GJURMIMET E DETEKTIVIT FAKIR KONICA

nga Idlir Nivik

1.Gjurmësi

Ky tregim ka vite që më gërryen shpirtin. E kam rrëfyer disa here më parë; por më bëhet se çdo herë ia nis nga fillimi. Në fakt, është çudia ime që ia nis nga e para. Njerëzit e marrin këtë për “llojisje”. Pra si shenjë të pavdekshmërisë së shpirtit. Ka të bëjë ca me mënyrën si, papritur, mendohem me vete, teksa rrëfej historinë. Që në thelb mbetet pak a shumë e njëjta; e versionet ndryshojnë sa produktet e qumështit në varësi të përqindjes së ujit në to. Edhe rifillimi i përsiatjes mbi këtë ngjarje ka të bëjë me vramendjet e viteve të fundit. Sepse jam gjurmës. Zakonisht thuhet “detektiv privat”. Diçka e tillë jam dhe unë, se nuk punoj për shtetin. As nuk kam punuar kurrë për të. Sepse shteti as nuk më njeh. Në radhë të parë, termi “gjurmës” s’bën të zhgënjejë njerëzit. S’kam fare tiparet e hetuesve policeskë, që kanë bërë traditë si pishtarë në qiellin e zi të ecejakeve njerëzore. Ndryshe nga detektivët heronj të librave dhe filmave, nuk punoj për para; as nuk bëj favore. Angazhimi që marr përsipër, niset thjesht nga fakti se duhet të lëviz, sa të justifikoj ekzistencën.

Më quajnë Fakir Konica, detektiv i të humburve. Njerëzit më thërrasin të vihem në kërkim të jetës së tyre. Gjurmoj vetëm ngjarje që priren të zhduken përfundimisht. Një ngjarje i paraprin përherë rrëfyesit, sikundër Meka ish vend pelegrinazhi qysh para Muhametit. Unë gjurmoj gjithçka që humbet njëherë e mirë e përfundimisht në historinë tonë zyrtare. Humbje të tmerrshme këto, duke llogaritur lashtësinë e vendit. Ka shumë të humbur këtu përreth. Çdokush rreket fort të triumfojë, sepse vendi vetë bëhet përherë e më i lashtë. Kjo lashtësi bymehet aq shumë, sa e afron turirin ngjitur me ninëzën e syrit. Mua vetëm fukarallëku themelor më ka shpëtuar pa u përplasur verbazi me këtë surrat gjigand. Vetë unë, ose të paktën emri që kam, jam e është krijesë këngësh. Si çdo gjë tjetër në këtë vend, sajë mungesës së kureshtjes, ne ulemi i këndojmë çdo çast asaj çka ikën e parrokur nga mendja aq e shëndoshë. I tillë është dhe çasti i vërtetë i ngjizjes sime. Bëhet prapë fjalë për ngjizjen e emrit tim; jo timen si krijesë, si fetus që rezulton në fëmijë.

Ja pra ku nuk kam lindur ende: jam një i palindur. Ende nuk jam tamam, si me thënë. Kjo më ve në një pozitë barazie absolute, ndryshe nga gjithçka që ekziston bujshëm në vendin tonë. Veç të vdekurit dhe ende të palindurit janë në gjendje ta jetojnë këtë lloj barazie. Në këtë mënyrë ia lejoj vetes të flas për tim atë. Tashmë që ia ka vdekur, e mund ta marr lehtë e shtruar, pa m’u turrur dot njeri. Nisur nga ajo barazia më sipër. Dhe, përmbi përkatësinë e tij si « babai im » del pa-anshmëria që përjeton ai në domenin e të vdekurve. (Në atë botë hijesh ai vendoset në të kundërt të babait të Hamletit). Dhe tjetër: duke folur për të në jetë, kur ai qe, unë as ekzistoja ende, sepse kam lindur kur ai nuk qe më. Si çdokush, as ai nuk arriti të hapte varrin e vet. Paçka se qe varrmihës me zanat, si dhe i ati. Për këtë arsye njerëzit e thërrisnin “fakiri”, e gjithë karriera e tij përmblidhej në hapjen e gropës së varrit të dikujt. Por gjithsesi bëhet fjalë këtu për një keqkuptim shekullar. Si për gjithçka në vendin tonë. Ai e kish reduktuar vërtet aktivitetin në përdorimin ekskluziv të dy veglave: kazmës e lopatës. Këto dy instrumente pune, që i përkisnin zbuluesve e kërkuesve të thesarit, ishin bërë me kohë pasioni i tij tërësor. Këto vegla ai i kish zhveshur nga çdo ngjyresë e tepruar sociale. I kishte ngritur në kulmin e tyre fizik, objektiv. Ndoshta për këtë arsye njerëzit e trajtonin si fakir. Doemos dhe për të kompensuar para varrmihësit frikën ndaj vdekjes. Ndërkohë që, tim ati, ato vegla i qenë bërë aq elementore, sa uji e ajri për këdo. E pikërisht këtij njeriu i kushtuan një këngë! Konsakrim i pamendueshëm ky për një fakir. Mandej, fakti që sfondi i kësaj kënge qëlloi të ishte dasmë, kjo sa i shton ironinë fakteve. Gjë që unë s’e analizoj dot, përderisa atë çast as që ekzistoja fare. Në këtë pikë iu ngjaj artistëve aborigjenë: ata nuk guxojnë të pikturojnë territorin të cilit s’i përkasin. E as do kisha ekzistuar, sikur të mos kish ndodhur kjo dasmë. Për më tepër që nuk ish dasma e tim ati. Ai ndodhej aty i pavënë re. (Këtë aftësi trashëgim e përdor unë tani për gjurmimet e mia). Festa dasmore e përfshinte edhe tim atë. Dasma duhet të jetë vetiu e gjerë – si bazamenti ku shtrohet e ardhmja. Tollovia që e shoqëron dasmën përsërit disi zhurmën e punës për ndërtimin e banesës. Kënga, mandej, ia heq kujtimin e mundit dhe punës. Djersa nën sqetullat e çiftit mbetet prapëseprapë. Por është më e ëmbël se e muratorëve. Me të çifti i ri puqet e krijon njëfarë peme brenda strehës së re. E në çastet e para të martimit, kjo strehë ngrihet ngadalë, në sytë e çiftit, e me lëvizjen e maces që lëpihet për t’u pastruar. Të themi që kjo kafshë tekanjoze dhe e ngeshme mbetet shkak kryesor për ekzistencën time, duket njëfarë nëpërkëmbje e universit thelbësisht njerëzor të evenimenteve, të mira apo jo, por që i garantojnë atij ekzistencën, për të cilën gjuha jonë spërdridhet veç për të na e treguar. Mirëpo, prapë mbetet kjo: që duke ndjekur një mace, im atë po shkonte, pa e ditur, drejt meje. Kështu, në atë dasmë, ku e kishin pranuar të merrte pjesë, pa e vënë re, pa ia varur, s’isha unë, por as ai. Dhe si ndodh këtu nëpër dasmë, të ftuarit flisnin për gjithçka që nuk ndodhte aty. Dasmorët gëlonin në diskutime e shkëmbime. Bisedat kërcisnin me zhurmë. Të ftuarit nuk dëgjonin praninë përkatëse aty, atë çast. Secili po vërtetonte me dell urrejtjen e të qenit apo të ndodhurit aty. Ballë këtij tipari të vetëm të shenjtë, që i ka mbetur kësaj ceremonie, askush nuk ndodhi ta vërente çastin kur nusja briti: i kishte humbur papritur unaza! Nuk e kish më në gisht rrethin. Paniku i plasi egërsisht jo vetëm në fytyrë, por në gjithë qenien, siç thuhet aq gabimisht. Nusja kishte humbur unazën, që deri atë çast e kishte bërë të padukshme. Asnjeri s’merrej me të. E padukshme në sytë e diskutantëve dasmorë. Atëherë nusja u gjend në pozitë të vështirë. Jo lakuriqe, si e do shprehja e urtë. Por mëse e dukshme tashmë, mu në mes të diskutimeve lakuriqe të dasmorëve. Brenda kësaj lakuriqësie pat ardhur çasti i triumfit të tim eti. Si personi me zanatin më të nëpërkëmbur, i kërkuan të kridhej në kërkim të unazës. Askush tjetër s’do pranonte të rrëmonte ashtu. Prandaj të dy krushqit i premtuan gjithçka do lypte, veç t’i shpëtonte nga kjo lakuriqësi familjare në mes të dasmës. Dhe ai i hyri mihjes e kërkimeve poshtë tavoline e kudo rreth. Varrmihësi i zonës po mihte tani, por në sipërfaqe, anash. Duke qenë aq pa rëndësi në “sytë e të tjerëve”, kishte kohën dhe ngenë e duhur të vërente detaje që gjithkush aty s’mund t’i perceptonte. Atëherë e kish vënë re se nusja e vështronte me bezdi, me krupë madje, peshkun që i kishin servirur në pjatë. Ajo e kapi peshkun nga koka e përtharë, vështroi pjesën e çarë të barkut, vijën e salcës së kosit në të çarën … E ngriti lart dhe e këqyri. Ndërsa dasmorët po grindeshin për radhën e valles. Aty për aty nisi grindja, se kush kish paguar orkestrën. Një pjesë e orkestrës nisi një melodi, ndërsa pjesa tjetër nisi një tjetër. Kjo befasi e tronditi nusen. Dora iu drodh, nëpër gisht unaza i shkiti brenda « sallcës » në të çarën e peshkut. Krisma e revoles së grindjes e tronditi dhe më. Peshku i shkau nga duart dhe ra drejt e në gojën e maces që vigjëlonte me kohë aty pranë. Kështu përfundoi unaza flori mes salcës së kosit me disa fragemente kastraveci. Mbi të u hodh si lakuriq nate macja e zezë. Kështu dasma u shndërrua në luginë. Ku sytë e dasmorëve hovnin si bletë të tërbuara. Sikur i filmuar prej atyre syve, im atë shpejt u përkul, u fut poshtë e nisi të rrëmonte sipërfaqen e dasmës. Njerëzit nuk reaguan. E pandehën këtë sjellje si tipike prej fukarai të gatshëm për të marrë një shpërblim ç’t’i dalë. Por ata s’kishin llogaritur një fukarallëk më të madh akoma. Sepse ai, kur iu turr pas peshkut në gojën e maces, që e tërhiqte ta konsumonte rehat nën një strehë, imazhit të tij i binte ashtu pas. Vetëm në këtë turr siguron njëfarë imazhi lypësi e pabukësi, ndërkohë që mbeturina, mbi të cilën hidhet, jeton çastet e fundit të imazhit të sendit nga rrjedh. E ndoqi peshkun instinktivisht. Tek ai peshk qenë mbledhur krejt copëzat e jetës së tij të pavëreshme. Me gishtin tregues drejt, ai u shtri barkas mbi cipën e dasmës, në kërkim të peshkut hajdut. Në këtë falje të improvizuar pa dashje, im atë duket lundronte në atë “ujë” për të cilin si Bibla e Kurani* ndanin opinion të ngjashëm. Një dritë duket i shpërtheu tim eti në sy. Dhe ai e dalloi macen që po mbytej me unazën në grykë. Macja kollej e gërrviste fytin për të nxjerrë andej unazën. Macja u koll sërish të nxirrte pengesën e florinjtë. Në vrullin drejt vetes, varrmihësi kuptoi se macja po burgoste në grykë imazhin e tij. E mbërtheu kafshën nga gryka. E shtrëngoi, e shkundi, e troshiti, si çdo popull që lufton për të drejtën e figurës së vet “në sytë e botës”. Ndërkohë, duke përfitur nga tollovia, të rinjtë lëshuan pa radhë muzikën e tyre, Two wrongs that make a right. Macja e volli ushqimin, me tingullin kh aq karakteristik. Cifla pështyme e peshku e salce hovën jashtë. Dielli vezulloi në topthat e pështymës. Ciflat e peshkut bojë hëne ngelën një çast në ajër, ndërsa sytë e maces pikëluan si yje diku larg. Varrmihësi e ndiqte këtë skenë nga sipër. Syri i tij e pa syrin e skuqur të peshkut si u lëshua rruzë e vockël përdhe. Pastaj, mes atyre lëndëve kaotike e të paforma, u hodh dhe unaza rrethore flori. Ajo doli nga errësira e maces, dhe ra pikë mbi pëlhurën e zhubravitur të dasmës. Varrmihësi e uli poshtë dorën me macen ende kapur nga zverku. Me një gjest po aq të qetë. Gati të krahasueshëm me aktin e profetit, kur nisi preu me thikë pjesën e tunikës, mbi të cilën flinte macja e tij, për të mos e trazuar. Sepse im atë u turr e futi gishtat mes vjelltinës. Rrëmihu dhe më në fund e ngriti para vetes atë disk të hollë. Nuk kërkonte hënën ajo ekstazë. Por shpejt e fshiu pas mollaqeve me pantallona të grisura e pa xhepa. Një pjesë e hënës mbeti aty në dok.

Gjithë sa rrodhi më pas mbetet rezultat i aplikimit të dobësive, me të cilat njerëzit zbukurojnë virtytet. Sepse “faji”, rezultat i të cilit ishte dhe ekzistenca ime më pas, i bie tërësisht përsipër përdorimit pa fre, keqpërdorimit që i bëjnë devizës së Fjalës së dhënë. Është ndryshe nga ç’mendohet në vise larg nesh. Atje këtë përdorim e konsiderojnë institucion fisnikërie e sinqeriteti. Por veç ne na ndodh ta shohim sesi mbrojtja e fjalës së nderit mishëron edhe tregtarizimin e marrëdhënieve. Kaq gjë nuk arrijnë ta dallojnë dot të ardhurit nga viset larg nesh: sesi jetojmë ende modelet demode të negocimit. Ky është ndryshimi. Këtu, sekushi e mban fjalën e dhënë, domethënë e jep gjithë duke e mbajtur atë. Ose, thënë ndryshe: sekushi do që tjetri ta dijë në mënyrë konstante që tjetri ia ka dhënë. E tjetri i tjetrit sjell po atë Un të fillimit. Kështu, tregtia e fjalës, që vetë është dhuratë hyjnore, mbetet shkëmbim shterpë. Mbi këtë parim funksionojnë OJQ-të e satelitët e vet. Krushqit i kishin dhënë fjalën varrmihësit fukara të kërkonte ç’të donte nëse do gjente unazën. Ai e gjeti, dhe lakuriqësia e dasmës u mbulua. Ai e ngriti unazën lart. Ia zgjati dhëndrit të hutuar. Pikërisht atë çast gjithçka ngriu në vend. E dasmorët për herë të parë e dalluan varrmihësin. E panë kokë e këmbë, më në fund. Gjithmonë e kishin parë nga gryka e lart, të zhytur në ndonjë varr që hapte. Ndoshta ky kujtim, ky imazh i cunguar nga mesi e poshtë, u farkëtua në mendjen e krushqve. Iu kujtua pamja e tij zhytur përgjysmë në dhé, në varre. E menduan cung nga mesi e lart vetëm. E mbase vetëm kështu vendosën ta mbajnë fjalën e dhënë. Kur ai, që do bëhej atë çast im atë, lypi një kërkesë të pazakontë. Si shkëmbim për unazën që sapo gjeti. Kërkesa e tij bëri skandal. Dasmorët mezi e përtypën. Grindjet fillestare mes njerëzve të nuses e të dhëndrit nxorën në shesh të palara që nuk qenë risi. Në kompensim të cingunërisë së përhershme njerëzore, e për nder të ngjarjes së papritur, lindi kënga, që është dhe amësia ime e vërtetë:

Fakiri s’i deshi gjë
Një natë të fjetur-ë
Të luajë me nusen
E të qeshë me të,
Herë mbi të, e herë nën të.

Virtyti i vetëm i fakirit është se kudo ta hedhësh, po jashtë mbetet. Vetëm kështu e garanton ai të qenit në botë. Prandaj, në ishte im atë sipër apo poshtë saj në çastin e ngjizjes sime, këtë e kërkoj tash e mot. Në çdo gjurmim timin, besoj ky është motivi i kryesor.

Im atë vdiq kështu në vend, në çastin e ngjizjes sime. Iku sajë një ngazëllimi që s’e kish menduar kurrë t’i përkiste. Mbase s’do kish thënë gjë fare, nëse krushqit nuk do e mbanin fjalën. E thjesht do njësohej sërish me fatin e tij si fukara, e kaq. Mirëpo, ja që ka arsye pse ka dhe histori. Nëntë muaj më pas, nusja e dasmës më lindi. E të nesërmen u zhduk pa gjurmë. Unë, biri i varrmihësit fakir, e kam emrin të formuar ngadalë, në distancë kohore, jo si të gjithë fëmijët. Termi “fakir” më mbeti emër, për arsye që kuptohen kollaj. Për vite u enda vetëm me një emër, pa mbiemër. Si heronjtë e lashtësisë. Deri ditën kur dikush erdhi të bënte regjistrimin e popullsisë. Ai më mori në fotografi, dhe kërkoi emrin e plotë ta shënonte në regjistër. Banorët i shpjeguan emrin tim të pjesshëm. Dhe sesi im atë kish qenë njohur si “fakiri” varrmihës. Atëherë regjistruesi kroi kokën. Pa ditur ç’të bënte, shtyu lehtë anash aparatin fotografik. Kur sakaq e afroi drejt vetes, lexoi markën e aparatit fotografik, dhe shpejt shënoi në regjistër: Fakir Konica.

Ajo fotografi është gjithë sa më ka mbetur nga fëminia. E mbaj në xhep sa herë jam në gjurmim të ndonjë rasti, nga ato që janë përherë gati për të humbur.

  1. Varret-fytyra ose Vezëbook

                                                I dalloj fytyrat sepse i shoh përmes stofit që tjerrin sytë e mi

         Khalil Gibran 

Nuk qeshë i vetmi që asistova në këtë skenë. Edhe termi “skenë” ngjan ca i tepërt. Nëse del këtu në pah, vjen nga fakti se atë ditë unë dhe kortezhi, ku isha pjesë, mbetëm gojëkyçur para asaj çka pamë. Vërtet na u bllokua goja, ndërsa sytë rrokën skenën, si vala e detit shkëmbin.

Mora pjesë në një varrim, ndërkohë që i ndjeri s’ishte i njohur imi. Asokohe dhe varrimet po zhdukeshin si zakon. Personi i familjes kryente i vetëm ritin funerar në varrezë. Pastaj ftonte në kafene miqtë për kryeshëndoshë. Sepse « nuk kemi më ngenë e duhur të shoqërojmë të vdekurin e të përjetojmë sërish sëmbimin », nënvizonte Shagiri, më antiarkaiku i vendit tonë. Ky, madje, kish punuar gjatë e shtruar që t’ia adaptonte këtë rit të shkuar kafenesë. Saj kontributit të tij, gjuha e përdorur për ngushëllim familjes së mortit i afrohej gradualisht, po sigurt, thirrjes kamerierit për porosi.

Familja që shoqëroja ishte nga të rrallat me zakone të vjetra. Mes kortezhit, po gjurmoja, si zakonisht. Në fund të ceremonisë, kortezhi mori rrugën e daljes nga varrezat. Kur, pas shenjës së papritur të dikujt mes grupit, ndalëm. Kthyem kokën nga ku tregonte gishti i tij. Dhe dalluam dy koka varresh ngjitur me njëri-tjetrin. Në pamje të parë s’kish asgjë të veçantë në atë mjedis. Por shpejt dalluam se ishin dy varret e dy grave. Të paktën nga emrat përmbi pllaka. Ndërsa fotot sipër … ishin portrete meshkujsh.

Ja dhe disa detaje që veçova më pas. Njëri nga burrat, te varri i njërës nga gratë, kishte qenë oficer i policisë. Gruan e tij e kishin gjetur një ditë të vrarë; të masakruar madje. Në fillim qe zhdukur pa gjurmë. Mandej e kishin gjetur në një troll gati për ndërtim. Në trollin ku e gjetën më vonë s’kishte asnjë kodrinë dheu, apo shkurre. E gjetën në një sipërfaqe si të qëruar, thua vrasësi kish marrë sa duhet kohë për ta pastruar territorin. Që ta linte pastaj kufomën në pastërti të kulluar.

Pas ceremonisë mortore do të niste dhe hetimi serioz për gjetjen e autorit të krimit. E duke qenë vetë oficer policie bashkëshorti i gruas viktimë, policia e mendoi të arsyeshme t’ia linin atij ndjekjen. E vërteta është se këtë vendim prisnin heshturazi dhe familjarët e dy palëve. E sidomos ata të gruas, të viktimës.

***

Shprehja fort e njohur “vaj me-det” natyrisht nuk ka të bëjë me sasinë e vajit në ujin e detit. As me ndonjë detaj preciz fizik, si për shembull : ai i vajit që pluskon mbi ujin. Por, në rastin konkret (lidhur me ngjarjen në fjalë), këtë frazë e pat lëshuar babai i gruas viktimë, pra vjehërri i bashkëshortit polic. As kish të bënte kjo frazë e plakut me ndonjë detaj që vinte nga jeta e tij prej pijetari. Sa herë ai e tepronte në pije me miq, i hidhte stomakut dy tri lugë vaj ulliri këmbe. “Kjo ta vesh barkun e t’i mbron paretet e stomakut”, i pat shpjeguar pijetari i thekur dhëndrit, dikur, pas fejesës. « Kështu e mban mirë pijen, se vaji rri lart, pluskon mbi lëngjet e tjera ». Ai vazhdonte e cyste rioshin, që mezi priste të rrinte vetëm me të fejuarën. « Kështu alkooli nuk ngjitet lart e mund të pish si fuçi”, orientonte plaku. Po jo: atë klithmë vaj-me-det, babai i viktimës e kish lëshuar, kur oficeri i policisë shpalli se nuk do t’i hynte hetimit, nuk do vihej në kërkim të vrasësit. E kish bërë të qartë se nuk kish ndërmend të shkonte pas gjurmëve të kriminelit, “si zagar”, pat shtuar ai, në habinë e pamatë të familjes.  Fillimisht familjarët pandehën se kish rënë në krizë nga humbja e rëndë. Menduan se si rrjedhojë kish pësuar njëfarë krisje brenda vetes. E ky sy, i zgjeruar në formë plage të padukshme, e bënte të mos shihte më larg se lëkura e vet. Po të kish patur ndonjë filozof (nga ata me diplomë) në fisin e tyre, me siguri do kish shtjelluar se nuk ia vlente të çoheshe e të viheshe në lëvizje rreth-e-rrotull. Sepse më keq do ishte ta kritikoje personin në këtë gjendje krize, sa ky qerthull aty do e çonte prapë.

Por, ditë kaluan, dhe oficeri polic sërish e përforcoi vendimin: se nuk kish ndërmend të gjurmonte autorin e veprës penale. E për më tepër, iu përgjërua me ngulm edhe policisë, pra kolegëve, të mos i hynte asesi kërkimit. Se sa e morën parasysh këtë “kapriço” zyrtarët e rendit, nuk mas dot. Nuk gjurmoj dot deri në rangje të tilla, që as më interesojnë hollë-hollë. Porse të dyja familjet ishin shkrehur rëndshëm në vaj. Sidomos nëna dhe dy motrat e gruas viktimë. Madje, njëra nga motrat, që dihej se kish uruar dikur të fejohej vetë me policin, pra me kunatin, lotonte më shumë se të tjerat. Ideja që ky fat dyfish i zi mund t’i kish rënë asaj në kokë, e ngryste në urrejtje e dëshpërim të barabartë. Një lumë i pafre lotësh derdhej në atë familje. Sa fqinjëve iu mbush mendja se një det i tërë mund të formohej, nëse ato lotë grumbulloheshin diku.

Ka patur një rast të ngjashëm, shumë kohë para kësaj ngjarjeje. Por bëhet fjalë për ndodhi të parrokshme nga mendësia e sotme. Dhe që i përkiste një kohe, kur “tipi” që pat krijuar tokën kish nisur të vajtonte, si e kaploi ndërgjegjja. Dhe, si kish ulur sytë poshtë, dalloi pikla të shkëlqyeshme, pra lotët e vet. “Nga vaji pa fre, lotët e tij, ranë poshtë atij vetë”, thuhet në këtë ndodhi, “e u bënë detet që ne shohim sot**”. Ky kuptim kish prekur tashmë, si detet tokën, dhe familjen e gruas viktimë. Kështu shprehja vaj-me-det u regjistrua në gjurmimin tim, krah detajeve të tjera. Vajtim i rëndë, por dhe i arsyeshëm. Sepse dhe bashkëshorti-polic me gjasë po aq arsyeshëm përsëriste: “Nuk e kam në mend të nisem pas gjurmëve të autorit! » Porse, çdo gjë në botë hetohet. Kur e pyetën se ç’kish ndërmend të bënte, ai foli shkurt, e tha se vetëm do shihte. Qysh prej atij vendimi, ai shkonte çdo ditë, qysh në mëngjes, te varri i bashkëshortes. Anëtarët e familjeve, që ishin treguar të sertë dhe inatçorë me këtë vendim, e merrnin nëpër gojë kotësinë e atij qëndrimi. Të gjithë mendonin pasojat, të ardhmen. Ndërkohë që përsëriste si maniak se tani: tani veç do ulej të shihte!

Familjet tani përsërisnin bashkë se krimineli kthehet përherë te vendi i krimit; por jo te vendi i varrimit. Thonin: përvojë as e parë, as e dëgjuar. E kjo i bënte t’i mëshonin dhe më fjalës së urtë, ndërsa shihnin këmbënguljen e tij “prej mushke”. E baballarët e familjeve e përmbyllnin ritualin, duke shpallur se burri ishte veç një « copë-gomar ». « A thua po rri në kafe ! » habiteshin familjarët me këtë survejim habi të tij të gropës së saj.

***

Me sytë e mi prej fakiri, e prej biri varrmihësi, e përfytyrova skenën: burrin të ulur te buza e varrit të gruas. E prej ay e hidhte vështrimin para. E lëshonte sikur një rrjetë peshkimi perzevoll në ujë; e priste që shikimi të binte ngadalë, ngadalë, e të prekte tabanin e rërës.

Ndoshta çfarë s’e kap syri, e thotë goja. Çfarë hyn në legjendë bëhet legjendare menjëherë. Kështu rrjeta e vështrimit të tij binte e kapte peshk kurmin e së ndjerës nën dhé. Ai rrinte i ngujuar në trollin e varrit të saj. E ajo ia mbante vendqëndrimin me një dorë, e shtynte për sipër, për ta rehatuar në atë kundrim prej peshkatari allasoj. As shpirt tashmë, as perlë në gropë të dheut, gruaja viktimë sa i lëshonte dheut eshtrat e saj, çka s’e bënte trollin as më të pasur, as më të çuditshëm se më parë. Ndërkohë që gjithë zona ia kish ndaluar atij të kthehej e të hynte aty, sa kohë vazhdonte këtë kokëfortësi.

Kështu nisën aktivitetin kureshtarët e familjes. Sjellja e pazakontë e dikujt në raste ngjarjesh, ku norma zë vend vetiu, shkakton trazimin e njerëzve që s’e dinë si do kishin vepruar në vend të tij. Herët e para, i deleguari i familjes së policit, u nis të përgjonte qëndrimin kokëderr të këtij, teksa refuzonte të gjurmonte autorin e krimit. “Unë jo, as që dua”, kishte përsëritur ai sërish para vërejtjeve të shumta. Përgjuesi ishte kthyer, kish raportuar çfarë kish parë varreza. Por familjet ngurronin ta absorbonin imazhin që iu raportohej. E dëgjonin rrëfimin e përgjuesit të radhës. Mirëpo, sa herë që këta raportonin çfarë kishin parë, familjarët rrinin si para ndonjë video të vënë në pauzë. Ky qëndrim i policit të varreza, duke pritur i fiksuar, as bënte orvatje “t’u mbushte syrin” atyre. Thjesht imazhi i tij nuk ua mbushte syrin. Pamja e burrit të ngulitur te varri i së ndjerës iu dukej shumë e varfër për ta komentuar. E prandaj, shpesh ata mjaftoheshin vetëm me një: “Epo kjo!? Dhe njëlloj si bënin redaksitë e lajmeve, familjet dërgonin dikë tjetër, një tjetër kushëri, të përgjonte qëndrimin e burrit e të kthehej ta raportonte.

Derisa një ditë përgjuesi më i vjetër ishte kthyer. Familjet e ulën të niste të rrëfente. Dhe ja çfarë rezultoi: Qëndrimi i burrit atje, ishte krejt e fiks qëndrimi e vështrimi i gjyshit të familjes, kur ky rrinte dikur me sytë ngulitur kazanit të bakrit ku ziente rakinë. Po ajo rëndesë e përhumbur, si një elefant stërmadh, por prej tullumbaci; ajo ngulitje që babëgjyshi shfaqte ndonjëherë, kur ziente bërsitë, e tërhiqte ca zjarrin poshtë kazanit, që currili i rakisë të dilte sa më gradual, i ftohtë, dhe jo i trashë e i nxehtë, ndryshe, alkooli avullonte dhe rakia dilte shumë e butë.

Ky “imazh” për familjarët ishte një histori, dhe kjo ua shtonte dhe më enigmën. Paçka se skenën me gjyshin e kishin të njohur e boll të deshifrueshme. Vura re se po përjetonin të gjithë atmosferën e romaneve me detektivë, pa e ditur. Romane që bëhen me gjëra që të gjithë i njohin, porse, nga mania për të mbushur menjëherë syrin, shkojnë me uri drejt e te përfundimi, pikërisht te imazhi që s’është aty. Kështu lexuesit nuk pranojnë dot, që, ato çka nuk ndodhin në histori, janë prapë diku midis nesh.

Këtë ma përforconte prania e asaj pemës së lartë e të harlisur atje buzë varrit, ku priste ai, ngultazi. Nga mënyra sesi degët krejt i vareshin veç në njërën anë, të vjetërit ia kishin ngjitur nofkën “pema flamur”. Dikur ajo pat joshur jo pak njerëz. Sajë imitimit që i bënte mjekrës së Moisiut të Biblës. Disa e merrnin dhe si imitim të shkurres prej flake, që i foli dhe liderit Moisi. Pak rëndësi ka kjo tashmë. Sidomos para rrëfimit se kjo pemë qe bërë sebep për një pelegrinazh të hershëm dhe mandej për vendosjen e një popullsie hebreje në vendin tonë.

Sepse i paqenë iu dukej familjarëve ky qëndrim i policit hetues. Por unë nuk bëj pjesë në asnjërën familje. Kështu që s’kam si them konkretisht çfarë nuk donin tamam të shihnin ata. Sipas gjasave, e bazuar te raportet e përgjuesve, polici enigmatik në pritje, as nuk i ngrinte sytë në horizont, sikundër pritet nga këto lloj soditjesh “pa bukë”. Të paktën unë për vete kështu do bëja, instinktivisht. Ka mundësi që polici hetues, i rrahur me investigime, ta ketë ditur që asgjë s’ka përtej horizontit. Domethënë se bota vazhdonte, natyrisht, përtej vijës së horizontit. Vazhdonte, por as e ftohtë, as e ngrohtë. E me gjithë çka, në fakt, s’është tamam gjë përtej tij. Aq sa pyes veten në është gjë vetë horizonti përtej vetes !? Këtu e ka burimin dhe nofka “Fontanë e virgjër” që ia ngjitën banorët policit, në buzë të varrit të gruas. Pra, po të më kishin çuar mua si përgjues, them se do i kisha ngatërruar më keq familjarët. Sepse do u tregoja se ai ishte njeri-pa-horizont (bazuar te sa më sipër). E këtë me siguri do ma merrnin për fyerje ndaj birit të tyre. Për më tepër që, sado enigmatik, edhe ai ishte në hall të rëndë. Ndërkohë që unë e kisha më lehtë. Sepse do t’u thoja që ai njeri kishte rreth vetes sendet e hallin e tij, veç horizontin jo. Nisur nga mënyra e tij e qëndrimit dhe vështrimit. Dhe do u thoja se, kur ai rrinte ashtu i ngulitur, kokulur, nuk rrinte asisoj para botës, para krimit, apo familjeve (që e trajtonin si “gomar”), por vetëm para horizontit … Kuptohet lehtë pasoja që do sillte ky lloj raportimi te ta. Ndaj jam fatlum që kam veç një rol fakir në këtë histori. Gjë që më jep të paktën kohën dhe mundësinë të “shoh” me nostalgji kohët para shpikjes së mjeteve të transportit. Kur njerëzit sa ngrinin ndonjëherë vetëm sytë lart, kur gjenin kohë: kohën e ngritjes së syve lart. Dhe i ulnin prapë; por duke marrë diçka me sy nga horizonti, një dorë prej tij; dhe e hidhnin drejt e në trup, e në shpirt mandej. Kështu që drita qenkësh shpikur shumë më vonë nga ç’na e kanë mësuar.

Por, para se të hallakatem kot e të më marrin për konservator, të them më mirë faktet, me sa mund të mblidhja në aq hapësirë sa ofron varreza. Duke ndenjur në pritje, anash varrit të ish bashkëshortes, policit hetues sikur i vinte një zë i fshehtë, dashamir, por dhe i sertë, që i tregonte vendin:

“Ti je pjesë e kësaj historie. Autori i krimit, do s’do, të ka bërë personazh të saj. Kur vrau bashkëshorten tënde, dashur pa dashur të futi dhe ty në lojë. Ti e di tashmë ngjarjen, por jo vetë historinë. Ti di rezultatin, por jo ecurinë, as detajet. Sesi ka ndodhur, mund ta marrësh diç me mend. Përfshirë dhe ndonjë detaj fizik të autorit, ndonjë përfytyrim. Sidomos mbi surratin e tij. Që është dhe pjesa më e vështirë, sepse është më vendimtarja. Sepse në këtë gjendje ku je, autori është, për çastin, veç detaj. Ai të ka përfshirë në lojë. Me të, e sajë tij, ti ke lindur për së dyti. Ke lindur si hap i tij, si troll ku ngulet një gjurmë e krimit. Ngase ai ka marrë arratinë.  Dhe ka hyrë kështu në botë si i palindur. E ta gjurmosh tani, do të thotë të bësh lojën e tij. Të lëvizësh nëpër ç’ka mbetur nga roli i tij. Përderisa tani ai vetëm sa kërkon të fshihet. Pra don të mos jetë. Prandaj detektivi ndjek hapat e tij e bëhet gradualisht njeriu që i ka bërë tashmë ato hapa. Romani detektiv është veç një shkretëtirë, por me hapa në vend të rërës. Ndaj ana sociale s’ka më rëndësi në këto rrëfime. Gjithë sa do autori i krimit është të mos e gjejnë. Jeta e tij i ngjan sportistit që s’del kurrë nga stoli i rezervave. Prandaj ai rreket të kthehet në vendin e krimit. E në këtë mënyrë ka triumfuar ligji dhe drejtësia. Edhe nëse ai del një ditë para tyre, ti personalisht, po e ndoqe, do kesh ecur këmbëshqyer apo shalëngjitur me atë hapin avdall kur kalon përgjatë dy shinave të trenit. Duke u munduar të vesh hapat sa më puq gjurmëve të tij. Gjurma e tij, do s’do, bëhet kështu kallëp i këmbës tënde. Dhe pa ndonjë siguri të madhe, përsa gjurmët e tij janë të padukshme. E prapë shumë të zhurmshme. Atëherë ti do jesh veçse një copë dëgjues vesh-gricur para drejtësisë, nëse autori i krimit del para saj një ditë. Dhe ti, sikur avokati i vetes të bëheshe, nuk ia merr dot atij kafkën në duar, lart, pa e hedhur edhe veten në gjyq …”

Ndoshta një zë si ky e bënte policin “gomar” të rrinte i ngulitur buzë varrit, si shelg njerëzor. Nga degët e të cilin kullonin thjesht hamendjet, sikurse fjalët e 1001 Netëve kishin treguar, pa hiç shkrim, sesi “krimineli është vetë krim e vetë ndëshkim».

Nuk di saktë, por dukej se në mishërim të gjithë kësaj rrinte i menduari ngujuar buzë varrit të së ndjerës. Aty ngjante diçka që lidhej a që kish të bënte me shiun. Veçse kësaj here, ai shi binte brenda tij. Si një monolog i shtruar, por me fjalë torturuese. Shi i brendshëm, krejt vertikal, që bie në fakt si “lotët e qepës”, teposhtë syve të dikujt që vazhdon t’i presë ndërsa gjella ka filluar të ziejë.

Kështu ishte kthyer prej andej dhe përgjuesi i fundit. Pasi kish zhbiruar pozicionin e policit hetues te varri, ishte kthyer te familjet. Porse tashmë ai ishte i ndikuar thellë nga rrëfimi i përgjuesit më të vjetër. Sidomos nga historia e plakut para kazanit ku vlonin shpirtrat e alkoolit. Ndaj, i ndikuar prej tij, por dhe me njëfarë ngrefje, ai kish treguar se pozicioni i policit hetues ishte kështu: një kokë, që për trup kish kazanin e avujve të rakisë së gjyshit. Bënte fjalë për një kazan të padukshëm, doemos, figurativ. Dhe se tani hetuesi i ngulitur nuk vështronte më shumë drejt, para vetes. Duket ai s’kish më vete, s’ishte në vete, kështu që para apo pas saj, vështirë ta pozicionoje mes tokës dhe vijës së horizontit. Dhe se Eskili një si ai duhet të kish parë, për të thënë se: « Boll të qash më vete viktimën, dhe haka vjen pastaj vetë! » Përgjuesi nuk kishte fuqinë e poetit. Por e dallonte shkarjen e vështrimit. Dhe lajmëroi familjet se biri i tyre këqyrte tani nga një kënd i ri. Dhe dukshëm i nguliste sytë anash, te varri i një gruaje tjetër.

***

Tek ai varr e kish orientuar policin në zi varrmihësi i atyshëm. Një ditë, ky ishte gërrmuqur nga mundimi. I mbështetur pas bishtit të lopatës, si për t’i vënë furkë një dege të rënduar nga ujthi i vet. Pak më tej, njëlloj i ngulitur si beli i tij në dhé, dukej polici hetues i fiksuar. Dhe i kishte folur varrmihësi nga pas shpinës: “Ujët s’fle, se për kockat është armiku numër një”. Ky transformim i parullës së dikurshme, që ishte dhe kulmi i përdorimit të natyrës për ilustrime politike, e kish bërë hetuesin të kthente kokën. Koka doli papritur para syve të varrmihësit. Menjëherë moti kish ndryshuar, sapo u shfaq koka e hetuesit. Mu në mes të shiut, që binte qysh në mëngjes, kish plasur dielli. Rrezet çanin gjerë mes piklave. Përmes kësaj “dasme merimangash”, siç thotë kënga fëminore, të dy kishin parë një burrë që hyri në prag të portës së varrezës. Por, pas soditjes së gjatë e të ngulitur, hetuesit nuk iu duk e papritur shfaqja e atij vizitori. Dukej se shiu e solli aty me një të rënë, thua një rreze dielli, që çan vrik ajrin si teh.

I ardhuri ndenji fillimisht brenda kanatit të portës së varrezës. Pastaj qe endur vërdallë midis varreve e lexonte emrat mbi pllaka. E më në fund kish mbërritur te varri ngjitur me atë të gruas së hetuesit. Aty ndali, ndryshe e çante maja e vështrimit të tjetrit, policit.

Arsyeja përse hetuesi ngulmonte prej kohësh në atë varr ishte e thjeshtë: varrmihësi i kish treguar se aty prehej jo vetëm një grua që kishte vrarë veten; porse e kishin varrosur po atë ditë me bashkëshorten e tij, pasdite. Ky detaj i humbur, i harruar, e kish bërë hetuesin më ngulmues.

Burri i sapoardhur kish shqyrtuar njëherë varrin e gruas së vetëvrarë. Pastaj dalloi fiksimin e hetuesit mbi pllakën e varrit të saj. Kjo e kish bërë të dyshonte për ndonjë “gjë në atë mes”. Dhe ishte turrur drejt tij. Por, më shumë se mërdhezje e furi, ai kish lëvizur, sikur t’i hynte hetuesit drejt e në tru. Dhe për pak sa do hynte. Sikur të mos qe futur mes tyre tampon varrmihësi. Koka e tij pluskonte në ajrin e ngjeshur e të tensionuar mes dy burrave. Ashtu krahët s’i dukeshin më. Si Adami i hershëm ai mihte lehun, ku po mbillej historia e atyre dyve. Aty mbi trollin, ku hapte dhé e ndërtonte banesat më afatgjata në botë. Përditë, si dhe im atë dikur, ai shqyente gjymtyrët e dheut e me to formonte këto banesa, brenda të cilave banori futej e tretej përgjithnjë. Një flutur kish hovur pastaj përmbi kokat e tyre. Ndryshe pamja do dukej statike pa kufi. Dukshëm shpirti, hija e atyre dy grave në varre s’kishte dalë akoma. Aroma e dheut përplasej pas qiellit, e kështu sikur binte prej andej. Aq sa i bënte të njëjtë të dy, qiellin dhe tokën. Në këtë tokë, në kodrinë, vetëm sytë e tyre dukeshin gjë e gjallë. Deri në çastin kur një lepur kish kaluar, i trembur. Pastaj kish hyrë për t’u strehuar në një kaçube. Kështu e bënte lepuri ditën strukje, errësi.

***

Të dy burrat rrinin tashmë turivarur, “të bërë dhé”. Dhe çdo formë e njohur përhumbej në këtë puqje të re mes qiellit e tokës. Buzë varreve përhumbte dhe urrejtja, inati e format e tyre sipas nesh. Bashkë me të vërtetën, sado pus e e thellë të jetë.

E vërteta është se burri i sapoardhur ishte pikërisht autori i krimit. Ai kishte vrarë gruan e hetuesit. Ndërsa gruaja në varrin ndanë saj, ishte bashkëshortja e tij. E tërbuar, dhe e shëmtuar, kish vrarë veten nga dëshpërimi, kur kishte marrë vesh lidhjen e burrit të saj me gruan e hetuesit. Meqë i fshihej drejtësisë, ai natyrisht s’kish marrë pjesë në varrimin e gruas së vet.

Fillimisht nuk kish patur as fotografi në pllakën e varrit të gruas së hetuesit. E ëma plakë e këtij, skile plakë, ishte në dijeni të lidhjes së nuses me burrin tjetër. Nusen e djalit s’ia kish patur ënda kurrë. Sepse i ati i nuses nuk kish pranuar ta merrte grua dikur. Ajo kish bërë çmos që, kur varri të hapej, fytyra e “të pafytyrës” që mbante mbiemrin e saj, të mos ngulitej në pllakë. E ngadalë, gradualisht, sajë ngulitjes së hetuesit te varri i saj, portreti i tij kish zënë vend në pllakën e saj. Kjo nuk kish ndodhur realisht, sajë ndonjë transporti magjik. Por boshi total i figurës së saj kish zaptuar krejt botën e tij. Mungesa e portretit të saj qe përhapur gjithkund sajë syngulitjes së tij, që familjarët s’e kuptonin dot. E më kohë, edhe hetuesin familjarët s’e kishin më “parasysh”. Me kohë, e në këtë mënyrë, surrati i tij sikur qe hedhur në pllakën e saj; në një troll ku gjurmët as bëjnë zhurmë. Kjo habi u bë shkak që fraza: “Në fe të s’ëmës” të përmendej lumë te kjo zonë.

Që burri i sapoardhur nuk ishte kthyer për hir të dashurisë ndaj gruas së tij të vetëvrarë, kjo u duk qartë. Ai tani veç kish hyrë intensivisht në meditimin e hetuesit në varrezë. Sikur donte të merrte pjesë nga afër në rrënimin e tij shpirtëror. Por mënyra si qe shfaqur në kanatin e portës së varrezës duket e hiqte dhe këtë opsion. Për këtë arsye familjarët e shastisur i quajtën “bashkëshortët ujëvara”. Dhe me këtë emërtim të pazakontë edhe njerëzit nisën t’i shohin ndryshe, detyrimisht të ndikuar nga nofka. Banorët thonin pastaj se krahët e dy burrave qenë qepur tani pas trupit. Dhe se prej heshtjes së tyre shembullore dallohej qartë zemra poshtë mishit të tyre. Disa thanë që kishin parë qartë trurin e të dyve. Kishin dalluar ato ojat prej rrjete peshkimi në to. Dhe si peshq të trembur kishin rendur t’ua rrëfenin familjarëve.

Ky shfigurim i kishte preokupuar mandej shumë familjarët. Të dy familjet ishin puqur tani në orvatjen të shpëtonin diçka prej bijve të tyre “të vdekur të pakallur”. Të paktën t’i jepnin njëfarë kuptimi gjithë kësaj historie. Sidomos, qysh kur dy burrat qenë zhdukur prej aty pas rrebeshit të fundit, që kish zgjatur një javë. Kështu vendosën të ngjisnin fotografitë e tyre në pllakat e varreve e të dy grave përkatëse.

Kjo qe pamja atë ditë teksa dilnim nga varrezat: fotot e burrave të gdhendura në pllakat e varreve të dy grave. Nga aq largësi sa pamë, dy portrete dukeshin mjaft të ngjashëm. U afrova të këqyrja për detaje. Por diçka më pengoi të shkoja më tej. Mbaj mend vetëm se fotoja e hetuesit sikur kish nisur të zverdhej e të zbehej, më shpejt se ajo ngjitur.

***

Sa herë bëj hetime, e përmbledh ngjarjen në një fletë. Për këtë përdor një bllok të vogël, sa pëllëmba. Mundohem të mbledh me precizion të gjitha detajet thelbësore të ngjarjes. E nuk e kaloj kurrë fletën, që të mos hallakatem. Nëse përshkrimi i rastit fillon kalon në fletën tjetër, e gris dhe filloj nga e para. Derisa e gjitha të përmblidhet brenda një flete të vetme. Dhe para se të nis gjurmimin, i bëj kështu një portret-identikit të gjithë historisë.

Në këtë fletë ngjarja quhet Historia e malit që shkon te Muhameti. Citoj këtu njërin nga banorët e zonës. Edhe ky vetë pjesë e zheleve të realitetit, e atij stofi që çjerrin sytë e mi.

(c) 2022 Idlir Nivik. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


Shënime :

*« Çdokush që falet në xhami është peshk në ujë të kthjellët », Kurani.

**Detaj nga mitet kozmogonike afrikane.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin