Trishtimi i historizmit

Gjithnjë më ngacmon kureshtjen obsesioni i shqiptarëve me çështje të holla të albanologjisë. Nuk e kam fjalën për historianët, gjuhëtarët, antropologët dhe të tjerë specialistë të fushës; as për mësues beqarë fshati ose kujdestarë muzeumesh të provincës, që e kanë si të thuash për hobby të merren me prejardhjet dhe gjenealogjitë; por për shqiptarin e rrugës, me interesa të kufizuara dhe pak klasë shkollë. Në dyqan të berberit tim në Bronx, bie fjala, kur nuk bisedohet për pare, hajdutë, gra e të tjera gjëra kësisoj, tema e preferuar prej të gjithëve pa dallim mbetet historia “e lashtë”, pellazgët, gjuha shqipe. Herën e fundit që shkova të qethem, pa hyrë mirë në dyqan më përshëndetën me pyetjen: “ti që je i dijshëm, si e shpjegon që greqishtja e vjetër shpjegohet e tana me shqipen?”. Nuk di ku i lexojnë këta njerëz këto materiale, ndoshta i boton gazeta “Illyria”, ndoshta jo; ose i printojnë nga Interneti dhe i qarkullojnë mes tyre.

Berberi im është shqiptar safi nga Mali i Zi, sado që me të vetët ia kthen shpesh në serbokroatishte; por kur i vete unë për respekt flet vetëm shqipe. Një ditë deri edhe për Cirilin dhe Metodin u hap muhabeti, se këta paskëshin qenë prej Devolli, ose të paktën njëri prej tyre. Për krahasim, te berberi në Tiranën e djeshme lejohej vetëm muhabet sporti. As që mund ta përfytyroj të flitej për pellazgë, etruskë, ose primat të shqipes dhe të shqiptarëve në Ballkan.

Për nga mënyra si shtjellohen këto biseda në dyqane dhe tavolina, por jo për faj të atyre që i ngasin, kam përshtypjen se vijnë e i ngjajnë një rituali drogimi të lehtë kolektiv, me funksione ngushëllimi. Shqiptarizmi, i vulgarizuar në këtë mënyrë, shërben si një lloj opiumi, për t’ua lehtësuar shqiptarëve dhimbjen përballë turpit të Shqipërisë së sotme. Ky turp është total. Nuk ka asnjë argument që të përligjë kaosin e atëhershëm, kriminalitetin, grindjet mes elitave, akuzat reciproke për shitje tek ky apo ai armik shekullor, shkatërrimin e infrastrukturës, varfërinë e peizazhit, eksportin e maskarallëkut, mungesën e shpirtit sipërmarrës, shkeljen e ligjit, mungesën e projekteve vizionare dhe në përgjithësi të perspektivës. Njerëzit, kur dëshpërohen, gjejnë ngushëllim në opiumin e fesë. Për këtë kategori shqiptarësh, kryesisht me prejardhje myslimane por pak a shumë të laicizuar, vendin e fesë e ka zënë shqiptarizmi historik vulgar, ose këmbëngulja për t’u mburrur me atribute fantastike të së kaluarës shqiptare.

Paradoksalisht, të vetmit popuj në Evropën moderne që vuajnë ende nga kjo sëmundje foshnjore duket të jenë serbët dhe shqiptarët. Mirëpo Serbinë e bënë shoshë bombarduesit e NATO-s, ndërsa Shqipërinë e kemi shkatërruar hareshëm ne vetë, pa lënë gur mbi gur, me përjashtim të kasolleve tona që i kemi shndërruar në kulla, dhe gomerët e mushkat që i kemi zëvendësuar me veturat. Shqiptarët e kanë kuptuar kaq origjinalisht demokracinë, sa deri edhe risollën në krye të punëve një nga përgjegjësit kryesorë të katastrofës së vitit 1997. Zgjedhës që e shprehin vullnetin e tyre lirisht në mënyrë të tillë nuk janë në gjendje të gjykojnë në mënyrë racionale; as të planifikojnë e të përgatitin një të ardhme të mbarë për komunitetet e tyre, dhe për vetë shtetin të të cilit janë shtetas. E kam fjalën që irracionalizmi nuk shprehet vetëm në politikë, as vetëm në kulturë dhe në psikologji; por si në një rast ashtu edhe në tjetrin është simptomë e një të keqeje më të thellë e më të dhimbshme. Në këto rrethana, nuk është për t’u skandalizuar që edhe autoritetet e Bashkimit Evropian ngurrojnë ta afrojnë Shqipërinë në strukturat ekonomike dhe politike të kontinentit.

Ulesh sot në një tryezë dhe hap një bisedë, bie fjala, për tonazhin e anijeve që mund të përpunohen çdo vit në portin e Vlorës, nëse ky modernizohet dhe lidhet me autostradë me Maqedoninë ose me Kosovën; në shumicën e herëve, do të ta presin bisedën me indiferencë totale. Kalon atëherë në një bisedë tjetër; ose në nevojën e ngutshme për të lidhur Tiranën dhe Durrësin me Prishtinën – me hekurudhë dhe me autostradë; po përsëri do të presin mirësjellshëm derisa të përfundosh, për të kaluar në një temë tjetër. Në kontekstin e rritjes së çmimeve të naftës, hidrocentralet e Shqipërisë papritur kthehen në vlera të mëdha për ekonominë e vendit; por guxo të përmendësh, për shembull, nevojën për të ndërtuar hidrocentralin e Skavicës, ose për të përfunduar atë të Banjës; ose në përgjithësi nevojën për t’i gjetur zgjidhje krijuese vështirësive dhe problemeve ekonomike të vendit. Indiferenca është dhe mbetet totale. Në këtë rast, e vetmja rrugëdalje është të hapësh një bisedë për pellazgët, ose për shqiptarët e racës ariane, ose për etruskishten dhe hieroglifet e Egjiptit dhe mbishkrimet e shumerëve, që t’i magnetizosh e t’i hipnotizosh të gjithë të pranishmit. Pyetja ime në këtë rast është: a nuk duket e pashpresë perspektiva?

Dëshpërimi nuk lidhet vetëm me këtë interesim absurd për origjinat spekulative, as me dëshirën fëminore të shqiptarit për t’i veshur vetes atribute që ta spikatin mes popujve të tjerë të Ballkanit. Nuk ka të bëjë thjesht me këtë lektisje të bashkatdhetarëve tanë për përralla kalamajsh, as vetëm me nevojën për të kompensuar mjerimin e sotëm me lavditë e supozuara të djeshme. Si e mendoj unë, shqetësimi më i madh është se shqiptarët, si rregull, po e përjetojnë tani shqiptarinë e tyre si të shkëputur e të pavarur nga fatet historike të Shqipërisë; duke kultivuar ndoshta pavetëdijshëm një kompleks të shmangies së përkatësisë nga shteti amë, ose të distancimit instinktiv nga turpet e historisë së këtij shteti. Përgjegjësia etike e të gjithë atyre që janë dhe kanë qenë në krye të punëve në Shqipëri është edhe se, me budallallëqet dhe maskarallëqet e tyre, po ia dalin të shkatërrojnë shqiptarinë vetë si esencë të atdhetarizmit, duke e detyruar të degradohet në një sistem pseudofetar primitiv dhe irracional besimesh në një tërësi dokrrash të pashembullta. [2006]

3 Komente

  1. Më duket se mungon një presje këtu:

    “…duke e detyruar të degradohet në një sistem pseudofetar primitiv dhe irracional besimesh në një tërësi dokrrash të pashembullta.”

    “…duke e detyruar të degradohet në një sistem pseudofetar primitiv dhe irracional besimesh, në një tërësi dokrrash të pashembullta.”

    P.S. Fshijeni komentin pas ndreqjes përkatëse.

  2. Po ju jap disa disa copeza nga shenimet e mia per gjuhen shqipe.Te cila jane ne zhvillim e siper dhe te paperfunduara.Po i jap ketu per te perfituar nga ndihma e ndonje lexuesi,te cilit i pelqejne eksplorimet gjuhesore.
    Kam mare frazen nga teksti origjinal ne gjuhen Çifute,e shkruajtur ne ‘Testamenti Antik’.
    וְאַתָּה בְקִרְבֵּנוּ יְהוָה
    E perkthyer fjale per fjale; “Por,ti ne mesin tone YHWH”.Ku “YHWH” eshte fjala zot.
    Nuk po merrem me versionet moderne te shqiptimit te kesaj fjale ne gjuhen Çifute,por po e zberthej sipas alfabetive me te vjeter si dhe sipas nocionit qe jep gjuha shqipe e folur e bivoneshkruajtur.Asnjeri prej studiusve te sotem si gjuheve krahasuese nuk ka eksploruar per origjinen e kesa fjale(??).
    Duke marre fjalen e vjeter te gjuhes shqipe “HYU”,shikojme nje ngjashmeri grafike te jashtezakonshme.Dihet qe “W” moderne ka shume deklinacione fonetike,por ne thelb ajo eshte dyfishim(dabell-dopio) i “u”-se,ose “u” e zgjatur.W=UU.
    Pra grafikisht HYUU=YHUU=YHWH.
    Dihet qe “HY,HYU” jane percaktime gjuhesore shume te vjetra te gjuhes Shqipe,percaktuar kjo nga studjues te huaj me reputacion te larte ne fushen e gjuhesise.
    Sa per dije,Bibla,ne kete version qe kam marre eshte bibla me e vjeter se te gjitha versionet e tjera ne gjuhet greke e vjeter,latine vulgare dhe latine.
    Gjysem konkluzion lidhje teme:
    E gjitha kjo per kunderpeshe te Çabejt e ndonje tjetri ne drejtim te vjetersi-rinine e gjuhes Shqipe,sllavohuazimet,ose 8%-shin e saj.Ideja ime qendron qe gjuhet e sipershkruara ne dy paragrafet e fundit,vetem kane ndertuar mbi bazen e shqipes se vjeter,kodeve te saj.Ate greqishten e Bylisit,po ta zberthesh si duhet ja gjen mire origjinen mendimore.Mendimi eshte njera ane,zgjedhja e menyres se shkrimit te tij eshte ana tjeter,ana formale.Ndersa zberthimi sipas dashjes se qejfit eshte “metoda” mbizoteruese e fqinjeve tane historike te vjeter ku Çabej e e ndonje tjeter eshte nje viktime e radhes,ndoshta me pavetedije.

  3. Ulesh sot në një tryezë dhe hap një bisedë, bie fjala, për tonazhin e anijeve që mund të përpunohen çdo vit në portin e Vlorës, nëse ky modernizohet dhe lidhet me autostradë me Maqedoninë ose me Kosovën; në shumicën e herëve, do të ta presin bisedën me indiferencë totale. Kalon atëherë në një bisedë tjetër; ose në nevojën e ngutshme për të lidhur Tiranën dhe Durrësin me Prishtinën – me hekurudhë dhe me autostradë; po përsëri do të presin mirësjellshëm derisa të përfundosh, për të kaluar në një temë tjetër. Në kontekstin e rritjes së çmimeve të naftës, hidrocentralet e Shqipërisë papritur kthehen në vlera të mëdha për ekonominë e vendit; por guxo të përmendësh, për shembull, nevojën për të ndërtuar hidrocentralin e Skavicës, ose për të përfunduar atë të Banjës; ose në përgjithësi nevojën për t’i gjetur zgjidhje krijuese vështirësive dhe problemeve ekonomike të vendit. Indiferenca është dhe mbetet totale. Në këtë rast, e vetmja rrugëdalje është të hapësh një bisedë për pellazgët, ose për shqiptarët e racës ariane, ose për etruskishten dhe hieroglifet e Egjiptit dhe mbishkrimet e shumerëve, që t’i magnetizosh e t’i hipnotizosh të gjithë të pranishmit. Pyetja ime në këtë rast është: a nuk duket e pashpresë perspektiva?
    Ndersa ne keto pragrafe mendojme se duhet te qendrojme gjate.Ne se kemi thember akili,kjo do te ishte.
    Ne radhe te pare duhet te ndajme dy koncpetet,te mos i fusim ato sebashku ne nje canak.
    E dyta,ndertimi i planeve afat-shkurter,te mesme e afatgjate ekonomike per realin atdhe aktual,eshte jetike.
    Por a mund te behen keto me kete kaste aktuale politike,me pergatitjen e saj teorike e praktike?
    Niveli i saj eshte jashtezakonisht i ulet,per te mos te thene qe praktikisht nuk ekziston.
    Ne kete brazde ta papluguar ndonjehere mendoj se duhet te dergojme traktoret e sulmit per ndryshim.Jane me dhjetra parlamentare,qevertitare,gjykates,bashkiake qe londrojne ne kete det te madh nosdijesh,te profesionit te tyre te marre persiper prej vete tyre padrejtesisht nga e padrejta e madhe objektive qe e gjeti shoqerine shqiptare- papergatitja profesionale per kete sistem te ri.
    Doktore qe drejtojne shtettin,qeverine qe pasohen me profesore te shkencave ekonomike te socializmit si;ekonomia politike, e qe vazhdohet me tej me agronome te kooperativave socialiste e inxhiniere te minierave mesjetare.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: