NGA BLOGU NË SALLË

Libri “Gjashtëdhjetë e gjashtë rrëfimet e Maks Gjerazit” u prezantua mbrëmë, në Teatrin e Metropolit në Tiranë.

Shumë prej të pranishmëve në sallë ishin miq të mi dhe të botuesit A. Klosi, të afërm dhe përfaqësues të mediave.

Çfarë më preku veçanërisht, ishte edhe se, mes publikut, kishte edhe nga ata që kishin ardhur aty nëpërmjet blogut Peizazhe të fjalës, duke e kapërcyer barrierën midis virtuales dhe reales pikërisht kur po prezantohej botimi i një libri të lindur dhe të promovuar në Internet.

Vura re njerëz që takoheshin mes tyre dhe shkëmbenin, në vend të emrave, pseudonimet me të cilët njihen në blog.

A. Klosi prej kohësh përpiqet të kthejë, në qarqet letrare të Tiranës, kulturën dhe shijen e leximit publik. Edhe këtë mbrëmje, u lexuan disa nga tregimet e vëllimit: prej dy aktorëve, në regjistrim; prej autorit vetë; prej Klosit, të shoqëruara me projektime të karikaturave të Krypës.

Diskutimi rreth librit u shndërrua, vende-vende, në një banket kujtimesh nga e shkuara. Nëse te Maks Gjerazi kujtimet shërbejnë si lëndë për rrëfimin, mes miqsh ato pashmangshëm kthehen në riprodhime identitetesh dhe lidhjesh afektive.

Kujtuam, ndër të tjera, si kjo lloj letërsie absurde ka qarkulluar, në trajtë dorëshkrimesh stilografike, gjatë viteve të diktaturës; jo haptazi subversive dhe kundër regjimit, por si një tekst alternativ ndaj të ligjërimit totalitar hegjemon.

Ende i ruajmë në sirtaret disa nga ato krijime – copëza ndonjëherë naive, ndonjëherë tepër të trishtuara, si Statuti alternativ i Lidhjes së Shkrimtarëve, që përmendi botuesi Klosi.

Teksa lexoheshin rrëfimet absurde dhe groteske të librit, nuk mund ta hiqja mendjen nga Vera Bekteshi që gjendej në sallë, dikur e persekutuar dhe sot, ndër të tjera, autore e librit të njohur Vila me dy porta; dhe që, ndryshe nga unë, përndjekjet çnjerëzore të regjimit totalitar i ka provuar në lëkurë. Ndoshta kishte edhe të tjerë që patën rast t’i krahasojnë fantazmagoritë e Gjerazit me kujtimet e tyre të hidhura – shpresoj t’ia kenë falur autorit që atë dramë të rëndë të një shoqërie të tërë e ka përdorur si lëndë, ose metaforë narrative, në një tekst letrar.

Nga libri u shitën shumë kopje – por ato të ardhura shkojnë për të mbuluar shpenzimet e shtypshkronjës. K&B, që e ka botuar librin, operon në një treg të lënë në mëshirën e mekanizmit të kërkesës dhe të ofertës, por që gjithnjë kërkon të ofrojë produkte cilësore – vetëm dy ditë më parë, u botua Vepra e plotë në prozë të shkurtër e Kafkës, e cila meriton të hijeshojë bibliotekën e çdo shqiptari dashamirës të letërsisë.

Si i ardhur nga NYC, nuk e kuptoj gjithnjë kontrastin mes çmimeve dhe të ardhurave në Tiranë; kur më duhet diçka, fut dorën në xhep dhe e blej – e vetmja vështirësi, ka të bëjë me orientimin me lekun përkundrejt dollarit. Por për shumë vetë këtu, 700 lekë (të reja) janë shpenzim i konsiderueshëm.

Në hyrje të teatrit, pas prezantimit, një i moshuar më kërkoi t’ia falja librin, duke më shpjeguar se “në ceremoni të tilla librat duhen dhënë gratis, nuk duhen shitur!”.

Ndërkohë, më bëri përshtypje një tjetër i moshuar, i cili kishte ardhur aty vetëm e vetëm për të blerë librin, me porosi nga i biri në Chicago… një tjetër mrekulli e vogël e Internetit.

Gjashtëdhjetë e gjashtë rrëfimet e Maks Gjerazit nuk do të ishte krijuar dot, jashtë kontekstit që krijon Interneti, dhe veçanërisht blogu. Së bashku me Shqipen totalitare dhe karikaturat e Krypës në sfond, janë rezultat i një procesi krijues që është shtjelluar i tëri në kontakt me lexuesin virtual.

E vetmja mbështetje që kam pasur, në këtë proces, ka qenë bindja se komunikoja me miq dhe njerëz që e dëshironin debatin intelektual po aq sa unë. Përndryshe, jeta ime mbetet e dyzuar midis përpjekjeve që bëj për të mbijetuar dhe përpjekjeve që bëj për të jetuar.

Dua të shpresoj se, çfarë na mblodhi mbrëmë në Teatrin e Metropolit nuk ishte vetëm nostalgjia për miqësi të shkuara, ose ndrydhje dhe neuroza të përbashkëta; por edhe bindja se lidhjet që kemi vendosur mes nesh prej kohësh mund t’i përdorim për t’ia shtuar dritën kulturës shqiptare – në luftë me errësirën e filistinizmit, logjikës së parasë dhe arrogancës së pushtetit. Kultura nuk imponohet dot, përveçse duke magjepsur; që këtej, edhe përgjegjësia e madhe e magjistarëve që luajnë në skenë.

Një gazetare nga Mapo më pyeti se çfarë uroja që të gjente lexuesi te kjo vepër – këtu nuk kam asnjë ngurrim: atë kënaqësi artistike dhe intelektuale që të jep leximi si dhe atë ndjenjë solidariteti që të lind, kur zbulon se po përjeton një aventurë të ngjashme me çfarë ka përjetuar autori.

Nëse leximi është edhe ekzorcizëm, shumë prej nesh do të kenë çfarë të dëbojnë prej vetes gjatë leximit; të tjerët do ta përjetojnë ndoshta absurdin e Gjerazit si një mënyrë për të larë hesapet me fantazmat e tyre. “Gjashtëdhjetë e gjashtë rrëfimet…” është po aq libër kujtimesh sa edhe një skulpturë produkt i ndërveprimit të daltës me mermerin.

Megjithatë, këto s’janë veçse përshtypje të miat dhe autori është lexues i keq i librit të vet; prandaj, që nga çasti i botimit e këtej, autorit s’i mbetet veçse të shpresojë se do t’ia trajtojnë mirë fëmijën.

Nuk ka komente

  1. Xhaxha, të uroj shumë sukses me botimin e ri. Mezi pres ta blejë librin edhe pse vetëm një tregim të Maksit kam lexuar në blog (për fajin tim). A ke ndonjë ide se ku mund ta blej në Vlorë librin?

    1. Falemnderit për urimet! Libri ende nuk është shpërndarë – por do t’i kërkoj botuesit të më japë një listë të librarive ku mund të gjendet, për ta nxjerrë pastaj listën në blog.

    1. Krypa, natyrisht. Është versioni i MaGjes për artet vizuale.

  2. Vertet lexuar i kisha pothuaj te gjitha tregimet e Maks Gjerazit por paraqitja e librit ne salle dhe fjala e autorit si dhe e prezantuesit Klosi i dhane formen e vertete atij.

    Urime dhe suksese ne punimet e tjera qe do na japesh ne te ardhmen.

  3. Mbremja ishte thjesht … speciale! Konstatimi u be i perkryer pasi dola nga teatri, dhe ne kembe mora rrugen per ne shtepi. Epo ja kaq ishte – thashe me vete. Nejse, une e pata dhe e shijova momentin tim elitar per momentin. Faleminderit xhaxha. Si thua per ate kafen?

  4. Shume urime per librin Xhaxha! Eshte tamam ajo Krypa qe i duhet kultures se sotme shqiptare. Qellofsh edhe per shume te tjera ne te ardhmen.

  5. Ca shkrepje te aparatit gjate prezantimit te librit te Maks Gjerazit ne tetor.

    Ne hyrje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin