CAMAJ I ÇLIRUAR

nga Edon Qesari

Më tërhoqi vëmendjen një koment që Ardian Vehbiu[1] bëri para disa ditësh mbi një pasqyrim dokumentar bruto (pra pa shumë përfillje të duhur historiografike) të botuar pak më herët nga portali Konica.al[2], sipas të cilit dy personalitete të mirënjohura të letrave dhe kulturës shqiptare, Martin Camaj dhe Hasan Kaleshi, paskëshin luajtur një rol – dytësor për hir të së vërtetës – në shërbimet agjenturore të shtetit jugosllav (UDB-ja e llahtarshme) diku në kapërcyell të viteve ’40-’50 të shekullit të kaluar. Bëhet fjalë për kohën kur marrëdhëniet idilike mes Tiranës dhe Beogradit ishin rrënuar përfundimisht, fill pas prishjes që kishin pësuar në atmosferën e përgjithshme të ngurtësuar nga “shpërthimi” i Luftës së Ftohtë. Shqipëria kishte vendosur t’i qëndronte besnike Perandorisë staliniste, teksa Jugosllavia zgjidhte udhën e herezisë, duke iu qasur Perëndimit në mënyrë më bashkëpunuese dhe duke ngritur më vonë një model heterodoks të socializmit real.

Nejse, ashtu si dhe Vehbiut, as mua nuk më tërheq dhe aq zbërthimi i ndonjë të vërtete tronditëse. Nëse do të kishte një të tillë, besoj se kjo e vërtetë nuk do të ishte kaq e padurimtë sa të ngutej e të përlahej nga portalet. Ç’më shqetëson më tepër është mënyra sesi lajme të tilla ia bëjnë përshesh mendjen publikut dhe referencave të tij kulturore ekzistuese, duke u përdorur enkas nga dora e ndokujt që mëton të lektrojnë në lëme si qytetaria, demokracia dhe sidomos atdhetaria. Kësisoj e gjej të drejtë shqetësimin e përgjithshëm të Vehbiut, i cili duke u nisur nga ngarkesa që mbartin terma të hasshëm nëpër dokumentacione shërbimesh e që lypin qëmtim – paçka se degëdisen në pazar ashtu, pa shumë gajle kthjellimesh post-factum (“Shumë patriotë të zjarrtë dhe patriarkë të shqiptarisë, kur dëgjojnë fjalën UDB akoma vënë dorën në kobure”) – shprehet se:

Për mua dhe të tjerë si mua, informacioni për rekrutimin agjenturor të Camajt ndikon drejtpërdrejt në statusin e veprës së tij letare – për fatin tonë të keq. Çfarë më konfirmon, në analizë të fundit, se jemi një kulturë që gjithnjë shkëlqen për mënyrën si i shkatërron elitat e veta.

Dakordësinë që kam në parim me këtë pohim – është i qenësishëm shqetësimi se ndokujt mund t’i shkojë ndërmend të përdhosë themelet letrare dhe kulturore të përfaqësuar nga Camaj për faj të kësaj “tradhëtie” të tij – e pason gjithsesi një pështjellim nga ana ime: lexoj nën rreshtat e kolegut Vehbiu gjithashtu një ftesë, një vullnet, për t’i lënë të qeta ikonat. Dhe Camaj ka vërtetë një përmasë të tillë, për mua po aq, si shkrimtar dhe lëvrues i një gjuhe që ende më tërheq pas vetes pavarësisht viteve të vendndodhjes së tij (të shumëllojshme) në bibliotekën time.

Vazhdojmë më tej. Diku tjetër Vehbiu bën një paralelizëm të përbaltjes me të cilin mund të përballet Camaj – gjithmonë nëse këto news-e dalin të vërteta – në sytë e publikut dhe kritikës tonë sqimetare (e cila zakonisht është dhe shumë atdhetare), me fatin e kobshëm që pati poeti amerikan Ezra Pound. Ky i fundit, me panegjerike më danunciane se D’Annunzio dora vetë, rroku vëmendjen e publikut të vetë amtar (por dhe më gjerë) për shkak të mbështetjes së pakushtëzuar që i dha regjimit fashist italian në periudhën e ashtuquajtur të Republikës sociale të Salosë (1943-1945). Duke u bërë zëdhënës i flaktë i marrëzisë së Mussolini-t, nëpërmjet një cikli ligjërimesh radiofonike, Pound-i ngulmoi të qëndronte në krah të tiranit italian edhe kur ky qe shndërruar, tashmë, në veç një kukull në duar të trupave hitleriane. Vehbiu thotë se pavarësisht dënimit ekstrem që i dhanë autoritetet amerikane mendjekrisurit Pound, duke e burgosur në një kafaz si një bishë kur lufta përfundoi, sot, mutatis mutandis, atë e studiojnë dhe e nderojnë universalisht si një ndër zërat e epërm të poezisë moderniste. Akuzën për tradhëti që shprehën asokohe gjyqtarët amerikanë, sot, nëse duhet të japim një gjykim in toto për Pound-in, mund t’ia bashkojmë fjalëve që shpreh për të në një intervistë Massimo Cacciari[3], filozof i mirënjohur italian: “Cilët jemi ne për ta gjykuar (…) Në mendimin tim ai mbetet poeti më i rëndësishëm i shekullit të XX”.

Në këtë kuptim, Pound-i është natyrshëm shembull i ngadhënjimit të filologjisë mbi propagandën, të lëvrimit kritik mbi ububu-të e përkohëshme dhe drutë-me-pre të njëfarë shtypi sensacionalist. Edhe pse angazhimi i tij politik, përveç gazit, shkaktoi dëme të mëdha në karrierën e tij letrare[4], sot publiku amerikan dhe ai botëror, i gjendur në një raft librarie apo sallë universitare, di të ndajë mirë mes vlerave të përjetshme dhe lajthitjeve të përkohëshme. Dhe s’jam duke shpalosur këtu ndonjë cliché shfajësuese, si ato që zakonisht thuhen sa andej-këndej për artistët (gjysëm të çmendur, gjysëm të droguar… e s’po shkoj më tej). Thjesht po rrekem të arsyetoj në bazë të atyre që janë prurjet më jetëgjata, në vlerë përmirësuese apo përkeqësuese, të çdo njeriu të përveshur nga fama kundrejt bashkësisë së tij, jo detyrimisht kombëtare, të referencës. Zëri musolinian i Pound-it mbeti në regjistrimet radiofonike të një kohe kakofonish, ndërsa “Pisan cantos”, për të cilat çdo lexues është i informuar rreth marrive të autorit, kanë prekur sferat qiellore të një pafundësie bibliotekash plot xhevahire. Dua të them, edhe sikur z. Adolf H. të mos kishte qenë makar një piktor i jashtëzakonshëm, asgjë nuk e tund faktin që njerëzimit do t’i kishte bërë një nder pakrahasimisht të madh nëse do të kishte vazhduar të shkarraviste në Vjenën e tij të pas Luftës së Parë Botërore. Cinizmin e të mos derdhurit vaje pastaj, mbi varrin e viktimave proverbiale që degdisi në botën tjetër një i krisur si Caravaggio-ja, po ia le vetes.

Me pak fjalë, ve re se psikoza e vjetër e heronjëve pozitivë është kthyer sot në një forma mentis të gjithëgjendshme. Paradoksalisht, më së shumti atë e vuajnë njerëz që, për zanat, kanë përqeshjen e kësaj norme (dhe të tjerave) klasike të realizmit socialist. Cilësimi i heroit ka ndryshuar kahje – mbase nga negativ është bërë pozitiv – por metodologjia e përcaktimit është po e njejta. Si rrjedhojë, një personalitet i çfarëdo fushe, i ngritur sot në ikonë – mundësisht antikomuniste – s’mund të mos ketë qenë dashnor i përvëluar i dogmës kuqezi, s’mund të ketë kryer ndonjë hajvanllëk rinor në trysninë e kushteve socio-kulturore krejt (opo krejt) të tjera nga të sotmet, s’mund të mos ketë pasur në harkun kohor të jetës së tij qëllimin e të një qenit me hir a me pahir martir i demokracisë, s’mund të ketë udhëhequr një jetë e cila s’ka ç’t’i ofrojë gjykatësve të sotëm të gjithkujt dhe gjithçkaje nga maja e Olimpit… me një fjalë, s’mund të ketë qenë një individ i motit të tij, i njerëzve të tij, i mundimeve, paragjykimeve, kufizimeve, llastimeve, harbimeve, makar gabimeve dhe dështimeve të tij dhe të kohës kur i ka bërë. S’mundet assesi, ngase sot nxirren përfundime pa e çuar nëpërmend atë shejtan rregulli që ka vlerën e postulatit për çfarëdolloj hulumtimi mbi të shkuarën – një rregull i gjendshëm ndër ne si pagurja e ujit në shkretëtirë – e që quhet argumentim/interpretim/vlerësim sipas rrethanave (alias kontekstit), e që ky postulat lyp qëmtime pa u ngutur në klikime. Tagjia jonë e përditshme nuk përshin kësi lloj stërhollimesh.

Kësisoj, elitat që përmend Vehbiu nuk shkatërrohen kurrsesi nga fakti i thjeshtë i zbërthimit të ndonjë maskarallëku apo gomarllëku në biografi, por nga mungesa e një mendimi/qëndrimi kritik kundrejt gjurmëve që jeta dhe vepra e tyre ka trasmetuar përtej kufinjve hapsinorë dhe kohorë në të cilët qenë angazhuar. Ndaj nuk e ndaj udhëzimin e Ardianit për të mos e zbuluar, në terma laikë, lakuriqësinë e një ikone. Nëse ka ndër ata që preken nga mungesa e shenjtërisë së saj, duke menduar se një njollë – si kjo e supozuara e Camajt, krejt e papërfillshme fundja në dinamikën politiko-kulturore të asaj periudhe çoroditëse që ai jetoi – do t’ia përlyente emrin, nderin dhe vlerat e çmuara letrare, atëherë të tillë hatërmbetës mirë se ardhshin. Pasi të na urdhërojnë, ne të tjerët po dalim e, duke mbyllur derën, po i lemë të lezetosen në muhabete sa t’u dojë qejfi. Kështu, së paku do të siguroheshim se për Camajn, qoftë si ikonë letrare qoftë dhe si jetë njerëzore, me cenet dhe virtytet që i takojnë, do të flisnin vetëm ata që kanë lexuar Camajn dhe sidomos që kanë shfletuar kohën e tij, imbroglio-t e saj, humnerat në të cilat ajo të fundoste. Mbi të gjithë, do të dalloheshin në mënyrë të qartë ata që s’e kanë parë të volitshme ta thonë emrin e Camajt (a të ndonjë ikone tjetër) vend e pavend, me citate dhe ditirambë të sajuar dhe të improvizuar, vetëm e vetëm me qëllimin që t’i bëjnë nder jo Camajt vetë, por panteonit të përciptë në këmbët e të cilit falen mediatikisht përditë. Ja pse, Ardian i dashur, thyerja e një ikone na çliron të gjithëve. Camajn veçanërisht.


[1] https://peizazhe.com/2017/07/28/dosja-e-camajt/

[2] http://konica.al/2017/03/si-rekrutonte-udb-a-intelektualet-shqiptare-ne-vitet-50-t-rasti-i-martin-camajt-dhe-hasan-kaleshit/

[3] https://www.youtube.com/watch?v=xIL2ygY3YxM

[4] Thuhet se kjo aventurë i kushtoi Pound-it Nobelin, por mos të ishte për përpjekjet rehabilituese të udhëhequra nga emra si T.S. Eliot dhe W.H. Auden, mbase do t’i shkonte edhe më keq.

Rreth Autorit

Edon Qesari është kërkues shkencor pranë Institutit të Historisë. Pëlqen kuartetet e vona të Beethoven-it, detin Jon në dimër dhe rrëfimet e komisarit Maigret.

Author Archive Page

7 Komente

  1. Metoda e dekonstruktivizmit, që i dha një shpërthim të ri mendimit post-modernist, duke bartur në vetvete edhe nevojën për “rishembjen e miteve”, është për mendjet e shqiptarëve si një Lamborghini në atë copë autostradë Levan – Pus i Mezinit: mbetet varur tek gungat në Mifol dhe Panaja (a diku aty rrotull). Mania për të analizuar çdo detaj të jetës së personave publikë, pa zotëruar faktet e domosdoshme dokumentare dhe pa njohur elementet njerëzore të ngjarjes, është mashtrim i vetes dhe i publikut. Siç nuk rritet bari në gurishte, as këto mendime nuk rriten në ide, i than shpejt zhegu i gushtit.

  2. Kam pershtypjen se ketu futen shume gjera ne te njejtin thes dhe kriteri artistik merret si nje vlere absolute, ndaj te cilit duhet te pergjunjemi te gjithe ne dekik, pa bezane.
    Ne mjedise te caktuara kulturore kjo mund te jete e vetvetishme, e pashmangshme, e domodosdoshme, po aq legjitime sa Bibla ne kishe dhe Kurani ne xhami, dmth njerezit normal qe i mbushin mendjen njeri-tjetrit, i krehin bishtin njeri-tjetrit; po po keshtu eshte, ti je njesh, kjo eshte absolute, eshte absurde te mendohet ndryshe, ku ka si Tirona lale, ne jemi e s’ka tjeter.

    Mirepo realiteti (edhe kulturor) eshte pluralist dhe shyqyr Zotit qe eshte pluralist, perndryshe ku ka gje me te arsyeshme dhe te strukturuar mire sesa Republika e Platonit, i ka qendisur tjetri teorite ose i ka kopsitur letrat qe hajde ta kapesh.

    Figura e Camajt nuk eshte vetem artistike, ai eshte marre aktivisht me çeshtje te gjuhes shqipe si studiues , pa llogaritur qasjen e tij antikomuniste e properendimore. Camaj eshte figure shumeplaneshe dhe vlera e tij eshte rrjedhimisht e tille.
    Nuk eshte se mund te dale dikush ne foltore me tezen Arti eshte Zoti, Zoti çliron gjithkend nga vuajtjet, prandaj une si zedhenes i Artit deklaroj Camajn te çliruar. Jo more na çudite tani, thote ai tek rreshti i fundit.

    M’ane tjeter, kultura shqiptare e ketyre 150 vjeteve te fundit, shfaq nje varferi te madhe, sapo del nga poezia dhe romani historik, figurat e medha te kultures shqiptare qe nuk kane bagazh artistik, numerohen me gishtat e nje dore.
    Kultura nuk eshte vetem art apo e percaktueshme vetem mbi bazat e kriterit artistik, nje konceptim kaq i limituar dhe sigurisht i shtrember i kultures, gjendet vetem nder shqiptare.

    Studiuesit duhet te merren me kohen jugosllave dhe te nxjerrin te verteten, sepse e di i madh e i vogel qe ne vitin 1948, marredheniet shqiptaro-jugosllave ishin aq te ngushta, saqe çeshtje kohe e ne Shqiperi do te dislokoheshin disa divizione jugosllave.
    Nuk po flasim ketu per Ezra Paund, Ameriken e Italine, kur Amerika po pushtonte Italine, po flasim per nje kontekst, ku shitja e Shqiperise tek jugosllavet, qe filloi me 8 Nentor 1941, u shmang vetem fale nje mrekullie qe futi ne sherr Stalinin me Titon. Po flasim per nje kontekst qe vijoi te ishte i atille deri ne 1999, kur çuditi gjithe dynjane, sepse pane poshte shtepise turma me njerez qe mbanin femijet ne krahe e ndiqeshin prej pleqve dhe plakave.

    Prandaj them se duhet bere kujdes me krahasimet dhe zhvleresimet, per shqiptaret UDB-ja ka qene si Gestapoja per çifutet, nqs nevojitet vertete nje krahasim per te kuptuar realitetin. Shko po deshe permendu Gestapon çifuteve, jo doren tek pisqolla ne brez, po te bejne lapidar me guret apo pllakat qe gjejne ne toke.

    Nejse, kushdo ka te drejten e tij te shprehet, po aq sa edhe kushdo ka te drejten e tij te mbrohet, por te gjitha te drejtat gjejne burimin ose legjitimitetin tek nje format konstitutiv te gjithepranuar dhe une nuk jam dakort per ndryshimin e formatit konstitutiv ekzistues, edhe per aq kohe sa nuk gjej mjaftueshem te verteta e/o racionale, propozimet e bera.

    1. Kam përshtypjen se shumçka në shënimin tim të mësipërm, ndoshta, nuk është përthithur në drejtimin e duhur. Kahja është ajo që është, por mbase sinjalistika ka lënë për të dëshiruar…

      Unë nuk u përpoqa ta “çliroj” Camajn nga përgjegjësitë morale që supozohet se (duhet të) rëndojnë mbi aktivitetin e tij të hershëm. Përkundrazi, nxita që këto, nëse ekzistojnë, t’u përmenden katër erërave ashtu siç janë.
      Nga ana tjetër, duke qenë dakord me polivalencën e figurës së tij, më duket e vështirë që këto shtresa personaliteti të mjaftohen vetëm duke qenë të tilla. Ato janë dhe i mbivendosen njëra-tjetrës. Kësodore, në opinionin tim, them se mes kontributeve të shumta të Camajt ka detyrimisht një hierarki rëndësish, ku ajo letrare dhe gjuhësore – edhe kur ka nuanca politike (jo shumë, të jemi të sinqertë) – ka detyrimisht primatin. Së paku për dy arsye: a) se s’më duket se aktiviteti politik i Camajt (ashtu si dhe antikomunizmi i tij militant) të kenë qenë pjesa më e rëndësishme e jetës dhe veprës së tij b) sepse sot, të paktën në katedrat që merren seriozisht me të, nga Tirana në Mynih, i njihet dhe i përçohet pikërisht aktiviteti kulturor që zhvilloi (pa ndarë vargjet nga romanet, nga krijimtaria e tij dramatike, si dhe nga gjuhësia dhe filologjia).
      Nga ana tjetër, unë theksova pikërisht nevojën që ky emër i rëndësishëm të cilin Camaj gëzon sot, pikërisht se është ai që është, duhet patjetër të pasurohet me njohuri të duhura, të dokumentuara në mënyrë kritike, të krejt jetës së tij. Besoj se isha i qartë për përgjegjësitë që një figurë, qoftë dhe dhe post-mortem, duhet të mbajë. Me kusht që gjithë ky operacion të mos kthehet në një operetë të përkohëshme, anipse një frikë e tillë edhe mund të qëndrojë. Çlirimi nga kjo frikë është ajo çka unë këmbëngula të vija theksin.
      Më tej, nëse këtu u përftua një zhvlerësim i UDB-fobisë apo një përpjekje për të nënvlerësuar këtë faktor të rëndësishëm të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe brendashtetërore jugosllavo-shqiptare, atëherë më vjen keq pasi qëllimi, edhe në këtë rast, ishte krejt në drejtim të kundërt. Nënvizimi i rrethanave, në dimensionin e tyre historiko-politik, lipset të vështrohet edhe njëherë, pikërisht për të qartësuar leximin tuaj. Këto mbase do të ndihmojnë për të kuptuar se përse Camaj, një shqiptar i ri i arratisur në një shtet që bashkëpunonte ethshëm me Perëndimin (me sa duket edhe në temë veprimtarish agjenturore – pavarësisht sensacionit kinematografik të termit), pikërisht për qëllimin e përbashkët të dëmtimit a rrëzimit të regjimit të atëhershëm shqiptar. Nuk di të them se ç’donte të thoshte UDB në veshët e shqiptarëve të viteve kur Camaj luante këtë rol. Por, me ç’duket, në atë kohë të ishe antikomunist (antihoxhaist apo antistalinist, më saktë) dhe nacionalist, për paradoks, mund të mos ta konsideronin saktësisht si të njëjtën gjë.

      Dhe natyrisht jam duke spekulluar…

      1. Mund edhe te jem nxituar ne leximin midis rreshtave, sepse me keto keto arsyetime te metejshme, gjendem pergjithesisht dakort. Lyssi thellon me te drejte argumentimin dhe jep nje lexim interesant te pergjegjesise, kur pushken e quan personale, kurse penen jo.

        Bashkepunimi me Perendimin me qellim rrezimin e komunizmit, ku mund te gjejme ose jo edhe Camajn, por qe mund te gjejme shume te tjere, mendoj se eshte nje fenomen per te cilin eshte diskutuar pak, jane perdorur ca formula miratuese kush me gjysem zeri kush duke brohoritur.

        Kohet e fundit kane dale teza interesante, ose te pakten une i kam hasur se fundmi, se Amerika nga 1945-1953, nuk ka pasur asnje qellim rrezimin e komunizmit, dmth nuk eshte investuar seriozisht ne rrezimin e komunizmit ne Shqiperi. E ashtuquajtura periudha e diversanteve, kur nje me dy hidheshin nga ajri shqiptare ne emigrim, ne fakt, thone tezat e reja,ishin manovra amerikane per te kryer njefare lufte ose me mire konflikti asimetrik ne kufijte e kampit sovjetik, per te mbajtur nen tension Mosken, derisa vdiq Stalini; me tej nuk u pa me e nevojshme.

        E thene shqip, diversantet u hodhen mish per top, dhe fakti qe u kapen (pothuaj) te gjithe nga i pari tek i fundit, pa futur fare ne krize sigurine e shtetit komunist e perforcon tezen.

        Ne kete kuptim, antikomunistet qofte si nacionaliste, qofte si ish-kolaboracioniste, qofte si shtresa ish-pronaresh apo zogiste, perfaqesojne thjesht nje mjet rrethanor ne lojen e madhe, por nuk kane ndonje funksion real persa i perket fateve te Shqiperise. Mund ta themi ndryshe qe njerezit te cilet u identifikuan politiksht tek PD-ja, edhe pa epoken e diversanteve, prape tek PD-ja do te ishin identifikuar.

        Pra bashkepunimi me Ameriken ne kohen e diversanteve, nga pikepamja historike eshte thjesht nje vrime ne uje.

        Por megjithate kjo vrime ne uje, ngre per here te dyte, pikepyetjen e nacionalisteve (midis kategorive te mesiperme antikomuniste), persa i perket konceptit te sovranitetit, e para sepse shume prej tyre bashkepunuan aktivisht me gjermanet, dhe serisht me amerikanet (e larg qofte me UDB-ne).
        Sepse, ne momentin qe bashkepunon me CIA-n kunder komunisteve , ky eshte vijim logjik i bashkepunimit me gjermanet kunder komunisteve, ka nje koherence te qarte ne qendrimin politik.

        Nga pikepamja e lidhjes se nacionalizmit me sovranitetin, ose me mire sovraniteti si principi absolut, nena e principeve ne praktiken politike te nacionalizmit, eshte po aq e kritikueshme te veprosh me gjermanin ndersa je i pushtuar nga Gjermania, sa edhe te bashkepunosh me Ameriken kunder Shqiperise si shtet sovran.
        Nacionalistet e lidhur me Ameriken dolen kunder nje shteti sovran, Shqiperise.
        Edhe Noli me te vetet e humben luften politike me Zogun, emigruan, por nuk rezulton qe te jene perfshire (te pakten figurat kryesore) ne veprimtari te hapur kunder shtetit zogist, me mbeshtjetjen, italiane, jugosllave, greke, angleze apo kujtdo te interesuari.

        Te qenet nacionalist kalon me se pari nga te qenet sovranist radikal, pra ketu duhet bere nje analize e thelluar rreth personazheve ne fjale.

        Nje argument qe u vjen ne ndihme eshte padyshim natyra e komunizmit shqiptar, e cila si pak a shume çdo komunizem, u bazua fuqimisht tek pakicat etnike e kulturore, tek individe te ketyre pakicave qe u dalluan qe ne oret e para si komuniste te thekur.
        Ne BS, ku ruset megjithese ishin gjysma e popullates perbenin nje pakice te paperfillshme tek bolsheviket e pare, vetem Gorbaçovi, i fundit fare ishte rus tamam, Lenini ishte hebre nga e ema, Stalini ishte gjeorgjian, Hrushovi, ukrahinas, Brezhnjevi ca thone ukrahinas, ca ruse, por i lindur dhe rritur mes te Ukrahines, Andropovi ishte kozak, Cernenko ukrahinas.

        Keshtu edhe ne Shqiperi, emra te njohur komunistesh te oreve te para, jane Vasil Shanto shqiptaro-malazez, Kristo themelko, nga pakica bullgare/maqedone, Qemal Stafa gollobordas, dygjuhesia ngre pikepyetje, per Koçi Xoxen nga Negovani, thone se ishte shqiptar, ka zera qe e duan sllav, ka zera qe e duan vlleh. Vojo Kushi nje tjeter figure e hershme, shqiptaro-malazez, Per t’u shenuar qe nuk ka pase nga minoriteti grek.
        Mandej, kemi pejane e gjakovare plot, shqiptare sigurisht po te paret nen urdherat jugosllave.

        Ky ishte vertet realiteti, pakicat e llojeve te ndryshme e perqafuan komunizmin, por ama pushteti u perqendrua ne duart e Enverit, Nexhmijes,Hysni Kapos, Mehmet Shehut , te cilet jane shqiptare safi, dmth ne çdo format arsyetimi mbi ardhmerine, numrat e paperfillshem te pakicave, mund te prodhonin nje komunizem alla sovjetik te mbeshtetur tek pakicat ne momentin fillestar, por me tej kemi ligjin e sasise.

        Pra, ky argument mund te vleje disi, ja ta zeme deri ne 1948, kur Shqiperia shpetoi nga aneksimi jugosllav, mirepo pas 1948, argumenti behet totalisht i pavlefshem.

        Vazhdimi i se njejtes rruge edhe pas 1948, ben te pavlefshem argumentin ne vetvete, dmth nuk eshte se principi i sovranitetit eshte shkelur per hir te komunizmit shqiptar te mbushur me pakica etno-kulturore qe shiti vendin tek jugosllavet, porse çeshtja ishte pushteti ne Shqiperi pasi te mbaronte lufta.

        Ne kete pike shembet besueshmeria, jo vetem ajo popullore, por e kujdo qe i afrohet çeshtjes, edhe me dashamiresi. Prandaj duhet nje analize e thelluar e personazheve, te ndahet i njomi nga i thati, se qe ka te thate, ka sa te duash, po t’i shpetojme te njomet se na duhen.

        Kane pergjegjesi edhe ne kuptimin e historise politike sepse humbja e plote e besueshmerise, ktheu ne kenete ne hapesire deri atehere pjellore, keshtu kenetezoi cdo qasje politike nacionaliste edhe pas 1990-s.
        Kjo hapesire do te vazhdoje te ngelet moçalishte derisa te behet bonifikimi, ne rast se do te behet.

        Nejse se dola shume nga tema, por qe idea baze eshte serisht e njejta, duhen pare mire gjerat, arkivat kane kohe qe jane publike, madje edhe arkivat personale qe hapen si rregull pas 75 vjetesh (2017-75=1942), duhen kaluar ne site gjithe dokumentet arkivore, qe figurave historike t’u japim vendin qe u takon, jo vendin qe mendojme se meritojne.

        1. Nuk jam shumë i sigurt që për hir të “sovranitetit” duhet pranuar çdo lloj regjimi kriminal mbi krye. Shoqëria njerzore e ka njohur vonë shtetin dhe ende më vonë sovranitetin e tij.
          Se sovraniteti për sovranitet kujt i duhet ?
          Nëse ky koncept ka një vlerë kjo vjen nga fakti se si rregull shtyllat e sovranitetit të një shteti duhet të mbështeten te sovraniteti i nënshtetasve të tij. Po kur ndonjëherë shqiptari ka qenë më i poshtëruar se nën « sovranitetin » komunist ?
          Me gjithë atë fanatizmin e tij ndaj regjimit Dritëro Agolli sikur u ftillua nga fundi dhe e plasi në kongres duke thënë se komunizmi rrezikoi seriozisht pavarësinë e vendit, se duke u hequr fshatarëve pronësinë e tokës, ata nuk kishin më asnjë motiv ta mbronin se nuk kishin çfarë të mbronin!

          Ai mbase nuk e dinte por ka një kronikë të J. Kantakuzenit ku ai thotë se pushtimi i trojeve të arbërve nga të huajt u lehtësua sepse shtypja e brendshme ishte aq e pashpirt sa ata, arbrit e prisnin me gëzim pushtuesin e huaj me shpresë se nën të do të ishin më pak të shfrytëzuar. Dhe qe e vërtetë se feudali në fjalë që ai përmend (ishte një farë Gjin Bue Shpata, po nuk gabova), bënte ligjin e vet, vendoste taksën e vet, kohën e angarisë së vet (gjithë vitin punonin angari, fshtarët e tij, sikundër ata të kooperativave qe kemi njohur ne) , ndërsa nën administratën bizantine (dhe më pas atë turke) atij, fshatarit nuk i kërkohej taksa e ditët e angarisë sipas qejfit të shokut Gjin , por ato që ishin përcaktuar me ligj nga administrata, para ligjit te së cilës ishin të barabartë të gjithë. Lexo kujtimet e atij pinjollit të Vlorës si dridheshin bejlerët shqiptarë kur bënin padrejtësi nga frika e administratës turke të Janinës nga varej Vlora.
          Nuk dua të zgjatem pastaj te një kronike qe sjell Noli te versioni i dytë i Historisë së tij të Skënderbeut, kur flet për një letër të Gjon Kastriotit dërguar senatit venecian ku i kërkon t’i kthente nja 12 fshatarë që ishin arratisur nga tokat e tij se “deshte t’i vriste aty te trojet e tij “.
          (Për ta mbrojtur ndaj barbarisë që kishte në shpirt dhe imoralitetit, se kur vinin turqit bëhej synet dhe kur iknin bëhej prapë i krishterë, pra për t’ia larë pak fytyrën këtij krimineli edhe mund të supozohet se gruaja e tij ka qenë vërtet serbe dhe sikundër Ledi Makbethi, ishte ajo që i shtinte ndërmend atij ide të tilla të liga:-)) .
          E çfarë vlere kishte për ata fshatarë të mjerë ai mut sovraniteti arberor, që sikundër sovraniteti i komunist, i shërbente vetëm krerëve të regjimit për të masakruar, internuar e vrarë pa frikën e ndëshkimit e të turpit që do ta zharriste në një opinion botëror të hapur?
          Mua personalisht kjo kronike gjithnjë me ka kujtuar ate deklaratën e Hazbiut pas arratisjes se asaj familjes pogradecare pre 12 vetesh (po nuk gabova)se: partia do t’i gjeje atje ku janë dhe do t’i sjelle t’i vare ketu para jush.
          Dhe po t’i kapnin do ta benin nje gje te tille, se Shqiperia ishte sovrane!

          Por nuk është vetëm histori shqiptare kjo puna e sovranitetit.
          Kujtoj këtu entuziazmin e Hegelit tek pa poshtë dritareve te universitetit të Jenës ku po jepte mësim ardhjen e ushtrive napoleonike qe i pushtonin atdheun dhe te tek ajo humbje e “sovranitetit” të shteteve gjermane pa ardhjen e një epoke, zhdukjen e rendit mesjetar që sundonte aty dhe gjendjen pothuaj prej skllevërish të fshatarësisë. Dhe tamam aty i lindi ideja e fundit të historisë, që e rimori Fukujama, kur ka komunizmi.

          Pak më tej është Gëteja që do të takojë pushtuesin e atdheut të tij sovran, Napoleonin dhe dihet se sa mrekullisht (sipas kujtimeve të sekretarit të tij) foli për të dhe për epokën që i hapej vendit të tij nga ai pushtim dhe për të qenë në teme, të themi, nga humbja e sovranitetit të atdheut të tij (Ishte ne plan Konfederacioni i Rihnit, me duket).

          Nuk më duket se këtë dy burra ishin më budallenjtë e shekullit të tyre.

          Pra, ka diçka tjetër më me vlerë mbi sovranitetin e ofruar nga kriminelet ne pushtet.

    2. Hyllin, kam frike se ke te drejte. Kur Cacciari thote: cilet jemi ne per ta gjykuar, une perpiqem te mos impresionohem shume. Se ashtu siç e kuptoj une kete bote i gjithe universi poetik i Pound-it, bashke me mjekren e tij te bardhe e te respektueshme (ne vetvete) nuk vlen sa jeta i njerit prej atyre djemve qe u vrane kunder atyre hordhive pas te cilave qendronte (edhe) Pound-i me altoparlantin e tij per t’i nxitur ne barbarine e tyre. Nuk mund te besoj se ai e beri kete sepse pas analizash te thelluara arriti ne perfundimin se demokracia amerikane (me gjithe difektet e veta) ishte me e keqe se fashizmi. Nuk mund te pranoj qe arti, me gjthe natyren e tij hyjnore, te themi, eshte diçka qe mund te gjykohet jashte veprimtarise jetike te njeriut.

      Nuk eshte arti qe krijoi jeten por e kunderta. Une pranoj qe ne te gjithe te veme jeten ne rrezik e te vritemi
      per fjala vjen, shpetuar nje doreshkrim origjinal te Homerit, por e gjithe vepra e Homerit nuk ia vlen qofte edhe jeten e nje njeriu te vetem. Ka nje dallim te madh brenda.

      Nuk mund te rri e te them se ai qerratai Mendeli, i binte mire pjanos, edhe pse nuk kishte shume kohe ne ate kampin e tij te perqendrimit se duhej t’u injektonte atyre vajzave e femijve bakterie te ndryshme per te pare reagimin e trupit pastaj te bente diseksionin e tyre pa anestezi per t’u bindur per perfundimet e veta, po shyqyr qe pâstaj i linte te ngordhnin aty midis dhimbjeve te paimagjinueshme dhe kthehej te pjanoja e tij sublime! Shajeni si mjek pa moral, po ama, artisti brenda tij eshte i paqortueshem!

      Ne periudha te keqija shkrimtaret e artistet bejne me shume keq se te tjeret, se kane nje emer qe u jep kredibilitet edhe ne te keqen e tyre. De Goli i fali edhe spiunet e ata qe kishin bere krime, as nuk u muar me ata qe bene listat dhe arrestuan shoket e tij te armeve, por nuk fali mjaft gazetare dhe nuk rehabilitoi kurre mbase shkrimtarin me te madh francez te ketij shekulli, Celine. Se duke qene nje emer i madh, Celine ishte me i besueshem ne syte e njerezve te thjeshte te cilet, pas shkrimeve te tij, ndiheshin te motivuar ne antisemitizmin dhe spiunlleqet e tyre.
      Rasti i Camajt, me duket ndryshe. Emrin e tij si shkrimtar ai nuk e vuri ne sherbin te ndonje regjimi. Ai nuk shkroi sipas gajles se propogandes serbomadhe dhe per pasoje influenca e tij negative si pene me peshe nuk iu servir kerkujt, per t’u ndryshuar bindjet qe kishin.
      Natyrisht, kjo nuk mund te thuhet per te gjithe.
      Kur ne vitet 70 bashke me nje mik ngaterroheshim ne biseda ne plazh me ndonje grup te huajsh, miku im e kishte zakon, qe ne nje çast te caktuar t’u thoshte atyre se Shqiperia nuk eshte kjo qe shihnin ata, se per shume vete jeta ishte si ne nje kamp pune te detyruar, atehere ata turistet i thonin: po mire, ke te besojme ty apo filanin? Shko si ndryshon pamje e botes? E drejta ishte ne anen e mikut tim pa emer, por me i besueshme ishte filani, edhe pse ne ne veprat e tij jeta e vendit i ishte neneshtruar nje procesi te vertete distorcioni.
      Ja pra pse emrat e medhenj te artit qe tentohen nga e keqja, jane me shume fajtore se njerzit e thjeshte. Ata jane mashtrues edhe ne shenjterine e mirbesimit te publikut te tyre.
      Une nuk do te kisha asnje objeksion sikur Poundi-t te kishte dale me nje pushke ne dore e te luftonte kunder aleateve qe po zbarkonin. Pushka e tij eshte personale, ndersa pena e tij, pas botimesh te shumta, nuk eshte me e tille. Ai ngrihet e lufton kunder nesh edhe me autoritetin qe i kemi dhene ne si lexues.

      Nuk jam i sigurte se e meritonte ate kafazin, por nese gjithçka per te do te lihej te kalonte si ujet ne kurriz te pates, atehere bota do te hynte ne nje proces te tmerrshem shkaterrimtar, ata ta mosdallimit te se mires dhe te se keqes!

    3. “…per shqiptaret UDB-ja ka qene si Gestapoja per çifutet…”

      Shumë e vërtetë kjo. Ana tjetër e medaljes gestapiste shqiptare është Sigurimi i Shtetit i Enver Hoxhës. Sepse, nuk është që shqiptarët, si grup, ia kanë parë sherrin a hajrin, për nga synimet e këtyre shërbimeve a me rastësi historike, më shumë njërës se tjetrës organizatë. Të dyjat kanë qenë instrumente në duar diktatorësh, e disi, të dyjave u kemi “shpëtuar”, sakat siç jemi sot, andej e këndej kufirit.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin