E DASHUR MARGARET

nga Ervin Qafmolla

– – –

Margaret,

Çdo urim të përzemërt për një ditëlindje të lumtur dhe shumë rikthime të kësaj dite.

Me dashuri,
Lili

– – –

Pusulla ra mbi tavolinë kur po nxirrja pllakën nga këllëfi. Ky është ai çast kur përjeton ngazëllimin e zbulimit të një muzike të padëgjuar më parë dhe e gjithë vëmendja është prioritizuar aty. Ndaj edhe këtë shënim e lexova me dashamirësi, por pa u ndalur ta analizoja më gjatë.

Kështu, e vendos pllakën në rrotullamen e gramafonit, ku ulet krahu i pajisjes dhe gjilpëra nis të rrëshqasë në patinazh artistik mbi syprinën qarkore. Duke u vërtitur, makineria përkthen informacionin e gdhendur në brazdat mikroskopike të vinilit në valë akustike, të cilat truri im i deshifron si në atë formë arti që e quajmë muzikë.

Vetëm pasi u bë ca kohë që vepra po luhej, atëherë kur m’u desh të kthej pllakën nga ana tjetër, u kujtova që si i paftuar po shijoja përmbajtjen e një dhurate që një i panjohur i kishte bërë një të panjohuri tjetër. “Kush ishin këto gra?” “Përse kjo vepër?” “Si ka mbërritur deri tek unë?”

Dhe këtu filloi një hulumtim gjysmë-gazetaresk në retrospektivë. Le t’ia nisim me faktet më bazike dhe në rrjedhën kronologjike që u zbuluan. Sipas asaj që shkruhet në kopertinë, pllaka është prodhuar në mars të 1974-rës nga kompania muzikore britanike EMI. Kjo është e njëjta markë që para se të mbyllte qepenin, prodhoi albume të muzikantëve si Elton John, Paul McCartney, Florence + The Machine, Queen, Metallica, The Killers, Katy Perry dhe Taylor Swift (por edhe Justin Bieber).

Sa i takon veprës që po dëgjoj, sipas Wikipedia-s, “Kuinteti i Troftës” (Forellenquintett) është ndër krijimet e para domethënëse të Shubertit, kompozuar kur ai ishte 22 vjeç, por që u publikua dhe fitoi famë vetëm pas vdekjes së autorit. Në mbështjelljen e pllakës shkruhet që vepra interpretohet nga pianistja Moura Lympany dhe instrumentistë kryesues nga Orkestra Simfonike e Londrës.

Në këtë pikë i shkruajta për ndihmë mikut tim Marin Gjollma, pianist, pedagog dhe zhytës entuziast i thellësive të historisë së muzikës klasike. Shpjegimi i tij si vijon:

“Moura Lympany që luan tek kjo pllakë gramafoni kryeveprën e muzikës së dhomës, kuintetin për piano, violinë, violë, çelo dhe kontrabas “Troftën” nga gjeniali Shubert, ka qenë pianiste koncertiste britanike dhe ka studiuar në Vjenë me Paul Weingarten, pedagog e pianist mjaft i njohur, i cili kishte studiuar me një nga studentët më të rëndësishëm të Franc Listit, Emil von Sauer, ku më tej i vazhdoi studimet në Londër me Mathilde Verne, e cila kishte studiuar me Klara Shumanin, gruan e një prej kompozitorëve më të rëndësishëm të romantizmit gjerman e botëror kompozitorit Robert Shuman, si edhe një nga pianistet koncertiste e pedagoget më të shquara gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 19-të si edhe në historinë e muzikës botërore. Pra vjen nga një traditë e frymë muzikore goxha e rëndësishme e cila për fat të keq, prej shumë dekadave ka pësuar deformime.”

Si rrjedhojë, mund të deduktohet që zonjat në fjalë – ajo që kushtoi dhuratën dhe ajo që e gëzoi – duhet të kenë qenë persona të kulturuar. Po pastaj? Tani që u ndërtua një farë konteksti rreth përmbajtjes së dhuratës, mund t’i kthehemi pusullës. Këtu ka disa gjëra që mund të vihen në pah, anipse me ca lëshime hamëndësimesh gjithsesi të informuara:

  1. Fjala hapëse është Margaret. Thjesht Margaret. Mungon formulimi i diktuar nga kortezia e përgjithshme “dear”, çka mund të dëftojë që dy gratë kanë qenë aq të afërta sa emri mjaftonte dhe çfarëdo etikete rreth tij do të kishte qenë e tepërt dhe e shtirur.
  2. Fraza “many retruns of the day” (përshtatur në shqip: “edhe shumë ditëlindje të tilla”) dhe praktikisht i vetmi urim i shënuar aty, sugjeron që zonja që ka ditëlindjen (Margaret) duhet të jetë e moshuar, ndaj i urohet që të ketë sa më shumë vite përpara. Ndonëse ky urim haset edhe ndër moshat e reja, megjithatë, në tekst mungon çfarëdo artefakti tjetër terminologjik që mund të sugjerojë ndonjë simbolikë rinore.
  3. Lili duhet të jetë po ashtu e moshuar, duke qenë se në anën e pasme të pusullës që ajo ka shkruar shfaqet riprodhimi i një pikture tradicionale të një tufe lulesh. Nga një pikëpamje semiotike, kjo zgjedhje sado rastësore, ndodh të jetë diçka që priren ta shfaqin damat e përkora të asaj moshe dhe të atyre kohëve, të cilat nuk tërhiqeshin (më) natyrshëm drejt figuratizimeve më “energjike”.
  4. Vetë përzgjedhja e dhuratës – sikundër u ndriçua më lart – ndër veprat e para domethënëse të Shubertit, krahas trupëzimit të saj në manifestimin fizik të një pllake gramafoni, përbëjnë rrethana që këshillojnë jo vetëm rreth periudhës kur kjo dhuratë mund të jetë bërë (të paktën para viteve ’90), por edhe mbi formimin kulturor të personave të përfshirë.
  5. Duke marrë parasysh kohën e përafërt të shpalosjes së këtyre rrethanave, dhe duke qenë se pllaka, ndonëse dhuratë dinjitoze, është ndarë nga zonja e saj dhe ka udhëtuar nga njëra anë e Kontinentit drejt tjetrës, nga një dyqan britanik i dorës së dytë në një shitore të pagjasë të Shqipërisë ku u shit për 500 lekë, ka hapësirë të spekulohet që të paktën Margaret (por edhe Lili) mund të mos jetë më në këtë botë.

Prej nga, ky eksplorim fiton edhe një nuancë emotiviteti nekrologjik, teksa nis të kultivojë diçka nga nostalgjia paradoksale e përjetimit të një kohe apo realiteti të papërjetuar. Një empati e re zgjohet nëpër flatrimin ujor të bishtit të troftës imagjinare të Shubertit austriak, gdhendur në qarkoren plastike prej kimisë shkencore me emërtimin “polivinil klorid”, që e derdhur në Mbretërinë e Bashkuar spiralon duke shkërbyer vërtitjen e Universit në një gramafon “Dual” të 1977-s, farkëtuar në Gjermani nga e njëjta firmë që gjatë Luftës së Dytë Botërore prodhonte xhiroskopë për nëndetëset “U-boat” që tinëzisht lëshonin silurët që mbytnin anijet britanike, por që tani dhe këtu, në Tiranë, e gjithë kjo trajektore kulmon në një nuancë të atij eliksiri kozmik që e interpretojmë dhe e përjetojmë si “E Bukura”.

Mes dramave dhe tragjedive të papërshkrueshme, jo gjithçka qenka humbur. Pasioni i asaj orvatjeje arbitrare drejt përkryerjes kumbon në dhomën time dhe rrjedh në veshët e mi dhe noton brenda qenësisë sime të vetëdijshme.

Por pavetëdijshëm, këto dama kanë mundur që përmes dashurisë së ndërsjellë dhe kultivimit të Së Bukurës, të mbërrijnë deri tek i panjohuri, i parëndësishmi, aksidentali unë, dhe kësisoj ta kultivojnë në lëmin e Estetikës së Pakohë; apo në terma më të thjeshtë, të më zbukurojnë një çast të kësaj përvoje kalimtare që e quajmë jetë.

Duket sikur rreth dy zonjave nuk do mundem të mësoj diçka më shumë se kaq pak sa kam mundur të kuptoj apo spekuloj. Ne nuk u njohëm kurrë. Por u takuam në një rastësi bujare të fatit. Dhe meqenëse vetë shprehja e dashurisë rrallëherë ndodh të mos përmbajë ndonjë dozë patetizmi, disi i tillë është edhe ky kushtim. Ndoshta parashikueshëm mes oqeaneve mortore që na ndajnë, po ndaj këtu një urim nga britaniku tjetër Dylan Thomas:

“Though lovers be lost love shall not;
And death shall have no dominion.”

(c) 2023 Ervin Qafmolla. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin