ZËRI I TRËNDAFILIT

Emri i trëndafilit – në origjinal Il nome della rosa – është romani i parë i Umberto Ecos, i botuar në 1980; deri atëherë, autori kish bërë emër si kritik letrar, semiolog dhe filozof, në Itali dhe gjetiu në botë. Por ky roman e projektoi mes atyre pak mendjeve, që i dhanë dritë shekullit XX dhe fillimit të së tanishmit.

Ishte edhe nga të parët libra që vajta të blej, me të shkuar në Romë për studime, në 1987; e gjeta në një tezgë librash të përdorur, me çmim shumë të arsyeshëm, një hardcover me kapakë të kuq, por pa xhaketën karakteristike. Duke qenë romani aq i gjatë dhe i ngjeshur sa ç’është, do ta kem lexuar më shpejt se ç’do ta lexoja dot sot.

Ky ishte vetëm leximi i parë; të dytin ia kam dhënë dikur në vitet 1990, sërish në Itali (këtë herë në Napoli); kur e lexova për së dyti, m’u duk se herën e parë nuk kisha kuptuar asgjë. Për një shqiptar si unë, të ardhur nga një botë aq fetarisht e sterilizuar sa Shqipëria totalitare, teksti i veprës merrte kuptime të reja, por shpesh i humbiste ca kuptime të tjera doemos më të qenësishme.

Mbaj mend, nga leximi i parë në Romë, skenën – fatmirësisht aq të gjatë – të procesit që ngre inkuizitori Bernardo Gui, kundër një heretiku, fra Remigio-s, që kish gjetur strehë në abaci; atje gjeta jehonën e kobshme të përndjekjeve dhe gjyqeve, kundër “grupeve antiparti”, që kishin shoqëruar jetën politike, në Shqipëri, gjatë gjithë rinisë sime; një spektakël edhe ai, vërtet, që nga mbante të gozhduar pas së përditshmes, por që e përcillnim me ankth njëlloj të përditshëm, sa kohë që askush nuk ishte imun ndaj goditjes dhe shfarosjes nga lart.

Eco-ja me siguri i njihte dinamikat e gjyqeve të mëdha staliniste të viteve 1930; por edhe më mirë njihte mënyrën si vepronte inkuizicioni i Kishës, kundër herezive – si studiues i regjur i Mesjetës që ishte. Skena e gjyqit inkuizitorial, e përshkruar me gjuhë shekspiriane nga autori, i përmban jo vetëm tmerret e përndjekjes së rebelimit ideologjik në atë periudhë, por edhe tmerret e dhunës totalitare të shumë shekujve më pas; aq sa lexuesi ftohet të mendojë që autoritarizmi dhe fanatizmi, të çfarëdolloji qofshin, do t’u bindet disa pak formulave precize, skematike dhe të frikshme.

Unë që nuk e njihja historinë e Krishterimit, dhe aq më pak atë të herezive në Mesjetë, fillova të kuptoj se dhuna e regjimit të Hoxhës, teknikat e “demaskimit” dhe të poshtërimit të armikut dhe ai kombinim i ekstazës të së drejtit me mizorinë e kujt e di se e ka licencën për të bërë keq, nuk qenkëshin aq unike dhe të papërsëritshme dhe produkte të mjera të padijes dhe të prapambetjes shqiptare apo edhe të popujve të Lindjes. Kadareja, me “Pallatin e Ëndrrave”, e kish sendërtuar Perandorinë Osmane, si shtëpi metaforike të shtypjes dhe të despotizmit mendor; në Shqipëri mes shokësh flisnim lirisht dhe me qesëndi për autoritarizmin absurd të Maos e të revolucionit kulturor, teksa na binte ndonjëherë në dorë edhe ndonjë material për Stalinin; por “Emri i trëndafilit” më konfirmoi që ajo e keqe që më kish munduar në Tiranë, paskësh qenë universale.

Siç thashë, nuk e kisha kuptuar mirë romanin: ose më mirë, kisha kuptuar që më duhej edhe shumë mundim, për t’iu aftuar lexuesit model. Nuk dija pothuajse asgjë për dijen mesjetare dhe traditën greke-romake, as për luftën që sapo kish nisur, në Europë, mes obskurantizmit dhe racionalizmit; nuk dija pothuajse asgjë për transmetimin e dijes nëpërmjet dorëshkrimeve greke latine dhe arabe, rolin kyç të murgjërisë për mbrojtjen dhe riprodhimin e fjalës së të urtëve; as e kisha përjetuar Biblën dhe nuk i kapja referencat dhe aluzionet që dilnin në çdo faqe të romanit (e ndieva veten pak si ai Kurani dorëshkrim, që ia kishin depozituar një kopje në një raft të bibliotekës labirint të murgut Jorge-Borges). E shumta, në leximin e parë arrita ta përshkoj tekstin si të ishte shëmbëllimi narrativ i një doktrine të historisë së dijes dhe të shenjave.

Dhe ashtu romani më shërbeu edhe si hyrje në historinë e rrënjëve të krishtera të qytetërimit perëndimor; dhe si një udhëzues i përsosur, për mendjen time aq të papërsosur, në misteret semiotike dhe historike të Romës, ku më kish çuar fati të jetoj; një hyrje që i kthehem herë pas here edhe sot. Sepse Eco-ja ia ka dalë të ngrejë një katedrale prej teksti, të Mesjetës europiane si epokë e dijes dhe e supersticionit, e fesë dhe e arsyes, hapësirë kalimtare mes botës klasike pagane dhe modernitetit, ku e reja dhe e vjetra bashkëjetojnë, shpesh brenda mureve të së njëjtës bibliotekë. Dhe si çdo katedrale e denjë për t’u vizituar, edhe kjo i kërkon shumë vizitorit: vëmendje, durim dhe modesti.

E kam parë filmin “The Name of the Rose”, të vitit 1986; por edhe një serial televiziv, me të njëjtin titull, të prodhuar nga RAI në 2019, me regji të Giacomo Battiato; seriali pati për efekt që të më ndihmonte t’u jepja një fytyrë disa personazheve të romanit, si inkuizitorit Bernardo Gui (Rupert Everett) dhe qelarit Remigio, që nuk i kujtoja dot nga filmi; edhe pse Guglielmo-s do t’i jap gjithnjë pamjen e Sean Connery-t. Ekranizimi mund të ndihmojë për t’i dhënë kontekst viziv veprës, por nuk është më i përshtatshmi për një roman të bazuar në ndërtimtarinë e tekstit.

Prandaj edhe guxova t’i futem këtë dimër një ndërmarrjeje jo pa pasoja – ta dëgjoj romanin si audio-libër, në versionin e ofruar falas nga RaiPlay, të lexuar nga Moni Ovadia; një artist i zërit skenik kaq i zoti, sa të jetë në gjendje ta riprodhojë romanin e Eco-s jo si lexim libri, por si pjesë skenike – duke iu dhënë zë unik personazheve të shumta. Janë orë e orë dëgjimi, që tani po më shoqërojnë në ecjet e mia të përditshme në park; kurrë nuk e kam shijuar një audio-libër në këtë mënyrë dhe më duhet ta pranoj se edhe romanin e Eco-s tani po e rrok më të plotë, në dritëhijet e veta dhe në pasurinë e frikshme të ideve e, natyrisht, të shenjave që përmban.

Rrallë më ka qëlluar të vërej sa mund t’ia shtojë efektin tekstit një lexim prej artisti – dhe aq më tepër një teksti polifonik, si ky i Eco-s. Ovadia e ndihmon dëgjuesin të dallojë mes personazheve, duke vënë në punë jo vetëm modulimet brenda një amplitude sonore për t’u admiruar, por edhe lojën e theksave nga gjuhë dhe dialekte, duke përfituar nga ajo që shumë murgj dhe priftërinj, që veprojnë në roman, vijnë nga anë të ndryshme – të Italisë, por edhe të Europës. E përdor theksin jo si mjet banal për stereotipizimin e atij që flet nëpërmjet origjinës, por siç do të përdorte një aktor teatri veshjen, gjestet, posturën e trupit dhe lëvizjen skenike. Ka qenë traditë, në manastiret mesjetare dhe jo vetëm, që individët të identifikoheshin me emrin dhe origjinën: Jorge da Burgos, është bibliotekari i verbër nga Burgos-i i Spanjës; rrëfimtari Adso da Melk, Alinardo da Grottaferrata, Adelmo da Otranto, Michele da Cesena, Ugo da Novocastro, Venanzio da Salvemec (ky i fundit, me gjasë një vend që nuk ekziston realisht); Bencio da Uppsala ka një theks skandinav, me gjasë më të butë se gjermani Malachia da Hildesheim; inkuizitori frëng Bernardo Gui që ka ekzistuar vërtet, rivjen në jetë falë theksave të tij hundorë dhe hingëllimës që lëshon kur kërkon të frikësojë; personazhi qendror i romanit, Guglielmo da Baskerville, e ka origjinën mbase nga Baskerville i titullit të tregimit The Hound of the Baskervilles, një nga më të njohurit me protagonist Sherlock Holmes-in; por mishëron, në figurën e vet, tipare të filozofit mesjetar Guglielmo di Occam, mik i adashit të vet në libër.

Si skenë unike e romanit, abacia dominikane është strehë e një morie murgjish nga anë të ndryshme të Europës katolike, të cilët e mbajnë gjeografinë e prejardhjes në emër, si të ishte një lloj pasaporte; aktori Moni Ovadia, duke e transferuar rrëfimin në rrafshin e zërit të folur – të cilit rrëfimi i përket natyrshëm – i ka shndërruar prejardhjet gjeografike në theksa, pa e tepruar me dialekt dhe folklor; tek e fundit, personazhet e romanit janë njerëz të mësuar, me ligjërim të shtruar kishtar, nëmos teologjik dhe filozofik; theksi gjeografik është vetëm instrumenti – një violinë a një flaut – që ua shoqëron fjalën.

Ta dëgjosh një roman a një tekst letrar çfarëdo të lexuar nga një aktor profesionist nuk është njëlloj si ta dëgjosh të lexuar nga autori, në një prezantim libri – autori krijon iluzionin e “zërit autorial”, i barasvlershëm me zërin e heshtur që dëgjojmë, sa herë që lexojmë një tekst; disa prej nesh edhe duke lëvizur buzët, dhe ashtu duke u njëjtësuar, deri edhe fizikisht, me subjektin që e ka përftuar (nëmos e përfton) tekstin. Aktori, nga ana e vet, të transporton njëfarësoj në fëmijëri, kur të vinin në gjumë me një përrallë; sepse përralla që të shoqëron, nga republika e të zgjuarve te mbretëria e gjumit, ka edhe efekt hipnotik, të ndihmon ta lëshosh botën që mbaje të kapur, duke të thithur jo vetëm në botën tjetër, të rrëfyerën, me princesha, dragonj, kuaj me flatra dhe trima të çartur, por edhe në atë hapësirë magjike ku vetëdija jote shkrihet në materien sublime të rrëfimit (sot besoj se nuk ka gjë më të ëmbël, kur një fëmijë të thotë: më trego një histori… tell me a story). Por zërin e kujt që lexon audio-librin kurrë nuk e merr për zërin e autorit; je gjithnjë i vetëdijshëm se edhe ai që lexon, i është afruar tekstit nga jashtë, njëlloj si ti; dhe prandaj e ke më të lehtë t’i bashkohesh në fjalë.

Besoj se kushdo që e kupton italishten mund të marrë akses te ky audio-regjistrim i RAI-t, dhe ta shijojë romanin e Eco-s ashtu si po e (ri)shijoj unë.

Kjo do të ishte edhe “dhurata” ime për Vitin e Ri, për të gjithë ju që do t’ju duket me interes: një audio-libër mund të dëgjohet kudo, natën para gjumit, gjatë vrapit ose ecjes ose shëtitjes, por edhe në makinë. Jepni një shans restorantit butikë të Eco-s, qoftë edhe për t’u shkëputur nga mediokriteti i mensës së rrjeteve sociale, ku na ikin orët duke u hedhur nga një selfie tek tjetra…

© 2023 Peizazhe të fjalës. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është krijuar me AI.

3 Komente

  1. Pra dikur e kishe me te lehte ta lexoje romanin ne rrafshin e tij universal, qe u referohet te gjitha koherave, sesa ne ate konkret-historik, qe i referohet krishterimit dhe qyteterimit mesjetar. E ve ne dukje kete fakt pasi zakonisht nje veper letrare lexohet me lehtas ne rrafshin e vet siperfaqesor sesa ne ate te domethenies se pergjithshme. Sa i takon pervojes se degjimit te nje romani si ky i Eco-s, a priori mund te them se duhet ta kesh shijuar ngaqe vepren e njeh mire prej leximeve te meparshme. Sepse vepra te tilla komplekse, per t’u kuptuar, duhen lexuar me laps ne dore e here pas here kerkojne t’u rikthehesh pasazheve te vecanta, cka me audio-librat eshte e pamundur. (Teknikisht e mundur duhet te jete, por c’i mbetet shijes se degjimit nese e kthen vazhdimisht prapa nje liber sic benim me kasetat dikur!)

    1. Kur lexon libra kaq të pasur, njëherazi edhe mëson të lexosh. Por e mbaj mend që kur iu futa në krye leximit, isha i mahnitur si me një simfoni, që e pëlqen por nuk e kupton.

      Edhe unë mendoj se nuk bën që ta fillosh me audio-libër; por si herë të dytë ose të tretë, e rekomandoj. Kam dëgjuar ashtu disa vepra të lexuara më parë, që i mbaj si më të rëndësishmet për mua, dhe gjithnjë më kanë shijuar.

  2. Nuk e di sesi mund te quhet letersi e vertete – ndonese kemi nje liber te arritur – nje veper e tille qe kerkon aparat analitik historik per t’u kuptuar.

    Personalisht nuk e kuptoj tensionin ne ate manastir(benediktin besoj jo domenikan) permes “zbuleses” se fundit. Eshte nje fabul shume esoterike dhe te pretendosh universalizem mandej mbi te, eshte pak teper. Suksesi i asaj vepre lidhet me palimpsestin kristian europian dhe asgje tjeter.

    Librin ne fjale e kupton teresisht (une te pakten) pasi lexon histori. Konkretisht libri m’u kujtua vetvetiu kur lexova librin e Jacques Le Goff “Trupi ne Mesjete”, ku sqarohet evolucioni i mendimit kristian europian mbi shfaqjen publike, me origjine qe nga “stoiku i fundit”, Mark Aureli, per te ardhur tek reforma benediktine qe urdheronte edhe rregullin e marredhenies mes burrit dhe gruas, me kujdes qe te shmangej kenaqesia pertej aktit si riprodhim.

    Per te kuptuar se tensioni kryesor ne Mesjeten europian ishte ai mes Kreshmes(quaresima) dhe Karnevaleve, nje dikotomi mes Mendjes – Kokes – Meditimit dhe Trupit – Barkut – Qeshjes dhe Entuziazmit si shprehje e nje mesazhi dhe praktike qe kerkon tek abstinenca suksesin e besimit dhe kuptimin e ketij besimi.

    Qe ketej, ai qe ka lexuar Econ e librit ne fjale, nis ta kuptoje dhe te shpjegoje ate sjellje te murgjeve dhe ate organizim te tyrin. Jo vetem. Me Le Goff dhe para tij Michelet, kuptohet se tensioni u zgjidh me fitoren e Karnevales pasi sic shohim sot “konsumi eshte vete narrativa dhe ikonografia”.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin