MISTERI I FUNDIT I LASGUSHIT

Edhe pse janë më të bukurit, më enigmatikët, nga më të cituarit e poezisë shqipe, edhe pse janë të vetmit që mbajnë mend edhe ata që kurrë nuk i kanë shkuar deri në fund një teksti poetik, megjithatë gjithmonë më është dukur se diçka ka mbetur pa thënë për dy vargjet e famshëm të Lasgushit: “Se s’dashuroja as un’ as ti/ Po dashuronte dashuria

Kjo e « diçka e pathënë » jo rrallë më është dukur si një formulë që nuk i tregohet gjithkujt, si një kod masonik që nuk duhet ta njohin të gjithë, por me sa duket është fjala veçse për një përshtypje, për gjësendi që vetë kurrë nuk kam ditur ta vë në fjalë.

Dhe natyrisht as që mund ta imagjinoja qoftë edhe për një sekondë se idetë e mia për thelbin e këtyre vargjeve të Lagushit do të qartësoheshin më mirë tani së fundmi si pasojë e zhvillimeve tepër të mëdha të fizikës atomike dhe imazherisë cerebrale dhe sidomos ,vënies në shërbim të neuroreceptorve radioaktivë.

Eshtë fjala për një shpjegim pothuaj përfundimtar të « enigmës » së këtyre vargjeve, por që edhe sikur kjo të mos qe bërë e mundur, bukuria dhe thelbi i tyre estetik mbetet si gjithnjë magjepsës dhe intrigues për të gjithë brezat e lexuesve.

Më duhet të them se së bashku me një libër me lirika të Lasgushit, ku ndesha së pari ato vargje, libër i cili ishte botuar diku në fillim të viteve ’50, dhe që për shumë e shumë kohë ishte i vetmi që qarkullonte me krijimtarinë e tij (dy botimet e paraluftës praktikisht ishin zhdukur), një libër që kishte filluar të më ngjante se i kishte fletët prej petash mielli, sepse pas çdo shfletimi me mbeteshin nëpër gishta një mori thërrmijash të një letre që zbruhej dita ditës nga përdorimi, pra bashkë me të nën hundën time qarkullonte edhe një libër tjetër i titulluar Dashuria dhe gruaja, një përmbledhje punimesh të A. Shopenhauerit, që edhe atij po i atomizoheshin fletët nga shfrytëzimi barbar, por diskret, madje i fshehtë fare.

Dukej në familje nuk më ndodhte vetëm mua, që kur po kaloja nëpër një moshë zbulimesh tronditëse, pra rreth dymbëdhjetë trembëdhjetë vjeç, librin në fjalë të Shopenhauerit të kisha tendencë ta merrja për libër edukate seksuale, në mos erotik. Veç kësaj, me paturpësinë e moshës kisha tendencën të mendoja se vetë filozofit të rreptë gjerman (mbaj mend të kem lexuar diku se flinte me dy kobure poshtë jastëkut dhe disa herë kishte tentuar të vrasë macen e komshijes) pra edhe atij do t’i bëhej qejfi po të më numëronte edhe mua si adept të filozofisë së tij.

Nuk e di si ai libër kishte përfunduar në bibliotekën e rreptë të familjes sime, plot manuale teknikë e tabela logaritmesh të tim eti, por sot kujtoj se duhet të ketë qenë botim i Mesagjerive shqiptare, por mund të ketë qenë edhe botim i Ismail Mal Osmanit. Gjithsesi ishte një botim i Paraluftës. Për ketë nuk besoj se ka njeri dyshim. Dua të shtoj vetêm se gjithnjë kisha menduar se titulli do të ketë i botuesit ose i përkthyesit (një lloj marketingu me seksin që edhe në atë kohë duhet të ketë qenë interesant), deri sa kuptova se qe fjala për pjesë të kapitullit « Metafizika e dashurisë seksuale» të nxjerra nga vepra e tij madhore « Bota si vullnet dhe paraqitje » (që e njoha mjaft më vonë)

Se çfarë deshte Shopehaueri me nje temë të tillë, këtë na e thotë ai vetë : « Në vend që të habiteni që një filozof nis e merret me nje temë të tillë që kanë trajtuar të gjithë poetët, duhet të tregoheni të habitur që një objekt i tillë me rol të jashtëzakonshëm në jetën e njeriut nuk ka qenë marrë kurrë në shqyrtim deri tani nga filozofët ».

Së voni atë libër (ekstraktin e Paraluftës) e ribotoi botuesi « Logoreci », por unë nuk kam fare dorë në këtë punë.

Lindur e rritur në një familje tiranase, ku për tema sentimentale diskrecioni ishte absolut, shprehja me tepri e ndjenjave ishte gjithnjë shenjë dobësie dhe feminiliteti për djemtë dhe shprehje e një edukate jo fort të shëndoshë për vajzat.  Një pasion i tepruar për poezinë nuk është se shihej gjithandej me sy të mirë. Nuk e di pse imazhi i poetit ishte ai i dikujt të lënë pak nga mendja, por gjithnjë i padëmshëm. Kjo prekte disi edhe idetë e mira si lexues okazional poezishë.

Nga ana tjetër as që bëhej fjalë që ndokush të më shihte duke mbajtur në dorë një libër me titull aq skandaloz, sa vepra e Shopenhauerit, Dashuria dhe gruaja.

Gjithçka zhvillohej fshehurazi. Kjo bënte që libra të asaj natyre (këtu më duhet të shtoj edhe disa numra të revistës së Merxhanit me Pesë leksionet e psikanalizës) për më të vegjlit e shtëpisë të merrnin pak trajtën e fenomeneve paranorm; ato dukeshin e zhdukeshin në mënyrë të pashpjegueshme. Vërtet nuk e di kush e solli dhe nuk e di si u zhduk.

I përqasa këto dy libra sepse te i dyti, te ai i Shopenhuerit, me kohë m’u duk se gjeta një shpjegim të të parit, të vargjeve të Poradecit. Të paktën një shpjegim që qëndroi në fuqi për shumë vite, që ishte mjaft kompleks e me ndikim të madh në një moshë të caktuar, që modeloi në një farë mënyrë disa lloj marrëdhëniesh, të qëndroja gjithnjë e shumë dyshues për koncepte dhe ndjenja që tjerët i merrnin shumë seriozisht. Por në më të shumtën e rasteve, ishin si dy anë të një universi, që ndihmonin në mbajtjen e një ekuilibri. Shkurt, nebulozën enigmatike, që krijonte në mendjen time Lasgushi me vargjet e tij, enigma se si mund tê dashuronte dashuria jashtë vullnetit të njeriu, unë përpiqesha të shpërndaja me ndihmën e Shopenhauerit, te i cili gjeja të gjitha erëzat e duhura për ta ulur dashurinë nga qielli në një tokë djerrë.

Dihet se ai ka qenë një mizogjin e njohur, por kjo nuk e pengoi të krijonte një prej sistemeve filozofikë më të fuqishêm, që në kohën e tij la në hije edhe vet Hegelin.

Për ta përmbledhur në dy fjalë ai kënaqësinë nuk është veçse një iluzion kalimtar, një lloj gjendje rehatie kur nuk jemi të masakruar nga dëshirat dhe brengat e vazhdueshme. Në tërësinë e saj, jeta në thelb është vuajtje, dhunë, dëshpërim, të cilat në vetvete nuk i përgjigjen asnjë qëllimi final. Vullneti (që në vështrimin e tij, nuk ka asnjë pikë të përbashkët me atë që kemi ne, por prek çdo qelizë të Universit ) është i verbër, nuk njeh prehje dhe as plotësim final kënaqësie. Por natyra, pavarësisht nga të gjitha, e shtyn individin drejt ruajtjes dhe përjetësimit llojit , akt i cili nga ana e tij nuk i përgjigjet asnjë qëllimi. Pra për Shopenhauerin dashuria është akti gjenerues i të keqes, një furi e verbër që duke përjetësuar llojin përjetëson edhe vuajtjen.

Me një ftohtësi ngjethëse Shopenhaueri në ato faqet e shkërmoqura të librit tim nis sjell prova nga më të pamundurat se dashuria nuk është gjë tjetër veçse një kurth sublim i dëshirës, që i shërben individit për përjetësimin e qënies njerëzore.

Ideja se instinkti seksual mund të kënaqen me cilindo individ, ndërsa flaka e dashurisë ndizet për një person të caktuar, duhet të ketë qenë diçka që nuk e ka turbulluar fort Shopenhauerin sepse ai diku thotë se çdo prirje për të rënë në dashuri nuk është gjë tjetër veçse një formë e impulsit seksual më e individualizuar (selektive, mbase më mirë). Dhe për këtë pikë më ka mbetur ndër mendje ajo pjesë ku thotë se fjala vjen një grua trupvogël ka për tendencë të bjerë në dashuri me një burrë trupmadh, dikush me flokë të rënë bie telef pas një individi qimedendur, duke mos e kuptuar se instinktivisht këta individë gjejnë mënyrën për përmisimin e tipareve të pasardhësve, me shpresë se do të krijojnë një pjellë më të ekuilibruar.

Në një intervistë të famshme që i dha Challemel – Lacour më 1859, Shopenhaueri tha : « Dashuria është armiku. Nëse ju pëlqen ta trajtoni si luks a si kalim kohe, bëni si t’ju pëlqejë, trajtojeni edhe si art po deshët, por Gjeniu i llojit është një industrialist që nuk kërkon gjë tjetër veçse të prodhojë… »

Është interesante të vërehet (këtë e shtoj unë) se në shumicën e rasteve ndarja e çifteve ndodh kryesisht gjatë e pas vitit të tretë, gjë që nuk duket si rastësi. Kjo periudhë përkon me moshën trevjeçare të fëmijës së lindur nga ky çift, pra ndarja ndodh kur përgjithësisht fëmija nis të mos ketë më nevoja vitale nga prindërit e tij. Mbiegzistenca e tij nuk është më në rrezik (Vazhdimi i species është siguruar, po të më lejoni të flas në emër të Shopenhauerit) dhe çifti mund të ndahet e marrë drejtime ët ndryshme. Edhe në natyre kjo gjë konfirmohet më së miri.

Atëhere a jemi gati t’i japim një përgjigje enigmës që ka formuluar Lagushi? A e kemi pak a shumë të qartë se ku e ka fjalën pogradecari ynë kur thotë se : Nuk dashuroja as unë e as ti /po dashuronte…

Diçka është thënë deri tani, por me fjalë më të qarta atë e shpreh vetë Shopenhaueri : Në origjinë të asaj që ne e quajmë dashuri është akti seksual dhe riprodhimi. Janë ato që kanë përparësi dominuese në sjelljen e species njerëzore.

Dhe më tej shkon deri aty ku thotë se njeriu vetë nuk është gjë tjetër veçse instinkti seksual që është trupëzuar. Pasioni i dashurisë dhe instinkti seksual janë thelbësisht e njëjtë gjë.

Kjo, e teproja në mendjen time, shpjegon në një farë mënyrë shpjegon ndjenjën e trishtimit dhe turpit që bëhet e pranishme te pas një marrëdhënieje seksuale. Illico post coitum cachinus auditur diaboli, thotë latini (Menjëherë pas…dashurisë dëgjohet e qeshura e djallit)

Vitet e mëtejshme nuk sollën asnjë notë entuziaste në përfundimet kërcënuese të Shopenhauerit. Për Frojdin (kemi folur në këtë blog për ndikimin e tij nga Shopenhaueri) dashuri nuk është gjë tjetër veçse shfaqje e një pulsioni seksual : libidos.

Tani le ta recitojmë edhe një herë Lagushin : Se s’dashuroja as unë e as ti / Po dashuronte…libido ( !)

Të vazhdojmë.

Javët e fundit u bënë të njohura studimet e laboratorike të Universitetit të Sirakuzës (USA). Përfundimet ishin me të vërtetë të jashtëzakonshme. Eksperimenti u krye me nje thjeshtësi të admirueshme, siç mund të lexohet në një artikull të Stephanie Ortigues të botuar te The Journal of Sexual Medicine.. Shkurt u muarën rreth 120 vetë të cilëve iu dha të shohin një fotografi ku gjendej imazhi i një personi me të cilin ata kishin rënë në dashuri. U vërejt se te një person i rënë në dashuri aktivizohen jo më pak se 12 rajone të trurit, të cilat çlirojnë molekula kimike euforizuese si dopamina, ocytocina, adrenalina, vazopressina, të cilat nga ana tyre kanë po të njëjtin efekt sikundër kokaina. (Nga kjo tani e kuptojmë më mirë vartësinë që vërehet në lidhjet e një çifti të dashuruar, për atë që folëm më sipër dhe për gjithë të tjerët).

Por gjithçka nuk mbyllet këtu. Imazheria cerebrale dhe receptorët radioaktivë që përdori ekipi i Universitetit të Sirakuzës tregojnë se akti i rënies në dashuri ndodh në një të pestën e sekondës.

A. Aron, që më 2005 (Journal of Neurophysiology) kishte arritur pak a shumë në këtë përfundim, por neuroreceptorët radioaktivë, siç vërehet edhe në fotot e sjella këtu, konfirmojnë se ndjenja e dashurisë dhe ajo e dëshirës seksuale ngacmojnë zona të veçanta të trurit. Pra dashuria dhe seksi nuk janë plotësisht e njëjta gje!

Për të mos ju marrë më shumë kohe me detaje të imazherisë cerebrale, le të kthehemi edhe një here te Lasgushi ynë. Dhe si pikë e parë të lëmë pak mënjanë libidon dhe instinktin seksual ku është kërkuar enigma e dashurisë  (por vetëm për pak kohë, ama!) dhe ta citojmë duke pranuar se me intuitën e tij të thellë të poetit të madh ai kishte mundur të shohë dhe gjejë të vërtetën edhe në qelizat dhe përzierjet më të ndërlikuara kimike të trurit, pa patur nevojën e asnjë instrumenti të imazherisë radioaktive.

Sepse vërtet:

S’dashuroja as unë as ti

Po dashuronte dashuria

Një dashuri-një fshehtësi.

M’e fshehtë sesa fshehtësia…

(Nuk ka më asnjë dyshim për këtë fshehtësi dhe thellësi ndjenje, që flet Lasgushi. Ekipi i universitetit të Sirakuzës është dëshmitari më i besueshëm.)

Nuk ka komente

  1. Lyss, flm per shkrimin. Me pelqeu, e vecanerisht pjesa ku pershkruan ambientet e mentalitetet familjarje, nga perspektiva e femijes vs perspektiva e prindit.

    Tema qe trajton eshte mjaft interesante. Pasi me kishte impresionuar Shopenhaueri me ate librushken e botuar ne shqip (pas 90) me vone kur kam marre vesh per jeten e tij (ne mos gaboj, gjysmen e moshes madhore tip playboy e gjysmen e me pasme tip hermit) gjithmone kam menduar se sa i ndikon ketyre njerzve pervoja dhe perspektiva personale ne teorite e tyre filozofike.

    Pavaresisht, nuk mendoj se kendveshtrimi evolutiv (jo vetem) i Shpenhauerit e perjashton plotesisht aspektin romantik te dashurise.

    Sa per studimet qe behen vitet e fundit si ato qe citon, ndersa perfundimet jane interesante dhe gjithnje e me shume konfirmojne teorine evolutiove (pra qe ne thelb te atraksionit jane shanset per te lene trashegimtare me te shendetshem) duhet theksuar qe keto studime marren parasysh aspekte teper specifike te “dashurise”, si p.sh. aktivizimin e disa qendrave te trurit etj. Pra dashuria veshtire se mund te perkufizohet akoma ne parametrat shkencore per tu studiar merfilli si e tille.

    Kendveshtrimet personale mbi objektin e bisedes ja vlejne te diskutohen pavaresisht filozofeve e studimeve shkencore.

    Ne lidhje me psikoanalizen, jan kurioz se cfare konkretisht i terheq shqiptaret me shume tek psikoanaliza sesa perendimoret te themi. Mbase te njejtat gjera qe i terheqin ne bestytnira?

    1. Xhibi, meqë Lyss nuk ka për t’u përgjigjur (nuk është rrotull), po t’i them unë dy fjalë.

      Së pari, Schopenhauer-in mos e gjyko nga librushkat që i janë përkthyer shqip, nëse ke ndërmend t’ia zësh emrin në gojë. Gjeja veprën anglishte dhe lexoja, është nga më të këndshmit e filozofëve dhe njëkohësisht nga më të mprehtët. Ose, përndryshe, mos ia zër emrin në gojë fare, se ia përdhos.

      Së dyti, nuk ka ndonjë interes të shquar të shqiptarëve ndaj psikanalizës, por vetëm një interes të mediave tona adoleshente, të cilat psikanalizën e asociojnë, njëfarësoj, me pornografinë; të përzier me nostalgjinë e kuriozitetit për Freud-in, në kohën kur ky ishte i ndaluar nga regjimi. Shqiptarët janë të interesuar për seksin, jo për seksologjinë.

      Më vjen keq të të njoftoj se në Shqipëri nuk gjenden më shumë se 7-8 vetë që marrin vesh nga psikanaliza. Të tjerët janë llafazanë ekspertë, ose që kanë lexuar për Freud-in në ndonjë revistë te berberi. Përndryshe, nëse mendon se e kam gabim, më thuaj emrin e ndonjë psikanalisti shqiptar profesionist, që paguhet prej pacientëve të vet, se ashtu me iluminon edhe mua.

      1. 2xha, nuk e kisha fjalen per specialiste mirfilli po per interesin e njerzve ne pergjithesi; e has te lakuar here pas here psikanalizen ne shkrime e persiatje te ndryshme shqipe, prandaj pyeta.

        Per Shopenhauerin prap s’e di a je keqkuptuar a ke dashur thjesht te antagonizohesh ne koment per te hapur debat me ate ‘o lexoje mire ose mos e permend fare’ 😛
        Nuk thashe gjekundi qe s’ja vlen te lexohet…por dhe s’eshte me zor diskutimi xhanem dhe e kote ta shpjegoj prap tani, se dhe pertoj…

        Nejse, gezuar pashken. 🙂

  2. Faleminderit Lyss! Shkrimin e lexova nga celulari ndersa jam ne rrethanen me te papershtatshme te mundur, nje grua e ulur pas meje ne autobus e pyesin per shendetin e se bijes, dhe ajo ia kthen se “nuk flet me te” pasi ajo (e bija) eshte rrembyer, nuk e di moj xhan c’i bene-vazhdon gruaja, magji mbase-thote ajo, po mbase e ka fjalen pikerisht per ate magjine per te cilen flet Lasgushi tek ato vargjet asnjehere krejtesisht te zberthyeshme 🙂

  3. Fjalorët i përcaktojnë fjalët me anë të fjalëve të tjera. Fjalët e tjera gjithashtu përcaktohen po nëpërmjet fjalëve të tjera. Vjen një pikë ku tek fjalët që kemi shpjeguar nji fjalë, një prej fjlave të tjera shpjegohet me fjalën që kishte shpjeguar. Për shëmbull, fjala /e hapur/, shpjegohet si “jo e mbyllur, jo e bllokuar, jo e mbuluar”, ndërsa kur shpjegojme fjalën e /e mbyllur/ themi që është “ jo e hapur, mbulimi i nji diçkaje të hapur (mbyll/folje), nji zone e hapur e mbuluar, etj”. A është kjo diçka idiotike, e pakuptimtë ?
    A janë krijuar fjalët nga nji boshlësi gjë, apo diçka nuk është zbuluar ende prej gjuhës njerëzore?

    Dhe Gjuha është “M’e fshehtë sesa fshehtësia…”, por poeti , mjeshtri i saj, ndjeu thelle “dashurimin e dashurise” , dicka qe shkenca e zbuloi me vone.

  4. Lyss,
    Lasgushi ishte poet dhe poetet, si te gjithe artistet, perpiqen te ruajne autonomine e fushes se tyre duke mitizuar e duke natyralizuar subjektet dhe objekteve te cileve u kendojne.

    Ne rastin e dashurise, une mendoj se do te ishte me mire, qe ajo te studiohej si nje ndertim social sesa si instikt bazik apo nje reaksion kimik.
    Kur Shopenhaueri thote se nuk kerkojme nje partner(e) por nje riprodhues (e), referimi ndaj instikteve me duket i tejkaluar sot. Une e shoh kete gje me teper tek strategjite e riprodhimit biologjik, e thua dhe ti diku me lart, ku disa besojne se keshtu permiresojne “gjenet”.

    Por, le te shohim dicka me prane te perditshmes, me konkrete, psh tek takimet e cifteve te ardhshem: si ndodhin njohjet dashurore? Kush njihet me ke? Kush lidhet me ke? Ku njihen? Si njihen? (Ketu po mendoja per ate e do ta quaja “krizen e njohjeve dashurore” qe ka perfshire sidomos boten rurale shqiptare te prekura rende nga emigracioni, ku emigrantet kthehen ne vere dhe per pune nje jave nisen “me nuse” per ne vendet e tyre te emigrimit).

    Dashurine mund ta shohim me pas tek strategjite martesore, qe jane sigurisht strategji riprodhimi, ekonomik, social, symbolik. Kush martohet me ke? Pse? etj. Dmth, po ta shohim ne nje aspekt sociologji dashurine, me teper sesa nje iluzion (sic e sheh shopenhauer) ajo eshte iluzio (nga latinishtja, ludus, loje). Pra eshte nje loje! (nje loje teper serioze). Ngacmimet ne tru dhe molekulat kimike te cliruara ne te nuk na thone asgje mbi socialen, pra nuk na e shpjegojne dot realitetin. Pershendetje.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin