Shahmat i vonuar

Shumëkush do ta ketë ndjekur historinë e arrestimit kohët e fundit në Japoni të ish-kampionit botëror në shah, të famshmit Bobby Fischer, i cili akuzohet nga qeveria e SHBA se ka shkelur embargon amerikane ndaj Serbisë, kur pranoi të luante në Beograd në vitin 1992 – përkundrejt 3,5 milion dollarëve –një matç nostalgjik me rivalin e vet legjendar, rusin Boris Spaski.

Fischer e fitoi titullin botëror në fillim të viteve 70, gjatë një dyluftimi dramatik pikërisht me Boris Spaski-n, atëbotë sovjetik. Kush i ka përjetuar ato vite, s’mund t’i ketë harruar antikat e amerikanit, i cili u soll si fëmijë tekanjoz duke u ankuar për zhurmën, pishinën, madhësinë e tabelës së shahut, menunë e restorantit, ngjyrat e gurëve, honoraret, kamerat e TV, pa përmendur edhe shumë telashe të tjera që u hapi organizatorëve në Rejkjavik të Islandës – derisa e fitoi matçin.

Ndeshjet e matçit botëror komentoheshin në televizionin shqiptar nga i mrekullueshmi Zef Ashta i karfosur me kostum stofi gjer në grykë, i cili dridhej nga frika se mos lëshonte ndonjë lavdërim të tepërt, në adresë të njërit apo tjetrit kampion. Një nga temat e diskutimeve tona të asaj kohe, ishte se nga cila anë i rrihte zemra Zef Ashtës vetë. Të gjithë e mbanin për tifoz të Fischer-it; mirëpo pastaj, kur Spaski qëlloi që fitoi një herë me të bardhat, duke ia zënë rob kundërshtarit mbretëreshën, të gjithë ia pamë Zef ziut sytë që i shkëlqenin, prapa maskës profesionale që i takonte të ruante në ekran.

Në të vërtetë, Zef Ashta i përkiste i tëri atij brezi shahistësh shqiptarë që ishte rritur e formuar me literaturë shahistike ruse, prandaj nuk mund të mos anonte nga Spaski – një fantazist i skakierës dhe artist i mirëfilltë, krijues kombinacionesh të guximshme, ndonjëherë kokëshkreta, njëlloj si kolegët e vet Tal e Bronstein. Përkundrazi, Fischer-i e luante shahun me ftohtësinë përllogaritëse të një businessman-i konservativ, duke mos u kuturisur pothuaj asnjëherë në aventura romantike, gambite të çartura dhe balete të tjera ekstravagante në meslojë.

Përleshja shahistike midis kalkulimit të ftohtë dhe spektaklit delikat të artit është përjetësuar në letërsi nga e famshmja “Novelë e shahut” e Zweig-ut, e cila njihej mirë në Shqipëri; por deri diku edhe në romanin njëlloj të shkëlqyer “Mbrojtja Luzhin”, të Nabokov-it, që meriton të përkthehet ngutshëm. Si në një rast ashtu edhe në tjetrin, krijimtaria del e humbur përballë kthetrave metalike të logjikës, për të përfunduar pastaj në delirin e çmendurisë, ose shpërbërjes mendore.

Në historinë e dyluftimeve për titullin botëror në shah, kjo përplasje midis poezisë dhe logjikës u mishërua sidomos në matçin e vitit 1927 midis dy kolosëve të kalibrit të bon vivant-it kuban Capablanca dhe pijetarit aristokrat rus Alekhine: ku i dyti arriti të fitojë përkundër gjithë parashikimeve e sidomos duke sfiduar jo aq Capablanca-n lojtar, sesa mitin e pathyeshmërisë së këtij të fundit në skakierë. Më pas, e njëjta dramë u përsërit në matçin Botvinnik-Bronstein (1951), përfunduar në barazim megjithë epërsinë krijuese të Bronstein-it; dhe pastaj në matçin e parë Botvinnik-Tal (1960) fituar nga Tal-i, ky mjeshtër i paarritshëm i artit kombinativ dhe i blofit shahistik.

Megjithatë, historia e shahut statistikisht nuk premtonte mirë për temperamente artistike si të Spaski-t, për të cilët shahu ishte më tepër një truall për t’u shprehur estetikisht, dhe ku e vërteta krijohej më shumë sesa zbulohej. Tek e fundit, edhe matçin e vitit 1972 Fischer-i e fitoi bindshëm, çka në Tiranë i entuziazmoi të gjithë ata që nuk e duronin dot më brezin filorus në Tiranë e gjetkë. Si gjetiu në botë, triumfi i Fischer-it edhe ndër ne u interpretua si një grusht hegjemonizmit sovjetik, nga një outsider, që nuk kishte përkrahjen e askujt.

Për çudi, një nga të vetmit miq të Fischer-it ka qenë e ka mbetur Boris Spaski vetë!

Gjeniu amerikan mbeti kampion vetëm tre vjet, pasi në 1975 FIDE (Federata Ndërkombëtare e Shahut) ia hoqi titullin, për shkak të vicklave të pashtershme gjatë përgatitjes së matç-it me sovjetikun e radhës: flokëverdhin shembullor Karpov. Që nga ajo kohë Fischer-it i filloi rrokullima, hoqi dorë krejt nga shahu kompetitiv, u ngatërrua me të gjitha autoritetet që guxonin t’i dilnin përpara qoftë edhe vetëm për t’i shtrënguar dorën, u inatos edhe me Amerikën vetë, deklaroi se “shahu ka vdekë” dhe më në fund u zhduk krejt nga skena.

Në vitet 90, Fischer-i prezantohej tanimë si paranojak dhe antisemit i tërbuar në intervista të gjata lëshuar radiove obskure filipinase ose meksikane, ku i akuzonte hebrenjtë amerikanë si nxitës dhe organizues djallëzorë të një komploti të përgjithshëm kundër tij – madje deri në atë pikë sa t’i kishin vjedhur një tog plaçkurinash që mbante në një dhomë në Los Angeles; kjo sado që Fischer-i vetë është hebre prej Brooklyn-it!

Dihet, nga ana tjetër, se propozimi për t’u ndeshur në Beograd me Spaski-n në një riskenim të matçit të dikurshëm e tërhoqi ish-kampionin amerikan sidomos për milionat që i premtoheshin, meqë prej kohësh ishte trokë. Pa pyetur shumë për kundërvënien e administratës amerikane ndaj këtij matçi simbolik, Fischer-i e mori në sy të të shpërfillë shtetin e vet dhe ndoshta atë pak ndërgjegje politike që i kishte mbetur. Bashkë me Spaski-n, e luajtën matçin dhe i futën në xhep milionat e premtuar, edhe pse Jugosllavia e Milosheviçit i kishte lyer tanimë duart me gjakun e boshnjakëve, kroatëve dhe kosovarëve, dhe ishte kthyer në një turp ndërkombëtar.

Ka komentatorë që përsiatin se arrestimi i tanishëm i Fischer-it në Japoni është i lidhur horizontalisht me një tjetër skandal të një dezertori të lashtë amerikan në Korenë e Veriut, të cilit Japonia dëshiron t’i japë strehë meqë është martuar me një qytetare japoneze (edhe Fischer-i u martua tani vonë me një japoneze krejt të respektueshme). Të tjerë kanë hedhur hipotezën se arrestimi i Fischer-it nuk është pa lidhje me antisemitizmin e tij dalë kontrolli, por edhe me anti-amerikanizmin e tërbuar.

Thonë se Fischer e paska duartrokitur sulmin traumatik të 11 shtatorit 2001 dhe deklaruar se amerikanët e meritokan këtë lloj terrori, për politikën e jashtme që ndjekin.

Një gjë më duket e vërtetë: Fischer-i njeri ndoshta e meriton të ndalohet nga autoritetet, por tifozët dhe simpatizantët e shumtë të tij, në mbarë botën, ndoshta nuk e meritojnë të gostiten me këtë fund tragjikomik të heroit të tyre.

Deri tani, lidhjet e shahut me politikën i kishim përfytyruar si të llojit që kultivohej kamotshëm në BRSS, ku fitoret e shahistëve planifikoheshin në mbledhje partie të nivelit të lartë, dhe u diktoheshin telegrafikisht lojtarëve turneve. Tek e fundit, edhe fitorja e Fischer-it kundër Spaski-t në vitin 1972 me të drejtë u mbajt edhe si një fitore e individit kundër një mafieje të tërë politiko-sportive, që kontrollonte të gjitha mekanizmat e shahut dhe burokracitë përkatëse, me përjashtim të trurit allasoj të Fischer-it vetë.

Ato vite të nxehta, shahu dhe politika përplaseshin pa reshtur edhe në realitetin shqiptar të përditshëm, ku një shahisti aq mrekullisht të kompletuar si Fatos Muça nuk iu dha kurrë mundësia të tregonte vlerat e veta, dhe të shahut shqiptar, në arenën ndërkombëtare. Kjo sepse ishte pothuajse e pamundur të gjendej një turne shahistik ku të mos merrnin pjesë shahistë sovjetikë ose amerikanë, për ta dërguar Fatosin të plotësonte normën e mjeshtrit ndërkombëtar! E njëjta histori u përsërit vite më pas, me një tjetër kampion të shkëlqyer, Ilir Seitajn…

Mirëpo si Fatos Muça e Ilir Seitaj, që nuk lejoheshin të luanin shah, ashtu edhe qyqari Tajmanov – për të cilin thanë se mori vërejtje me shënim në kartën e regjistrimit në parti, pasi humbi matçin me Fischer-in, me rezultatin poshtërues 6-0; por pastaj e rehabilituan, kur edhe ish-kampioni botëror Petrosian e humbi matçin e vet 6-2 – i përkisnin atij universi të rregulluar komunist, ku deri edhe të pështyrët për tokë ose kosumi i çamsakëzit kishin një domethënie politike të caktuar… përkundrejt lirisë së individit për të qenë i pavarur nga politika dhe nga çdo rrjetë tjetër merimange, e që e shihnim të mishëruar te Fischer-i.

Por nuk e shohim më. Vitet 90, jo vetëm që nuk shënuan “fundin e historisë” siç e predikoi bujshëm filozofi Fukuyama (edhe ky japonezo-amerikan), por përkundrazi, na politizuan të gjithëve pa e kuptuar, duke na bojatisur me ultraviolet edhe ne që kujtuam se i ikëm politikës kur i ikëm Shqipërisë! Prandaj arrestimi i Fischer-it merr tani tone të tjera, që nuk besoj se i tingëllojnë kujt ëmbël e harmonishëm.

Në vakt të Zef Ashtës, të paktën, shahu si edhe shumë gjëra të tjera, ishin edhe një mjet për të sfiduar thundrën e hekurt të shtetit në jetën private. Përleshjet e pamëshirshme midis të zinjve dhe të bardhëve, intrigat e oborrit me mbretër e mbretëresha, piruetat orientale të filave e të kuajve, vetë fjalët misterioze “shah”, “sheh” e sipas rastit edhe “shah-sheh”, na tërhiqnin të gjithëve në një përmasë ku kufiri manikeist midis së mirës dhe së keqes vinte e tretej… dhe ku forca e mendjes dhe bukuria e krijimtarisë nuk ndoteshin nga ndonjë domosdoshmëri ose partishmëri komuniste.

Lojrat e matçit Fischer-Spaski i botonte në faqen katër gazeta “Sporti Popullor”, pa komente; ose me ndonjë pikëçuditëse tek-tuk, për të shenjuar lëvizjet e forta. Mbaj mend kur e blenim gazetën që në pikë të sabahut në plazh të Shkozetit te një barakë te “Hekurudha” dhe kalonim pastaj me orë të tëra në rërë duke u përpjekur të ftillonim lëvizjet, ose të kuptonim pse-të. Për fat të keq, lojërat përcilleshin në gazetë me gabime, të vogla por fatale. Edhe ne vetë bënim gabime. Na duhej ndonjëherë të manovronim me një torre të cilën e paskëshim ndërruar 4-5 lëvizje më parë, ose të shpinim mbretin në një kuti ku qenkej “shah”!

Njërën nga lojrat nuk arritëm dot kurrë ta deshifronim; ishte një fitore e Fischer-it me mbrojtjen Alekhin me të zezat, ndoshta vendimtarja për matçin, meqë pastaj diferenca në pikë u bë tepër e madhe. Gjëra të çuditshme na ndodhnin në skakierë, lëvizjet ndiqnin njëra tjetrën krejt enigmatike; tejshkrimit dukej sikur i mungonin rreshta të tërë. Dihej që lojën e kish fituar Fischer-i, por sipas pozicionit që kishim ne përpara syve, Spaski e kishte pasur fitoren në xhep. Mjaftonte të…

Atë lojë e kam gjetur shumë vjet më vonë, dhe e kam luajtur në kompjuter nga fillimi në fund, për të parë se ç’ndodhi vërtet. Ndjesi e çuditshme, sepse vërtet kishte momente kur dukej sikur Spaski edhe mund ta kishte fituar. Çfarë rëndësie do të kish pasur kjo për rrjedhën e ngjarjeve, për rendin e sendeve, për historinë botërore?

Ndjenjë e ngjashme me atë që provoj sa herë lexoj në “Iliadë” rrëfimin e dhimbshëm të përleshjes së Akilit me Hektorin. Nuk e mohoj që gjithnjë e ushqej një shpresë, krejt idiote, se Hektori edhe mund ta fitojë dyluftimin, në kundërshtim me gjithçka: logjikën, profecinë, tekstin vetë.

Shpresa e përhershme se gjërat mund edhe të kishin rrjedhur ndryshe, por nuk e kam fjalën vetëm për Hektorin.

Mirëpo gjithë ky hutim nostalgjik pak ka lidhje me komedinë e këtij ish-kampioni dhe ish-superheroi të mediave amerikane, që përfundon i arrestuar në Japoni, ashtu i gjatë i parruar dhe i përgjumur, teksa nuk pushon së shari mbareprapë hebrenjtë si të ishte ndonjë shofer arab autobusi në linjën Aman-Bejrut, e së akuzuari amerikanët se duan t’i kontrollojnë mendimin, ose gjepura të tjera inkoherente…

Pas lajmit se Fischer-i ishte arrestuar në Japoni dhe së shpejti do të ekstradohej për në SHBA, deri edhe Spaski i shkroi një letër presidentit Bush, ku ndër të tjera i thoshte: “Në Beograd kam luajtur edhe unë, prandaj më arresto edhe mua, e më mbyll në të njëjtën qeli me Fischer-in. Vetëm, të lutem, mos harro të na japësh një kuti shahu, që ta shtyjmë burgun duke luajtur.” Kërkesë tipike prej Spaski: poetike, kitsch, dashamirëse, veleritëse.

Kur ia përcollën amerikanit Fischer këto fjalë të mikut të tij rus dhe rivalit të përhershëm, ai nuk i priti hiç mirë. “Spaski në qeli me mua?” tha. “Po ç’të bëj unë me Spaski-n në mes të katër mureve? Më mirë të më dërgojnë ndonjë femër!”

[2005]

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin