Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

NË “TEMPOVARKË”

(Bisedë me një libër)

nga Marsela Neni

Sapo vura këmbët në tempovarkën “Hapësirë midis dy notave” të Flurans Ilias.

Sot është e dielë dhe zakonisht të dielave ‘deti është i qetë’. E marr me nge.

Lexoj poezinë e parë dhe stabilizoj “të pakëtat shenja të pikësimit/në lartësinë e duhur nga niveli i detit” për të gjetur “Këtu”-në ku është hedhur spiranca “Këtu ku ende lexohet toka/si testament i një libri të shejtë” “fëmijën e ngujuar në vargje”.

-Dreq o punë,- them me vete- do më duhet të bëj një kafe. Lë për pak timonin e leximit dhe zbres në përditshmëri.

(I thashë më sipër vetes se sot është e dielë. Të shtatën ditë dhe Zoti e bëri pushim, jo më gruaja, si për të ndryrë në vetvete atë brerje ndërgjegjeje kur sheh enët në lavaman dhe koshat e rrobave që nuk mbarojnë për t’u larë. Do t’i bëj më vonë,- i them me autoritet atij zërit grindavec që synon të ma prishë udhëtimin e saponisur. Boll u kujdesëm për rrobat, për dukjen, le të lajmë teshat e shpirtit sot!)

Dhe, ja! Para më shfaqet Shpiragu i dremitur, kredhur në humbellën e ëndërrt të poezisë “Përgjumjes së fshatrave”. Kuptoj që tempovarka në të cilën e kam ngarkuar shpirtin është një dimesion ku koha dhe hapësira janë Një, ndërsa “Vatra e etërve (të poetit) është e arratisur nga harta”.

“Shën Mëri e Gushtit

               Ninullën e shiut

                         Ia m’vesh në djep

                                            Arkitraut”

Po të lexoj, libër. Po më lexon. Muzika ka nisur që në vargun e parë. Ajo që në fillim i ngjan një situate Zen (ose gjendjes së një murgu të vetëngujuar në fjalë), tashmë merr ngjyra, fiton ritëm, frymë, psherëtima, tingëllima. Fillimisht në “(adagio)”, pastaj në “(altissimo)”, më pas në “(arpeggiato)”. Ç’shpirt i ndjeshëm! Dhe titujt e poezive i ka kufizuar në kllapa, si tituj të ndërkallur, sepse ai që lexon ka ritmin e shpirtit të tij dhe i jepet e drejta t’i heqë, t’i ndryshojë.

Kërkoj për poetin. A është ky udhëtimi i tij, apo udhëtimi im? Më ka lëshuar në det të hapur. Është i ujtë ky libër, ndaj merr ngadalë formën time.

tulatet shpirti yt i brishtë prej busulle
kërkon paanësinë e horizontit
aty ku pikë horizonti nuk ka
ngulur pingul mbi pikën e pyetjes
ay çengel, kjo spirancë, ai grep
në këtë vend pasqyra e hënës i bën
më të dukshme kristalet e kripës
lëkurës së rregjur të rremtarëve

Ma përmend kaq herë busullën, sa s’kam si ta harroj. Përpiqem të shoh në tejqyrën tënde, me sytë e fëmijës, ashtu siç me ke porositur. “Kristalizimi i shtatoreve të kripës / lëkurës së regjur të mërgimit” nuk ka nevojë t’ia zhveshësh këmishën fjalëve për ta kuptuar dhimbjen, sepse në të nuk përcillet kumti, por përjetimi, ndjesia. Më vjen mirë që nuk gjej në ty, libër, nostalgjinë e të ikurve. Ti e prek atë me majën e gishtërinjve sa për t’i dhënë prekjen e së brishtës, një ndjesie edhe më të thellë se sa ajo e ikanakut nga një vend në tjetrin. Unë nuk kam lëvizur asnjëherë nga qyteti im. 40 vjet po ngrys në qytetin ku u linda, i cili që prej 40 vjetësh vazhdon të lahet nga ujërat e të njëjtit lumë…por më beso, dhe unë jam rremtare. Lëkura ime është po aq e rregjur sa jotja, nga mosikja, nga mungesa e borës, nga hambari i infektuar i gjuhës, nga “gjuha e dragonjtë” e skllavëruar në fund të qenies. Unë nuk të kuptoj. Jo ashtu siç ti do të doje të të kuptoja. Mbase ti nuk ke nevojë të të kuptoj. Mbase jam unë që kam nevojë të kuptohem teksa lexoj librin tënd.

“Anijen prej letre” ta ktheva përmbys. Me vargjet e pesta të çdo strofe, lënë si fill Marjane në italik (ngjashëm në formën e valës së thyer) krijova strofën e nënkuptuar. Nuk ndoqa ravgimin që kishte lënë pas tempovarka jote, e nisa së prapthi.

Lëvizja është zgjedhim në zhvendosje       (strofa 5/vargu 5)
Ëndërrtarë, ëndërrtarë, ëndërrtarë!            (strofa 4/vargu 5)
Në tingull të ritmit batica epet                   (strofa 3/vargu 5)
Shtrirë mbi një pentagram                          (strofa 2/vargu 5)
Një albatros a tejqyrë prej kthetre?           (strofa 1/vargu 5)
Anije prej letre                                              (titulli)

Nga njëra anë, kjo ishte shumë argëtuese për mua si lexuese. Nga ana tjetër, duhet të të përmbyset varka për të kuptuar ‘privilegjin’ e të qëndruarit mbi ujë.

Të falenderoj për “kuajt e bardhë (dërguar) me kreshtat e valëve” (titull poezie fq 24). Po. “Unë jam harta të cilën duhet ta përshkoj” për të kuptuar sa pranë njëra- tjetrës qëndrojnë fjalët “Troja” dhe “troje”, se “fjalës ndënë rrënojë/ në gjoks i digjet një liburnë/ dhe mermeri i merr frymën…”

Jepi marinar! “Ty deti të përket”

Pas kalërimit mbi kreshta dallgësh kishe menduar për një liman për të pushuar. E lexova dy herë “Shtatorja e shtatës”. Prozë. Unë e lexova si poezi. Herën e dytë qava. Me siguri kjo shtatore nuk është shkruar as me stilolaps as me taste kompjuteri, por me gishta të butë të një brishtësie primordiale, siç është shkruar gjithë ky libër (në këtë pjesë shumëzuar dhjetë), plot ndjeshmëri, pak e rrallë për një penë burrërore, thellësisht njerëzore për një shpirt të stolisur me art. Po shkëpus një copëz për ta sjellë shijen e fjalës tënde.

“Ati e bëri pushim ditën e shtatë.

Shtata është aty për të na dhënë forcën. Forma kërkon bekimin e punës.

Puna është hyjneshë. Hyjnesha është grua. Gruaja vijon prej shekujsh t’I jape botës jetë nën trajtat e kontraktimeve. Të stërgjatura. Të lodhshme. Me dhimbje. Me akorde. Me përshpejtime. Me ngadalësime. Me klithje. Me lot. Me durim. Me urtësi. Me shpresë. Me çmenduri. Me mençuri e urtësi. Me rrahje zemre. Me punë. Universi punon në trup të saj. Kontraktimet si ngritjet dhe uljet e detit. Ardhjet dhe ikjet. Ikjet dhe rikthimet. Kjo lëkundje e magjishme mu si varkë që mbartet fort pas duarve të cilitdo burri të parruar. Burrit që lëkundet bashkë me të në tempovarkën e krahëve të njeriut.

Pesëdhjetë e pesë orë në det të hapur për të kuptuar se çdo të thotë fjala grua. Dy ditë e dy netë për të kuptuar se e gjithë qenia jote nuk është asgjë më tepër se sa dhimbja e nënës tënde në çaste të tilla.”

Pas kësaj m’u desh të shkëputesha nga leximi. Gjatë kohës në ‘sterë’, në pentagramin që kishe krijuar me imazhin e vijave të Shpiragut, unë që prej ‘urës së Goricës’ sime shtova pas çelësit të solit notat e këngës sime me hare të trishtë.

U riktheva përsëri pas darke. Lexova gjer në mesnatë. Kam nënvizuar me dhjetëra vargje në poezitë që lundrova që pas limanit të “Shtatores…”  Më pëlqyen veçanërisht poezitë “Çast”, “Tempovarkë”, “Punë urash”, “Mani i Files” “I huaji”

Me lajtmotivin:

“Përpiqem të vij atje
Përpiqem të iki nga ti”
…………………………..
“e brishta lind brishtësinë.”

ke shkruar dhe për ravijëzimin e varkës sime gjatë këtij leximi vargjesh, përveçse ke folur me gjuhën e çdo shqiptari që endet cepave të botës.

“Shqipëria për ne është
Si një drogë që na mungon”. (Poezia “I huaji” fq.53)

Çuditërisht, e tillë është edhe për ne që ‘e kemi’, aq sa ka ngelur për t’u pasur në trupin e saj çallata-çallata, në dheun e shitur për një euro metri katror.

Nuk po ndalem më tej t’i pështjelloj me këtë shkrim të gjitha bukuritë. Unë e lexova vetëm për vete. Veç për poetin më vjen të përsëris atë që Xhota thotë:

“Zëri yt Flurans është bërë
Për të arritur gjer këtu”

Mirë se vjen në atdheun e poezisë!

“Asnjë oktavë më lart” s’të duhet. Në korin e letërsisë çdo zë zë vend nëse është kapiten i zërit të tij.

 

© 2023 Marsela Neni. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Imazhi në kopertinë krijuar me AI.

1 Koment

  1. Pergezime Marsela per shkrimin. Librin e pata lexuar dhe me pat pelqyer shume. Per artin qe sjell po edhe per historine meqe jam pjese e asaj plejade qe kaperceu oqeanin . Per menyren si i veshtron mardheniet tona me atdheun te pare nga bregu tjeter. Po ti me bere ta shoh edhe ne kendveshtrimin e atyre qe zgjodhen te rrine. Pergezime edhe autorit me kete rast .

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin

Pajtomë