VESHUR ME DIELL, MBATHUR ME HANË

Nuk do e kisha marrë mundimin për të shkruar saktësimin e mëposhtëm, së pari, sepse lajthitje të tilla më ndodhin vetë me shumicë, së dyti, ngaqë do të vë re një të tillë edhe te një shkrimtar që e kam për zemër, Kadarenë në këtë rast, dhe, së fundmi, ngase vërejtje të tilla nuk është se janë medoemos të nevojshme, aq më tepër kur janë vetëm detaje anësore të një vepre që qëndron fare mirë edhe pa to.

Mirëpo në rastin në fjalë, lajthitjen fillestare e gjej të shumëfishuar e të marrë për të mirëqenë edhe nga lexues e admirues të shumtë të Kadaresë, e gjej në fjalën e presidentit Nishani kur i jepet »Dekorata e Flamurit Kombëtar« shkrimtarit vitin që shkoi, e gjej në parathënien e shkruar nga Kadareja librit të gazetares Eni Vasili »Unë kam vrarë«, e gjej në librin e fundit të mjeshtrit »Mëngjeset në kafe Rostand«, e gjej në një shkrim të Rudolf Markut, e gjej në blogun e një mikut tim, admirues i thekur ky, si edhe unë vetë, i shkrimtarit tonë të shquar, e dëgjoj në biseda me miq e mikesha si fakt të kryer, ndërsa së fundmi ma dërguan me e-mail bashkë me vargje të tjera në shqip për hijeshinë femërore.

Lajthitja rrezikon të shndërrohet në legjendë urbane letrare pra, ndaj edhe nevoja për këtë saktësim.

Shkruan Kadare në »Mëngjeset në Kafe Rostand« (fq. 127), në pjesën e titulluar »Zonjat e vogla të letërsisë shqipe«:

(…) Si në një serial vetëtimash, një perlë e një tjetër poeti, Pjetër Bogdanit, përbën një nga kulmet botërore në portretizimin e hijeshisë femërore:

Me diell veshun, mbathun me hanë…

Ndërsa në parathënien e librit të Eni Vasilit »Unë kam vrarë« Kadare shkruan:

(…) Sfida të tjera, siç ishte sublimimi i pa asnjë kufi, i bukurisë femërore, qysh në mesjetën e vonë (portretizimi i famshëm i femrës shqiptare prej Pjetër Bogdanit »veshur me diell, mbathur me hanë«, për të dhënë vetëm një shembull, do ta vërtetonte këtë.

Thotë Bujar Nishani në fjalën e tij me rastin e dhënies së dekoratës së Flamurit Kombëtar, me gjasë duke cituar vetë shkrimtarin:

(…) Duke përfunduar me lejoni t’i bëj homazh paraardhësit të hershëm të Ismail Kadaresë, Pjetër Bogdanit, të huazoj vargjet e tij për të thënë se letërsia shqipe falë Ismail Kadaresë ngjan kudo e kurdo »veshur me diell dhe mbathur me hënë«

Shkruan Rudolf Marku për gazetën MaPo:

(…) Sa për veten time, mendoj se është rasti që të rrëfejë një mëkat timin: sa më tepër jam njohur me poezinë moderne të kohërave tona, aq më shumë kam jetuar dhe jetoj në atë gjendjen e mahnitjes e të admirimit për një varg poetik të Pjetër Bogdanit tonë, një varg poetik që ka vlerën e një Antologjie të tërë  poetike: “veshur me diell e mbathur me hanë” (…)

Nëse ky ortek keqkuptimesh vijon kësisoj, ka shumë të ngjarë që vargjet e Bogdanit të interpretohen kështu në shkolla, të zënë vend në tekstet e librat aty, të merren pra të dhëna e ndaj është për të ardhur keq që saktësimin që vijon e bën dikush që nuk është as studiues i Bogdanit, as nuk ka ndonjë lidhje profesionale me letrat dhe as nuk shquhet si njohës i hollë i Biblës. Nuk është se duhet edhe ndonjë erudicion sipëror për të ardhur në përfundimin se vargjet në fjalë nuk i kushtohen as hijeshisë femërore e as femrës shqiptare, por janë një përkthim thuajse fjalë për fjalë, në mos citim, nga libri i fundit i Biblës, nga Besëlidhja e Re, Zbulesa.12 (Gruaja dhe dragoi* përkthimi është i shkruesit):

1  Pastaj një shenjë e madhe u duk në qiell: një grua e veshur me diell dhe e mbathur me hënë dhe mbi krye një kurorë me dymbëdhjetë yje.

2  Ishte shtatzënë e bërtiste nga dhimbjet dhe mundimet e lindjes.

3  Dhe u duk një shenjë tjetër në qiell: dhe ja, një dragua i madh i kuq, që kishte shtatë koka e dhjetë brirë, dhe mbi koka kishte shtatë kurora.

4  Dhe bishti i tij tërhiqte pas vetes një të tretën e yjeve të qiellit dhe i hodhi ato mbi tokë. Dhe dragoi qëndroi përpara gruas që ishte gati për të lindur, për të gllabëruar birin e sa,j kur ky të kishte lindur.

5  Dhe ajo lindi një bir mashkull, i cili duhet të udhëheqë të tëra kombet me skeptër të hekurt; dhe biri i saj u rrëmbye pranë Zotit dhe fronit të tij. (…)

Nuk më takon mua të gjykoj as për hijeshinë e përkthimit të Pjetër Bogdanit e as për rëndësinë e tij për gjuhën tonë; por, sidoqoftë, nuk më duket se figura e gruas te Gjoni ka ndonjë lidhje me hijeshinë femërore, apo femrën shqiptare në Mesjetë. Nuk më ngjan gjithashtu, po të lemë mënjanë aftësinë e përkthyesit e shqipërimin si të tillë, se kemi të bëjmë këtu me ndonjë perlë poetike të Bogdanit, veç në qoftë e tillë ajo e Gjonit.

Pa shumë lidhje me temën, por sa për t’i dhënë një ngjyrim lojcak e trivial interpretimit të pjesës së cituar më lart nga Zbulesa: ka një teori kijameti të radhës për momentin, nga ato të fundit të botës që përfliten thuajse çdo vit, që gjen te figura e gruas së »veshur me diell e mbathur me hanë« yllësinë e Virgjëreshës, ndërsa dragoi është Nibiru, planeti fantazmë i shumë teorive konspirative. Më 23 shtator të këtij viti.

Për më tepër mund të gugllojë gjithsekush lehtë. Nëse interesohet për kijametin.

6 Komente

  1. Nuk janë thjesht keqkuptime. Është edhe ajo që quhet HYPE, një përftesë retorike që ia shton vlerën diçkaje deri në skaj, por që ka për efekt të tërheqë vëmendjen ndaj shkruesit – efekt karakteristik për BULLSHIT-in.
    Ka një numër autorësh që e bëjnë këtë sot, në letrat shqipe dhe në kritikën përkatëse; sepse kujtojnë se mund ta zëvendësojnë analizën ose argumentin me një komunikim të çfarë ndiejnë ata para një vargu a një teksti a kushedi ç’tjetër.

    E mrekullueshme! Gjeniale! E hatashme! Verbuese! E pakrahasueshme! E papërsëritshme! Unike! E kështu me radhë deri në velje. Një stil që kushedi do t’i shkonte bisedës në një klub, vjen e zë vend në diskursin letrar kritik të mirëfilltë.

    Kjo që thotë Rudolf Marku, bie fjala, se pasazhi në fjalë (“varg poetik” e quan ai – po se ç’dreqin është VARGU POETIK, këtë nuk e dimë), ky pasazh pra, “ka vlerën e një antologjie të tërë poetike.” Por kjo është në fakt fryrje. Asnjë varg, poetik a jo poetik, nuk mund ta ketë vlerën e “antologjie të tërë poetike”. Teksti thjesht sugjeron një imazh – duke iu referuar simboleve të stërpërdorura, si dielli dhe hana. Antologjitë poetike pritet që të përcjellin përmbajtje të tjera.

    Natyrisht, kritika ose komenti letrar kanë edhe subjektivitet – por unë nuk besoj se subjektiviteti, në vetvete, mund të zëvendësojë argumentin. Dhe as mund të zëvendësojë punën studimore që duhet t’u paraprijë shkrimeve të tilla – e cila punë a kërkim mund të na i kish kursyer.

    Për fat të keq, sëmundja e ka molepsur kritikën tonë dhe në përgjithësi diskursin kulturor refleksiv; deri në atë shkallë sa shumë lexues të besojnë se për kulturën mund të shkruhet vërtet kështu, duke u eksituar pa arsye, duke ulërirë e duke i tërhequr mëngën lexuesit, ose duke zbuluar vlera të pagjasa atje ku këto vlera nuk janë, ose – më keq akoma – pa u munduar të verifikosh se çfarë po thua.

    Nuk dua të përmend emra. Por raftet e librarive i gjen të mbushura me kësi veprash.

    Kur vjen fjala për Bogdanin, ky i tërheq si magnet keqinterpretimet, për shkak të natyrës së veprës së tij (një kritik dikur e quante “Çetën” si “romanin e parë shqiptar”); edhe pse shumë nga ata që flasin në publik për tekstet e këtij autori NUK E KANË kompetencën e nevojshme për t’iu qasur një vepre të letërsisë kishtare të shekullit XVII. Për këtë arsye, një referencë e thjeshtë intertekstuale ndaj Biblës, si kjo e sjellë nga Arb Eloja, mbulohet me lavdërime të tepruara, si të ishte një kulm poetik. Invece no.

  2. Thotë Floberi: Mos e prek idhudhin tend se të bën duart pis.

  3. Me vargjet e sjella me siper dallon ashiqari ai mesim shkolle mbi lindjen e krishterimit si sinteze e konfliktit te gjate te kultit te diellit me ate te henes, pra bashkimi i ithtarve te te dyja feve tek Krishti, i cili me vone perqafoi perhere e me teper trinitetin, rryme kjo gjithashtu mjaft e vjeter ne disa fe. Lindja e krishterimit eshte e ngjashme me lindjen e shume feve te tjera te meparme dhe ne vende te tjera; dhe s’ka si te jete ndryshe, perderisa fete lindin nga njeriu. Femra ne simbolet fetare perfaqson vete fete, pra perfaqsuesit fetare, te cilet aso kohe (nga lashtesia egjyptiane e deri ne mesjete) ishin drejtuesit e shoqerive te ndryshme; pra femra perfaqson keshtu drejtuesit, ne nje kuptim: edhe mbreterit e kohes, si perfaqsuesit e Zotit (te caktuar, Diellit, Henes, etj.) ne toke. Jo te gjithe fetaret (prifterinjte etj.) i dinin keto simbole, por duket vetem nje pjese e tyre, ata me te leciturit. Kadareja nuk e ka ditur kete gje, si 99,99% e njerezve te globit, ndaj dhe ai e ka thjeshtesuar kete simbol me vete femren konkrete, aq me teper qe edhe vete femres i jane veshur ne vargje popullore emertimet e diellit dhe sidomos henes.
    Shkrimi eshte mjaft interesant, sepse sjell dicka te re.

    1. r.th.,

      Shkruani: … jo të gjithë fetarët i dinin këto simbole… (…)… si 99,99% e njerëzve të globit.

      Nuk është me tamam kështu: citimi këtu nga Bibla është një nga pjesët më të njohura të saj. Ndoshta në Shqipëri njerëzit e thjeshtë – meqë ne nuk njihemi tradicionalisht si fetarë – ka fort të ngjarë të mos i njohin mirë librat e shenjtë, porse në Amerikë e gjëkund tjetër lajthitja që kam përfolur në shkrim do të ishte vënë re nga shumë lexues nën mesataren. Nuk bëhet fjalë këtu për apokrifët, fjala vjen, apo librin e Enokut, por për një nga pjesët më të cituara në historinë e njerëzimit.

      Është afërmendsh për dikë që ka vendosur të merret me Bogdanin, të ketë më së paku dijeni elementare për doktrinën e krishterë; të paktën kështu e mendoj unë këtë lloj qasjeje. Mjafton të gugllosh me “veshur me diell…” e do të dalin 4 milion e gjysmë përgjigje, të gjitha me citimin në fjalë nga Zbulesa.

      Mirëpo, me sa duket, edhe këtë verifikim mëse të thjeshtë të lartpërmendurit nuk kanë marrë mundimin ta bëjnë.

  4. I ndjeri Ibrahim Rugova ka pas bere nje studim integral te vepres se Bogdanit. Jam kurioz te di nese edhe ai ka rene ne kete lajthitje etnocentrike. Ndokush qe ka informacion per trajtesen e z.Rugova mund te na hedhi pak drite.
    Pas “vitit shtatembedhjete” te Majakovskit, doli dhe kjo pasaktesia tjeter e IK. Por ne gjithe ate pune voluminoze, nuk eshte ndonje pataksi. Edhe idhujt lajthisin nga nguti (Kohe e pamjaftueshme) dhe glorifiķmi te shkuares.

    1. Edhe unë besoj se kjo as ka të bëjë me Kadarenë si autor, as ia cenon reputacionin – por, nga ana tjetër, lloji i gabimit në vetvete dhe mënyra si ai mbijeton ose përhapet meritojnë vëmendje; sepse flasin shumë për llojin e kulturës që (kujtojmë se) kemi.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin