PROFETI NË KARNAVALE

Le të bëjmë një eksperiment narratologjik.

Për çdo vepër letrare fiction – po kufizohem me letërsinë këtu – gjithnjë mund të pyesim nëse i referohet ose i përket botës sonë apo jo.

Kështu, nuk ka dyshim se një roman si Konti i Montekristos i referohet një bote ku revolucioni francez dhe Napoleoni kanë “ndodhur” – tërthorazi, por edhe drejtpërdrejt; që është edhe ajo ku jetojmë ne sot.

Natyrisht, kjo s’ka të bëjë me faktin nëse personazhi i Kontit ka ekzistuar vërtet apo jo; por me gjasën që të ketë ekzistuar – në kuptimin që bota ku Konti i Montekristos është personazh real nuk është e papajtueshme, logjikisht, me botën tonë.

Autorët ndonjëherë e konfirmojnë këtë, duke u shtuar referenca historike të mirëfillta veprave të tyre: p.sh. figurat e udhëheqësve revolucionarë francezë (Robespierre, Danton, etj.) te Viti 93, i Hugo-it; ose Enver Hoxha, te Dimri i madh i Kadaresë.

Edhe një herë, ky lloj ankorimi në realitet nuk ka lidhje me faktin që Robespierre-i i Hugo-it mund të thotë në roman gjëra që nuk i ka thënë në jetë – por me faktin që ato gjëra që thotë mund t’i kish thënë, pa e ndryshuar kjo historinë dhe pa rënë në konflikt me realitetin.

Në përgjithësi, fiction-i tradicional është kujdesur gjithnjë që të mbetet brenda kufijve të botës reale, madje edhe kur ka pasur natyrë fantastike. Udhëtimet e Guliverit janë fund e krye fantazi dhe satirë, por bota e atjeshme nuk është se e përjashton botën reale të kohës.

Fantashkenca e ka thyer këtë konvencion, nëpërmjet zhanrit historik-alternativ: p.sh. duke na rrëfyer për një botë ku Luftën II Botërore e fituan forcat e Aksit. Sapo thyhet ky konvencion, vetë historia vjen e bëhet objekt lojërash narrative dhe manipulimesh letrare të llojit what if?.

Megjithatë, ka një kategori lexuesish që s’e përtyp dot këtë kollaj – p.sh. një botë ku kontinentin amerikan nuk e “zbuloi” Kolombi, por romakët e lashtësisë; ose një botë ku Napoleoni u kthye në Europë nga Shën Helena; ose një botë ku pas vdekjes (helmimit?) të Stalinit në 1927, frerët e pushtetit i mori në dorë Trocki.

Ka edhe një mënyrë tjetër për t’iu qasur kësaj dukurie: p.sh. duke pyetur nëse rrafshi narrativ te Don Kishoti, i Cervantes-it, i përket së njëjtës botë ku ndodhi revolucioni francez; ose ku Spanjën e qeverisi për një kohë të gjatë diktatori Franco.

Ka diçka që nuk shkon me këtë pyetje – dhe kjo diçka ka të bëjë me kahun e rrjedhjes së kohës; prandaj edhe mund të themi, pa na u dridhur qerpiku, se Franco-ja ka jetuar në të njëjtën botë me Don Kishotin (personazh); por Don Kishoti nuk i ka paraprirë gjë Franco-s.

E njëjta gjë edhe, bie fjala, për Shekspirin: veprat e tij skenike i paraprinë revolucionit anglez, në kuptimin që Oliver Cromwell-i jetoi në të njëjtën botë me Mbretin Lir (ose Mbretin Lir); por nuk ka shumë kuptim të thuhet, të paktën nuk ka shumë kuptim për mua, se Mbreti Lir ka jetuar në të njëjtën botë me Oliver Cromwell-in.

Kjo përshtypje – le ta quajmë kështu – nuk duket se ka të bëjë me shkakësinë (kauzalitetin), ose së paku me ndikimin shkakësor. Eneida e Virgjilit nuk do të ishte shkruar pa qarkulluar, në botën e Virgjilit, poemat homerike; çka do të thotë se, në një farë mënyre, Eneida përmbahet te Iliada dhe Odiseja; por bota e përshkruar te Iliada dhe Odiseja nuk e përmban gjë Eneidën, as e kërkon.

Kjo besoj se ka lidhje, sikurse e ka shpjeguar Umberto Eco-ja, me faktin që universi narrativ është jo vetëm i fundmë, por edhe i kufizuar; por ky kufizim nuk duhet marrë si atribut i botës së cilës i referohet dhe i përket vepra. Kështu, te Jul Qesari i Shekspirit mund të mos jetë përmendur kurrë Kina (po spekuloj); por kjo nuk do të thotë se në botën e Romës së lashtë, së cilës i referohet ajo dramë, Kina nuk ekzistonte.

Tani, e gjithë kjo lidhet njëfarësoj edhe me çfarë dinë për botën personazhet e veprave – për botën ku jetojnë, dhe për botën së cilës i referohet vepra. Është e natyrshme dhe e logjikshme që personazhet e Kontit të Montekristos të dinë hollësi për Francën e pas-Revolucionit; sikurse është e natyrshme që personazhet e Manastirit të Parmës të dinë hollësi për Europën e pas Waterloo-së; dhe njëlloj e natyrshme që personazhet e Vitit 93 të dinë për Francën e Revolucionit.

Le të përfytyrojmë, tani, një personazh, në një vepër narrative konvencionale, i cili na paraqitet si parashikues i së ardhmes, ose largpamës (clairvoyant) – për shembull, një personazh i Vitit 93  që fillon t’u flasë të tjerëve për ngjarje historike të Francës së shekullit XIX – të cilat ai si personazh nuk mundet veçse t’i parashikojë me forcën e logjikës ose me aftësitë e veta të mbinatyrshme; por që autori, Hugo-i, i di thjesht ngaqë këto ngjarje kanë ndodhur tashmë – p.sh. për Napoleonin, mbretin Luigj Filip ose, më keq akoma, për Napoleonin III.

P.sh. të thotë: “unë parashikoj se nga i gjithë ky tallaz i revolucionit do të dalë një njeri i shkurtër, me prejardhje nga Korsika, që do të hedhë mbi supe mantelin e Perandorit dhe do të pushtojë Europën mbarë madje edhe Egjiptin…”

Pyetja ime është: si do të reagonte lexuesi ndaj këtij personazhi?

A do të reagojë njëlloj me atë lexues të cilit, gjithnjë me marrëveshje, i kërkohet të besojë – bie fjala – se Abraham Lincoln-i ka luftuar kundër vampirëve?

Kam përshtypjen se ky lexues i dytë e ka më të lehtë të pranojë vampirët, sesa clairvoyant-in.

Tek e fundit, ai lexues që e pranon, pa shumë sforcim, pozicionimin e autorit si perëndi në një roman (omniscience), nuk do ta pranonte kollaj një personazh i cili, qoftë edhe nëpërmjet marifetit të së mbinatyrshmes, të fliste me gojën e autorit, duke futur një thyerje narrative në ngjarjet.

Të përfytyrojmë një roman shqiptar të Realizmit Socialist, ku ngjarjet zhvillohen gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare. Të përfytyrojmë edhe një personazh çfarëdo atje, bie fjala një fshatar tabani, i cili pasi ka takuar Enver Hoxhën, thotë: “ky njeri do ta shpëtojë Shqipërinë – do t’i shporrë bejlerët dhe agallarët – do t’i dalë zot popullit” etj.*

Pyetja ime, dhe njëkohësisht eksperimenti, ka të bëjë pikërisht me vështirësinë e klasifikimit të kësaj dukurie narrative.

Po ta çojmë eksperimentin në ekstrem, do ta bënim fshatarin tonë të gjithëditur të thoshte: ky njeri – për Enverin – do të bëjë këtë dhe atë, do të luftojë me kuçedrën, do të hajë inat me gjithë dynjanë, dhe do të vdesë më 11 prill 1985.

Pse e kemi të pamundur ta marrim seriozisht këtë personazh (dhe të respektojmë autorin që e ka krijuar)?

Përkundrazi, sikur “parashikimi” për datën e vdekjes të kish të bënte me një personazh fiktiv, p.sh. komandantin Rrapo, do ta kalonim me një buzëqeshje dhe nuk do t’ia mbanim për të madhe autorit; madje edhe sikur në roman personazhi në fjalë të vdiste pikërisht në atë datë.

Kështu, pa u thelluar shumë, besoj se ky refuzim që ndien lexuesi ka të bëjë me një konvencion tjetër: ne e duam botën e romanit vërtet të lidhur me tonën dhe pjesë të së njëjtit “univers”; por edhe e duam më të vogël se tonën, më të kufizuar.

Tek e fundit, personazhi që parashikon saktë të ardhmen, në një roman historik, nuk është veçse zëdhënës i autorit; dhe neve si lexues nuk na pëlqen që autori të na përqeshë.

Edhe kur një vepër na kërkon ta rijetojmë të shkuarën, ne s’mund të identifikohemi me personazhet e saj, përveçse duke supozuar se ata nuk dinë se çfarë do të ndodhë, njëlloj si edhe ne vetë nuk do ta dinim.

Madje edhe kur lexojmë, bie fjala, një roman për Sarajevën e vitit 1914, ne biem dakord të pranojmë, qoftë edhe përkohësisht ose në marrëveshje me autorin, se nuk e dimë çfarë do të ndodhë me Arqidukën Ferdinand… pa çka se edhe vetë ky roman për Sarajevën e vitit 1914 është shkaktuar, njëfarësoj, nga atentati në fjalë; për të mos folur për botën tonë sot si produkt të Luftës I Botërore.

Prandaj edhe e perceptojmë si sakrilegj, diskursin parashikues historik të një personazhi; sepse ka diçka brenda nesh që e lufton parashikimin në të shkuarën, e konsideron si të dëmshëm, madje si të rrezikshëm për ekuilibrin e sendeve. Ashtu edhe na vjen menjëherë në mend Kasandra, të cilën nuk e besonte askush; sepse vetëm ashtu do të mund ta pranojmë, Kasandrën, si personazh të universit tonë.

Pa sjellë pastaj shpjegimin tjetër, më banal, por edhe po aq logjik: bota ku jetojmë ne, është një botë ku Kasandrës nuk ia vinte kush veshin. Përkundrazi, sikur bie fjala Agamemnoni t’ia kish dëgjuar fjalën, do t’i kish shpëtuar kurthit që i kish ngritur Klitemnestra – gjë që në fakt nuk ndodhi: vrasja e tij është, njëfarësoj, e murosur në themelet e realitetit tonë sot.

Çka ndoshta edhe do të thotë – por le ta diskutojmë – se në botën tonë të sotme Kasandrave mund t’u dëgjohet vërtet fjala, por vetëm në të tashmen; ndërsa ato të së shkuarës janë të dënuara të shpërfillen.

Dhe, ashtu të shpërfillura, të mos ua falin kurrë autorëve që kanë luajtur me to, dhe kushedi edhe me lexuesit.

*Shënim: Ardian Klosi ka shkruar për dukurinë, në hyrjen e satirës “Fjalët e fundit të Shpend Martin Gjokës,” (1983) ku thotë:

E keni vënë re në disa tregime, romane apo filma historikë se sa e lehtë është të tregosh për historinë? Të gjithë e dinë se ç’do të ndodhë, lexues, shikues, shkrimtarë, regjisorë, aktorë. Personazhet flasin me sigurinë e ditëve të sotme, subjekti ecën vetë, fundi është i mirënjohur. Të gjitha këto thjeshtojnë punën e autorëve, duke rritur mërzinë e palës tjetër.

[Te Kundërcjapi,  Dudaj 2011, f. 61-67.]

Nuk ka komente

  1. ndreqje gabimi:

    “për shembull, një personazh i Vitit 1993 që fillon t’u flasë të tjerëve për ngjarje historike të Francës së shekullit XIX”

    … nje personazh i vitit 1793 ose me mire i “vitit 93″…

  2. Mospranimi i thyerjeve te tilla narratologjike nga ana e lexuesit besoj se ka te beje me faktin se ato nuk e zgjidhin konfliktin narratologjik, por e shmangin ate. Do te ishte pak a shume nje pershtatje moderne e hilese antike “deus ex machina”. Nuk funksionon!

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin