO Online]

Në sallën Teatrit Metropol autori Ardian Vehbiu promovoi librin e parë artistik Gjashtëdhjetë e gjashtë rrëfimet e Maks Gjerazit. Personazhet e tij janë njerëz, por dhe sende e objekte, e që të gjithë ecin në linjën e absurdit të një kohe që autori e sjell përmes së qeshurës.

AI s’është AI, por rrëfehet përmes Atij. E pikërisht absurdja është kolona që lidh librin e autorit Ardian Vehbiu me rrëfimet e personazhit Maks Gjerazi. Një pseudonim që u etiketua si shkrimtari “misterioz” nëpër blogjet shqiptare teksa rrëfente “me humorin e tij fin dhe fshikullën e satirës”, siç do të thoshte Ardian Klosi, kohën e diktaturës duke rindërtuar një periudhë vuajtjesh, marrëzie dhe absurdi. Sepse ajo kohë për autorin real Ardian Vehbiu ka qenë absurde dhe shumë racionale njëkohësisht. “Më tepër absurde ka qenë mënyra se si ne i kundërviheshim asaj kohe, duke përqafuar absurden ishte dhe një formë subversioni për ta kundërshtuar regjimin”- thotë reali. Ndërsa ireali Maks Gjerazi duket se nuk bën gjë tjetër veçse si lozonjar që është luan përmes fjalëve sa me personazhet e tij aq dhe me lexuesit.  Në faqet e tij ky libër sjell personazhe të të gjitha ngjyrave, duke filluar nga zyrtarë të lartë, ministrin e Bletarisë, nëpunës të ulët, shkrimtarë patetikë, ambasadorë, diversantë, sportistë. Personazhet e tij janë njerëz, por dhe sende e objekte, e që të gjithë ecin në linjën e absurdit të një kohe që Ardian Vehbiu e sjell përmes se qeshurës. “Ishte e vështirë për mua ta shkruaja këtë libër”- rrëfehet Ardian Vehbiu.

Përse ishte e vështirë ta shkruanit këtë libër?

E vështirë, sepse është libri im i parë në fushën e letërsisë artistike. Të shkruash letërsi artistike, kërkon një gjendje shpirtërore konstante e pak të eksituar dhe një qetësi apo izolim nga stimujt negativë. Zakonisht, shkrimtarët e letërsisë artistike largohen, izolohen, gjejnë një vend të veçuar për t’u ulur e për të shkruar.

Edhe ju këtë metodë tradicionale të shkruari praktikuat?

Jo, unë përdora një metodë tjetër. Shkruaja me pjesë të vogla, sepse kështu është edhe struktura e librit, me pjesë të vogla, të cilat mund të ulesh e t’i shkruash me një frymë. E fillon dhe e mbaron pa ndërprerje, kështu që e ruan atë koherencën emocionale edhe artistike që të nevojitet.

Ishte më e lehtë të rrëfehej ajo periudhë përmes humorit?

Rrëfimet kanë një strukturë që nuk është struktura tradicionale e tregimit. Janë diçka midis skicës dhe anekdotës dhe rrëfimit në kuptimin tradicional, ndonjëherë edhe popullor. Ndoshta kjo e ndihmon edhe lexuesin që të orientohet edhe më mirë, duke i krahasuar ato njëra me tjetrën. Mendoj se ajo periudhë duhet treguar edhe në këtë formë. Unë para se të shkruaja këtë libër shkrova dhe botova një tjetër të quajtur Shqipja totalitare. Ishte një studim i efektimit të pushtetit totalitar në përdorimin e gjuhës, gjatë viteve 1945-1990. Gjatë kohës që po shkruaja këtë libër studimor më vinin shumë ide të cilat nuk mund t’i shprehja dot në formën e një studimi, por kërkonin një formë tjetër, kjo formë tjetër ishte ajo letrare e mirëfilltë, kështu që në këtë moment, ndoshta edhe pa e mbaruar mirë librin Shqipja totalitare, fillova të shkruaja Gjashtëdhjetë e gjashtë rrëfimet e Maks Gjerazit. Veçoria e këtij libri është se këto pjesë fillimisht u publikuan në internet në një blog, kështu që kjo më ndihmoi të vija paraprakisht një kontakt me lexuesin para se të përfundonte libri, qoftë edhe si koncept në mendjen time. Pata reagime shumë të mira dhe më dhanë zemër, ndërkohë edhe unë vetë u dashurova me projektin, u binda se ishte diçka më tepër se një eksperiment letrat dhe një trill i momentit. Dalëngadalë, brenda një viti u përfundua libri.

Ku ndahet dhe ku bashkohet Ardian Vehbiu me Maks Gjerazin?

Maks Gjerazi është një personazh që luan, është lozonjar. Ka një qasje shumë të gëzuar ndaj gjërave, veçanërisht ndaj gjuhës, e përdor atë për t’u zbavitur vetë dhe për të zbavitur të tjerët. Ndërsa unë në përgjithësi kam një formim prej studiuesi edhe publicisti, kështu që u qasem më seriozisht gjërave, jo si Gjerazi. Nuk dua të them se Gjerazi është mendjelehtë, por është lozonjar, nuk them dot fjalë tjetër për të. Ai luan me fjalën, luan me personazhet, jo në kuptimin e keq, jo se i keqtrajton ata, por luan me ta e për rrjedhojë ndoshta edhe me lexuesin nga pak.

E çfarë ju bashkon?

Është pasioni për gjuhën jo si objekt studimi, por si formë e qenies, madje shtëpi e qenies siç e ka quajtur një filozof.

Si e keni përfytyrimin tuaj për këtë personazh kaq misterioz? Duke qenë dhe një karikaturist, mund të na bëni një skicë të imazhit të tij, të na e nxirrni pak në dritë?

Unë e shikoj pak në errësirë, nuk e kap shumë të qartë imazhin e tij: E përfytyroj me shumë flokë, qafën pak të gjatë, shkruan me laps, nuk është i veshur mirë, ka një xhaketë dhe një këmishë që nuk i kombinohet mirë më xhaketën. E shoh gjithmonë cepave, sikur nga një rrugë kryesore futet në një rrugicë…kështu e përfytyroj.

Thatë që për momentin jeni në dilemë nëse do të shkruanit më letërsi artistike. Nuk mendoni ta sillni sërish këtë personazh?

Mua më pëlqen struktura që ka ky libër, që ndonjëherë e quaj roman serial, sepse përbëhet nga pjesë të veçanta, të shkurtra, të cilat lidhen mes tyre jo aq me personazhet e njëjta, por më tepër për nga fryma për nga tonaliteti. Nëse sjell një krahasim nga muzika, janë në të njëjtin tonalitet të gjitha. Romanet seriale, p.sh. Qytetet e padukshme e Italo Kalvinos, janë të ngjashme për nga struktura, nuk kanë shumë të përbashkëta për nga trajtimi, por kjo strukturë me pjesë të vogla të shkurtra mua më tërheq shumë dhe njëkohësisht është edhe e përshtatshme për t’u publikuar në internet. Kjo ka shumë rëndësi, sepse më ndihmon shumë. Duke e publikuar në internet më duket sikur ia bëj dhe vetes fakt të kryer që po bëj diçka, sepse çdo pjesë e publikuar është dhe një premtim që i bën lexuesit.

Leximi i një libri nis qysh në kopertinë. A mund të na bëni një shpjegim të grafikës së kopertinës?

Është Skënderbeu, por njëkohësisht është dhe një Skënderbe në fuqi të dytë. Me këtë kopertinë dua të komunikoj idenë e absurdit. Absurdja e kuptuar si një kthim në realen nëpërmjet ireales. Të paktën ky ishte koncepti që qëndron prapa kopertinës, prapa vizatimit të kopertinës. Në fakt e zgjodhi botuesi Ardian Klosi, dhe unë isha dakord. Të jepet absurdja edhe përmes imazhit. Absurdja është temë qendrore e librit. Sepse ajo kohë ka qenë absurde dhe shumë racionale njëkohësisht. Më tepër absurde ka qenë mënyra se si ne i kundërviheshim atij regjimi, duke përqafuar absurden ishte dhe një formë subvencioni për ta kundërshtuar regjimin. Nuk është se mund të dilnim në piacë e të protestonim ose të bënim ndonjë akt tjetër, por absurditeti na ndihmonte për të ruajtur mend e kokës, në një farë mënyre.

Pse gjashtëdhjetë e gjashtë rrëfime e asnjë më shumë a më pak?

Edhe “gjashtëdhjetë e gjashtë rrëfimet” është brenda tipit të Maks Gjerazit, që luan me këto gjëra, me tingëllimat, me numrat, me fjalët. Letërsia është si një kënaqësi ose si lojë. Unë besoj se ka nevojë lexuesi për këtë gjë. Ne si zakonisht i marrim shumë seriozisht këto ndodhi, edhe veten e marrim shumë seriozisht, edhe shkrimtarët shpesh herë i dëgjojmë që flasin në shtyp për veten sikur vijnë nga Olimpi. Në fakt, nuk ia vlen vërtet. Ndonjë e qeshur kështu ndonjëherë bën më mirë.

Mesazhi i këtij libri është që mos ta marrim jetën kaq seriozisht?

Unë këshilloj që ta shijojnë tekstin në vetvete, pa menduar shumë se për çfarë vlen ose çfarë ka dashur të thotë autori me këtë e atë. Ta lexojnë, të kënaqen e të qeshin e të bëhen pjesë e të njëjtit proces mendor që ka ndjekur edhe autori.

Intervistoi: Aida Tuci

Marrë nga gazeta MAPO

Nuk ka komente

  1. Rekomandon XhaXhai: “Unë këshilloj që ta shijojnë tekstin në vetvete, pa menduar shumë se për çfarë vlen ose çfarë ka dashur të thotë autori me këtë e atë. Ta lexojnë, të kënaqen e të qeshin e të bëhen pjesë e të njëjtit proces mendor që ka ndjekur edhe autori”. – Me bukur e thjeshte se kaq, nuk ka.
    Pikerisht, kjo duhet bere: ta lexojme e te qeshim, duke u argetuar me cdo fjale te shkruar ne te, me cdo personazh, grotesk ose jo, me cdo ngjarje absurde te ndodhur ne periudhe marrezie e absurdi… Na ben vertet shume mire.

  2. Mire.

    Ca gjera te pikasura ne lexim e siper :

    Se pari, per Aida Tucin, intervistuesen. Nuk e kuptoj sesi, qe ne fjaline e pare, ajo perdor nje folje ne kohen e kryer te thjeshte per nje ngjarje te vetem pak diteve me pare, ngjarje e cila, per me teper, eshte ende e pranishme sot, sepse libri eshte ne qarkullim !

    PROMOVOI.

    S’po merrem me perdorimin e kesaj fjale, sepse me duket nje nga ato fjalet qe ma shpon temthin si me turjele, por prape, s’prish pune. Po perse ne kohen e kryer te thjeshte “promovoi” dhe jo ne te kryeren “ka promovuar” ?

    A mund te ma shpjegoje Tuci kete pike ? E kam fjalen, te ma shpjegoje nga ana e rregullave te shkrimit LETRAR dhe jo te me thote se keshtu e ka degjuar ne autobusin e Kinostudios.

    Dhe se dyti, ca gjera ne vete fjalet e Gjerazit. Por keto, njehere tjeter.

    1. ehe…, ky koment nuk ka lidhje me intervistën. Do ta fshij dikur nga dreka, pasi ta kesh parë përgjigjen time.

      P.S. E kryera e thjeshtë, në shqipe, përdoret rregullisht për të shenjuar ngjarje që sapo kanë ndodhur (sapo kanë përfunduar së ndodhuri). P.sh. bie telefoni. Përgjigjem. Pasi mbaroj, miku im në tavolinë më pyet: “Kush të mori në telefon?”. Nuk mund të thotë: “Kush të ka marrë në telefon”. Kjo e fundit, do të kishte kuptimin: “Kush të ka marrë në telefon këto ditë…”. Dallimi ka të bëjë me aspektin, si kategori semantike-gramatikore që shpreh mënyrën si shtjellohet veprimi i shënjuar nga folja.

      Gjithashtu: promovimi i librit ishte një ngjarje që filloi dhe mbaroi brenda një ore. Prandaj edhe aspekti perfektiv i së kryerës së thjeshtë.

      Kam frikë se ti zbaton rregullat e frëngjishtes ndaj shqipes. Kjo do të ishte katastrofike, për një përkthyes. Ose për ta thënë brutalisht: di shqip ti, o njeri?

      Gjithsesi, të lutem ty dhe kolegëve të tjerë të mos e vazhdojnë më këtë muhabet. Nuk është vendi. Unë ende kam shpresë se dikush mund të dëshirojë të diskutojë për intervistën më lart; përndryshe, do t’i kisha mbyllur komentet edhe këtu.

      1. Une nuk zbatoj rregullat e frengjishtes ndaj shqipes, larg kesaj. Por zbatoj rregullat e shkrimit LETRAR (e kam theksuar dhe me lart). Po te flisnim per rregullat e zhargonit, s’do ta hapja sqepin. Nuk me intereson zhargoni, me intereson SHKRIMI LETRAR. Dhe ketu, gjerat na paraqiten ndryshe nga ç’kujtojme ne. Megjithate, nuk i ve faj Tucit sepse ajo noton (si shume e shume te tjere) ne nje padituri relative, tipike kjo e mesimdhenies se çale ne shkollat tona. Historikisht, shkollat tona nxjerrin gjysmake. Perse ? Sepse vete profesoret tane jane te tille. Por kjo gjysmakeri nuk duhet ngarkuar e tera mbi shpatullat e profesoreve sepse e kishte prejardhjen nga MBYLLJA TOTALE e letersise shqipe, ne epoken e komunizmit. Besoj se edhe libri yt shkruan per kete lloj grotesku. Megjithate, bej habi qe megjithese kane kaluar njezet vjet, megjithese shqiptaret po mesojne gjithnje e me shume gjuhe te huaja dhe po lexojne tani ne origjinal (romane, etj), perseri vazhdohet me te njejtin lloj shkrimi si ne vitin 1975. Kjo nuk eshte e dobishme.
        ____________

        Nuk e kuptoj perse duhen fshire postimet. Ne nje diskutim teksti, flitet per gjithçka qe shihet ne kete tekst. Madje dhe per nje gabim drejtshkrimi, psh : nje liber e re. Lexuesi ka te drejte ta vere ne dukje se thuhet “liber i ri” dhe jo “liber e re”.
        _____________

        Ne lidhje me fjalet e vete Gjerazit :

        Ne pergjithesi, me pelqen intervista. E sakte ne te shprehur, e lexueshme, dhe qe iu pergjigjet pritjeve te lexuesit. Megjithate, ka ndonje cep ku mund te kapemi per te diskutuar. Psh, rasti i ndarjes mes Vehbiut dhe Gjerazit.

        Me ndriço pak, te lutem, ngaqe nuk e kam ende ne dore librin, Maks Gjerazi eshte personazh i librit apo thjesht autori i tij (si pseudonim) ?

        Nese eshte e para, jam shume dakort me ate ç’keni thene : hipostaza qendron. Shkrimtari ndahet nga rrefyesi duke krijuar keshtu nje tjeter qenie, nje tjeter realitet.

        Por nese eshte e dyta, dmth qe Gjerazi eshte thjesht shkruesi i librit, dhe nuk merr pjese ne ngjarjet e librit, kam frike se nuk ka vend per asnje lloj hipostaze. Botimi nen pseudonim nuk do te thote ndarje e autorit nga vetja e tij. Nuk e di nese me kupton. Psh, Romain Gary dhe Emile Ajar ishin i njejti person. Njeri ka shkruar X libra, dhe tjetri Y. I pari ka fituar çmimin Goncourt, i dyti gjithashtu. Por ne asnje rast, nuk mund te themi se i pari ishte psh me i zymte dhe i dyti me i qeshur. Jane katerciperisht i njejti njeri por qe per arsye te ndryshme kane zgjedhur te shkruajne nen emra te ndryshem. Nese Roman Gary do te shkruante nje roman te nenshkruar Emile Ajar, dhe ky i fundit do te ishte vete nje personazh i librit, atehere mund te themi se Gary ka krijuar nje personazh, te cilit i jep tipare personazhi, tipare te cilat mund te mos perkojne me tiparet e vete Gary.

        Keshtu, ne nuk do te kishim dy njerez te ndryshem Vehbiu dhe Gjerazi, por do te kishim nje njeri (Vehbiu) dhe nje personazh (Gjerazi) qe mund te ishte alter egoja e tij, apo nje personazh i thurur “de toutes pièces”.
        ________

        E dyta, ke thene aty se “absurditeti na ndihmonte per te ruajtur mendte e kokes”. Mendoj se kjo eshte disi jashte realitetit. Nuk besoj se vetedijsimi i shqiptareve te asaj kohe, qofte dhe te Ismail Kadarese, “disidentit” par excellence te letrave shqipe, kishte arritur ne ate pike qe ata te ishin duke luajtur mendsh. Te luash mendsh nga nje regjim, do te thote ta ndjesh ate ne te gjithe shtrirjen dhe thellesine e tij, te te kete tronditur ne te gjithe ngrehinen e ndertimit tend psikologjik. Une kam deshire te besoj se veshtiresite e nje njeriu ne ate kohe ishin te tilla sa njeriu te çmendej, por ne s’mund te themi kurrsesi se ky njeri kishte kuptuar gjithçka nga natyra e regjimit. Edhe nqs ndonjeri ishte me largpames se tjetri, apo dhe me nuhates, kjo ishte thjesht turbull. Vete nuhatja eshte e papercaktuar : e di qe po bie nje ere, por nuk e di nga ku. E tille dhe disidenca jone e pretenduar : ca gjera binin ere, por ne nuk kishim asnje aparat mendimi, asnje menyre apo mjete analize per t’ia bere radiografine ketij regjimi. Thjesht ngaqe kjo eshte e pamendueshme per nje njeri te asaj kohe, me formimin tone intelektual qe e dime shume mire si ishte.
        __________

        Ke thene gjithashtu se “letersia eshte nje kenaqesi, si nje loje”. Zoteri, letersia NUK eshte nje loje dhe nuk eshte SI nje loje. Madje, ne vrullin e fjalise tende, do te them se as kenaqesia nuk eshte nje loje. Nuk ka asgje me serioze se letersia. Ajo duhet marre vertet per diçka tejet te rende, per diçka gati qenesore per ndertimin e brendshem te nje njeriu. Pervoja ka treguar se nje njeri i formuar jashte permases se letersise, eshte nje njeri gjysmak dhe, nga perkufizimi, nje njeri jo-njeri.
        Ti ke te drejte qe thua se fundja duhet relativizuar pak, por kjo ndalet vetem ketu. Une jam i bindur qe humori qe ke perdorur ne liber nuk ka qene per hir te humorit, porse ai ka pasur ca shtysa shume me te zymta dhe te ngrysura te cilat shpreson t’i kalosh tek lexuesi. Motori i letersise, ne asnje rast dhe vend, nuk eshte kurrsesi diçka qesharake. Eshte forma ajo qe mund te jete komike, porse synimi eshte plumb i rende.
        ___________

        Duke shkruar ketu, une nderoj ne radhe te pare autorin e tekstit qe me shfaqet ne ekran, nderoj gjithashtu lexuesit (duke mbajtur brenda postimit tim nje seriozitet minimal), dhe ne fund nderoj veten. Fshirjet e postimeve jane menyra me e keqe, dhe me lejo te them, me e poshter qe mund te ndodhe ne nje diskutim te tille. Fshirja nderhyn vertet ne instance te fundit.
        ___________

        Dhe se fundi, di shqip SHKELQYER. Jane ca te tjere qe ma dine SHKELQIER.
        ____________

        Tungatjeta.

        1. Si autor, e kam të vështirë të flas për librin, madje nuk di edhe ç’vlerë do të kishte.

          Megjithatë, Maks Gjerazi është personazh në libër; po ta lexosh librin, në tekst do të gjesh referenca të panumërta në trajtë përemrash të vetës së parë shumës: “në qytetin N., takuam një njeri që…”, “na u prish makina…”, “kishim dëgjuar që…” etj.

          Ky rrëfimtar, që është i pranishëm në tekst si vetë e parë, është Maks Gjerazi. Ai nuk merr pjesë në rrëfimet përveçse duke i rrëfyer.

          Përkundrazi, autori i librit ka rrëfyer Maks Gjerazin.

          Tani, nëse ti si lexues, kërkon t’i njësosh këta të dy, unë nuk të them dot se e ke gabim; sepse lexuesi gjithnjë ka të drejtë, sa kohë që nuk del nga suaza e tekstit. Ta dhashë shpjegimin më lart vetëm ngaqë pyete.

          Më tej, duke kundërshtuar pikëpamjen time se teksti letrar duhet parë si një lojë thua: “nuk ka asgjë më serioze se letërsia…”. Kësaj do t’i përgjigjesha: “nuk ka asgjë më serioze se loja.”

          Komunikimi është gjithnjë lojë – sot madje edhe ekonominë po e shpjegojnë nëpërmjet teorisë së lojërave. Shko edhe më tej: loja në skenë, rolet që luajmë, mënyra si përgatitemi për një konfrontim, loja e dialogut.

          Nuk po bëj lojë fjalësh – edhe pse, edhe lojërat e fjalëve, shprehin të vërteta të thella, sikurse e di çdo përkthyes “serioz” i Heidegger-it.

          Por kjo s’ka të bëjë fare me qesharaken. Për mendimin tim, qesharake mund të jetë vetëm diçka që pretendon seriozitet total. Këtë tullumbace gjithnjë kam dashur ta shpoj; edhe pse jo doemos nëpërmjet humorit.

          Më në fund: ti ndoshta nuk ke kohë ta lexosh librin dhe s’të bëj me faj. Por nëse flet për të, të lutem ta lexosh – sepse do t’i bësh shërbim vetes. Po të vish në Tiranë gjatë panairit, do ta gjesh në stendën e K&B, së bashku me autorin (këtë të fundit falas).

          P.S. Komentet për të kryerën e thjeshtë do t’i fshija sepse nuk e kanë vendin këtu, te kjo temë, ku flitet për diçka tjetër, e aq më tepër për një libër timin. Ajo fshirje ka të bëjë me punën e rëndomtë të administratorit të blogut – nuk lidhet fare me censurën, as me lirinë e shprehjes. Për ta thënë ndryshe: unë nuk të le dot ty, o vizitor, të më prishësh muhabetin; as tani, as ndonjëherë tjetër.

          P.P.S. Lëre rehat Gjirokastrën dhe të folmen e Gjirokastrës. Si qytet, Gjirokastra i ka dhënë Shqipërisë shumë – për mirë dhe për keq, por sidomos për mirë (ha fatto il bello e il cattivo tempo, do të thoshte italani). Mos më detyro të nis të bëj lista këtu, se nuk ka vend në faqe për t’i nxënë të gjitha. Si rregull, gjirokastriti e konsideron veten të dështuar, nëse nuk shkëlqen në fushën e vet. Edhe e folmja e Gjirokastrës, pavarësisht nga thjeshtimi i y-së në i, është e pasur sa s’bëhet, dhe jo me emra rrënjësh të ushqyeshme; sepse ai qytet ka dhënë e ka marrë shumë me botën përreth, ka bërë tregti, qytetarët i ka pasur të shëtitur, intelektualisht kuriozë, ambiciozë. Mjaft të lexosh Musine Kokalarin, për t’u bindur në lidhje me të folmen. Më anë tjetër, shqipja standard nuk mbështetet mbi atë të folme, as mbi dialektet jugperëndimore (labërishten, çamërishten), por më tepër në toskërishten e mirëfilltë (Kolonja, Përmeti).

          1. Falemnderit per pergjigjen. U sqarova goxha, vertet. Dmth, ishte ashtu sikur e dyshoja : Maks Gjerazi nuk eshte thjesht nje pseudonim qe shkruan nje liber “ne menyre pavetore”, por perdor veten e pare. Shume bukur. Hipostaza qendron, eshte me vend, dhe fjalet e thena ne interviste jane krejt te pershtatshme.

            Ta thashe, nuk e kam pare librin prandaj pyeta per t’u siguruar.
            _____________

            Edhe per punen e lojes, jam dakort. Megjithese bie ere “loje fjalesh” (ç’eshte e verteta), perseri shpjegimi yt qendron dhe e pranoj ashtu siç eshte.
            _____________

            Ne lidhje me diskutimin e tekstit, shkrimit te tij, gabimeve qe behen ne te : e perseris, nuk ka asgje per t’u merzitur se nje bashkebisedues ketu kapet me formen drejtshkrimore te tekstit. Jo te gjithe flasin per ç’te duam ne. Mjafton te marre “spunton” (siç i thone gazetaret tane shqiptaro-italiane) nga nje fragment apo fjali e tekstit, dhe bashkebiseduesi mund te ligjeroje ketu per gjera nga me te ndryshme. Ky eshte diskutimi, kjo eshte larmia. Nese nje tekst paraqitet ketu per ta mbytur nen cunamin e pese yjeve, atehere edhe kjo eshte OK, por ama duhet njoftuar paraprakisht.
            ______________

            Ne lidhje me Gjirokastren : nuk bera asnje aluzion ndaj saj. Kam menduar se lexuesit do te dine ta kapin dallimin dhe synimin. Forma Y i pergjigjet shqipes se nenes, kurse forma I i pergjigjet shqipes se “bombarduar” nga lart. Nuk ka lidhje me rrethe, krahina apo katunde. Ka te beje me nje dukuri qe une e kam bere te ditur disa here, dhe vazhdoj ta bej, thjesht ngaqe me shqeteson.
            ______________

            Gjithsesi, falemnderit. Dhe me kaq, terhiqem duke ia lene vendin ushtrise qe une do ta pagezoj : “TURMA E NJESHAVE”.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin