LEXIME NAIVE, HIPERLEXIME

Interpretimi i një vepre arti nuk mund të jetë “shkencor”, nëse kërkon ta trajtojë veprën si art; por edhe nuk mund t’i shmanget shumë hapësirës midis sugjerimeve me burim nga vepra dhe kuptimeve që ia vendos veprës publiku.

Debati i hapur nga Arb Eloja vite më parë (Veshur me diell, mbathur me hanë, 7 maj 2017) dhe i rimarrë tani nga Sokol Çunga, lidhur me leximin naïf të vargut “Veshun me diell, mbathun me hanë”, të Pjetër Bogdanit – nga Ismail Kadareja, pastaj edhe nga Rudolf Marku vetë disa herë, e risjell këtë dilemë në vëmendje.

Dyshoj fort se, si Kadareja ashtu edhe Marku nuk e kanë pikasur referencën ndaj Zbulesës 12, te vargu i Bogdanit, kur e kanë zgjedhur këtë si “një nga kulmet botërore në portretizimin e hijeshisë femërore” (Kadareja) ose “një varg poetik që ka vlerën e një Antologjie të tërë  poetike” (Marku).

Prandaj edhe e quajta leximin e tyre “naïf” – sepse të dy ata iu qasën vargut pa aparatin e duhur intertekstual.

Lexuan fjalët e Bogdanit, por nuk e shquan dot shtegun që i bashkonte këto fjalë me Shkrimet e Shenjta. Gjetën te fjalët e Bogdanit çfarë dëshironin ata vetë, por jo atë çfarë e sugjeronte teksti mirëfilli. Krijuan një klishe nëpërmjet dekontekstualizimit.

Kjo qasje më duket simptomatike për një kulturë si jona, e cila mëton të jetë Perëndimore, por ende nuk e ka metabolizuar dot kulturën Perëndimore.

Për shkak të pozicionit tonë gjeografik dhe historik dhe fetar, ne shqiptarët jemi të dënuar t’i vuajmë këto lloj anomalish në mos edhe që t’i konsumojmë si bukën tonë të përditshme.

Pyetja ime – një nga pyetjet – është nëse ka ndonjë farë vlere shëlbuese ky interpretim naiv i një vepre – duke filluar me dekontekstualizimin e saj.

Dhe po përpiqem t’i përgjigjem tërthorazi, duke analizuar një shembull tjetër, më të thjeshtë madje më të tejdukshëm se ai me vargun e Bogdanit.

Dhe pikërisht, me leximin që i është dhënë këngës Let it be, të Beatles-ave.

Po sjell këtu më poshtë tekstin, për ta komentuar më pas:

When I find myself in times of trouble,
Mother Mary comes to me
Speaking words of wisdom, let it be

And in my hour of darkness
she is standing right in front of me
Speaking words of wisdom, let it be

Let it be, let it be, let it be, let it be
Whisper words of wisdom, let it be

And when the broken hearted people
living in the world agree
There will be an answer, let it be

For though they may be parted,
there is still a chance that they will see
There will be an answer, let it be

Let it be, let it be, let it be, let it be
There will be an answer, let it be

Let it be, let it be, let it be, let it be
Whisper words of wisdom, let it be

And when the night is cloudy
there is still a light that shines on me
Shinin’ until tomorrow, let it be

I wake up to the sound of music,
Mother Mary comes to me
Speaking words of wisdom, let it be

Kënga doli në treg në 1970 dhe shumë shpejt u bë nga më të shiturat e katalogut të Beatles-ve. Ashtu u ngjit edhe në vend të parë të Hit Parade-it italian, nga ku mbërriti edhe në brigjet tona.

Kam qenë besoj në klasë të gjashtë, kur e kam dëgjuar për herë të parë – dija pak anglisht, por jo aq sa për ta kuptuar. Madje edhe për titullin nuk isha i sigurt – sipas një shpjegimi sekret, që qarkulloi në korridoret e “Avni Rustemit” aso kohe, Let it be duhej shqipëruar si “Ç’i qi t’omën.”

Vit pas viti, fjalët e këngës erdhën duke u bërë më të kuptueshme, dhe ashtu edhe morëm vesh për këtë “Mother Mary” që i shkonte subjektit lirik te koka, kur ky ishte në hall, dhe i thoshte “Let it be.” Me dinakëri, filluam të mendojmë se kjo Mother Mary mund të ishte edhe Shën Mëria; një interpretim që gjente mbështetje edhe në tonin e përgjithshëm të këngës, me “times of trouble”, “hour of darkness”, “broken hearted people”, “when the night is cloudy”, “a light that shines on me”, etj.

Referimi gati eksplicit ndaj Krishterimit e bënte këngën edhe më subversive në sytë e brezit tim, i cili gjithnjë kërkonte arsye pse gjëra të tilla, kaq tërheqëse madje të magjishme si këngët pop që vinin nga Perëndimi, ia kish ndaluar regjimi që t’i shijonte haptazi dhe lirisht (por çuditërisht e patëm humbur krejt atëherë referencën fetare mistike te My Sweet Lord, e George Harrison-it).

Këtë identifikim të Mother Mary-t me Shën Mërinë do ta kenë bërë me miliona dëgjues anembanë botës; në fakt, kënga vetë në melodi dhe në tekst shpërfaq tonalitete të forta të gospel-it, aq sa George Harrison-i i pat sugjeruar autorit të këngës, Paul McCartney-t[1] që t’ia jepte sakaq Aretha Franklin-it për ta kënduar…

Gospel or not gospel, Paul-i megjithatë ka saktësuar se kjo Mother Mary, që përmendet në këngë, nuk ishte veçse nëna e tij, Mary McCartney – e cila i kish vdekur kur Paul-i ishte 14-vjeç, dhe që, gjatë një periudhe të vështirë në jetën e tij, i kish dalë në ëndërr, për t’i thënë “It’s gonna be OK. Just let it be…”

Pyetjes nëse kënga e përmbante apo jo ndonjë referencë ndaj Shën Mërisë, Paul-i i ishte përgjigjur se këtë ua linte fans-ave për ta interpretuar.[2]

Paul-i në “times of trouble” dhe nëna e vdekur që i shfaqet në ëndërr për ta ngushëlluar: ja një interpretim sado sentimental, por që është ndoshta po aq i fortë sa ai i pari, kovencionali, për Shën Mërinë.

Tek e fundit, a nuk e lejon poetika e ëndrrës që Shën Mëria dhe nëna e vdekur e Paul-it të jenë, në thelb, e njëjta prezencë (e veshur me diell, e mbathur me hanë)?[3]

Më tej, sërish Paul-i ka shpjeguar se kjo shprehje, Let it be, e ka origjinën nga Hamlet-i i Shekspirit, ku diku andej nga fundi i veprës, Hamleti thotë: “O, I could tell you – But let it be. Horatio, I am dead.”

Nga njëra anë, Mary si nëna e Paul-it; nga ana tjetër Shën Mëria dhe Hamleti: a ia nxorëm tani fundin kësaj historie?

Aspak. Në 1975, gjatë një interviste në televizion, Mal (Malcolm) Evans-i, një nga shoqëruesit e pandarë të Beatles-ve (groupie), deklaroi se kënga i kushtohej atij, jo nënës së Paul-it.

“Një ditë Paul-i po meditonte dhe unë iu shfaqa si vizion, i dola përpara, duke thënë fjalët let it be, let it be…”

Ashtu versioni i hershëm i këngës përmbante vargjet:

When I find myself in times of trouble,
Brother Malcolm comes to me

Por pastaj Paul-i vendosi ta ndërronte tekstin, sepse “brother Malcolm” nuk do të kuptohej se ç’ishte, ose do të keqkuptohej.

Çuditërisht, ky version doli në dritë në 2018, me ribotimin e The White Album; ribotim i cili shoqërohet me materiale të shumta arkivore, mes të tjerash edhe një moment kur Paul-i vihet të këndojë Let It Be-në gjatë një regjistrimi të këngës Piggies, në shtator të vitit 1968. Dhe atje vargu dëgjohet vërtet “Brother Malcolm comes to me…”

Këtë histori Mal Evans e ka treguar edhe në një intervistë të botuar pastaj në librin The Beatles Off The Record, nga Keith Badman. Me një ndryshim: sipas tij, vargu origjinal ishte “Mother Malcolm comes to me…”[4]

Ndoshta ky është edhe momenti kur përpjekjet interpretative rrezikojnë të katandisen në një koleksionim kuriozitetesh dhe çikërrimash – prandaj edhe duhet të ndalen. Pavarësisht nga ekzistenca reale e një vargu me Mother Malcolm, Let It Be zuri kryet e vendit në kulturën pop të shekullit XX si kënga për Mother Mary.

Dhe le të pranojmë se kjo Mother Mary, pavarësisht nëse nëna e vdekur e Paul McCartney-t apo Shën Mëria, në këngë shfaqet si një figurë amnore, duke përmbushur një arketip – dhe pikërisht, by speaking words of wisdom.

Që pastaj rezultojnë të jenë marrë, verbatim, nga një i urtë i madh i letërsisë dhe i kulturës angleze, Shekspiri. Paul-i e ka shpjeguar si, kur ndiqte shkollën e mesme, kish mësuar përmendësh fragmente të gjata nga Hamleti – dhe ashtu disa prej molekulave tekstuale të Bardit e kishin kapërcyer me sukses barrierën e viteve, për t’u rishfaqur te një nga këngët më të suksesshme të Beatles-ve.

A duhet ta njohë dëgjuesi Shekspirin, për ta shijuar Let It Be-në? Aspak. Por Shekspiri është aty, i shkrirë në varg dhe në frymë – duke pritur që ta dallojnë. Dhe kush e dëgjon zërin e Hamletit, prapa atij të Paul-it, e percepton më qartë këngën si pjesë të kulturës angleze, ndërthurje superkomplekse lidhjesh në kohë dhe në hapësirë.

Ç’lidhje ka ky diskutim, me debatin e tanishëm? Përtej interesit teorik për interpretimin, do të thoja se hiperbola e Kadaresë dhe të tjerëve, për një varg në fakt biblik të rëndomtë të Bogdanit, nuk ndihmon për ta integruar Bogdanin në kulturën shqipe, dhe as në poezinë shqipe – por krijon një Bogdan artificial, ad hoc, të tillë që t’i shërbejë orientimit kulturor të Kadaresë dhe të ndjekësve të tij, të cilët ndonjëherë i qasen kulturës Perëndimore me iluzionin se mund ta zotërojnë, madje ta kontrollojnë, edhe pa ia përfillur intertekstualitetin. Në rastin më të mirë, të gjithë këta duan t’i kompensojnë mangësitë e veta interpretative nëpërmjet zbulimit befasues të vlerave. Ky lloj vështrimi prej fëmije ndonjëherë duhet, për ta çliruar veprën nga pesha e interpretimeve të njëpasnjëshme – por vjen praktikisht gjithnjë i rrezikuar nga kitsch-i.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


Shënim: të dhënat për historinë e krijimit të këngës Let It Be i kam nxjerrë kryesisht nga faqja Beatles Music History, duke i krahasuar me burime të tjera. Vende-vende në shkrim u jam referuar edhe sajteve specifike.

[1] Në copyright, kënga shënohet gjithnjë si Lennon-McCartney, por Lennon-i nuk pati asnjë rol në kompozimin e saj. Pak a shumë pas viteve 1966-1967, Beatles-at pushuan së krijuari si grup dhe iu kushtuan kompozimit individual të këngëve.

[2] Tek e fundit, edhe emri i nënës së Paul-it i referohet drejtpërdrejt Shën Mërisë – në kuptimin që këtu është jo vetëm vargu i këngës, por edhe vetë onomastika që orienton drejt nënës së Jesuit.

[3] Platonikisht, ka një nivel të ekzistencës abstrakte ku të gjithë personat e quajtur Mary bëhen një me “nënën” e tyre onomastike.

[4] Nuk mund ta përjashtoj që kjo “brother Malcolm” ose “mother Malcolm” të jetë shtuar atje gjysmë me shaka, si një teknikë për të luftuar monotoninë në studio. Beatles bënin shpesh lojëra të tilla me tekstet e këngëve gjatë provave, të cilat janë dokumentuar mirë.

1 Koment

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin