DOSJA E CAMAJT

Disa dokumente të CIA-s që boton portali Konica.al lënë të kuptohet sikur disa intelektualë shqiptarë që banonin në Jugosllavi në vitet 1950, mes të cilëve spikatin emrat e Martin Camajt dhe të orientalistit Hasan Kaleshi, paskan qenë të rekrutuar dhe ndoshta të paguar nga UDB-ja.

Për Martin Camaj thuhet, shprehimisht, se është anëtarësuar rishtas në një organizatë të quajtur “Komiteti i Prizrenit” dhe punon në Radio Beogradi.

Shkrimi ka për autor Salih Mehmetin.

Si të reagojë njeriu para fakteve të tilla biografike? Me pak trishtim, në rastin tim; por jo shumë më tepër. Unë Martin Camajn e njoh si autor të disa veprave letrare që më pëlqejnë shumë – si romani “Dranja” ose një numër poezish; ndërsa Hasan Kaleshit ia kam njohur, vlerësuar dhe shfrytëzuar studimet për veprën poetike të bejtexhinjve.

Jeta e njërit dhe e tjetrit nuk më intereson, as kompromiset që u është dashur të bëjnë për të mbijetuar – sa kohë që nuk i kanë lyer duart me gjak.

Pyes veten: mos duhej të indinjohesha më shumë? Në fakt jo; me gjithë një farë presioni nga super-egoja kolektive e kulturës së sotme trash, të kultivuar nga mediat dhe pozat patriotike të detyrueshme.

Camaj dhe aq më pak Kaleshi nuk kanë pretenduar kurrë të jenë heronj – as të komunizmit as të antikomunizmit. Kaleshi ka qenë anëtar i LKJ-së; Camaj i ka ndenjur larg politikës. Nëse i kanë kontribuar kulturës shqiptare dhe shqiptarisë, e kanë bërë nëpërmjet veprës së tyre, e cila ka shkëlqyer dhe shkëlqen.

Camajn e bënë hero të shqiptarisë ata që nuk dinë t’i qasen letërsisë dhe kulturës, përveçse në mënyrë politike, ose me gjithë delikatesën e një dythundraku në grazhd.

Janë po këta që, po ta besojnë raportin e konica.al (dhe të mos e hedhin poshtë si “provokim”), do ta mohojnë Camajn sakaq dhe do t’ia çojnë veprat e zgjedhura në karton. Këta inkuizitorë pas pilafit, që u rrëmojnë të tjerëve jetët për t’u ngushëlluar për atë që vetë nuk kanë pasur asnjë farë jete për be!

Po çfarë duhet të bëjë gazetari në rrethana të tilla? Të bëhet palë në baltosjen e shkrimtarit të njohur, apo t’ia kursejë këtë, për hir të taktit dhe dhemshurisë së lexuesve?

Përgjigjja varet nga mënyra si i përgjigjemi një pyetjeje tjetër: a ka bërë keq Martin Camaj? A e ka shfrytëzuar pozitën e vet, si agjent i supozuar i UDB-së për të persekutuar dhe burgosur dhe pushkatuar kolegët? Dhe anasjelltas, a është ndihmuar gjë prej UDB-së që të botojë veprat e veta dhe të pompohet pa të drejtë?

Këtyre pyetjeve të dyta në shkrim nuk ua gjen dot përgjigjen.

Shkurtimi UDB vjen me konotacione të rënda për shqiptarët; lexohet si sigla e djallit edhe nga ne të Tiranës, edhe nga ata të Prishtinës. Shumë patriotë të zjarrtë dhe patriarkë të shqiptarisë, kur dëgjojnë fjalën UDB akoma vënë dorën në kobure.

Shkrimi te Konica.al përsiat edhe për një plan për ta kthyer Zogun në fron, me ndihmën e një kohorte kosovarësh të armatosur. Skenari është prej operete, por unë nuk e përfytyroj dot Martin Camajn në krye të kësaj ndërmarrjeje fantapolitike.

Nuk di kujt mund t’i interesojë veprimtaria e Camajt në Jugosllavinë e viteve 1950; kushedi ndonjë biografi ose historiani të emigracionit politik shqiptar. Unë nuk kam gjetur gjurmë të ndonjë angazhimi politik në aq sa kam lexuar prej këtij autori.

Për mua dhe të tjerë si mua, informacioni për rekrutimin agjenturor të Camajt ndikon drejtpërdrejt në statusin e veprës së tij letare – për fatin tonë të keq.

Çfarë më konfirmon, në analizë të fundit, se jemi një kulturë që gjithnjë shkëlqen për mënyrën si i shkatërron elitat e veta.

7 Comments

  1. Iku dhe Camaj, por shpresojme te jete fallso. Eshte ironike qe elitat e ketij populli duke punuar per te huajt, zene kryet e vendit ne historine tone.
    Sokratit i mvishet shprehja; sa me shume njerez njoh, aq me shume e çmoj qenin tim .
    Duhet te shpiket ndonje forme edukimi e cila nuk parashikon modele, nuk di nese ka ndonje model te tille ne bote apo mos ka ndonje rryme ne filozofine e pedagogjise e cila argumenton ndonje format edukues pa modele njerezore.
    Shkaterrojme elitat thote xha xhai, po ato me se shumti shkaterrohen vete, ne s’po dime ke te shpetojme nga vetevrasja morale, madje per nevoja shoqerore kemi ringjallur te vetevrare, sa Jezu Krishti duket si diletant ringjalljesh.

  2. Ne citimet qe sjell autori i artikullit nuk thuhet se Camaj ishte agjent i UDB-se, por se kishte hyre ne nje organizate refugjatesh politike (Komiteti i Prizrenit) dhe se punonte per Radio Beogradin. Prej ketej autori i artikullit arrin ne perfundimin e pabazuar se Camaj paskesh qene rekrutuar nga UDB-ja. Qe organizatat e refugjateve politike ne Jugosllavi te kontrolloheshin nga sherbimet sekrete, kjo ishte me se normale jo vetem per nje vend si Jugosllavia, por edhe per vendet e Europes perendimore. Por qe ketej te arrish ne perfundimin se ishte rekrutuar si agjent aktiv nga UDB-ja, kjo me duket ca si shume e guximshme. Keshtu i bie qe te gjithe refugjatet politike qe hynin neper organizata e komitete refugjatesh te ishin agjente te sherbimeve te huaja. Eshte normale qe refugjatet politke te paguhen me pensione nga qeverite perkatese. E kane per detyre t’i paguajne. Edhe muxhahedinet iraniane qe jane sot ne Shqiperi paguhen nga qeveria jone. Kjo s’do te thote se jane agjente te SHISH-it. Perfundimet e autorit te artikullit jane spekulime.

    1. “Qe organizatat e refugjateve politike ne Jugosllavi te kontrolloheshin nga sherbimet sekrete, kjo ishte me se normale jo vetem per nje vend si Jugosllavia, por edhe per vendet e Europes perendimore.
      Eshte normale qe refugjatet politke te paguhen me pensione nga qeverite perkatese. E kane per detyre t’i paguajne”
      Petro Marko ne librin “Interviste me vetveten” jep detaje interesante per mergatat politike antizogiste ne Itali, France, Austri e gjetiu dhe permend faktin e pagesave qe merrnin nga strukturat e vendeve perkatese.Nese figura te ketyre mergatave politike, te cilet me pas u bene eksponente te organizatave politike, te qeverive te shqiptare te viteve te luftes dhe elites kulturore te kohes, u vune ne sherbim te agjenturave te vendeve perkatese, kjo eshte ceshtje tjeter.
      Monarkia, fashizmi, komunizmi, vite te turbullta, figura te cilat mbartin dritehijet e tyre. Diku nje flirt, dikush u qorrolleps, dikush beri nje kompromis per te mbijetuar, dikush heshti kur duhej folur apo foli kur duhej heshtur. Per disa, ndersa vepra shkelqen, jeta mbart dritehijet dhe kontradiktat e kohes qe jetuan: Fishta, Koliqi, Kadare, Trebeshina, Agolli

      Ne rastin e Camaj behet e ditur se ishte pjese e Komitetit te Prizrenit dhe autoritetet atje i mundesuan te punonte ne Radio Beogradi.Auron Tare, ne nje reagim per shkrimin e Vehbiut , thekson se Komiteti Prizrenit ishte nen kontrollin e UDB-se. A ka paguar ndonje “cmim” shkrimtari per keto lehtesira ? Nese po, do te ishte teper trishtuese per aurolen atdhetare dhe staturen e Camajt si shkrimtar i shquar. Do te ishte baltosje per Camajn, cdo aludim i pambeshtetur ne fakte te pakundershtueshme. Por vete ndricimi rrethanave dhe informimi sakte i publikut per kete periudhe te jetes se tij , nuk eshte pasion malinj per te rremuar ne jeten e tjetrit .Ne gjykimin e vlerave letrare duhet te ndajme vepren , krijimtarine nga jeta e autorit. Por femijet qe mesojne per vepren e shkrimtarit ne shkolle, do te marrin edhe nje informacion per jeten e shkrimtarit, per kohen kur jetoi, per udhen e jetes , e cila shpesh le gjurme dhe formeson krijimtarine e tij. Te shenosh ne jeteshkrimin e shkrimtarit se ne vitet x qendroi ne Beograd dhe pati kete angazhim etj. mendoj se eshte nje gje krejt normale, pikerisht sot kur historia rishkruhet per te gjithe, kur mitet cmontohen e kur gjithcka vihet perballe gjykimit te historise.

      1. Botimi i fakteve si te tilla nuk ka asgje te keqe. E keqja, apo me mire te them skuthlleku, ketu vjen nga aluzioni me lidhje te shkurter qe behet Camaj-UDB.
        Ndryshe do te ishte sikur Mehmeti te sillte dokumente dhe fakte mbi bashkepunimin efektiv te Camajt me UDB-ne permes veprimtarise konkrete ne dem te interesave te shqiptareve.

        Pra problemi me shkrimin e Mehmetit nuk jane faktet, por aluzionet.

        Kjo eshte njesoj si te thuash:

        Organizata e pioniereve, ajo e rinise, e gruas, fronti demokratik, bashkimet profesionale etj. ishin nen kontrollin e sigurimit te shtetit, ergo anetaret e ketyre organizatave ishin te gjithe agjente te sigurimit.

        Per sa kohe qe nuk vertetohet me dokumente dhe fakte se Camaj bashkepunoi me UDB-ne dhe u vu ne sherbim te planeve politike jugosllave ne dem te Shqiperise, askush nuk ka te drejte morale te aludoje per nje bashkepunim te tille. Aludimi intelektualisht eshte i poshter. Sikurse e tha edhe Hyllini, nuk mund te krahasohet Camaj me Mustafa Krujen, sepse ky i fundit e vertetoi me fakte dhe vepra bashkepunimin ne dem te Shqiperise, ndersa vepra e Camajt nuk ka asgje antishqiptare, perkundrazi.

        Aludime te tilla me kujtojne denimet e nxenesve te shkolles se Fultz-it si agjente te CIA-s, me te vetmin ndryshim qe Mehmeti sot nuk ka ne dore te arrestoje e te burgose askend. Ai ben aq sa ka ne dore: perbalt Martin Camajn me nje shkrim paçavure.

  3. Pa i hequr as presjen c’ka shkruan Relapso , do te shtoja vetem se sa lehte e kane disa njerez te hedhin balte mbi gjithcka.

  4. Ha diku nje luge çorbe te prishur, tha, e vjell gjithe jeten.
    Ceshtja e gjurmeve kur ke ujkun para eshte e vjeter, por z. Mehmeti duhet ta kuptoje edhe qe nuk eshte nje burse studimi nga Sorosi qe te ben sorosian, dmth ky ujku ne fjale nuk eshte kaq e sigurte qe eshte ujk.
    Kjo çeshtje nuk eshte kaq e lehte sa duket, dmth çorba e prishur eshte ngrene, por ca fakte ne lidhje me demin e shkaktuar duhen.
    Me beri pershtypje tek pergjigja, lidhja e Camajt me Mustafa Krujen, nje figure e madhe, por ç’e do,kolaboracionist safi, 24 karatsh.
    Kadarese dje, i doli nje leter shkruar Enverit, ku thoshte se motra e vet ishte psikopate dhe Ismaili i ka ndaluar hyrjen ne shtepi.

    Nqs nuk behet kritike, sot dikush mund te vazhdoje lirisht avazin e vjeter, meqe s’dua klasen politike se eshte antishqiptare, po financohem nga Rusia qe t’i bej nje sherbim vendit, duke luftuar kete klase politike. Keshtu mund te dalesh edhe patriot i madh, me parate e Rusise.

    Ceshtja e modeleve eshte e rendesishme per nje shoqeri, eshte edhe normale qe modelet t’i kerkoje tek elitat kulturore dhe politike. Problemi qe kemi ne eshte se nqs behemi rigoroze, atehere katandiset kaposhi nje thele. Qe ketu nevoja e ringjalljes morale qe kryejme, mbyll njerin sy ketu, njerin sy atje, fut konceptin e shpagimit te fajit diku apo abstragim me konceptin e faljes.

    Nuk di nese mund te ndertohet nje teze, ku te merret parasysh se gjestet politike te shqiptareve duhet t’i perkasin doemos nje fushe amorale , nje kuptimin e domosdoshmerise apo pashmangshmerise se amoralitetit, si pasoje e nje konteksti praktik, i cili ka qene pothuaj gjithnje i dominuar financiarisht nga njerez e entitete, te cilet, nuk kane dashur asnjehere qe Shqiperia te behet.
    Pra, t’i njihet miresia e pastertia e idealit, por te mos i gjykohet moralisht veprimi politik, sepse si amoral, nuk mund te jete objekt gjykimi moral.
    Ne kete kuptim gjykimi historik te bazohet mbi ndikimin mirefilli historik te veprimtarise politike, ne kuptimin me te ftohte dhe amoral te mundshem, thjesht si mekanizem historik.

    Keshtu Camaj ne nje gjykim historik, ne rast se nuk del se me ane te veprimeve te tij, te kete shkaktuar ndonje zinxhir shkak-pasoje ne dem te shqiptareve, atehere fare mire historia mund te mos merret fare me te, persa i perket viteve jugosllave, sepse kur s’ka histori, s’kemi pse e shpikim.

    Ne fund te fundit, nuk duhet te harrojme se vete populli yne nuk i ka lidhur ndonjehere fatet e tij politike me moralin politik, nuk ka anuar ne menyre te qarte drejt elites intelektuale, nuk eshte ndertuar ndonjehere ndonje raport i forte midis popullit dhe elites intelektuale, ndryshe nga raportet qe ka ndertuar me eliten politike dhe ekonomike, me ate qe ka pasur shpaten dhe lekun. Fajin e ka pasur elita intelektuale, e cila per nga vete natyra e saj gjithnje ka qene ekskluzive, e veteizoluar dhe vetekenaqur, ne ndryshim nga elitat politike dhe ekonomike qe kane qene gjithnje ne kontakt te vazhdueshem.
    Te ishte ndryshe, 10 komuniste te rinj e te pashkolluar, nuk do kishin marre kurre pushtetin, as sikur miliardat te vinin nga jugosllavet, britaniket e sovjetiket.

    Ne kete kuptim, mendoj se z. Mehmeti, por edhe profesioniste te tjere, duhet te argumentojne me mire aktivitetin e Camajt gjate periudhes jugosllave, para se t’i vihet kryqi edhe kesaj figure.

Comments are closed.