LEA YPI KA SHKRUAR TË VËRTETËN E SAJ

nga Ylljet Aliçka

Nxitur nga debatet e larmishme, interpretimet parimore apo ndjesitë emocionale, shkruar këto në një revistë ndër më elitaret e polemizuese në mozaikun kulturor shqipfolës (vetë jam ndër shkruesit e atjeshëm), me këto shënime desha t’u bashkohem vlerësuesve të librit “Të lirë” të Lea Ypit.

Personalisht nuk i takoj ndonjë shtrese të persekutuar (por as të priviligjeuar) të regjimit, dhe jam i mendimit që sadoqë të jetë ngopur publiku shqiptar me kujtesën e totalitarizmit, ende nuk është arritur të jepet e vërteta e thellë e vuajtjeve dhe persekutimit shqiptar, sepse në pjesën më të madhe, viktimat i kanë marrë me vete të vërtetat, apo dhe nga fakti se njohjes së kësaj të vërtete i ka munguar hapësira e mjaftueshme apo mjetet efikase të komunikimit. Thënë këtë, ka mjaft këndvështrime të autores, (sidomos ato të tri faqeve të fundit) që nuk i korespondojnë bindjeve të mia politike a ideologjike, por që nuk më kanë penguar që ta shijoj leximin e këtij libri, e vlerësuar atë pozitivisht.

Sado të mirëargumentuar në shkrimet e tyre, sidomos Ardian Vehbiu apo Lindita Komani, unë nuk jam i mendimit që kriteri kryesor ku mund të gjykohet vlera në tërësi e një vepre është gjinia e tij, apo disa pasaktësi në kohë e hapësirë. Për mua një libër ka vlerë kur është argëtues, i dobishëm dhe original.

Kam mëdyshje, nëse kritikat e shumta ndaj librit e kanë burimin vetëm nga kritere parimore, shkencore apo mllefe personale, pra nëse kritikat shpesh të përqendruara në aspekte dytësore, nisen thjesht nga mbrojtja e nderit të letrave shqipe, apo cënimit të ndjeshmërisë së klasave të persekutuara. Apo dhe thjesht të dhimbjes që i shkakton lexuesit shqiptar mëkati i i përzierjes së gjinisë së një libri: memuaristikë apo roman e ndonjë pasaktësi tjetër që haset aty këtu në libër.

Gjithsesi, është mëse e qartë se Lea Ypi nuk pretendon, a të marrë përsipër të bëjë një libër shterues të historisë së komunizmit apo postkomunizmit shqiptar. Ajo nuk i ka njohur burgjet, persekutimet, apo internimet, për pasojë nuk mund t’i kërkohet asaj të japë një libër gjithpërfshirës të fytyrës së vërtetë të komunizmit alla shqiptar. Ajo ka shkruar të vërtetën e saj, ndjeshmëritë e saj, qoftë edhe të vërtetën që do donte ajo, si fëmijë apo si e rritur. Dhe sipas meje, këto i ka shkruar me mençuri, dhe me një stil tepër të argëtues për t’u lexuar.

Personalisht jam kundër relativizimit të komunizmit ashtu dhe të paskomunizmit, por kujtoj moshën e autores në komunizëm dhe faktin se në mendjen e saj e ashtuquajtura demokraci liberale mori fytyrën e vitit të mbrapshtë 1997. Shto këtu, rrethanat e jetës së saj në Perëndim, frymëzuar nga intelektualizmi i njohur i majtë europian, studiuese e teorive marksiste, apo e joshur nga romantizmi revolucionar i krahut marksist të anni di piombo, elemente këto që mund të kenë orientuar botëkuptimin e saj ideologjik.

Dhe së fundi, mendoj se autorja fajësohet padrejtësisht se pse u promovua nga një format zyrtar, që rëndom ngjall antipati në perceptimin publik. Dyshoj nëse autorja të ketë qenë e ndërgjegjshme dhe e mirorientuar në aradhën e promovimeve apo intervistave të shumta që iu rezervuan asaj. Apo të ketë qenë e bindur se mund të instrumentalizohej për të shërbyer si një alibi elitare (kam parasysh suksesin e saj ndërkombëtar, aspak për t’u nëvlerësuar), për të legjitimuar letrarisht, apo teorikisht evolucionin politik të së majtës së sotme shqiptare. Më kujtohet pak a shumë si e njëjta alibi e konvertimit të Partisë së Punës, në fillimet e viteve 90, pra se si pasardhësit e nomenklaturës komuniste u “konvertuan natyrshëm” e përqafuan atë ideologji elitare të intelektualëve të shquar europianë, Sartër, Pikaso, Kierkegard me shokë. Pra për t’u ndier befas eurosocialistë.

Them se për nga lloji i promovimit, do të ishte gjëja e fundit që mund të fajësohet një krijues.

© 2022 Ylljet Aliçka. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin