SHKRIMTARI NË PUBLIK

Pat shkruar Milan Kundera te “L’art du roman”:

Romancier, thotë Flaubert-i, është ai që dëshiron të zhduket pas veprës së vet. Të zhdukesh pas veprës sate, do të thotë të heqësh dorë nga roli i njeriut publik. Sot kjo nuk arrihet lehtë, sa kohë që gjithçka që ka edhe një grimcë rëndësie duhet të kalojë nëpër skenën aq të tepër-ndriçuar të mass mediave, të cilat, ndryshe nga ç’këshillonte Flaubert-i, e bëjnë veprën të zhduket prapa imazhit të autorit. Në një situatë të tillë, së cilës askush nuk mund t’i shpëtojë krejtësisht, kjo vërejtje e Flaubert-it më lexohet gati si paralajmërim: duke pranuar rolin e njeriut publik, romancieri vë në rrezik Veprën e vet, që rrezikon të konsiderohet si një shtojcë e thjeshtë e gjesteve të tij, e deklaratave, pozicionimeve. Mirëpo romancieri nuk është zëdhënës i askujt, madje do të shtyhem deri atje, sa të them sa nuk është as zëdhënësi i ideve të veta. (…)

Hermann Broch për veten, Robert Musil-in, Franz Kafka-n: “Ne, që të tre, nuk kemi biografi të mirëfilltë.” Çfarë nuk do të thotë se jeta e tyre ishte e varfër nga ngjarje, por se ajo jetë nuk ishte e destinuar të binte në sy, të ishte publike, të bëhej biografi. Nabokovi: “E kam zët të fut hundët në jetën e vyer të shkrimtarëve të mëdhenj dhe kurrë nuk do të ndodhë që një biograf të shohë poshtë vellos së jetës sime private.” Dhe Faulkner-i dëshiron të “anulohet si njeri, të mënjanohet nga historia, të mos lërë atje asnjë gjurmë, asgjë tjetër veç librave të shtypur” (vini re: libra dhe të shtypur, pra asnjë dorëshkrim i lënë përgjysmë, asnjë ditar, asnjë letër).

Ëndërroj për një botë ku shkrimtarët të ishin të detyruar me ligj që ta mbanin sekret identitetin e tyre dhe të përdorin pseudonime. Tre përfitime do të vinin nga kjo: kufizimi rrënjësor i grafomanisë; pakësimi i agresivitetit në jetën letrare; zhdukja e interpretimit biografik të një vepre.

Sipas një metafore të Kafkës, romancieri e shkatërron shtëpinë e jetës së vet për të ndërtuar, me ato tulla, një shtëpi tjetër: atë të romanit. Biografët e një romancieri e zhbëjnë, pra, atë që ka bërë romancieri, ribëjnë atë që ai pat zhbërë. Puna e tyre, krejtësisht negative, nuk mund të hedhë dritë as mbi vlerën, as mbi kuptimin e një romani – e shumta mund të identifikojë ndonjë tullë. Në momentin kur Kafka fillon të tërheqë më shumë vëmendje se Josef K., ka filluar edhe procesi i vdekjes postume të Kafkës.

Edhe pse shumë prej nesh e konsiderojnë ende Kunderën “bashkëkohor”, janë mendime të tilla që nxjerrin në pah hendekun që e ndan nga mendësia e sotme dhe galateu i sotëm i shkrimtarit performativ, që gati i përdor veprat e veta si t’i kishte bastun ornamental, aksesor elegance, në shëtitjet e tij bulevardeve të kulturës.

Ka paralele të shënueshme, mes Kunderës dhe Kadaresë – të dy dolën në skenën letrare perëndimore si nënprodukte të luftës së ftohtë, edhe pse nga dyer të ndryshme; të dy u shfrytëzuan politikisht nga Franca, në përpjekjet e saj për t’u pozicionuar në mënyrë unike ndaj Lindjes socialiste; e njëjta Francë që të dy i nderoi si asnjë shtet tjetër, por për t’i lënë pastaj të veniten. Dhe më në fund, asnjë prej të dyve nuk e mori dot Çmimin Nobel.

Ndryshe nga Kundera, Kadareja u angazhua fort në jetën publike, mes të tjerash edhe për të sistemuar imazhin e vet dhe për të negociuar reputacionin e vet politik pas 1990-ës. Bëri mirë a bëri keq, këtë nuk e diskutojmë dot këtu. Ndonjëherë, zelli për të dalë në publik varet nga karakteri i dikujt dhe përfytyrimi që ka për veten; siç varet edhe nga kultura së cilës i përket një shkrimtar dhe nga çfarë pret lexuesi, prej shkrimtarit që adhuron. Është e vërtetë, nga ana tjetër, që as Kundera as Kadareja nuk u bënë figura publike në Francën që i mikpriti, megjithëse të dytit do t’i mbahet mend angazhimi i fortë në mbështetje të Kosovës.

Po t’i besojmë Kunderës, protagonizmi publik i Kadaresë në Shqipëri nuk i ka shërbyer veprës së tij letrare, madje ka interferuar me pritjen e saj prej brezave të rinj. Edhe pse nuk them dot që kjo vepër u reduktua në “shtojcë të gjesteve të tij, deklaratave dhe pozicionimeve”, gjykimi im është se u krijua një e çarë e rrezikshme mes romaneve të Kadaresë, dhe autorit të tyre figurë publike. E rrezikshme, sepse figura publike ka ardhur duke u distancuar nga figura e autorit të atyre romaneve, si funksion i tekstit (i diskursit “kadarejan”).

Nga ana tjetër, duke këmbëngulur që të mbetet relevant në jetën publike të paktën në Shqipëri, Kadareja është treguar më bashkëkohor se Kundera, sa kohë që e ka nuhatur prirjen e sotme kulturore, drejt letërsisë performative; dhe këtu është ndihmuar edhe nga të gjithë ata që e kanë ndërmjetësuar dhe vazhdojnë ta ndërmjetësojnë praninë e tij publike.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

4 Komente

  1. Ajo puna e marrjes pjese ne jeten publike pas ‘90. Nuk e qaste njeri në Çeki Kunderen, pas 25 vjetesh mbajtjeje tesere te partise dhe “leje për në France per 730 ditë” (1975). Havel nuk e shihte dot me sy Kunderen.
    Shqiperia në 1990 ishte Çekosllovakia e 1968.
    Thene ndryshe : nuk e ben njeriu historine por historia njeriun (më thuaj disident i kujt vendi je, te te them a je apo jo desident)

    1. Kadareja ne vitet 90 duke u perpjekur te shpjegoje te kaluaren,humbi kohe te vyer ,te cilen duke marre parasysh materialin e madh jetesor te cilin historia ia prezantoi me bujari,mund ta kishte perdorur per te shkruar ndonje epike te kalibrit “Lufta dhe paqja” .Pas 50-60 vjetesh askujt nuk i behet vone per qendrimet politike te shkrimtarit ne kohe te vet por thjesht gjykojne cilesine artistike te vepres .

      1. Eh… , e shkroi “Luften dhe Paqen” Kadareja, në vaft te tij (Dimri i madh/Koncert). Por une nderhyra vetem per ate punen e marrjes pjese ne jeten publike te njerit (dhe jo tjetrit) se me hipoteza…

        1. Vitet 90 ishin miniere ari persa i perket mundesise per te qene deshmitar okular i ngjarjeve historike ,rast i cili vjen njehere ne disa gjenerata .Kjo ide mu perforcua kur ripashe LAmerica ne YouTube .Dikush me siguri do dale qe ta rikrijoje ate atmosfere por eshte ndyshe kur shkruan per dicka qe e ke pare me syte e tu .
          Nejse qendrimet publike te autorit harrohen pas nje brezi .Ajo qe mbetet eshte vepra .

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin