EDHE TË MALLKUAR, EDHE TË BEKUAR

Ka tërhequr vëmendjen një instalacion i Marta Minujín, me titullin The Parthenon of Books – një replikë e Partenonit në Athinë, por e krijuar me 100,000 libra të ndaluar, nga gjithë bota.

Instalacioni, i konceptuar që në 1983, është ekspozuar tani në ekspozitën Documenta 14, në Kassel.

Duke guxuar ta interpretoj këtë vepër, do të thoja se ajo i flet publikut për ndalimin dhe censurën e librit, si dy mënyra me të cilat autoriteti ka komunikuar me letërsinë.

Një libër i ndaluar mund të ketë edhe kuptimin e një autori të futur në burg, të internuar, të djegur në turrën e druve; ose që i është hequr e drejta e botimit, ose të shkishëruar, të demaskuar në publik, të bërë për një lek.

Vetë akti i ndalimit të librit i përket një lloj politike kulturore profilaktike, e cila ndërvepron me publikun duke ia mohuar disa tekste; për të “mbrojtur” atë, publikun ose shtetin vetë dhe pushtetin, ose autoritetin e një ideologjie a feje, në kulturë, në art dhe në etikë.

Por libri i ndaluar jo rrallë është edhe, për vetë fatin që ka pasur, edhe libër i suksesshëm: lexuesit e kërkojnë, e shtien në dorë fshehurazi, e shumëfishojnë ilegalisht, e kalojnë dorë më dorë.

Libri i ndaluar është libër që digjet, por në dritën e flakëve e lexojnë një milion palë sy.

Kjo e vërtetë e hidhur mund të kthehet edhe kokëposhtë; në kuptimin që akti administrativ i ndalimit i jep librit një vlerë letrare a estetike që përndryshe nuk do ta kishte: lexues të panumërt, në Perëndim, e patën përpirë “Doktor Zhivagon” e Pasternakut edhe ngaqë ishin njohur me historinë e botimit të tij.

Pa çka se historia e kontrabandimit të dorëshkrimit të atij romani në Perëndim dhe përndjekjeve të autorit në Bashkimin Sovjetik ishte ku e ku më interesante, se historia e rrëfyer në roman.

Nën regjimet totalitare dhe autori, një libër i ndaluar të bënte të mendoje për shkrimtarin që ishte në rrezik; dhe një shkrimtar në rrezik ishte edhe një shkrimtar hero, sepse kish guxuar t’i thoshte të vërtetën pushtetit (spoke truth to power).

Dhe kjo dramë, e shkrimtarit në përballje me makinën e shtetit, ishte po aq përfshirëse dhe katartike, sa edhe çfarëdo narrative që mund të përmbante libri vetë.

Ashtu i kemi pritur dhe përcjellë romane si “Tuneli” i Dhimitër Xhuvanit, ose “Një emër në katër rrugë” të Petro Markos: ky i fundit, i ndaluar nga regjimi mu kur po i printohej kopertina, qarkulloi pastaj në Tiranë pa kopertinë, i nxjerrë fshehurazi nga shtypshkronja prej tipografëve.

Edhe pse libri i ndaluar mund të ishte i palexueshëm, i shkruar keq, pa virtyt estetik, sërish fati i tij do të përcaktohej nga marrëdhënia që kish vendosur me autoritetin; dhe shkrimtari, po t’i mbijetonte përndjekjes, do të ndihej pastaj krenar për ndalimin; sepse ndalimi është edhe ai një lloj vëmendjeje, një lloj pranimi i forcës që të ka vepra, një lloj konfirmimi nga një autoritet përndryshe suprem.[1]

Me t’u ndaluar, vepra letrare transferohej praktikisht e tëra në politikë, duke u shndërruar në armë.

Çfarë i jep një farë relevance, në mos urgjence pyetjes se çfarë ka humbur letërsia, në ato kultura ku librat nuk ndalohen më; ose të paktën nuk i ndalon censura dhe autoriteti shtetëror a religjioz; dhe autorët nuk i persekuton kush, edhe kur “shkelin në dërrasë të kalbur.”

Një Partenon me libra të ndaluar mund të interpretohet si ftesë për të reflektuar se sa i ka kushtuar Perëndimit lufta për lirinë e fjalës; por mund të interpretohet edhe si një monument i vetëkënaqësisë së një qytetërimi që kërkon të ngushëllohet me vlerat e veta, edhe ato morale.

Pa çka se libra të ndaluar sot janë librat që nuk lexohen, sepse censura nuk është zhdukur, por është bërë tejet eficiente; duke i lënë që t’i djegë indiferentizmi ata libra të cilëve, në një kohë tjetër, do t’u kish vënë zjarrin në mes të sheshit.

Indiferentizmi dhe kulti i argëtimit, por edhe snobizmi i elitave të nginjura, ua ka hequr veprave letrare mundësinë për të rrezikuar drejtpërdrejt pushtetin dhe autoritetin; dhe shkrimtarët që dje rrezikonin burgun, internimin dhe përbaltjen publike, sot nuk merren më seriozisht.

Në vija të trasha.

[1] Çfarë fati do të ishte për mua, sikur të ma ndalonin Zotin Shyti. Fat edhe më i madh se po t’i jepnin çmimin kombëtar! Ose po të ma përkthenin në ndonjë gjuhë mike!

 

1 Koment

  1. Sot jetojme ne nje kohe, ku urimi me i mire i nje autori per veten eshte: ah, ishalla ma ndalojne/ censurojne librin! Pse! Sepse perballe ketij interneti, celulari, e te tjera me c’do shpiken, qe e forcojne indiferentizmin ndaj librit, vetem censura mund ti japi sot nje libri shancet per tu kerkuar nga publiku.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: