SHUMË TEKSTE, SHUMË FAQE

Statistikat të thonë se gjatë 25 vjetëve të fundit, vetëm në ShBA janë botuar 50,000 romane të reja çdo vit – nga të cilat vetëm një numër i vogël arrin të shndërrohet në dukuri letrare, ose të lexohet nga aq vetë, sa të mund të krijojë një komunitet lexuesish çfarëdo. Pjesa tjetër mbeten në një limbo paraletrare, nga ku pas gjase nuk do të dalin dot kurrë – meqë shanset që njerëzit t’u kthehen e t’i lexojnë, me kalimin e kohës, vijnë e shndërrohen në zero.

Kjo do të thotë se, paradoksalisht, një roman i botuar nuk do të lexohet – në kuptimin që kush blen një biletë lotarie shpreson se do të fitojë, edhe pse nuk pret të fitojë, përveçse po të jetë delirant nga natyra, ose po ta ketë korruptuar kompaninë që organizon lotaritë. Arsyet pse një roman çfarëdo është i dënuar me moslexim janë të shumta dhe pa lidhje mes tyre: teksti mund të jetë i vështirë, vetë romani i shkruar keq, autori mund ta ketë botuar me fondet e veta dhe ta ketë shpërndarë dorazi, shtëpia botuese mund të ketë fuqi që ta reklamojë si duhet…

Ka qenë një kohë kur letërsia e mirë dhe e suksesshme shërbente si strumbullar ose seed për të organizuar, rreth vetes, komunitete kulturore – në prag të viteve 1990, për mua këtë rol e luajtën, mes të tjerash, romane si “Emri i trëndafilit” i Eco-s dhe “Lehtësia e papërballueshme e qenies,” i Kunderës. Të dy këto romane do t’i lexoja sërish sot; tek e fundit, janë ato që më kanë përftuar mua si lexues dhe jo e kundërta.

Ndoshta edhe sot ka vepra të tilla, që arrijnë të kombinojnë suksesin dhe thellësinë, duke u dhënë fytyrën komuniteteve të reja të lexuesve; pa çka se këtë potencial të letërsisë, për t’i dhënë një gjuhë të përbashkët bashkëkohësisë, sot e sfidojnë jo vetëm filmi dhe televizioni si pak kohë më parë, por edhe Interneti dhe rrjetet sociale, të cilat e kanë modifikuar vetë mënyrën si u qasemi teksteve; duke na stërvitur të gjithëve t’i konsumojmë këto si collages, si pranëvënie; ose duke e “fuqizuar” lexuesin që ta krijojë tekstin ai vetë, nëpërmjet bashkëngjitjes së fragmenteve.

Një program i hershëm i RAI3, i quajtur Blob, e realizonte këtë efekt duke ngjitur ose edituar fragmente të marra nga programe të ndryshme televizive, në mënyrë të tillë që secili nga këto fragmente të merrte kuptime të reja, “horizontale”, duke u kontaminuar me prekje. Ky efekt duhej të ishte i ngjashëm me çfarë ndodh, kur e kalojmë mbrëmjen duke kërcyer, me telekomandë, nga një kanal në tjetrin – dhe duke “grabitur” copëza videosh nga ky apo ai program, për të përftuar një tekst të një lloji të ri (zapping i kanë pasë thënë këtij sporti intelektual italianët, edhe pse anglishtja ndoshta do të kish preferuar këtu channel surfing).

Sot efektin Blob e përjeton kur të duash, duke lundruar në faqen bazë në Facebook dhe duke rrëshqitur nga një titull në tjetrin, por pa u ndalur në asnjë prej tyre – në mënyrë që një selfie e dy idiotëve duke ngrënë qofte të ndiqet nga një lajm për ngrohjen globale dhe pastaj nga një reklamë për një bar dobësimi dhe më pastaj akoma nga fotografia e një tave përrallore e kështu me radhë; në vend që të zgjedhësh ti vetë një tekst dhe të komunikosh me të për një farë kohe, e krijon tekstin ti vetë, me fragmente të atij shpërthimi permanent, që është rrjeti social. Përballë këtij realiteti, 50,000 romanet e botuara çdo vit nuk kanë asnjë shans.

Një nga shkrimtarët amerikanë më brilantë të këtyre 25 vjetëve ka qenë David Foster Wallace, autor i disa eseve të gjata, për mua kryevepra të zhanrit; por edhe i një romani tejet të vëllimshëm, Infinite Jest, mijëra faqet e të cilit nuk janë aq ftesë për lexim, sa premtim për konversion total. Këtë roman prej gati 550,000 fjalësh, që ka krijuar tashmë një kult të qëndrueshëm ndjekësish dhe admiruesish në ShBA dhe kushedi edhe gjetiu në botë, unë nuk kam arritur ta lexoj – dhe ma do mendja edhe të tjerë si unë. E kam filluar, kam shijuar tek-tuk brilancën e Wallace-it, jam përpjekur të qëndroj në temë, të përfytyroj, të sintonizohem, ta shndërroj librin vetë në një sensory deprivation tank, dhe pastaj kam hequr dorë. Dhe kam hequr dorë jo ngaqë nuk më ka tërhequr teksti, por nga presioni i ndërkohshëm prej teksteve të tjera, që më kanë tërhequr nga mënga, më janë fërkuar pas kyçeve të këmbëve dhe më kanë joshur me zëra sirenash, për t’u kushtuar edhe atyre pak vëmendje. Përkushtimi ndaj mijëra faqeve të Infinite Jest do të ishte për mua i barasvlershëm me injorimin e dhjetëra librave të tjerë, pa llogaritur artikujt në Internet, revistat dhe burime të tjera informacioni dhe përjetimi estetik. Nuk e kam bërë dot, edhe pse i vetëdijshëm se romani i Wallace-it, si vepër letrare, do të ishte artistikisht superior ndaj një artikulli të NYT ose, fundja, të Lapsit; ose edhe ndaj një thriller-i nga ata që lexohen natën; pa folur pastaj për ndonjë serial televiziv a ndeshje futbolli a ku di unë ç’tjetër. Por njeriu nuk mund të hajë gjithnjë haviar për drekë, xhanëm.

E marr me mend, megjithatë, se ata pak lexues të zotët që ia kanë nxjerrë fundin këtij romani do të jenë ndier të transformuar nga leximi; në kuptimin që, kur këta i ngjiteshin romanit të Wallace-it si alpinistët Kilimanxharos, teksti i romanit dhe zëri i autorit atje i kolonizonte dalëngadalë, duke u folur hap pas hapi dhe faqe pas faqeje; duke realizuar kështu, me bollëk të paparë, misionin parazitar të çdo autori në kuptimin strukturalist – të riprodhojë vetveten, duke lëshuar vezë dhe pastaj kultivuar larva në mendjet e çdo lexuesi. Madje D.T. Max, në biografinë që ia ka shkruar Wallace-it (Every Love Story Is a Ghost Story) citon autorin të ketë thënë se ai priste, prej lexuesve të Infinite Jest, që ta lexonin romanin dy herë.

Tek Il Pendolo di Foucault i Eco-s, njëri prej personazheve, Belboja, thotë: “Në kohën time, kush dinte gjermanisht nuk e mbaronte universitetin… E kalonte jetën duke ditur gjermanisht.” Kjo batutë, që me siguri aludon për vështirësinë e të zotëruarit të një gjuhe si gjermanishtja, po më vjen tani ndër mend, kur përfytyroj si shumë nga ata që e kanë lexuar Infinite Jest dy herë do të jenë shndërruar tashmë në carriers ose portatorë të memeve të kësaj mega-vepre dhe të Wallace-it vetë; në kuptimin që do ta mbrojnë sipërmarrjen e tyre me aq pasion dhe ndonjëherë edhe superioritet, sa të të bëjnë ty të ndihesh i mjerë dhe kulturalisht rajá, thjesht ngaqë nuk e ke lexuar (ose nuk e ke lexuar dot, çfarë është edhe më poshtëruese). Se sa tipikisht letrare është kjo lloj qasjeje, nuk jam në gjendje ta them: mund të jetë një lloj manie kompensatore, mund të jetë edhe shprehja më sublime e efektit që ka letërsia tek ne të gjithë.


(*) Ilustrimi nga Jungho Lee.

(**) Këtë batutë, në versionin fillestar të shkrimit, ia pata atribuar gabimisht Mark Twain-it; Ndoshta më ngatërroi fakti që ky ka thënë plot batuta për gjermanishten, disa të cilat mund të lexohen këtu.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin