BIZANTI NË JAZZ

Ka qenë fillimi i vitit 2014, kur Eda Zari më foli për idenë e një albumi të ri, frymëzuar nga muzika bizantine. Në atë kohë bashkëpunonim në një spektakël televiziv, hapësirë në të cilën, ajo materializoi një sprovë të parën të kësaj ideje.

Në fakt, nuk është fjala thjesht për ‘muzikë’, sesa për një kant liturgjik, i cili i përket traditës shpirtërore të krishterimit lindor. Ky kant zë fill me ardhjen në pushtet të Kostandinit të Madh dhe krijimin e perandorisë romake të lindjes, me qendër Kostandinopojën. Sot praktikohet në variante lokale dhe gjuhë të ndryshme në komunitetet fetare respektive: në Ballkan, në Evropën lindore, Itali, Turqi, Lindjen e Mesme, Egjipt, Etiopi, deri ne Indinë e Jugut. Është një botë e përveçme, ndonëse me afinitete nga tradita të tjera kristiane, islame, hebraike, budiste, e hinduiste. Në dhënien zëFjalës së shenjtë, kjo muzikë – edhe brenda kornizës celebrative të ritit – ka “magjinë” e vet tingullore, që në situata të caktuara arrin të emetojë një vokalitet joshës, me një bukuri sublime.

Ky potencial vokal ka qenë ndoshta nxitja fillestare e Eda Zarit, për ta materializuar idenë e saj në një projekt artistik të guximshëm dhe unik në llojin e vet.

Pas rreth dy vjetësh rrugëtimi nga biseda paraprake me të, kam në dorë Entropy (Entropi), albumi i ri, publikuar nga shtëpia diskografike Enja Records dhe shpërndarë në tregun shqiptar përmes rrjetit të librarive Adrion Ltd dhe Hemingway Fun Club Tirana.

Te ky album, kanti liturgjik bizantin takon jazz-in, falë veprimit transformues të entropisë: “Entropy: Where Byzantium Meets Jazz”. Ky është, përmbledhtas, kumti estetik me të cilin prezantohet albumi, shoqëruar me vargjet sugjestionuese të William B. Yeats, “Duke lundruar për Bizant”. Dhe në fakt, Zari është frymëzuar pikërisht nga tradita bizantine e Kostandinopojës me variantet lokale dhe individuale që frymojnë aktualisht brenda saj. Sidoqoftë, fokusi primar i artistes mbetet Shqipëria me praktikat e saj.[1] Ajo ka përzgjedhur tropare dhe himne që interpretohen në gjuhën shqipe, duke bashkëpunuar në disa prej tyre me Korin e Psaltëve “Joan Kukuzeli”, të katedrales ortodokse në Tiranë dhe protopsaltin Theodhor Peci. Tekstet janë marrë nga përshtatjet që ka bërë Fan Noli.

Në album gjejmë troparet dhe lutje më të njohura në traditën shpirtërore të krishterimit lindor, siç janë “Kyrie Eleison” (“Mëshiro o Zot”) dhe “Krishti u ngjall”. Këto vijnë të trajtuara me një larmi timbresh instrumentale dhe improvizimesh solo, që i bashkëngjiten vokalit në një marrie e dhënie tepër evokative e transparente njëherësh.

Gjashtë himne të shkëputura nga shërbesat e ndryshme liturgjike plotësojnë korpusin me tetë numra të albumit.[2] Për vetë ngjarjet që rrëfejnë, kontrastet dhe kundërvëniet e brendshme, këto himne spikatin për dendurinë emocionale që brenda gjendjesh të tilla si vajtimi,  adhurimi, apo himnizimi. Do veçoja “O bukuri me nam”, “Eni shihni”, por sidomos “Lavirja” dhe “Zoti është bashkë me ne”. Tek këto të fundit, për mendimin tim, pikat kulmore të gjithë albumit, arrihet një climax absolut, i cili vjen si rezultat i kësaj energjie krijuese melo-ritmike. Kjo energji ka aftësi që t’i rrëzojë kufijtë ndarës mes formulave strikte muzikore dhe abstragimit e improvizimit; mes zërit dhe instrumenteve; mes fjalës së adhuruar dhe muzikës, dhe më në fund, mes Bizantit dhe jazz-it (megjithëse thellë-thellë ndërmjetësojnë gjithashtu jehonat e Rilindjes muzikore, kantit ambrozian, barokut evropian, bashkë me universalizmin e një zhanri si ai i muzikës së dhomës – chamber music).

Ajo që e vë në lëvizje gjithë këtë është melodibërësja, Eda Zari. Nën një petk të tillë, kaq thelbësor për artin psaltik bizantin, ajo krijon laboratorin e vet. Duke përbrendësuar logjikën poetiko-muzikore të këtij arti, Zari injekton, në të njëjtën kohë, përvojën e saj artistike, brenda secilës rezonojnë format e të kënduarit tradicionale të Shqipërisë, sidomos ato të polifonisë së jugut, një vokalitet blues, shumë fin dhe arti “klasik” i këndimit lirik. Muzika merr një rëndësi të barabartë me fjalën, ndërsa njëzërëshi (monodia) e kantit “dorëzohet” natyrshëm mbi shumëzërëshin me iso (polifoninë). Këto janë dy tiparet më të veçanta e njëkohësisht më thelbësore të Entropy-së. Kemi përplasje dhe pastaj pajtim të papajtueshmeve.  Kështu, te kanti bizantin, muzika i shërben fjalës, ndërsa jazz-i është një shprehje që nuk ka nevojë për fjalën. Ajo çka ndodh është që jazz-i bëhet instrument i fjalës, kurse muzika, shkëputet nga “tutela” e fjalës dhe fiton valencë estetike e koncertale. Kemi të bëjmë me një formë dekonstruktivizmi, e cila përtej interpretimeve filozofike, apo semiotike, më sjell ndërmend një shprehje kuptimplotë nga tropari i Krishtlindjeve, që thotë:  “Edhe dheu i blaton të Paafruarit shpellën”.

Ndërkohë, udhëtarët që i janë bashkuar pelegrinazhit të Eda Zarit janë figura të njohura të skenës jazz dhe avangardë sot në botë. Ibrahim Maalouf-i me trombën në çerek-ton sjell timbrikën e tij të dallueshme dhe imponuese. Si një nyje që bashkon muzikën arabe me shprehje bashkëkohore të jazz-it perëndimore, Maalouf është një feature kuptimplotë për konceptin e këtij albumi. Janë pastaj ritmet e Rhani Krija-s, një artist i cili ka një përvojë shumë të gjatë bashkëpunimi me Eda Zarin, gjë që ndihet te mënyrat sesi ajo jep e merr me figuracionet e tij ritmike, pa anashkaluar këtu edhe lojën e tij në gumbrie.[3]  Krahas tyre, kemi mbështetjen nga Ditmar Fuhr në kontrabas dhe interpretimin e rafinuar – në saksofon dhe sruti box[4] – të Hayden Chisholm-it, multi-instrumentalist, përvoja performative e të cilit lëviz nga jazz-i te avangarda; nga ‘world music’ te traditat muzikore të vendeve të ndryshme.

Ndërsa, produksioni muzikor dhe aranzhimet e materialeve mbajnë firmën e Florian Weber, kompozitor dhe pianist i afirmuar për stilin e tij të përveçëm. Weber noton midis jazz-it, muzikës avangardë europiane, asaj klasike, dhe është fitues ndër të tjera i çmimit prestigjioz EchoJazz Award. Aranzhimet e Weber-it janë një humus shumë i gjetur tingullor, timbrik e ritmik për këtë kant. Ato kanë një qasje ekspresioniste dhe minimaliste njëherësh, që zbulohet nëpërmjet temave e motiveve të kursyera instrumentale që Weber përdor për të dialoguar me zërin; përmes harmonive transparente që i qasen përmasës modale të kantit bizantin; larmisë ritmike (ku nuk mund të mungonte edhe 7/8-i tipik i muzikës sonë) dhe së fundi, përmes “prekjes” (tocco-s) origjinale që Weber ka kur luan në piano.

Marrja në shqyrtim e këtyre detajeve ka rëndësi për të kuptuar risinë dhe guximin e këtij albumi. Risi sepse kemi të bëjmë me një lloj shprishjeje të kodeve qindravjeçare të kantit të traditës dhe guxim sepse nënkupton marrjen përsipër të një sërë “rreziqesh” siç mund të jenë: mospërputhja me pritshmëritë e publikut të gjerë apo të ngushtë; rënia ndesh me bindjet fetare të dikujt, por  edhe me vetë pikëpamjet e atyre që aktualisht janë “ruajtës”, promovuesve dhe studiues të kësaj trashëgime. Në nivelin krahasues Entropy distancohet nga projekte të ngjashme, të cilat e kanë pranë-vënë kantin bizantin me shprehje të tjera bashkëkohore, por pa mundur të përftojnë energjinë e mjaftueshme për t’i përplasur e pajtuar. Dua të përmend këtu albumin Rhapsodies të Vangelis në bashkëpunim me Irene Papas (1986)[5]. Te ky album, Vangelis merr tropare dhe himne nga Java e Shenjtë, të interpretuara me një stil gati operistik nga këngëtarja/aktorja Irene Papas. Këto melodi, ai i vendos brenda një mjedisi tingullor elektronik, me formatet e sintetizuara orkestrale të tastierës.[6] “Zhveshja” e këtij kanti nga elementi melizmatik dhe “veshja” e tij me njëtrajtshmërinë që ofron vokaliteti i impostuar operistik e largon ndjeshëm nga ato aspekte identifikuese të melodibërjes psaltike, gjë që Eda Zari jo vetëm përpiqet ta ruajë, por mbi të gjitha ta rikrijojë me përgjegjësi artistike.

Nga kjo pikëpamje, Entropy mund të cilësohet si një “concept album”, pra një album i cili përshkohet nga një koncept unik (entropia) që lidh të gjitha materialet në një mjedis të përbashkët. Brenda tij mbivendosen një sërë shtresëzimesh muzikore, por edhe kulturore, të cilat mendoj se do të zbulohen në mënyrë graduale. Kjo vlen qoftë për dëgjuesin perëndimor, i pajisur me një përvojë të caktuar dëgjimi por pak i njohur me këtë kulturë; qoftë për atë shqiptar, tek i cili një traditë shpirtërore si ajo kantit bizantin është thuajse fare e panjohur, për të mos thënë e zhytur në mite paragjykuese. Gjithsesi, do të doja të zbuloja këtu njërën prej këtyre shtresëzimeve. Në mënyrë të ndërgjegjshme ose jo, Entropy referon idenë e “tjetrit” që vetë Perëndimi e fabrikoi gjatë kolonializmit dhe që ka gjetur vend edhe brenda një kulture si kjo e jona. Kjo “tjetër”:  jo-evropiane, bizantine, femërore vjen te Entropy me një energji krijuese të veçantë, duke na nxitur të reflektojmë më thellë për vendin që ajo zë në qenien tonë, në atë çka ne jemi sot.

E ndërsa shqyrtuam aspektet krijuese të Entropy­-së, nuk duhet të harrojmë që ajo është një përvojë tingullore, rëndësia e së cilës nuk qëndron vetëm te emocioni dhe forca narrative që përçon, por edhe te potenciali për t’u përballur me këto të dyja. Falë  kësaj përballjeje, mund të kuptojmë se çka është në gjendje të mbijetojë në muzikë nga e shkuara; çka është në gjendje të rezistojë dhe duke rezistuar, të turbullojë, të provokojë, të ngrejë pyetje, të kërkojë përgjigje brenda së tashmes dhe unitetit të rrejshëm të saj. Kështu do të mund të kuptojmë se Entropy është një përvojë dëgjimi, e cila duke lundruar drejt Bizantit, na çon me energjinë e vet, më afër muzikës dhe vlerës së pamatshme që ajo ka në ekzistencën tonë.

Shënim: Një variant më i sintetizuar i këtij artikulli është botuar në gazetën Mapo, 28 dhjetor 2016, fq. 13. Titulli është i PTF. Titulli i origjinalit: EDA ZARI DHE ENTROPY – ATY KU BIZANTI TAKON JAZZ-IN.


[1] Për një kontribut bibliografik, shiko për këtë: Theofan S. Noli (përkthyer e përshtatur), Kremtore e Kishës Orthodokse, 1947; Theofan S. Noli (përkthyer e përshtatur), Triodi dhe Pesëdhjetorja, 1947; Theodhor Peci (përshtatur, kompozuar), Anastasimatari, 2015.

[2] Duhet të saktësojmë që çdonjëri prej materialeve ka një emër specifik në Tipikonë e kishës. Për një shpjegim më të detajuar të materialeve shiko:

http://media.wix.com/ugd/f4598e_74fc7b26ef6c4588a8ede9c76830c0fc.pdf

[3] Gumbrie (ose gunibri, sintir) është instrument kordofon i familjes së liutit. Ai i përket popullsisë Gnawa në Afrikë dhe inkuadrohet brenda kulturës muzikore të Mbretërisë së Marokut.

[4] Śruti box (shruti box) është një lloj harmoniumi e vogël dore, e cila e ka prejardhjen nga kultura muzikore tradicionale e Indisë. Ai zakonisht luan një lloj pedali, burdoni.

[5] https://www.discogs.com/Irene-Papas-Vangelis-Rapsodies/master/11114

[6] Këtu dy shembuj nga albumi: varianti i “O bukuri me nam” (Tin Oreotita tis parthenias su)

https://www.youtube.com/watch?v=rusPq5j7NKs;

“Krishti u ngjall (Hristos Anesti)

https://www.youtube.com/watch?v=2sw6u2EKKm4

Një përpjekje interesante, por me një qasje krejt tjetër është ajo e Christodoulos Halaris, i cili mbi bazën e kërkimeve të veta sjell një antologji me muzikë shekullare byzantine.

Shiko:

https://www.discogs.com/Christodoulos-Halaris-Anthology-Of-Byzantine-Secular-Music-Vol-II/release/4163712

 

Rreth Autorit

Mikaela Minga është etno/muzikologe pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve. Merret me praktika të ndryshme muzikore të arealit ballkanik e mesdhetar, me muzikën në shek. XX dhe lidhjet e tyre të shumanshme në rrafsh artistik dhe social-kulturor. Është autore librash, esesh dhe artikujsh të ndryshëm.

Author Archive Page

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin