POEZIA SHQIPE, VAJZA MRI E KOHËS SONË

Ca mendime për “Veshun me diell, mbathun me hanë – Antologji e poezisë moderne shqipe”, hartuar nga Rudolf Marku, Tiranë 2023.

nga Sokol Çunga

1.

Mësova këto ditë lajmin se sapo ka dalë nga shtypi një antologji kushtuar poezisë shqipe titulluar “Veshun me diell, mbathun me hanë – Antologji e poezisë moderne shqipe”, përgatitur nga Poeti Laureat Rudolf Marku dhe është botuar nga shtëpia botuese “Mediaprint”. Siç njoftohemi nga quarta e librit, botimi është mbështetur nga Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit dhe është pjesë e programit të aktiviteteve të Poetit Laureat të Shqipërisë për vitet 2020-2022.

Është gjithmonë lajm i mirë botimi i një antologjie poetike, aq më tepër e poezisë shqipe, në kohën kur është e vështirë të ruhet ekuilibri mes poetëve të traditës dhe mëtonjësve të dekadave të fundit. Antologjia “Veshun me diell, mbathun me hanë” ka mbledhur poezitë e 59 poetëve dhe, siç lë të kuptohet që në titull, synon të antologjizojë poezinë moderne shqipe. Antologjia ndahet në dy pjesë, ku e para titullohet “Poezia klasike moderne shqipe, shek. XVII – XX”[1], kurse e dyta “Poetë modernë të shek. XX-XXI”. Botimi është pajisur me parathënie nga prof. Gëzim Basha, i cili është edhe redaktor i saj, dhe mbyllet nga pasthënia e hartuesit, Rudolf Marku. Siç shënohet edhe në pasthënien e antologuesit, ndonëse në vëmendje janë poetët modernë të shqipes, nuk janë harruar edhe paraprijësit e poezisë moderne shqipe, që nga Pjetër Budi, deri tek më të rinjtë bashkëkohorë. Teksa “përfshirja e prekursorëve – etër të kishës katolike – më shumë sesa homazh, duket provë dhe mesazh i vazhdimësisë së shprehjes letrare në atë gluhen tonë”[2], hamendësojmë se edhe titulli “Veshun me diell, mbathun me hanë” është pjesë e këtij homazhi dhe mesazhi.

2.

Nuk synoj të merrem këtu me vlerësimin e antologjisë, pasi nevojitet më shumë kohë e mendim, teksa libri sapo ka dalë nga shtypi. Mbeten, ndërkohë, ca pyetje lidhur me disa prej elementeve të saj, të cilat do të përpiqem t’i shtjelloj më poshtë.

Së pari, bie në sy pabarazia gjeografike mes poetëve të pjesës së parë dhe atyre të pjesës së dytë. Teksa në pjesën e parë kemi disa poetë që kanë lindur dhe / ose jetuar jashtë Shqipërisë, siç u përvijua kjo më 1913, në pjesën e dytë nuk kemi asnjë poet që vjen nga jashtë territorit të Shqipërisë administrative. E sjell në vëmendje këtë fakt pasi shi pak ditë më parë, tek ndiqja emisionin “Artes” të datës 21 mars 2023 në TVSH nga Elsa Demo (këtu), poeti dhe pedagogu Gazmend Krasniqi shprehu shqetësimin se nxënësit dhe studentët e shkollave në Shqipërinë administrative nuk kanë informacion për poetët e Kosovës, as i njohin ata. Përmend këtu poetët e Kosovës nisur edhe nga fakti se në pasthënie (fq. 330) antologuesi thotë se ka sjellë në antologji një poezi të Asdrenit, të cilën kritika e realizmit socialist e pat konsideruar dekadente, kurse “një asdrenologë (sic) si Qosja përtej kufirit shtetëror të Tiranës zyrtare, nuk pat guxuar t’i afrohet kësaj poezie të prekur nga leproza (sic) e dënimit ideologjik!”. Cila arsye, cila lebër na largon prej poetëve të Kosovës?

Më tej, teksa 58 poetë sillen me punët e tyre origjinale, kur mbërrijmë tek Fan Noli shohim se nuk kemi ndonjë poezi të tij, por përkthimin e poezisë “Annabel Lee” nga Edgar Allan Poe. Antologuesi kujdeset të shpjegojë në kllapa se titulli i poezisë duhet lexuar, “Annabel Li”, por nuk përmend ndonjë arsye të mirëqenë se përse Noli përfaqësohet me përkthim, jo me krijim. Vlerësohet aftësia përkthese e Nolit dhe për ta argumentuar, antologuesi i sugjeron lexuesit që, për të kuptuar se në shqipe tingëllon më bukur se në anglisht, lexuesi mund të hapë ndonjë video çfarëdo në YouTube dhe ta dëgjojë origjinalin me përkthimin e Nolit përpara. Mbetet po aq mister se përse kemi “Annabel” me dy “n”, por “Li” dhe jo “Lii”.

Dy çështjet e mësipërme i mësova vetëm kur mora në dorë antologjinë. Fillimisht, që kur pashë në rrjete sociale njoftimin për botimin e antologjisë, më joshi veçanërisht vargu i Pjetër Bogdanit: “Veshun me diell, mbathun me hanë”, që jepet në titull të antologjisë. Ky është vargu 12 i poezisë që i kushton Bogdani Sibilës së Libisë (Cuneus Prophetarum, Shkalla IV, Ligjërata III, Sibila Libika)[3]. Poezia e plotë përfshihet edhe në faqen 13 të antologjisë Marku 2023. Ishte ky varg arsyeja fillestare për të shkruar këto radhë.

Me vargun e mësipërm të Bogdanit dhe mënyrat e ndryshme si është përdorur vargu jashtë kontekstit është marrë shkurtimisht Arb Elo, i cili edhe ka shkruar dikur një artikull në Peizazhet e Fjalës (gjendet këtu). Me të drejtë Arb Elo shpjegon se vargu i shumëpërmendur i Bogdanit haset në formën më të hershme të tij në Dhiatën e Re, në librin e Zbulesës, kreu 12, vargu 1, më pas rimerret disa herë nga Ismail Kadare, nga ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, si edhe nga vetë Rudolf Marku, në një intervistë të para disa viteve. Arb Elo përkthen edhe disa vargje nga Zbulesa, kreu 12. (Teksti i plotë i kreut në gjuhën shqipe, botim i Shoqërisë Biblike Ndërkonfensionale të Shqipërisë, gjendet on-line këtu.)

Në fillim duhet thënë se vargu i cituar në titull të antologjisë ka një ndryshim nga ai i origjinalit. Shohim në ballinë: “Veshun me diell, mbathun me hanë”, kurse në vargun 12 të poezisë kushtuar Sibilës kemi: “Me dielli veshun’, e mbathunë me hanë”. Qartazi, rendi dhe drejtshkrimi ndryshojnë, por në parathënie, në tekstin shoqërues të poezisë së Bogdanit dhe në pasthënie nuk jepet ndonjë shpjegim për këtë ndryshim.

Para se të mbërrijmë tek arsyeja pse po i referohem kësaj fraze, vlen të shohim, më parë, kontekstin brenda të cilit e ka përdorur Bogdani vargun dhe poezinë kushtuar Sibilës së Libisë. Cuneus Prophetarum ase Çeta e Profetëve (Padova, 1685) është, thënë thjesht, një tekst i katekizmit të gjerë, përfunduar nga peshkopi Pjetër Bogdani që më 1675. Vepra është shkruar shqip e më pas përkthyer në italisht e latinisht, gjegjësisht sipas nevojës së tekstit, duke u faqosur e shtypur në dy kolona (majtas latinisht, djathtas shqip)[4]. Synimi i veprës është të forcojë besimin e krishterë të arbërve në Ballkan, teksa trysnia osmane nxit konvertimin e tyre në islam. Fillon me shpjegime doktrinore mbi Perëndinë trinitare, përshkruan krijimin e botës, përmbledh jetët e profetëve të Dhiatës së Vjetër, u referohet dhjetë sibilave të botës klasike, përshkruan zënien dhe lindjen e Virgjëreshës Mari, zënien dhe lindjen e Jezu Krishtit, referon mrekullitë dhe mësimet e Krishtit, dënimin, kryqëzimin, ngjalljen, zbritjen e Shpirtit të Shenjtë, Gjyqin e Fundit dhe Antikrishtin. Është, thënë shkurt, një tekst funksional dhe udhëheqës për çdo besimtar të krishterë.

Ndryshimi i vetëm me çdo katekizëm të zgjeruar të ditëve të sotshme është pjesa ku u referohet sibilave, këtyre figurave të botës antike, të cilat, sipas traditës pagane, qëndronin pranë një tempulli dhe kishin funksionet e orakullit. Mënyra si u futën sibilat në mësimin e krishterë është, po ashtu, fort interesante. Të parët i përdorën sibilat në veprimtarinë e tyre judenjtë, të cilët, duke dashur të përligjnin besimin e tyre brenda botës klasike pagane, diku nga shek. II para Krishtit falsifikuan tekste orakullore dhe i paraqitën si të thëna nga sibilat. Pas tyre, në periudhën paleo-kristiane sibilat u huazuan edhe nga të krishterët, të cilët vendosën në gojën e sibilave tekste që parathoshin ardhjen e Krishtit dhe, vetvetiu, kërkonin të bindnin paganët se krishterimi ishte parashikuar edhe nga këto figura pagane, ndaj duhej të konvertoheshin në krishterim. Kjo traditë ra në harresë atëherë kur krishterimi u kthye në besim mbizotërues në botën e antikitetit të vonë dhe s’kishte mbetur më pagan për t’u bindur. Sigurisht, imazhet e tyre nuk u harruan, por nuk ishin më pjesë e teologjisë apo e katekizmit të përditshëm. Mbeten figura të së shkuarës që, për hir të traditës, renditen mes figurave të Trinisë dhe shenjtorëve të Kishës, pavarësisht se janë “profetesha” të shpikura.[5] (Këtu vlen të përmendim edhe paralelen tjetër se edhe filozofët klasikë, si Sokrati, Platoni, Aristoteli etj., përmenden si “të krishterë përpara Krishtit”, duke pohuar se mendimet e tyre, ndonëse pjesë e botës pagane, nuk bien ndesh me krishterimin, por edhe duke pranuar se krishterimi ka fuqi prapavepruese, gjen të krishterë atje ku i duhen.)

Është e qartë se për cilin person e ka fjalën kreu 12 i Zbulesës së Joanit, njëherazi dhe poezia e Bogdanit për Sibilën e Libisë. Për të mos lënë hapësirë për asnjë keqkuptim, po e përmbledh shkurt. Personi “me dielli veshun’, e mbathunë me hanë” është Virgjëresha Mari, ajo që lindi Jezu Krishtin. Tek Bogdani, vajza Mri meriton të lavdërohet prej sibilës, pasi Jezui, biri i saj, shëroi të verbrit, shurdhët, memecët dhe të çalët. Më pas judenjtë bënë fjalë të mos e linin Jezuin të qetë. Ndërsa sipas tekstit biblik, biri i Marisë është shpëtimtari i kombeve, kurse vetë Maria është ajo që, sipas Zbulesës, kreu 12, bëhet pengesë e lumit që del prej gojës së dragoit, lumë i cili synon të përpijë besimtarët. Kësisoj, Maria është edhe lindësja e Shpëtimtarit, edhe mbrojtësja e besimtarëve. Më pas, për këto veti Shën Maria nderohet në mënyrë të përveçme mes shenjtorëve, i këndohen himne, i përkushtohen ikona, afreske, mozaikë e statuja, i kushtohen tempuj të krishterë (vetëm në traditën e Kishës së Lindjes dhe të Kishës së Perëndimit, jo nga kishat e pas Reformës), teksa emri i saj vijon të përdoret sa brenda traditës së krishterë, aq edhe krejt spontanisht, pa pasur ndonjë synim fetar të çfarëdollojshëm.

Në faqen 12 përpiluesi i antologjisë thotë para poezisë së Bogdanit: “Poezia e mëposhtme vazhdon të më mahnitë, sidomos me dyvargëshin ‘Me Diell veshun e mbathune (sic!) me Hanë’, njëri ndër vargjet më të bukur të poezisë shqipe”. E para, kemi të bëjmë me një varg të vetëm, jo me dy, qoftë në botimin kritik të A. Omarit, qoftë në botimin që jepet në antologji. Më tej, me sa duket, antologuesi nuk është në dijeni se nuk kemi të bëjmë me një varg (apo dy vargje?) origjinal të Bogdanit dhe, siç vë re edhe Arb Elo në artikullin e cituar më sipër, jemi përpara një përkthimi. Ndërkaq, antologuesi na jep një sugjerim të këndshëm turistik në pasthënie, në fq. 329: “[…] edhe poezitë e njohura të Pjetër Bogdanit për Sibilat kanë ngjashmëri me afresket e Mikelanxhelos në Capella (sic) Sistina të Shën Pjetrit, në Romë”. (Për t’u saktësuar këtu se duhet shkruar “Cappella” kur shkruhet në italisht dhe se kapela në fjalë është pjesë e Pallatit Apostolik dhe pjesë e itinerarit të Muzeve të Vatikanit, kurse emrin e Shën Pjetrit e mban vetëm bazilika papale e qytetit të Vatikanit, si dhe sheshi përpara saj.) Është mjaft interesant informacioni që na jep A. Omari në botimin kritik, në faqen pas riprodhimit të gravurës së 10 sibilave. Aty referohet një punim i Luigji Marlekaj[6], i cili shpjegon se sibilat paraqiten, sipas dëshirës së Bogdanit, me veshje tradicionale shqiptare e serbe, si dhe emërtohen me një toponim ballkanik, ku Sibila Libica riemërtohet Sibila Scodrensis (Sibila e Shkodrës). Qartazi, të paktën në aspektin vizual kemi të bëjmë me një përpjekje të Bogdanit, fort larg Mikelanxhelos, për t’u dhënë besimtarëve një arsye më tepër që të mos largohen nga krishterimi, teksa edhe sibilat jo vetëm profetizojnë Krishtin, por dhe lidhen figurativisht me viset arbërore. E fundja, teksa gjithë Mesdheu dhe Ponti kanë sibila, pse të mos ketë Ballkani?

Mbyll shtjellimin e argumenteve dhe i kthehem çështjes kryesore të këtij shkrimi, titullit “Veshun me diell, mbathun me hanë”. Si shërben ky titull për të lidhur poetët e periudhës së shek. XVI-XX me ata të pasluftës, sa organike është lidhja mes tyre dhe çfarë funksionaliteti ka? Pa lënë mënjanë respektin për kontributin e gjithkujt, atë ndaj njeriut dhe ndaj krijuesit njëkohësisht, nuk mund të anashkalojmë faktin se autorët e letërsisë së realizmit socialist, me gjithçka nënkupton etiketimi, levat e ndërgjegjshme të diktaturës së proletariatit, janë përngjasimi më i pavend i vajzës Mri (lexo: virgjëresha Mari), më të papërshtatshmit për t’u veshun me diell e mbathun me hanë. Përzgjedhja e poezive është krejt subjektive, thotë antologuesi në pasthënie, u nënshtrohet shijeve dhe ka zgjedhur ato poezi që përfaqësojnë më mirë secilin autor. Kjo antologji është edhe kujtesë për mosarritjet, për atë çka lë pa përfshirë, thotë autori i parathënies. Me të njëjtat parime, kushdo mund të antologojë, me mendje apo me shkrim, shi ato poezi të autorëve real-soc të kësaj antologjie, që i thurin vargje Partisë, diktatorit, diktaturës së proletariatit, luftës së klasave etj., sepse ato e përfaqësojnë më mirë. Madje, bashkë me emrat e autorëve përkatës, ndonëse nuk përfshihen, barten edhe ato poezi për Partinë, diktatorin, diktaturën e proletariatit, luftën e klasave, etj. Letërsia e realizmit socialist “veshun me diell, mbathun me hanë”. Vajza Mri.

Në parantezë, më bën përshtypje tek parathënia e prof. Bashës heqja e emëruesit të përbashkët: gjuha shqipe bashkon etërit katolikë (pra, Budi e Bogdani) me poezinë bashkëkohore shqipe. Nuk kundërshtoj pohimin në parim, mirëpo, a është e nevojshme të vëmë në dukje se, përveç çështjeve të mirëfillta estetike-letrare, duhen përmendur edhe ndryshimet ideologjike mes prekursorëve dhe pasardhësve? Nuk po sugjeroj se emri apo vepra e aksh autori të real-socit duhet shoqëruar me shiritin: “Kujdes! Autori ka krijuar në periudhën e realizmit socialist si bartës i idealeve të kohës.”, por teksa theksojmë të përbashkëtat, mendoj se është e nevojshme të dallojmë dhe ndryshimet. E ku tjetër, veçse në një antologji, mund të bëhej kjo?

Në kohëra të tjera, kur për fe dhe tekste fetare nuk mund të flitej hapur, përmendja e fragmentit të një teksti fetar mveshur me atribute të mëvetësishme letrare mund edhe të përligjej si një lloj “kriptokrishterimi” a “kriptofetarie”. Po sot, ç’funksion ka metoda kriptike, gjithmonë nëse është e tillë? Është e ndërgjegjshme apo krejt rastësore?

Ata prekursorë të poezisë e gjuhës shqipe – etër të kishës katolike – me shumë më shumë elegancë në artikulim, s’do ta kishin bërë këtë lidhje fantastike mes poezisë shqipe, sibilave të konvertuara në krishterim dhe Shën Marisë, mëmës së Jezu Krishtit. Vërtet na lanë gjuhën, por s’na lanë, domosdo, mendimin. E meqë jemi tek Maria që lindi Jezuin, kjo poezia shqipe “me dielli veshun’, e mbathunë me hanë”, çfarë lindi?

Të kesh jetuar e menduar, punuar e shkruar gjatë periudhës së realizmit socialist në Shqipëri nuk përbën, në vetvete, asgjë të keqe. Ama të riciklosh mendësitë dhe praktikën e punës ende sipas metodës së real-socit, 33 vjet (ç’simbolikë vitesh!) pasi ajo periudhë është, zyrtarisht, e mbyllur, do të thotë se ajo periudhë nuk është e mbyllur. Njeriu i ri socialist vijon të marshojë përpara në çdo fushë të jetës!

Shtojcë

[Për kureshtje të lexuesit, sjellim poezinë kushtuar Sibilës së Libisë, sipas transkribimit në botimin kritik përgatitur nga prof. Anila Omari.]

Cuneus Prophetarum, Shkalla IV, Ligjërata III

Sibila Libika

Sibila Libika shkruen mrekullitë Krishtit, si dha të pamitë t’verbënet, të ndëgiuemitë t’shurdhunet, të folëtë memecavet, e t’ecunitë t’shkjepunet, ndë vjersh posi ndjek.

Si nieri po vjen, ndër nierëz dvekëtar,
me dvekunë, e me mortè vet me shëlbuem
shekullin’; e mëngjī lëngimevet pa bar
dritë syvet e veshëvet të ndëgiuem,
t’shkjepunet t’ecunë dërejt, pa pag, as ar;
idhujit’ e mortnë nesh, jashtë me dvuem.
Nji bir të vetëmë, qi ama e pat për mall
së dvekuni ja kthej e n dorë ja dha gjall.
Me dielli veshun’, e mbathunë me hanë,
me yj kryetë rreth ngjeshunë kunorë
vajza Mri, e bukura ma fort se zanë,
djalinë Jezu kërthi mbaj ngrykè ndore.
Për cmir ani jevrejtë me të pëganë,
tu kujtuem keq me kuvend për gjith’herë,
zunë fill djalinë Jezu fort me përzanë:
as vend ndë dhet e pushim me mos i lanë.

 

[1] Në fq. 9 shekujt shënohen “XVI-XX”, kurse në tabelën e përmbajtjes shënohen “XVII-XX”. Me gjasë varianti i parë është i drejti, teksa Pjetër Budi ka lindur më 1566.
[2] “Veshun me diell, mbathun me hanë – Antologji e poezisë moderne shqipe”, fq. 5.
[3] Pjetër Bogdani, Cuneus Prophetarum (Çeta e profetëve), botim kritik përgatitur nga Anila Omari, Tiranë 2015 (botim i dytë).
[4] Shih botimin kritik nga Anila Omari, referuar më sipër.
[5] Për këtë interpretim të sibilave në krishterim shih: https://www.newadvent.org/cathen/13770a.htm (konsultuar për herë të fundit më 30 mars 2023).
[6] Luigi Marlekaj, Pietro Bogdani e l’Albania del suo tempo, me riprodhim fotografik të 132 dokumenteve, Bari 1989, fq. 134.

2 Komente

  1. Një parashtrim i gjerë dhe i thellë kulturologjik, më se shkencor, më se filologjik, që të jep kënaqësinë e shijes diturake të kulturës së lartë intelektuale!

  2. Une kete varg e kuptova si: veshur ne te gdhire, e ngrysur ne tesha. Nje lloj rituali fetar, apo fillim e mbarim, omega e alpha. Nuk me duket se ka lidhje me poezine shqipe, as ne tingull e muzikalitet. Fryhen bulcinjte, por leshojne edhe pordhe ndonjehere. Shume zhurme per asgje.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin