Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

CAMAJ-KOLIQI NË MEJDAN

nga Edon Qesari

Vajti dita e katërt që kur vlon shkëmbimi i opinioneve në vazhdën e shkrimit të botuar nga hulumtuesi Auron Tare në këtë revistë, në qendër të të cilit janë veprimtaritë politike – sa të errëta, aq dhe ndriçuese – të dy prej autorëve më të njohur të letrave shqipe, Martin Camajt dhe Ernest Koliqit. Nëse shkërmoqet fataliteti i treditëshit dhe debati nuk soset, vetvetiu na lejohet të mendojmë se nisma e botimit nga ana e Peizazheve ka qenë më se e përligjur – pavarësisht disa të metave, të natyrës profesionale, që disa i kanë theksuar ndër komente, e unë do t’iu kushtoj një hapësirë, shpresoj të volitshme, ca rreshta më poshtë.

Vëmendja, fundja, dikton shqetësim; e kur ky i fundit merr përmasa botore kërkon përherë trajtim të kujdesshëm. Çka, edhe në këtë varg opinionesh të qëndrisura shpesh me gjaknxehtësi e rrallë me qashtërsi, nuk ka qenë i kudogjendur; as tek shkrimi i fajësuar, e aq më pak tek vala paditëse ndaj tij.

Në parantezë, duhet thënë se përfshirja e Martin Camajt në veprimtari agjenturore është një temë që ka korrur interesim edhe më herët. Mbaj mend se Ardian Vehbiu i pati kushtuar një shkrim në lidhje me rrezikun që i kanoset, ndër anët tona, një personaliteti letrar kur dalin mbi sipërfaqe disa të vërteta biografike të papërpunuara përmes thjerrës historiografike dhe përgjithësisht kritike. Diçka botova edhe unë, po në Peizazhe, ku u rreka ta shoh me një sy më pak fatalist çmitizimin e njeriut (si kafshë politike) bash në të mirë të artistit e, në rastin e Camajt, filologut dhe gjuhëtarit. Arsye për të cilën, sot duhet të gjendesha në të njëjtin istikam – a së paku jo në kundërshti – me punën që ka sjellë studiuesi Tare.

Shkrimi i tij ka probleme të shqueshme stilistike, me gjuhë të drunjtë e frazeologji të çatrafilosur. Duket qartë që nuk është prodhim i një dore merakliu për ëndjen e lexuesit a shëndetin estetik të fjalisë; gjë që as pretendon ta bëjë, duke theksuar, madje që në fillim, se vetë madhështia letrare e dy protagonistëve të shkrimit të tij nuk e ngacmon, pasi Camaj dhe Koliqi nuk janë vetëm dy noms de plume. Përkundrazi, bëhet fjalë për dy personalitete të gjendshme në ndërthurjen e veprimtarive politike, kombëtare dhe ndërkombëtare, të kohës që jetuan. Krijimtaria e tyre shkencore dhe artistike mund të ngrihet në qiell sa të dëshirojmë – duket se thotë Tare – por angazhimi i tyre përtej pendës ka nevojë të zbardhet. Zbardhje e cila, për mirë apo për keq, veç mund ta pasurojë trajtimin kritik të të sipër-përmendurve; ndonëse një sipërmarrje e tillë mund të rrezikojë dhe çmitizimin. Historiografia këtë punë ka: ngre dhe rrëzon mitet; dhe kalendari i saj shpesh nuk përputhet me atë të shoqërisë dhe politikës. Të pasioneve që qarkullojnë nëpër këto dy të fundit jo e jo.

Këtu, së paku në rastin e Camajt, dalloj disa problematika aspak të papërfillshme në shkrimin e Tares. Dhe bëj dallimin mes Camajt dhe Koliqit duke marrë parasysh, siç sugjeron Vehbiu në një koment të tijin, se i dyti ka bollshëm elementë për ta gjykuar si të patundshëm në bindjet e veta ideologjike – pra lehtësisht të identifikueshëm politikisht, ndërkaq që disa zgjedhje, siç ishte përqafimi i fashizmit, i bëri në një moshë të pjekur dhe kur kishte arritur një dukshmëri intelektuale dhe botore të pamohueshme. Dhe as shprehu ndonjëherë, me ç’dëshmohet, pendesë për një përqafim të tillë.

Koliqi, si të thuash, nuk mund të tërhiqej prej xhaketës në kryerjen e funksioneve të larta që udhëhoqi gjatë pushtimit fashist të Shqipërisë. Përkundër, Martin Camaj ishte vetëm 23 vjeç kur shtyhet të nënshkruajë besnikërinë e tij ndaj Sigurimit të Shtetit shqiptar. E një rrethanë e tillë lypte më shumë mund kontekstualizues nga ana e hulumtuesit Tare, përpara se hamendja prej studiuesi ta çonte, mes rreshtash, tek hipoteza se Camaj qenkësh arratisur në Jugosllavi për llogari (dhe me leje) të autoriteteve hoxhaiste; prej nga, mbase i zbuluar dhe i shantazhuar/kërcënuar (mbase i porositur?), paskësh aderuar si ekuilibrist i përkryer në katakombet e shërbimeve inteligjente jugosllave. Mbi gjithë këto nuk ka të dhëna shteruese, por ka mjaftueshëm grey zones ku mund të penetrohet vetëm përmes hamendjeve dhe hipotezave. Mund të qëllojnë të jenë të sakta, por mund të jenë dhe krejtësisht të marra. Sido që të jetë rezultati i të tilla anagramesh, krejt puna e Tares rezulton se është, në një masë të madhe, një hazzard pohimesh.

Në këtë kuptim, kur e diktoj si problematik shkrimin e Tares në lëmin gjuhësor, nuk e kam fjalën dhe aq për mbrujtjen estetike të tij sa për mënyrën se si ngrihen pyetjet dhe hipotezat e pranishme nëpër faqe. Vërtet ngjall habi mënyra se si Camaj, në pak vite, përparon në jetën akademike dhe arrin të punësohet në majën e piramidës së informacionit jugosllav – në Radio Beogradi – dhe nuk është e lehtë të mos tundohesh nga hipoteza e një përfshirjeje të tij brenda vetë strukturave të regjimit titist. E njëjta gjë edhe për sa i përket letrës që Camaj dërgon në Itali, në mes të viteve 1950, ku shprehet hapur për një vullnet në lidhje me krijimin e një mundësie për t’u larguar nga Jugosllavia, në të cilën ndihej i vrojtuar dhe i pasigurt: edhe në këtë rast shfaqet e largët mundësia që ai, i ndërgjegjshëm se jeton në fije të perit brenda një regjimi që ka kontroll të plotë mbi letërkëmbimet dhe postat, të mos ketë pasur dyshime se një letër e tillë të mos diktohej – çka veç ia lehtëson punën Tares për të cilin Camaj e dërgon një letër të tillë by proxy, duke u larguar drejt Italisë nën petkun e padukshëm të agjentit jugosllav (vend të cilit Camaj i “detyrohej” shkollimin, karrierën e deriatëhershme, familjen e deri jetën).

Pa u zgjatur shumë, ndonëse me elementë të mjaftueshëm për t’iu orvatur një përmbledhjeje, duket se kjo është metodologjia e leximit të të dhënave dokumentare nga ana e Tares në shkrimin e tij. Ai merr disa të dhëna që duken të pakundërshtueshme (siç është dëshmia e CIA-s se Camaj bënte pjesë në ekzekutivin e Komitetit të Prizrenit – i drejtuar nga po ai Dušan Mugoša që kishte qenë bashkëthemelues i PKSH-së, ndërsa tani ishte kthyer në armik të përbetuar të saj), i plotëson këto me të tjera dëshmi që lëngojnë ende nga censura klasifikuese (pra dokumente që ende nuk janë deklasifikuar në gjithë elementet e tyre), e mandej procedon me ngritjen e një conjecture. Nga një e tillë tek tjetra e ngjashme, të gjitha së bashku forcohen në mënyrë të ndërsjellë; deri sa interpretimi kritik i dokumentit – kyçi i punës së një historiani – i lë hapin renditjes së hamendjeve, duke i lidhur jo pak herë në mënyrë arbitrare njëra me tjetrën. E këtu gjendet dhe zemra e problematikës që shpaloset në punimin e studiuesit Tare, i cili, përndryshe, është një ndër hulumtuesit më të zellshëm (si dhe të rrallë) të dokumenteve arkivorë përtej Atlantikut. Por shumë dokumente në dorë nuk janë, nuk mund të jenë, vulë për një të vërtetë sensacionale.

Tare harron se dokumenti nuk pasqyron vetëm një të vërtetë; porse kjo e vërtetë mbetet brenda qerthullit të një subjektiviteti të caktuar, sidomos politik, deri në pikën sa me të bëhet politikë – që do të thotë se jo gjithmonë ajo çka shkruhet ka lidhje me realitetin objektiv. Përkundrazi, një pohim në një dokument, shpesh, kërkon ta ndërtojë – e jo rrallë ta shembë – një realitet objektiv; arsye për të cilën dokumenti është më tepër një pasqyrë mbi dokumentuesin se të dokumentuarin. Kështu që mistifikimi i dokumentacionit, e mungesa e një gjurmimi kritik të tij, rrezikon t’i japë jetë po atij procesi mitizues që Tare paradoksalisht rreket të dekonstruktojë.

Pa folur pastaj për kohën që Tare avitet të trajtojë (faza më e ashpër e Luftës së Ftohtë), llojin e dokumentacionit që ai sjell në vëmendje (kryesisht prodhime shërbimesh inteligjente), si dhe dinamikat antagoniste – kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare – që bluajnë jetët personale të protagonistëve. Jetë të cilat hyjnë apo shtyhen brenda një vorbulle të papërmbajtshme ngjarjesh ku secila prej tyre ish veç një numër, që herë mbikëqyrej, herë degdisej, herë shfrytëzohej dhe herë s’përfillej[1]. E mua, si lexues i shkrimit të Tares, nuk më vjen gjithë kjo aromë karakteristike e atyre moteve, aq e nevojshme për t’i shqyrtuar dhe kuptuar ato jetë të cilat, përndryshe, do të ngeleshin në zgrip të gjykimit të thatë dhe manierist.

Për ta mbyllur me njërën anë të monedhës së këtij debati, po citoj një nga zërat më të shquar dhe fisnikë të historiografisë bashkëkohore, italianin Carlo Ginzburg:

Që historiani duhet të jetë objektiv, i paanshëm, kërkues i të vërtetës, është e gjithëpranuar. Sidoqoftë bëhet fjalë për një rregull dykëndore, mohuese dhe pohuese në të njëjtën kohë. Mohuese pasi e shtrëngon historianin që të mos shtrembërojë të dhënat e dala nga hulumtimi; pohuese pasi e shtrëngon atë që të shprehë gatishmëri të pakufishme karshi çdo risie që mund të mbijë nga ky hulumtim. Në rastin e parë, «e vërtetë» do të thotë thjesht mishërim i rregullave të lojës, çka lidhet me atë që njëherë e një kohë dëftohej si «vërtetësi»; çdokush që bën pjesë në esnafin e historianëve duhet t’i nënshtrohet pa kushte. Në rastin e dytë, «e vërtetë» do të thotë mungesë pikënisjesh – a së paku gatishmëri për t’i braktisur apo për t’i ndryshuar si rrjedhojë e rezultateve të kërkimit: sa një gjë e tillë është pasqyrim i praktikës së përditshme historiografike, këtu vlen të ngremë një pikëpyetje të madhe. Jo gjithmonë gjendet ajo çka kërkohet, por vështirë se mund të gjendet çka për të cilën mungon dhe vetë dëshira e gjetjes[2].

Përtej, këto radhë do të ishin të paplota (siç dhe të pandershme nga ana e shkruesit) nëse kritika e debatit do të ndalej vetëm tek njëri krah i stadiumit: ai i Auron Tares, për të cilin marrim të mirëqenë se ka kryer një studim me paramendim (me pikënisje, do të thosh Ginzburg-u), duke pasur të qartë që në fillim se ku donte të dilte.

Nuk ka të ngjarë të ketë qenë e tjetër soji edhe kundërvënia ndaj tezave të tij, që gjithë këto ditë mori ngjyresa të vrazhda. Të pakta, shumë të pakta, ishin qëndrimet që përpiqeshin të ngrinin një “aktakuzë” serioze e mbi të gjitha profesionale (nga ku nuk përjashtohet assesi njerëzorja). Një mori recitimesh, e përkthesash të rëndomta me tonalitete hani, e kthyen atë që mund të ishte – që duhet të ishte medoemos – një kontestim normal akademik në një batërdi sharjesh, personalizimesh dhe përmendjesh të njollave në biografi (të Tares, afërmendsh).

Tre dekada – aq sa kanë kaluar qëkurse përballja shkencore i ka shpëtuar nominalisht vargonjve të skematizmit në këtë vend – përfaqësojnë plot tre breza të një formimi normal në ciklet e larta arsimore. Kanë kaluar pra tre dekada dhe ende sot është pothuajse e pamundur që të shtrohet një diskutim, qoftë dhe i ndezur, por që të mos i ngjajë një kacafytjeje për jetë a vdekje, në të cilën fitorja do të përcaktojë dhe se kujt i takon aureola e shenjtërisë kombëtariste. Ajo çka e ndoqi botimin e artikullit të Auron Tares në “Peizazhe të Fjalës” – e këtu kërkon një trajtesë më vete ndikimi i tangallës së rrjeteve sociale, por ky është tjetër hesap – ishte një grumbull mllefesh që pak ka të bëjë me nevojën për të parë me kthjelltësi në rrjedhën e historisë. E fatkeqësisht në një cirk të tillë morën pjesë dhe emra të mirënjohur studiuesish që mund ta kursenin koburen në vend se të mprehnin penën.

Mbase duhet përllogaritur në këtë mes temperamenti mesdhetar i sidogjendur në këtë rrafsh të nxehtë ekspertësh politematikë; mbase, siç thoshte një liberal si Croce-ja, për sa mbrapa në kohë të kthehemi, historia i përgjigjet gjithmonë një nevoje të tanishme, çka bën që çdo histori të jetë bashkëkohore[3]; që do të thotë se mbase shkrimi i Tares nuk mund t’i shpëtonte dot grishjes për të larë hesapet me ato hije të së shkuarës që hem shfrytëzohen për tjerrje fondesh në dobi të studimeve serioze (e që të tilla janë shumë pak), e hem për të bërë një lloj drejtësie folkloristike. Tragjikja në këtë mes është se rrethi vicioz i sulmeve që ngrihet mbi këto premisa, e ku vringëllijnë lokucione të llojit “bijtë e etërve” apo “zagarët e regjimit”, nuk i shtojnë kurrgjë atij debati shurdhmemecësh që lëvrohej ndër tryezat akademike të para-1990. Është e hidhur tek sheh se si dikush zhvlerësohet jo dhe aq se nuk diti të kontekstualizojë profesionalisht një dokument, porse guxoi të shohë në dritë të syrit një statujë – e makar të vërë në dyshim shenjtërinë bardhëllore të saj.

Të përmendësh një aradhe të gjatë personalitetesh të letrave a shkencës që në çaste të ndryshme të historisë janë përballur me ngritje pikëpyetjesh në lidhje me mënyrën sesi i kanë udhëhequr jetët përkatëse (një grusht është i mjaftueshëm: Celine në Francë, Pound në SHBA, Gentile në Itali, Heidegger në Gjermani) do të ishte sipërfaqësore. Është folur gjatë mbi marrëdhënien mes njeriut dhe veprës, mes përkohësisë (jo rrallë mëkatore) që përfaqëson i pari dhe përjetësisë që orvatet të prekë e dyta. Nuk do të ishte e udhës që të përsëriteshin gjëra të stërthëna dhe me peshë. Do të ishte e duhur, përkundër, të hiqej një vijë dalluese mes shtysës që ka ende një shoqëri për t’u ndarë në tabore dhe nevojës së dëshpëruar që ajo duhet të ketë për biblioteka. E duke qenë se në këto të fundit është taksative të mos bësh zhurmë e as potere, le të shpresojmë që librat e atjeshëm të Camajt apo Koliqit të vizitohen më shumë nga ata që i kanë hasur për herë të parë vetëm së fundmi e vetëm në rrjete sociale; vende ku dhe i kanë valëvitur si të ishin bajraqe partish.

 

(c) 2020, Edon Qesari. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Një përshkrim ky që i shkon shumë përshtat kalvarit që heq Ernest Koliqi në vitet nga 1945 e deri në fund të jetës (1975), kur ai dhe gjithë organizata e tij (BKI) kthehen në vegla të vetë diplomacisë italiane; e cila fillimisht i ysht drejt aventurash destabilizuese përtej Adriatikut, për aq kohë sa marrëdhëniet mes Romës dhe Tiranës janë të trazuara, e pastaj, nga mesi i viteve 1950, i zbut si pasojë e politikës së statu quo-së që Italia zbaton kundrejt qeverisë së Hoxhës. Tematikë kjo të cilën e kam prekur, në bazë të dokumentacionit diplomatik të hulumtueshëm në Romë dhe Tiranë, për llogari të një konference ndërkombëtare të organizuar nga Ambasada e Italisë në Shqipëri gjatë vitit 2018. Punimi me titull Ignorati. La questione degli esuli anticomunisti nelle relazioni italiano-albanesi durante gli anni della distensione, tani gjendet në botimin Gli anni della distensione. Le relazioni italiano-albanesi nella fase centrale della Guerra Fredda (a cura di Paolo Rago), Laterza, Roma, 2019

[2] Carlo Ginzburg – Adriano Prosperi, Giochi di pazienza. Un seminario sul «Beneficio di Cristo», Einaudi, Torino, 1975, fq. 9-10.

[3] Bendetto Croce, La storia come pensiero e come azione, Laterza, Bari, 1938, fq. 5.

3 Komente

  1. Ne vitet 50 pati nje interesim te ethshem te agjenturave perendimore ndaj Shqiperise per arsye se iu ndertoi nje baze ruse 80 km larg Italise. Per te mbledhur informacion duhen gjetur njerez me lidhje e kontakte. Motivet qe bejne njerezit te behen agjente permbildhen me akronimin MICE (money, ideology, coercion, ego). Shqiperia ishte si Koreja e Veriut sot. Me metrin e Korese se Veriut, kushdo qe punon per permbysjen e atij regjimi quhet tradhtar, spiun, armik etj. Por a jane te tille ata perpara historise?

  2. Nuk e di nese e lexove pergjigjen e Agron Tufes. Ose i rrjedhur nga mosha, dhe/ose i idhnuar edhe nga mergimi, fillonte me shantazhime e sharje. Lufte bedenash, hidh c’te mundesh mbi kokat e armikut. Me habiti.

    Por per ne, brezin e Qesarit (edhe pse une jam ca me i moshuar), eshte e pakuptimte kjo ashpersi. Me kujton ate lloj humori apo konflikti ne repartet ushtarake, edhe kulturen e burgut mbi te gjitha, tipike per shoqerine nen sundimin e regjimit.

    Nje mik imi, c’mbante mend nga Vehbiu, ishin romuzet ne ushtri, jo veprimtaria e tij letrare. Gezim Cela i ka pasur qejf keto muhabete, nuk e di ne ka shkruar dic. Ato kujtimet me kopaca dhe hierarkia shoqerore qe bazohej mbi pronesine, kopaci anglez apo bicikleta, tipike norma kulturore burgu apo jete kolektive, konvikti i madh.

    Nuk kam qene burgaxhi, por keto sherre jane tipike te burgut. Nderi, ndotja, e shamja prej familje (qen bir qeni, familje komunistesh). Per dreq edhe elita jone e sotme apo e dikurshme eshte edukuar neper konvikte, studentore apo kampe zbori, kampe refugjatesh, ndonjeri ka bere vertet burg. Cunat e lagjes te Rames jane nje prej pershkrimeve. Te shpresojme qe nje antropolog ta studioje kete pune.

    Dmth. kultura e burgut, jo e internateve te Oxford apo Luganos, e sheh bashkepunimin me shtetin polic si njolle, edhe pse te gjithe burgaxhinjte e bejne. Me kujtohet tani ai filmi, Kamorristi.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin