SHESHI ABSTRAKT

Do të flitet shumë – shpresoj – për sheshin “Skënderbej” të ribërë nga kjo legjislaturë; unë e pata parë pak para se të përurohej dhe më pat lënë përshtypje të keqe; sikurse më kishin lënë përshtypje të keqe paraqitjet që ia kishin bërë projektit promotorët përkatës.

Askush nuk e di se ç’raport do të vendosin qytetarët e Tiranës me këtë hapësirë; edhe pse kam frikë se ata që kanë lindur dhe janë rritur në Tiranën “tjetër” nuk do ta pranojnë ndryshimin; sepse ky është reagim psikologjik i natyrshëm, por edhe sepse janë mësuar me një lloj tjetër sheshi. Nga ana tjetër, edhe pritja që po i bëhet sheshit tani do të ndikojë në përdorimin e tij prej qytetarëve, madje edhe të atyre që nuk kanë ndonjë kujtim të sheshit të mëparshëm, për ta përdorur në krahasimet.

Sa për reagimin e elitës politike dhe të lapsave të tyre ndaj sheshit, ky nuk vlen as edhe një kacidhe; sepse kjo elitë do ta përdorë sheshin “Skënderbej”, sikurse përdor gjithçka tjetër, si fushim, ose në funksion të marrëdhënieve të saj me pushtetin, dhe pa pyetur fare për ndikimin që do të ketë ky në jetën e tiranasve, në afat të shkurtër, të mesëm dhe të gjatë.

Megjithatë, të gjithë ne që kemi folur për sheshin dje dhe që flasim për sheshin sot, jemi të detyruar njëfarësoj të marrim parasysh se për çfarë do të përdoret sheshi; meqë ky i fundit – si element i hapësirës urbane – nuk është se vjen së bashku me destinacionin e vet, siç mund të vijë, bie fjala, një kinema ose një stadium.

Historikisht, por edhe anembanë botës në bashkëkohësi, sheshet janë përdorur dhe përdoren si vende grumbullimi të qytetarëve, si vende për t’u shplodhur dhe për të kaluar kohën e lirë, si vende për t’u mbledhur vizitorët dhe turistët, si vende për tregje të hapura ose fshatare, si vende për parada ushtarake dhe rreshtore gjithfarësh, si vende për të ndihmuar dhe lehtësuar transportin publik e kështu me radhë.

Në një kuptim, destinacionin por edhe kuptimin sheshit ia japin ndërtesat dhe funksionalitetet urbane që e rrethojnë: te një shesh para një katedraleje, do të mblidhen besimtarët, ndërsa te një shesh në mes të një lagjeje rezidenciale do të ngrihen barakat dhe tezgat e tregjeve rionale; te një shesh para një teatri do të ketë restorante për pas shfaqjes, ndërsa te një shesh para një stadiumi do të grumbullohen tifozët; te një shesh para një universiteti do të mblidhen studentët, ndërsa te një shesh para një stacioni treni do të kalojnë udhëtarët.

Sheshi “Skënderbej” në Tiranë është kushtëzuar fort, gjatë shekullit XX, nga shndërrimi i Tiranës në kryeqytet – meqë është përdorur sistematikisht për mbishkrime dhe graffiti simbolike në indin urban të qytetit; i tillë edhe është trashëguar nga shteti dhe pushteti i tanishëm, i cili nuk po di ç’të bëjë me të, përveçse ta rishtrojë e ta rindërtojë herë pas here, me një këmbëngulje instinktive të ngjashme me atë të dallëndyshes që e mirëmban me zell folenë edhe kur i kanë ngordhur zogjtë.

Një hapësirë aq e madhe, në qendër të një qyteti me popullsi në rritje galopante si Tirana, do të përligjej vetëm nëse njerëzit do të kishin arsye të forta për të shkuar atje në masë – për dëfrim, për shplodhje ose për punë; por asnjë nga këto arsye nuk më rezulton të qëndrojë sot. Asgjë në rrethinat e sheshit nuk ta sugjeron nevojën për një hapësirë të tillë – meqë as Muzeu Kombëtar, as Pallati i Kulturës (dhe Opera), as monumenti i Skënderbeut, Xhamia e Et’hem Beut dhe Hotel Tirana nuk mund të tërheqin dot më kaq shumë njerëz, ditën dhe natën, tiranas ose vizitorë qofshin.

Natyrisht, nuk flasim dot për versionin ose riciklimin e tanishëm, pa mbajtur parasysh se në çfarë gjendjeje e gjeti sheshin administrata Veliaj; por edhe atëherë edhe tani, mëkati i planëzuesve urbanë – nëse mund të shprehem kështu – është që e kanë trajtuar sheshin në vetvete, ose të shkëputur nga konteksti urban i qendrës së Tiranës; kanë rregulluar dhe rinovuar një hapësirë, ndoshta edhe duke përfytyruar përdorimet e mundshme të kësaj hapësire nga qytetarët; por nuk kanë arritur të shpjegojnë se për çfarë i duhet pikërisht Tiranës dhe qytetarëve të saj sot kjo hapësirë, e konfiguruar siç është.

Rreth e përqark sheshit “Skënderbej” nuk ka as dyqane, as bare dhe kafene, as kinema dhe teatro, as restorante e të tjera vende të ngjashme, që t’i bëjë njerëzit të shkojnë atje dhe të kalojnë kohën; dhe as stacione treni a autobusi ose transportation hubs. As si agora, ose si hapësirë ku qytetarët të mblidhen dhe të ushtrojnë të drejtat e tyre, sheshi i tanishëm nuk funksionon dot, sepse është aq i madh, se paradoksalisht e topit frymën demokratike – duke imponuar një ndjenjë të humbjes dhe të dystimit të mendimit.

Ky i tanishmi do të shërbente ndoshta si shembull i një sheshi abstrakt, pa lidhje me qytetin dhe qytetarët; si gjurma e mbetur nga shpërthimi horizontal i një ideje delirante; ose i shpresës se një kryeqytet mund t’i krijojë kontekstet dhe monumentet e veta, pa pyetur për qytetin mbi të cilin paraziton. Është kuptimplote, por edhe ironike, që kjo ide ka mbijetuar, me këto trajta specifike, në Tiranën moderne ende të organizuar rreth konceptit italian-fashist për qytetin dhe të pranuar me aq lehtësi madje krahëhapur nga regjimi totalitar i Hoxhës.

Ideja është po aq fashiste, sa ç’është egjiptiane ideja e “piramidës” në Bulevardin e Madh ose romak-imperial obsesioni me kullat-obeliskë; sepse sheshi i tanishëm nuk trashëgon, as mëton të trashëgojë gjë nga arroganca dhe megalomania fashiste, por vetëm ia adopton kësaj arrogance format gëzueshëm, me shpresën se mund t’i mbushë këto pastaj me çfarëdo kuptimi; sikurse nuk trashëgon, as mëton të trashëgojë gjë nga arroganca dhe megalomania totalitare, me përjashtim ndoshta të gatishmërisë për të shkatërruar ekzistuesen, ose të entuziazmit naiv që shoqëron thirrjen “le ta prishim.”

Problemi struktural, me këtë shesh abstrakt, është se rreth e rrotull nuk ka më një Tiranë që ta përmbyllë dhe ta rrethojë dhe t’i japë kuptim; por vetëm hapësira të tjera, herë të vjetra e herë të krijuara rishtas e shpesh aksidentalisht, që nuk e kanë statusin e sheshit, por veç luftojnë për të marrë (ose për të ruajtur) atë të truallit; dhe në kuptim edhe një fushë aviacioni e ngritur në mes të savanës do të kish qenë më e gatshme për të ofruar atë përmbyllje, që duhet ta kenë hapësirat ndërmjetëse.

Madje sa më tepër që “hapet” sheshi tani, aq më i trishtuar duket edhe ai vetë, edhe konteksti që e rrethon; mu në kohën ku një lagje tjetër si “ish-blloku”, praktikisht pa sheshe, po lulëzon për bukuri – jo sepse e ka planifikuar kush, por sepse interesat e palëve dhe të aktorëve urbanë janë gërshetuar përgjithësisht mirë, pa qenë nevoja për ndërhyrje në shkallë të gjerë.

Një mundësi sado e largët për ta gjallëruar sheshin e tanishëm “Skënderbej” pa e ribërë nga e para, do të ishte thyerja e tij në mes, ndarja në hapësira të mëvetësishme dhe pasurimi me aktivitete komerciale, dëfrimi dhe kulturore; jo për ta shndërruar në një kopje të Pazarit të Ri, por për t’i dhënë qytetarit dhe vizitorit të paktën mundësinë që të ndihet i mbrojtur: edhe nga elementet (shiu, era, zhegu), edhe nga agora-fobia – ose ndjesia e të qenit asgjëkundi. Teknologjia ekziston, për t’i shtuar të gjitha këto struktura në mënyrë jo permanente, por sipas stinës dhe humorit dhe dëshirave të lëvizshme të qytetit. Në këtë kuptim, sheshi që tani u bë duhet “prishur” menjëherë, por jo me traktor as me fadrom, por duke e bërë të adoptueshëm nga qytetarët.

15 Komente

  1. Përshëndetje Ardian,

    Jam dakord kur thua që sheshi është pak abstrakt, thënë ndryshe I mungon një identitet I caktuar, por jam I mendimit se Tiranës I duhet një vend I tillë, pak kot. Nuk di nëse ke kaluar darkave tek sheshi “Nënë Tereza”, por pas një ore të caktuar (kam përshtypjen se ora 7), fillon të ndalohet qarkullimi I makinave dhe sheshi gëlon me rini. Të kujton pak “piazza-t” italiane, ku gjatë mbremjës rinia marrin pije dhe mblidhen. Kam përshtypjen se ideja e sheshit shterpë është pikërisht kjo, një pikë mbledhjeje e njerëzve që thjesht duan të rrinë diku outdoors por prapë në kontakt me njëri-tjetrin. Madje, dicka më bënë të mendoj se është bërë pikërisht në përgjigje të “dydnjeve” te sheshi “Nënë Tereza” që kur u vendos ndalimi I qarkullimit të makinave gjatë darkës. Edhe sheshi “Nënë Tereza” nuk ka ndonjë atraksion që përligj dyndjen e rinisë atje, madje ka disa nga godinat më të shëmtuara të Tiranës përreth (Korpusi dhe Akademia e Arteve). Fakti që rinia tregoi gatishmërinë që të largohej nga kafenetë e të fillonte të rrinte në shesh, më bënë të mendoj se një gjë e ngjashme do ndodhë edhe tek sheshi Skënderbej gjatë darkave, dhe më duket shumë gjë e bukur. Gjatë verës, kur jam në Tiranë, edhe unë në shesh rri, me një birrë në dorë. Pra jam I mendimit se ndonëse sheshit vetë I mungon një identitet, prapë do frekuentohet nga njerëzit, në fund të fundit do jetë ndër të vetmit vende në Tiranë ku thjesht mund të rrisht përjashtë, kot dhe afër njëri tjetrit.

    1. Fatin e këtyre strukturave nuk e parashikon dot, dhe unë uroj që Tirana ta pranojë sa më shpejt sheshin. Ajo zonë, për fat të keq, ka mbetur e mbyllur dhe e bllokuar kaq gjatë, sa tiranasit sikur janë mësuar t’i shmangen ose t’i kthejnë shpinën – për të gjetur zgjidhje të tjera. I njëjti virtyt që ua urojmë qytetarëve tani, ose aftësia për të mirëpritur, duket sikur ka vepruar kundër sheshit, sepse funksionet e pritshme ia kanë marrë hapësira të tjera. Tiranasit janë përshtatur, duke e faktorizuar sheshin “Skënderbej” jashtë qytetit. Mua disa pemë fare anemike që patën mbjellur gjatë ristrukturimit Basha nuk më patën pëlqyer kurrë; pa folur për atë lëndinën në formë shale, rreth e rrotull monumentit të Skënderbeut. Të shohim si do të jenë dhe si do të duken këto të rejat. Nga ana tjetër, gjithë këto vjet punimesh dhe ndërhyrjesh duket sikur ia kanë zhveshur sheshit cilësinë për të qenë edhe QENDËR e Tiranës, të cilën e pat gëzuar dikur. Por shpresoj që të ndodhë ajo që nuk pres – sepse një refuzim i ri do të ishte goditje e dhimbshme për jetën në qytet.

    2. Ne fakt sheshi Nene Tereza eshte ilustrimi me i mire sesi mund ta shkaterrosh nje shesh, jo si ndertim por si koncept. Nese pranojme se sheshi Skenderbe eshte shesh abstrakt, atehere sheshi Nene Tereza eshte tashme nje shesh absurd. Sidomos pas prishjes se shatervanit ne qender te tij ai ngjan sot me shume me tablote e De Chirico-s. Keto zbrazetira qe njerezit jane te detyruar t’i mbushin nuk tregojne dhe aq per suksesin e ketyre shesheve. Perkundrazi tregojne per kreativitetin njerezor si reagim ndaj hapesires se sikletshme, te pakuptimte. Dhe meqe permendet frekuentimin e tij me lejoni t’ju kujtoj se edhe ne gjendjet e tij te meparshme e me te mjera ky shesh ka pasur njerez qe e frekuentonin, madje me numra me te medhenj.

      Per tu kthyer tek sheshi i ri Skenderbe. Nese ka nje ‘merite’ ky shesh, ai per mua eshte se nuk eshte dhe aq shesh, ne kuptimin literal te tij. Perkundrazi ne nje pjese te mire ai eshte tashme nje koder me gur ne mes te Tiranes. Do kemi kohe boll ta gjejme se cfare ka dashur te thote autori.

  2. Z.Vehbiu, tentativa juaj për të justifikuar disi shpërdorimin e taksave të shqiptarëve është e trishtueshme. As pena juaj e as dedikimi juaj politik majtas (ose djathtas, whatever, në ketë rast majtas obviously ) nuk japin dot argumente bindese, arkitektonike, historike ose estetike për justifikimin e kësaj talljeje të hapur ndaj çdo jo të verbri.
    Dikur ju lexoja me interes, sigurisht prioritetet tuaja kanë bere shifting…Sad..

  3. Tiranes i ka mbetur vetem Rrugica si shenje e vjeter ne kete megaoperacion plasto – urbanistik qe i eshte bere. Projekti i ri ka sfiduar edhe kartolinen e kryeqytetit, kaq shume ngulitur me trekendeshin Kulle e Sahatit, monumenti i Skenderbeut – Xhami, qe qendronin si stema e bulevardit te ministrive. Edhe une jam dakord qe sheshi nuk rithemelohet dot si kerthize per arsye qe lidhen me nje sere procesesh, plus qe ndoshta ja fusim fare kot kur flasim per kete, nisur nga fakti se projekti i sheshit mund te jete kryer per te shpenzuar ca para dhe sidomos per nevojat e parkimit qe mbiu poshte tij.

    Sheshi ka humbur parimin e dikurshem te koagulimit politik, apo te identifikimit gjitheperfshires. Ai ka kohe qe eshte shnderruar ne nje nyje tranziti e stermadhe qe kerkonte nje tjeter qasje. Ndaj them qe humbja e atributeve politike dhe funksioneve masive i le Tiranes rrugicen si hapesire mbrojtjeje, por edhe strehe te nje nostalgjie qe qeteson pehashin identitar. Me diskrete, me te heshtura, pak te lena pas dore, ato jane shpresa e mbetur e nje qyteti(arie) qe eshte trajtuar si ilustrim anatomik i te gjitha qarkullimeve te gjakut (popullor) ne keto ane.

    Kjo vlen edhe per nje qytet si Vlora. Lungomarja e saj e sapoinauguruar pelqehet nga te gjithe, por une, ndonese nuk jam nga Vlora, e as nga Tirana. mendoj modestisht se ajo rruga e ngushte, me ca peme anash, nga Skela ne Uje te Ftohte ishte shume e dashur, shume mikpritese, nje kapilar i ndjeshem anes ujit. Dhe praktike, funksionale, pa ekzagjerime.
    Qyteti nuk ka kuptim pa historine e njerezve dhe komuniteteve; nderhyrje te tilla si ne Tirane tjetersojne me perdhune edhe emertimet, qe jane transplante qe na thone se dicka nuk funksionon, nuk ka vazhdimesi, pra dicka nuk respektohet.

  4. Vebi, te ka zene me sheshin si Belul Gjonomadhin me radarin..
    Por, kam nje kureshti perveluese te di si do te ishte sheshi sikur ta kishe ti ne dore qe nga projektimi deri ne perdorim.

  5. Mua thjesht me vjen shume keq per ate lulishten nen nivel qe ishte mbrapa monumentit. Nuk e di po me vjen te them, “po me ate lulishte ç’paten”?

  6. Eshte nje shesh madheshtor z.Vehbiu dhe formatin urban te madheshtise; do ta shihni shume shpejt per Bajram. Sheshi do te mbushet plot me njerez qe falin bajramin ku ne menyre te sinkronizuar du ulen e do ngrihen me bythperpjete e do te na falin nje spektakel ku vetem qytetari nuk do ta shohe veten si operator i veteorjentuar ku ai ta pushtoje sheshin-sheshi ka pushtuar qytetarin, dhe eshte nje shesh ideologjik ku shume shpejt do te funksionoje si i tille per bajram.

  7. Sheshi duket si pasqyre e madhe qe arrin te nxere imazhin e gjigandit, katallanit, Rama. Normalisht edhe Rama u mallengjye fort si kurre ne jeten e tij qe me ne fund arriti te shohe veten ne pasqyre. Lali Erin e zune emocionet kur pa shefin aq te mallengjyer.
    Taksirat i taksapaguesve, kush do vije pas Veliajt do i hyje prape me themeli.

  8. Hyllin, ty te kemi mbajtur gjithmone burre me nje barre mend.
    Nuk te shkon te dalesh ketu si militant nga bathorja.
    Nuk te shkon as ty, as revistes ta ule pazarin ne muabete mitingashesh.

    1. Fatma, sheshi eshte teper banal per t’u komentuar. Pastaj kur lexon per 100 shatervanet, 2 mije pemet, 5 mije shkurret e 35 mije lulet e sheh ate hapesire si parkim supermarketi, normalisht duhet te pranosh se ka dicka qe nuk shkon. Pastaj une nuk thashe qe sheshi duket si dysheme banjoje, por e krahasova me pasqyren.

  9. Dini gje se kush eshte hartuesi i projektit te sheshit Skenderbe, flas per kete qe u inagurua se fundmi, pasi nuk ngjan fare me ate ne te ashtuquajturin planin Francez per qendren e Tiranes.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin