KUNDËR BIOGRAFIZMIT

Behar Gjoka shkruan për efektet e mbrapshta të qasjes biografiste në vlerësimet dhe studimet letrare: biografizmi është kthyer në mallkim, në nojmë shkatërrimtare, thotë. Madje parimi i verifikimit biografik “bëri që të krijohen gjasat e një historie të përjashtimit, mbase një historie të dosjeve, jo të teksteve letrare.”

Drejt dhe në kohën e duhur. Zhbirimi në jetët e shkrimtarëve që monizmi trashëgoi nga e shkuara ua hoqi disa prej këtyre librat nga rafti dhe emrat nga historitë e letërsisë dhe të kulturës; paralelisht me fatin e atyre që monizmi i gjeti gjallë, dhe që i eliminoi edhe fizikisht, duke i internuar, burgosur dhe pushkatuar. Si të mos mjaftohej me përndjekjen e veprave të padëshiruara, regjimi u ndërhyri autorëve edhe në biografi, për t’ua masakruar dhe rishkruar.

Nga njëra anë kemi vepra të syrgjynosura; nga ana tjetër, shkrimtarë të persekutuar – si pjesë e një qasjeje higjienizuese ndaj kulturës. Këtij higjienizimi le t’i shtojmë edhe historinë e terrorit totalitar ndaj artit dhe letërsisë, që prodhoi viktima edhe në njerëz edhe në tekste. Prandaj edhe ata që sot rreken të rikthejnë në vëmendje viktimat e këtyre spastrimeve dhe higjienizimeve gjithnjë do të tundohen që t’u japin përparësi njerëzve ndaj teksteve: nuk i bën dot me faj.

Por biografizmi vazhdon të bëjë dëme. Gjoka përmend pasionin – voyeurist – të disave me dosjet; këta adhurues të dosjeve, siç i quan ai, e kanë perfeksionuar artin e qëmtimit të plehrave, madje deri atje – do të shtoja unë – sa ta kenë kthyer, në ndonjë rast të lumtur, materialin “hetimor” në një lloj letërsie sui generis, në mos në një procesverbal të pavetëdijes së kulturës totalitare. Sa më e trashë dosja, aq më e madhe lavdia.

Dhe dëmet nuk ndalen këtu. E dukshme mbetet prirja për ta vlerësuar krijimtarinë e trashëguar në bazë të profilit biografik të autorëve – përfshi këtu edhe ata autorë që kanë pasur fatin e hidhur të përndiqen prej regjimit. Vijojnë të botohen dhe të lëvdohen tekste pa ndonjë vlerë letrare, vetëm ngaqë autorët e tyre janë përndjekur; lexuesit i sillen si kryevepra krijime ndonjëherë infantile, ndonjëherë tjetër mediokre – duke e pështjelluar. Në qoftë se pranojmë se deri edhe shërbëtorët besnikë të regjimit të Hoxhës kanë krijuar letërsi dhe art me vlerë, le të pranojmë edhe të kundërtën – se mes armiqve të atij regjimi (armiq që ai regjim shpesh i prodhonte vetë) ka pasur njerëz pa talent.

Argumenti është i njëjtë me atë që sjellim, kur duam të shkoqitim raportin mes profilit moral dhe talentit artistik, për të nxjerrë përfundimin se mes këtyre nuk ka ndonjë lidhje të spikatur. Edhe në ato raste të rralla, kur një autor i njohur i është kundërvënë regjimit për arsye parimore, kjo do marrë si provë virtyti dhe integriteti, por jo doemos talenti; që regjimi i ka hedhur prangat dikujt që EDHE shkruante, kjo nuk ia ndryshon gjë vlerën intrinseke teksteve dhe dorëshkrimeve që la ky pas. Për arsye të ngjashme, dosja që mund të ketë pasur ky ose ai autor, nuk mund t’ia modifikojë dhe aq më pak t’ia rithemelojë veprën.

Shqetësimi i Gjokës për biografizmin do dëgjuar edhe më gjerë: dhe pikërisht te prirja e sotme për protagonizëm të autorëve, të vjetër e sidomos të rinj, në kurriz të veprës së tyre. I shohim ca autorë në evente, takime, qoka, festivale, prezantime, studio televizive e kudo gjetiu, duke folur për veten dhe miqtë e tyre, ndonjëherë shaluar mbi librin e tyre të parë; në përqafim entuziast me establishmentin, dhe përballë një publiku që ua njeh emrat dhe fytyrat, por veprën nuk ua lexon. Ja pra efekti tjetër i biografizmit: ai i shkrimtarit pa vepër, ose i shkrimtarit si vepër.

Një efekt që nuk prek vetëm të sotmit, dhe as vetëm të rinjtë, por që shtrihet hap pas hapi edhe në të shkuarën. Kush ka kohë të lexojë veprën, kur mund të argalisemi nga një konferencë në tjetrën, “kushtuar” jetës së autorit përkatës, me foto nga jeta e tij, filma dokumentarë dhe dëshmi arkivore? Kush ka kohë të merret me veprën e Kadaresë, kur mund t’ia lexojmë këtij dosjen dhe të shohim se kush e ka spiunuar dhe kush e ka “mbrojtur”? Kush ka kohë të lexojë vargjet që ka lënë pas një poet fatkeq, i persekutuar dhe i shurdhuar nga regjimi, kur jeta e tij na ofrohet prej establishmentit në korniza hagjiografike? Çfarë shansi ka Lahuta e Fishtës, përballë rrëfimit se poetit ia prishi varrin regjimi i Hoxhës?

Dhe kështu qëllon që letërsia e dikujt të katandiset në një shtojcë (opsionale) të jetës së tij dhe veprat të vlejnë para së gjithash si ilustrime, kryesisht për t’u ekspozuar në shtëpinë e tij muze, ose gjatë ndonjë “eventi” përkujtimor të organizuar nga shteti. Gjithnjë më ngjallin pikëllim ato vepra, të nxjerra nga fondet e ndonjë biblioteke publike, me gjithfarë vulash dhe ngjitësesh, me kopertina të dala boje; të vjetruara por jo nga leximi – çfarë do të ishte pleqëri e mbarë për një libër – por nga lagështia, pluhuri dhe myku. Më ngjajnë me eshtrat, që gjejnë ndonjëherë në katakombet, por pa ua identifikuar dot “të zotët”. Kështu e shoh efektin më kobtar të biografizmit: shndërrimin e letërsisë në eshtra që ilustrojnë zhvarrimet.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin