POETIKA E FJALËVE TË FSHEHURA

Aguaplano është kënga “peshëmbajtëse” në albumin me të njëjtin emër të kantautorit italian Paolo Conte, të vitit 1987. Përshkruan një udhëtim pak enigmatik me një avion të lehtë, ndoshta hidroplan, mbi një oqean tropikal, në sipërfaqen e të cilit “uni” lirik shquan një piano të madhe koncerti, një piano me bisht, që pluskon mbi ujë.

Kënga fillon kështu:

Un aeroplano
nell’aria bionda e calda
vola piano
lascia un bel mondo dal colore baio,
dove c’è il fiume di gennaio

E kisha kënduar këtë këngë me vete kaq e kaq herë, madje edhe me fjalë, por pa e vrarë mendjen fort për atë “fiume di gennaio” që e mbyll strofën.

Pastaj një ditë prej ditësh, m’u zbulua kuptimi, si rrufeja në të kthjellët: fiume di gennaio, “lumi i janarit”, nuk ishte veçse Rio de Janeiro – megalopoli brazilian buzë Atlantikut.

E patën quajtur ashtu disa lundërtarë portugezë, që ndoshta gabimisht e patën kujtuar gjirin si grykëderdhjen e një lumi (portugalisht: rio); dhe ashtu edhe e pagëzuan, lumi i janarit, meqë “zbulimi” kish ndodhur ditën e parë të vitit 1502.

Pse e quan Conte “fiume di gennaio” Rion? Në orvatje për tëhuajzim ndaj familjares? Apo vallë për t’i dhënë dëgjuesit një çelës si ta interpretojë më tej këngën?

Teknikisht, përftesa njihet si antonomazi – ta emërtosh dikë a diçka sipas një epiteti karakteristik, p.sh. avokati nga Asti, për Paolo Conte-n.

E ndesh në poezi dhe në publicistikë, ndonjëherë të keqpërdorur si klishe. A nuk është pak bajate të lexosh sot, në mediat shqip vend e pa vend, Piktori për Edi Ramën dhe Doktori për Sali Berishën?

Por antonomazinë e ndesh rëndom edhe në fjalëkryqet – artin e lojërave gjuhësore. Për shembull: Uliksi i Belfastit, që mund të jetë “Bloom”, “Joyce”, ose ndonjë kombinim i emrave të këtyre…

Fjalëkryqet funksionojnë në bazë të asaj forme ligjërimore të cilën André Jolles e pat klasifikuar si GJËZA, dhe e pat karakterizuar kështu: atje ku MITI na jep përgjigjen, GJËZA na jep pyetjen – sepse është një pyetje që kërkon përgjigje.

Për shembull:

Cili është Uliksi i Belfastit? Çfarë është lumi i janarit?

Këto pyetje testojnë njohuritë dhe intelektin e atij që duhet të përgjigjet – tradicionalisht dhe ndoshta simbolikisht, përgjigjja e saktë do ta shpëtonte heroin nga vdekja; dhe në fakt gjithnjë e shpëton nga vdekja narrative, që është harresa.

Paolo Conte e ka shprehur më se një herë pasionin e tij për fjalëkryqet – madje e përmend, në një nga këngët e veta më të njohura (“Sotto le stelle del jazz”) revistën La Settimana Enigmistica, aq popullore në kohën e lirë të disa brezave me radhë në Itali.

Duemila enigmi nel jazz
ah, non si capisce il motivo
nel tempo fatto di attimi
e settimane enigmistiche

“Amo i rebus e i rompicapi, ogni uscita della Settimana enigmistica è una piccola festa”, iu pat rrëfyer në një intervistë gazetës La Repubblica.

“Si enigmist i regjur,” i pat shpjeguar në një intervistë tjetër Vincenzo Mollica-s, “më pëlqen që fjalët të kenë kuptime të tjera, edhe pse brenda vetes e kam fare të qartë se çfarë kam dashur të them. Më pëlqen që të jenë pak ambigue, për t’ua lënë të tjerëve lirinë që të imagjinojnë atë që preferojnë: siguria e tepërt i bën keq artit.”

Pa dalë nga tema, më bën gjithnjë të qesh historia që rrëfen Conte, te kënga “Pesce veloce del Baltico”, teksa përshkruan restorantin e një hoteli të vjetër të provincës: i hedh një sy menysë, që ofron si të parë pikërisht këtë “pesce veloce del Baltico” – një eufemizëm, nëse duam edhe antonomazi, për merlucin e tymosur (baccalà), pjatë e varfër e osterive anembanë Italisë.

Ky emërtim kushedi do të zinte vend bukur, në një fjalëkryq ironik: “pesce veloce del Baltico” (merluzzo). Por njëherazi ai përcjell edhe trishtimin që ndjell varfëria e provincës dhe dëshirën për pak ornamentim të së përditshmes, duke përmendur shpejtësinë dhe ekzotikën e një vendi të largët si Baltiku…

Sërish, antonomazia në shërbim të tëhuajzimit ose estrangement, në përpjekje për ta ndihmuar tjetrin – dëgjuesin, lexuesin – që ta shohë botën me sy të hapur rishtas.

Ja edhe teksti më i plotë:

Pesce Veloce Del Baltico
dice il menù, che contorno ha?
Torta Di Mais e poi servono
polenta e baccalà
cucina povera e umile
fatta d’ingenuità
caduta nel gorgo perfido
della celebrità

Veç peshkut të shpejtë të Baltikut, ja ku i nxjerr kryet edhe “torta e misrit”, që s’është gjë tjetër, veçse kaçamaku (polenta)… Si aktorët në skenë, antonomazitë animojnë këtu pafajësisht një realitet të gënjeshtërt, por jo më pak të trishtuar.

Atje ku MITI përfton një ndjesi çlirimi, shkruan Jolles, GJËZA sjell me vete një ndjesi ankthi. Ky autor e lidh gjenetikisht gjëzën, si formë ligjërimore, me rrëfimin policor (detective story), si zhanër narrativ; ku detektivit i bie barra që ta zgjidhë gjëzën, e ndërtuar prej keqbërësit.

Shkruan Paolo Conte, duke komentuar këngën e vet Aguaplano:

“është një këngë që përmban një hetim (indagine), nga dritarja e një avioni të vogël, mbi gjirin e çfarë, modestisht, e kam quajtur italisht “lumi i janarit”… protagonisti i këngës vëren që mbi ujë po vezullon një piano me bisht dhe kërkon të dijë psenë – dhe që këtej fillon të bëjë supozime, të llojit sentimental, meqë imagjinon dikë që, me forcë herkuleane, të ushqyer nga dëshpërimi, hedh në ujë, nga anija, një piano – atë piano rreth së cilës kishin festuar deri atëherë këmbët e grave të bukura dhe vështrimet e një jete të lumtur.”

Edhe ai flet, pra, për një hetim që paralajmërohet, njëfarësoj, nga gjëza e “lumit të janarit”.

Në kuptimin që vetë marrja në pyetje e emrit Rio de Janeiro të çon te rrëfimi i pagëzimit të qytetit me këtë emër – ose te shkoqitja a shpalosja e një historie, që përndryshe rri e fshehur tek emri, tashmë konvencional për shkak të përdorimit të përsëritur.

Detektivi i historisë së fjalëve dhe detektivi tjetër, i skandalit të pianos që pluskon mbi oqean, janë në kërkim të kuptimeve të fshehura – mbi të cilat themelohet dhe përtërihet misteri esencial i botës përreth.

Conte e ka shpjeguar diku se kjo aguaplano është fjalë e krijuar prej tij – duke u dhënë një sugjerim pjellor atyre që hartojnë fjalëkryqe, anembanë botës: avioni i Paolo Conte-s.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Bibliografi minimale:

André Jolles, Simple Forms: Legend, Saga, Myth, Riddle, Saying, Case, Memorabile, Fairytale, Joke, Verso 2017.

Ernesto Capasso, Paolo Conte, Il viaggiatore dei paesaggi cantati, Arcana 2013.

Federico Pistone, Tutto Conte, Il racconto di 240 canzoni, Arcana 2019.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin