LOJËRA ME GJUHËN

Ndoshta e keni vrarë ndonjëherë mendjen se pse një vajze të bukur i themi zakonisht thëllëzë, ndërsa një djali të bukur pëllumb. E kundërta do të ishte e papranueshme – meqë t’i drejtohesh një djali duke e quajtur thëllëzë rrezikon së paku ta fyesh; ndërsa ta quash vajzën pëllumb të marrin për të huaj dhe t’i falin gabimet që bën kur e flet shqipen.

Natyrisht, këto kushtëzime nuk lidhen me kuptimin që shërben si urë për metaforën (ose krahasimin), por me gjininë e emrit. Thëllëza, tek e fundit, biologjikisht mund të jetë mashkull ose femër, por në nënvetëdijën gjuhësore të shqiptarit është e fiksuar si figurë femërore; e njëjta vërejtje vlen edhe për pëllumbin.

Prandaj edhe e quajmë Shqipërinë nënë, ndërsa Tomorrin baba; jo sepse Shqipëria është e seksit femër ndërsa Tomorri i seksit mashkull, por ngaqë gjinia gjuhësore si në një rast ashtu edhe në tjetrin na i kushtëzon zgjedhjet.

Për të njëjtën arsye, epitete të tilla si papagall, kameleon, buf, pallua i përdorim për të karakterizuar meshkuj; ndërsa epitete të tjera, si flutur, shqiponjë, grifshë, nepërkë, laraskë, kakëzuskë, bibë për të karakterizuar femra. Natyrisht, nuk ka asnjë arsye semantike pse sharjen kastravec duhet ta përdorim vetëm për meshkuj…

Po ashtu, një kushëriri im i vogël shqetësohej shumë kur thoshin për të se ishte i urtë si pulë; jo sepse nuk donte të ishte i urtë, por sepse epitetin pulë me të drejtë e konsideronte si të përshtatshëm vetëm për gocat.

Nga ana tjetër, shkrimtarët për fëmijë, ose poetët që ulen të shkruajnë për hënën, erën, vjeshtën, kometën, dëborën do t’i personifikojnë këto si femra; ndërsa diellin, lumin, malin, shiun, dimrin si meshkuj. Gjithsesi, në raste personifikimesh të sendeve është emri ose gjinia që e përcaktojnë seksin e personifikimit.

Më në fund, me përjashtim të atyre rasteve kur gjinia shprehet nëpëmjet mbaresash të specializuara (doktor-doktoreshë, mësues-mësuese) dhe pak rasteve të leksikalizuara si burrë-grua, djalë-vajzë, kalë-pelë, dhi-cjap etj., gjinia gjuhësore është në thelb krejtësisht abstrakte, në kuptimin që të gjithë emrat e shqipes janë të detyruar të klasifikohen në mashkullorë dhe femërorë (për thjeshtësi, po e lë mënjanë gjininë asnjanëse, e cila është në zhdukje e sipër).

Kjo tregon se gramatika, të cilën shpesh e përfytyrojmë si strukturë pothuajse matematike të gjuhës, sjell një mitologji specifike me vete, e cila shfaqet e mishërohet në forma nga më të papriturat.

Shpërfillja e kushtëzimit të nënvetëdijës nga shtrëngesat kuptimore-gramatikore ka çuar në gabime qesharake deri edhe dijetarë përndryshe të mëdhenj e të nderuar. Këto ditë lexoja, në Chess Base, për një interpretim psikoanalitik të lojës së shahut, dhënë në kohën e vet nga Ernest Jones, nxënës dhe biograf i Sigmund Freud-it, i cili paska thënë dikur se “nuk diskutohet që shahistin nuk e motivon thjesht dashuria për dyluftimin në lojërat kompetitive, por më tepër dëshira për të vrarë të jatin.” Sipas Jones “Psikoanalisti nuk do të habitet kur të mësojë se… kur hidhet në sulm ndaj babait (mbretit), shahisti ndihmohet para së gjithash prej nënës (mbretëreshës)… Pa dyshim, është kjo karakteristikë anale-sadike që ua përshtat lojën aq mirë aspekteve njëkohësisht homoseksuale dhe antagoniste të ballafaqimit atë-bir.”

Edhe psikologu amerikan dhe dishepulli i Freud-it Isador Coriat, vërente se “I vetmi objekt i lojës për [shahistët] është ta zhveshin mbretin (babanë) prej fuqisë nëpërmjet matit, d.m.th. ta kastrojnë. Fitorja në lojë ngjall një ndjenjë kënaqësie të fortë, meqë mati pavetëdijshëm njëjtësohet me një hakmarrje të kastrimit.” Nga ana e vet, psikoanalisti dhe shahisti i madh amerikan Reuben Fine shkruante se “[loja] pa dyshim lidhet me konfliktet që i shoqërohen agresionit, homoseksualitetit, masturbimit dhe narcisizmit… [Mbreti] përfaqëson penisin djaloshar në stadin falik, dhe që andej ringjall ankthin e kastrimit që është karakteristik për atë periudhë.”

Duke shkruar në faqen “Chess Base”, Frederic Friedel me të drejtë vëren se, edhe nga pikëpamja ngushtësisht psikoanalitike, qëllimi i lojëtarit në shah nuk do të ishte të vrasë babanë e vet, por babanë e kundërshtarit – sido që vetë interpretimi psikoanalitik i problemit, pavarësisht se nga ç’perspektivë kryhet, mbetet pak qesharak dhe ka nevojë ai vetë për t’u psikoanalizuar.

Friedel gjithashtu vëren se emrat e gurëve të shahut janë fjalë të gjuhës, dhe si të tilla i marrin karakteristikat në pajtim me strukturat gramatikore dhe kuptimore të atyre gjuhëve.

Shkruan Friedel:

[…] ndërsa fjala për mbretëreshën në shah është përgjithësisht e gjinisë femërore në gjuhët europiane, gjetiu në botë kjo fjalë ose nuk ka gjini fare, ose është e gjinisë mashkullore. Në arabishten klasike, mbretëresha quhej firz ose firzan (këshilltar). Në estonishte, guri në fjalë quhet lipp (flamur), në arabishten moderne wäziir, në rusishte ferz, në farsi ose persishte vazir, farzin, në hinduishte farzi, dhe në turqishte vezir […] Pas gjase, shahu e huazoi fjalën damë ose mbretëreshë nga loja e damës, ku nuk mund të flitet kurrsesi për atvrasje; dhe arsyeja për këtë huazim ishte për t’i çiftuar më mirë figurat në qendër të skakierës.

Në të vërtetë, emrat e gurëve të shahut më tepër tradhtojnë rrugët që ka ndjekur loja për të shtegtuar nga një vend në tjetrin, sesa projektimet e konflikteve seksuale të lojëtarëve; p.sh. ai gur që në anglishte quhet bishop (“peshkop”), në shqipe quhet oficer ose fil (drejtpërdrejt nga turqishtja, për “elefant” khs. edhe fildish; rusishtja slon ndjek të njëjtin shteg kuptimor), ndërsa në italishte alfiere (“flamurtar”, ndoshta i ndikuar edhe nga arabishtja al-fil), në gjermanishte Läufer (“vrapues, lajmëtar”), në frëngjishte fou (“lolo”); knight i anglishtes (literalisht “kalorës”) quhet në shqip kalë; në rusishte torrja quhet ladja (“anije”); ushtari i shqipes është pawn në anglishte (“këmbësor”), Bauer në gjermanishte (“fshatar”), pishak në ukrainishte (përsëri “fshatar”). Edhe për mbretëreshën, shqipja përdor tre fjalë të ndryshme: mbretëreshë, damë dhe sheh (kjo e fundit, pas gjase, nga turqishtja).

Nga pikëpamja antropologjike, ka interes edhe të vihet re se vendet e lindjes i vënë mbretit përkrah vezirin, kryeministrin ose një këshilltar; ndërsa Europa mbretëreshën; por kjo nuk lidhet aq me seksualitetin e lojëtarëve, sesa me kontekstin social të lojës, meqë shahu, sikurse çdo lojë tjetër, i riprodhon marrëdhëniet sociale në kushte laboratorike.

Më në fund, edhe mua më duket se interpretimi psikoanalitik i shahut nuk qëndron; por megjithatë vetë dinamika e një loje ku figurat kryesore janë mbreti, i rëndësishëm por relativisht i pafuqishëm, dhe mbretëresha, energjike dhe e kudogjendur, praktikisht një superfuqi e skakierës, fton për një ri-mitologjizim të konfliktit ose të dramës në mendje të shahistit, madje edhe në trajta seksuale. Vetëm se në këtë rast është nënvetëdija e gjuhës që ia vlen të psikoanalizohet, jo nënvetëdija vikare e lojëtarëve.

19 Comments

  1. Artikulli eshte mjaft interesant dhe meriton te komentohet paragraf per paragraf. Meqe kjo eshte pune qe s’behet se postimi do te dilte shume i gjate do te prek vetem disa pika qe me duken me te rendesishme.
    Si fillim theksoj se ne bashkohesi vihet re nje shperfillje ose denigrim i zbulimeve te Frojdit, i cili, mbas glorifikimit, po perjeton fazen e denigrimit, qe do ta pasoje pa tjeter faza e rivlersimit, bash faza nxjerr ne pah meriten e zbulimeve te tija gjeniale dhe njekohesisht mufkat qe ka keputur ai dhe dishepujt e tij (dicka pasqyruar edhe ne kete postim). Ekziston sot nje mode per t’i nxjerre veprat e Frojdit si romane; rreth para nje jave “Peshku” kishte varur nje interviste te Kadarese qe bente helaq psikoanalizen dhe frojdizmin, shenje e qarte qe Kadareja ka festuar suksesin e fundit ne vendet anglo-saksone duke pire skoc-uiski me Harold Bloomin (i cili konsideron romane edhe Biblen e Kuranin).
    Fati i vepres se Frojdit eshte shume i ngjashem me te Marksit, Ajnshtajnit, deri diku dhe Kafkes (mund te permend edhe te tjere), jo rastesisht te gjithe hebrej, qe kane shenjuar rende kulturen dhe gjullurdite e shek. XX si njerez te providences negative. Ne kuptimin qe si ateiste te bindur qe ishin veprat e tyre mund te lexohen si negative fotografik qe japin informacin me vlere te jashtezakonshme per pozitivin ose realitetin. Shtoj se shtysa per frymzimin e tyre socilogjikisht dhe frojdikisht shpjegohet disi me raportin e veshtire me prindet e tyre, te gjithe hebrej te konvertuar fresket ne krishterim (dmth fenomeni i laramanise, dyzimit, Ketmanit etj). Duke i rene shume shkurt e maje me maje, raporti i tyre ne thelb eshte me te Kryqezuarin, te cilit i qendrojne shume afer, vetem se duke i kthyer shpinen, here me ndrojtje e here me mosperfillje te shtirur (ne fakt poza e cdo intelektuali laik perendimor edhe kur me origjine safi te krishtere).
    Rivlersimi i ketyre figurave mund te behet plotesisht vetem nga nje pozite qe pranon ekzistencen e Zotit (ne rastin e Frojdit permend librin “Dhuna dhe e shenjta” e mendimtarit dhe kritikut letrar Rene Girard). Konceptimi i tij se kultura eshte produkt i “konfliktit mimetik” – dmth i dy kundeshtareve qe identifikohen vazhdimisht tek njeri tjetri dhe njekohesisht mbajne distancen e duhur luftarake per te shmangur rritjen e entropise (vdekjen e kultures) – mund te ndihmoje per te kuptuar ngushtesine e vizionit te Frederic Friedel qe i sheh lojtaret ne shah vetem si lojtare, dhe jo edhe si vellezer qe kane nje ate, dhe ne loje simulojne qenien e baballareve te ndryshem per te lojtur atvrastarin, dmth per te prodhuar kulture. Shembulli eshte me shume vlere ne planin providencial dhe sociologjik, konkretisht nese nje i krishtere dhe nje mysliman “luajne luftash” nuk vrasin babane e njeri tjetrit, por vrasin Atin, dhe per me teper te dy bashke si vellezer.
    Nga ana tjeter nuk duhet besim tek Zoti per te kuptuar sa i ngushte eshte vizioni i Friedel kur thote:
    “[…] ndersa fjala per mbretereshen ne shah eshte pergjithesisht e gjinise femerore ne gjuhet europiane, gjetiu ne bote kjo fjale ose nuk ka gjini fare, ose eshte e gjinise mashkullore”,
    sepse e di dhe bufi qe Evropa eshte hapsira kulturore ku sakraliteti mbreteror paraqitet (here formalisht dhe here jo) si cift mbreteror mashkull-femer, me pasoje te drejtperdrejte betejen laike evropiane roma-pertoma per t’i dhene femres barazine me burrin, te humbur ne parahistori.
    Fakti i vene re prej teje Xha Xha qe ne “vendet e lindjes i vene mbretit perkrah vezirin, kryeministrin ose nje keshilltar; ndersa Europa mbretereshen” tregon ndryshimin midis oksidentit dhe orientit (ne kuptimin e gjere te fjales, jo vetem te hapsires myslimane), i cili e fsheh pushtetin e gruas ose e kufizon ne harem ose ne kuzhine. Ne kete rast ndryshimi nuk eshte thelbesor nese konsiderohet dikotima seksuale femer-mashkull si nje prej formave te panumurta te dikotimise qendrore, gjitheperfshirese dhe perfaqsuese SUBJEKT-OBJEKT. Nuk i kam mbajtur bishtukun per te thene sakte se cfare kane bere bashke ne fshehtesi sulltani me vezirin ose Enveri me Mehmentin, sidoqofte me duket pa vend – per te mos thene i peshtire -, edhe perdorimi i termit frojdist homoseksualizem i fshehur ne rastin e lidhjes besa-bese me burrat. Ndryshe une, ti dhe kush lexon ne blog qe i kemi perjetuar nje shoqeri te ndare prere ne burrerishte dhe grarishte, dhe i kemi besuar jeten nje miku qe mund te n’a shpinte ne burg per nje llaf goje, paskemi qene pederaste, edhe pse ne kuptimin sublim te fjales qe ne nenvetedijen tone ka fituar nje vlere negative, e cila nuk shpjegohet vetem me arsye historike. Ekziston nje lidhje komplementare midis vetedijes (subjekt) dhe nenvetedijes (objekt), plus faktit qe nxjerr zbuluar Frojdin dhe shume te tjere te kallepit te tij – perfshire edhe ata qe mbahen si antifrojdiste -, qe: forcat e cliruara prej vetedijes jane te nje niveli shume me te larte se te nenvetedijes. Besoj se e pajisur me kete divize gjuhetaria moderne mund te zbulonte gjera shume interesante ne vetedijen e saj.

  2. Agjent, kur shkruaja se:

    Nga pikëpamja antropologjike, ka interes edhe të vihet re se vendet e lindjes i vënë mbretit përkrah vezirin, kryeministrin ose një këshilltar; ndërsa Europa mbretëreshën; por kjo nuk lidhet aq me seksualitetin e lojëtarëve, sesa me kontekstin social të lojës, meqë shahu, sikurse çdo lojë tjetër, i riprodhon marrëdhëniet sociale në kushte laboratorike.

    Me seksualitet të lojëtarëve nuk kisha parasysh orientimin e tyre seksual, por atë formë të libidos që sublimokëshin në skakierë, sipas interpretimeve psikoanalitike. Natyrisht, nuk është e nevojshme të njohësh forcën e mbretëreshës në fushë të shahut, për të kuptuar rolin e mbretëreshave reale në ushtrimin dhe riprodhimin e pushteteve në monarkitë e Europës; por disa paralele gjithnjë ndihmojnë. Prandaj vëllazëritë e mbretërve me vezirët dhe këshilltarët në skakierat orientale do t’i interpretoja gjithnjë si pasqyrime të raporteve të sekseve të atjeshme me pushtetin, jo me njëri-tjetrin ose brenda njëri-tjetrit.

  3. “Vetëm se në këtë rast është nënvetëdija e gjuhës që ia vlen të psikoanalizohet, jo nënvetëdija vikare e lojëtarëve.”

    Xha xhai,

    jam me premisen e titullit, dhe prap shoh gjuhen ne rrolin e mbretereshes (shahu) dhe lojtarin ne ate te mbretit, ose mendja-mbreteresha dhe pronari i mendjes mbreti, por ti ke bere detyrat e shtepish dhe une dale jasht loje, se eshte e jotja, kur thua; lojra me gjuhen, se mbret eshte kushdo qe luan lojen pamvaresisht nga gjinia.

  4. Xha xha, citimi i marre prej ligjerimit tend:

    “vendet e lindjes i vene mbretit perkrah vezirin, kryeministrin ose nje keshilltar; ndersa Europa mbretereshen”

    eshte vetem nje spunto per te sqaruar pikpamjen time per shume gjera te kesaj bote jallane, jo nje kundervenie pikpamjes antropologjike per shahun. Cfare kundeshtoj eshte se ty – si shume te tjere (per me teper edhe akademike me nje barre mjeker) – te “duket se interpretimi psikoanalitik i shahut nuk qendron”. Nuk kam asnje informacion se per ty gjithashtu nuk qendrojne interpretimi psikoanalitik i struktures se qenies njerzore mendje-trup dhe vetedije-nenvetedije, e familjes babi-mami, struktures biunivoke fe-politike (Zoti dhe i pari shtetit si projektim virtual i figures se atit), struktures se fuqise (sulltan-vezir, Sekretar i I – Kryeminister, drejtor-kryeinxhinier etj), struktures se ndarjes se botes orient-oksident (ne dac edhe krishter-mysliman), struktures biunivoke te gjuhes domethenie-domethenes, e mendjes vikare te lojtareve te dyzuar, struktures se vepres se artit dhe mendjes se Kadarese te dyzuar prej Ketmanit etj – te gjitha reduktuar ne ying-yang oriental ose ne subjekt-objekt oksidental. Ma ha mendja se per ty as keto interpretime dhe lidhje biunivoke nuk qendrojne, kurse sipas meje perkundrazi, te gjitha keto qendrojne – e per me teper te lidhura nga nje fill i kuq (marksist, frojdist dhe kafkist), e fatkeqsisht, mbasi u gjymtuan me pavetedije prej gjenive moderne, po dreqosen me vetedije prej gjenive postmoderne.

    PS

    Marr spunto perseri nga nje fraze e jotja:

    “(ne lojen e shahut) figurat kryesore jane mbreti, i rendesishem por relativisht i pafuqishem, dhe mbreteresha, energjike dhe e kudogjendur”,

    Per eksperience personale, me te pare, me te degjuar e me te lexuar, me rezulton se kjo eshte gjendja e zakonshme e cdo kuzhine njezore. Besoj se edhe ti ne nje te tille je rritur e bere goxha burre, jo ne pyll, as ne bibloteke.

  5. Shtojce e postimit nr. 4

    Ne janar te 2008 ministri britanik per shkollen dhe femijet Ed Balls beri nje propozim qe ne shkollat elementare te ndalohen shprehjet mashkullore dhe femrore “mami dhe babi” dhe te perdoret vetem shprehja asnjanese “prind” (vecanerisht ne komunikimin shtepijak), sepse “mami dhe babi” lendon “prindet” gay dhe favorizon paragjykimet anti-gay.

    Ka shume mundesi qe per te njejten arsye dhe superndjeshmeri per te vojturit dhe te perndjekurit, mbreti dhe mbreteresha ne shah-matin britanik te zevendsohen perkatesisht me sulltanin dhe vezirin.

  6. Agjenti 333 shkruan:

    Ne janar te 2008 ministri britanik per shkollen dhe femijet Ed Balls beri nje propozim qe ne shkollat elementare te ndalohen shprehjet mashkullore dhe femrore “mami dhe babi” […]

    Sa ironike vërtet, që një propozim i tillë bëhet në atdheun e Aldous Huxley-t. Atyre që e kanë lexuar “Brave New World” do t’ju kujtohet që, në botën e përshkruar nga Huxley, “mami” dhe “babi” mbaheshin si fjalë të ndyra dhe kurrsesi nuk mund të shqiptoheshin në publik pa i bërë të gjithë me turp.
    Megjithatë, Agjent, unë them se ka ende shpresa; sepse struktura e gurëve në shah dhe e marrëdhënieve mes tyre gjithnjë mund të përdoret si platformë për të restauruar normalitetin e humbur, ose të paktën një botë ku lojëtarët mund të ëndërrojnë lirisht për ta vrarë të jatin, pa pasur frikë se mund të dënohen jo aq për vrasjen simbolike, sesa për krimin që vijojnë ta quajnë “baba” mashkullin spermë-dhurues.

  7. Agjent, forca – dhe dobësia – e psikoanalizës është se me të mund të interpretosh gjithçka, prandaj është më tepër një formë arti sesa shkence. Meqë shumë nga interpretimet psikoanalitike është vështirë të kundërshtohen, atëherë t’i marrësh për të mirëqena është çështje besimi, jo bindjeje. Dhe unë nuk e besoj interpretimin se shahmati i mbretit në fushë të shahut është një formë simbolike e atvrasjes; në një kohë që besoj interpretime të tjera psikoanalitike të shahut, ose të lojërave në përgjithësi, si sublimime të dëshirës për ta vrarë kundërshtarin – por kjo është praktikisht banale.

  8. ‘…jo sepse Shqipëria ka mitër ndërsa Tomorri herdhe…’

    …pavaresisht se fjaline e mesiperme e perdore ne kontekst letrare, me duket pak devijues nga normalja e te shprehurit.

    tung

  9. Mendoj se, qekur njeriu jeton ne kete lloj sistemi shoqeror ku ç’do instikt primitiv eshte i veshur me lule e bojra te gjitha llojeve ose me mbistruktura psikollogjike/psikike, ç’faredo veprimtarije, jashte perdorimit te vetvetes per mbijetese dhe shperndarjes se llojit, mund te dekodifikohet si sjellje e kushtezuar nga mosvetedija/nenvetedija! Nena natyre nuk i beri pemet per ti bere lojra shahu dhe aq me teper une nuk mendoj se qellimi i “lendes se organizuar” qe na solli ketu nga njeqelizoret, ishte ajo qe te dinim te zinim shah-mat baballaret.
    Tashti me ne fund e mora vesh pse nuk fitoj asnjehere kunder tim eti! Paska qene gjetiu pergjigja, dhe jo neper kutizat e lojes! Kushedi sa do lumturohet i shkreti baba kur ta marre vesh. Asikohe me thosh qe ishte problem gjenetik..me demek ishte prishur rraca e nivicjotit me vlonjate kercikuqe dhe une kisha lindur me te meta!

  10. Xhaxha dhe Agjent, Me pelqeu qe ne nje nder replikat e Xhaxhait u permend komuniteti Platonik i Huxleyt, ku te gjithe njerezit e nje moshe te caktuar jane prinderit e te gjithe njerezve te nje moshe te caktuar, nga njeri krah, dhe qe nuk konsiderohet sinqeriteti i Huxley ndaj ketij lloj komuniteti, nga krahu tjeter. Gjithashtu, me pelqen patetizmi i racionalitetit me te cilin Agjenti po mbron Frojdin. Me qe jemi ne psikoanalize dhe mund te flasim lirshem per nje lidhje te kategorise se shtate, doja te ngrija nje paralelizem mes simbolikes Frojdiane dhe asaj Platonike, mes superegos dhe racionalitetit, mes egos dhe pjeses se flakte te shpirtit, mes idit dhe deshirave dhe pasioneve. Paralelizmi shkon me tej nepermjet struktures se simbolit, kur e njejta strukture qe perdoret per psike-ne nga te dy autoret, perdoret gjithashtu edhe per shoqerine. Njesoj si tek Platoni tek Frojdi, dhe tek Agjenti, po ve re nje mbivleresim te racionalitetit, te superegos, te vetedijes, gjithmone pa mohuar pjesen tjeter. Ky mbivleresim, nuk eshte ne vetvete vecse nje vlere arbitrare, ne menyre te vetdijshme e quajtur subjektive nga Agjenti. Mundet te mos kete gje tjeter pervec skepticizmit. Mundet, qe subjektiviteti te jete kufiri i dijes sone. Rrjedhimisht, te mos jete gje tjeter pervecse nje loje pushteti. Mirepo pushteti duhet te ndjehet dhe ajo cka eshte subjektive, psike, shpirti, fryma, mendja, behet objektiv i shoqerise, ne menyre qe strukturat te jene sa me analoge, ne menyre qe individi te jete reflektim i shoqerise, dhe idealisht, nje in-divid te jete ne gjendje te perfaqesoje krejt shoqerine ne gjithe ngjyrat e saj, ashtu si fjala “e bardhe” te kete per objektiv te perfaqesoje krejt ngjyren e bardhe, me gjithe nuancat e saj. Por shahu eshte bardhe e zi, e ndonje here kuq e verdhe, e po ashtu edhe shoqeria.

    Frojdi nuk eshte “debunked” sepse eshte subjektiv, – ne qofte se eshte subjekti dhe jo objekti e vetmja gje qe mund te njohim me sigurine e nje shkence. Ne kete aspekt madje, edhe siguria shkencore mbi objektin nuk eshte gje tjeter pervecse pasoje e subjektivitetit te vezhguesit mbi objektin, rrjedhimisht, subjekti e vetmja gje qe mund te njihet. (Mos jam duke “beg the question”?) Frojdi nuk eshte “debunked” per arsye se gjuha e tij eshte subjektive, se terminologjia e tij eshte Platonike, pa u siguruar me pare per vertetesine e tregimit Platonik. Frojdi, si rrefyes, se bashku me Platonin, jane “debunked” sepse duke i meshuar mitit te racionaliteit dhe sjelljes se racionalitetit ne pushtet nepermjet represionit, neglizhojne mitet e tjera, per me teper Hesiodin, dhe faktin qe biri nuk do ia priste koqet babait, sikur babai te mos ishte arbitrar deri ne gjak, sikur babai mos e hante birin. Ata jane “debunked” sepse i tradheton gjuha, simboli, shenja, ashtu si do na tradhetoje te gjithe kur te vdesim. Jo sepse jemi cifute te shtypur, por sepse jemi te shtypur nga fjala cifute, qe ishte e para, apo kushdo qofte ajo fjale qe ishte e para, (shqiptare, angleze, arabe, latine, cifute, greke… OM) e zgjedhura, perfaqesuese e gjithckaje dhe e hicit.

  11. Meqenëse po flasim për shahun që është lojë, ndoshta ia vlen të zgjedhim një këndvështrim pak më praktik.
    Kur ulemi të luajmë, e bëjmë zakonisht për t’u zbavitur, ndoshta me përjashtim të shahistëve në gara zyrtare dhe psikopatëve.
    Zakonisht të zbaviturit e parakupton dëshirën për të fituar; në kuptimin që kush e fiton lojën zbavitet më shumë se ai që e humbet.
    Ata që sapo fillojnë ta luajnë shahun, luajnë kuturu, nuk e kanë të qartë se ç’duhet të bëjnë, por ndoshta kënaqen vetëm duke lëvizur gurët mbi tabelë. Më pas, përvoja dhe zotësia bëjnë të vetën, dhe shahu shndërrohet në një instrument shumë të stërholluar të kënaqësisë intelektuale.
    Kjo kënaqësi realizohet në disa nivele: (1) në nivelin logjik, ose në aftësinë për të bërë plane afatgjata, për të parashikuar disa lëvizje në të ardhmen dhe për të pikasur planet e kundërshtarit, ose edhe në aftësinë për ta futur kundërshtarin në kurth; (2) në nivelin kompetitiv, sepse tek e fundit të gjithë duam t’i fitojmë lojërat që luajmë, me përjashtim të rastit kur luajmë me ndonjë fëmijë ose kur na kanë paguar për të humbur; (3) në nivelin estetik, sepse shahu ka vetinë që të prodhojë disa situata që janë tej mase të bukura, jo vetëm për nga gjenialiteti i atyre që i kanë përfytyruar dhe realizuar, por edhe në vetvete; vetëm se për t’i shijuar duhet të kesh një farë ekspertize; (4) në nivelin etik, sepse disa lojëra shpalosen si të ishin drama, dhe lojëtarët ndonjëherë sakrifikojnë material në emër të fitores finale, ose gabojnë pikërisht atëherë kur kujtonin se kishin arritur lavdinë, ose humbasin në mënyrë të tillë që t’ia njohin kundërshtarit meritën për një fitore të bukur.
    Unë kam pasë luajtur shpesh shah dikur, por tani loja më intereson vetëm ngaqë prodhon bukuri, edhe intelektuale edhe thjesht estetike; madje disa nga lojërat më të famshme, që mund të gjenden në çdo libër shahu, kanë brenda po aq kompleksitet mendor e shpirtëror sa edhe një simfoni, ose një skulpturë e bukur.
    Pikërisht ngaqë e kam përjetuar shahun në shumë mënyra – si lojëtar, madje edhe kompetitiv; si spektator dhe tani si admirues dhe kureshtar, më habit reduktimi që ia bëjnë lojës interpretimet psikoanalitike; të cilat shumë-shumë mund të kishin vend për të shpjeguar diçka në lidhje me natyrën kompetitive të lojës, ose në dëshirën për ta mposhtur tjetrin, por që nuk më duket se duhen qasur kur vjen fjala për nivelet e tjera. E njëjta gjë vlen edhe për artin; psikoanaliza mund të shpjegojë, e shumta, mënyrën se si përftohet vepra e artit, ose edhe reaksionet individuale të spektatorit ose të lexuesit; por bukuria i përket një sfere tjetër ku Freud-i nuk ka punë të futet. Do të ishte njëlloj sikur ta reduktoje, bie fjala, gjuhësinë në fonetikë ose në akustikë; ndërsa biologjinë në kimi.
    Nga ana tjetër, me kuajt, kalorësit, peshkopët, flamurtarët, elefantët, kalatë, mbretërit, mbretëreshat e vezirët, shahu është si një teatër në miniaturë, që riprodhon strukturat e shoqërive përkatëse; por i riprodhon duke ua nënshtruar rregullave të hekurta e arbitrare, ose duke i modeluar. Me kalimin e shekujve, është megjithatë e vështirë të dallosh modelin nga çka modelohet; sidomos po të kihet parasysh se krijimi i modeleve dhe trajtimi i tyre zënë një pjesë të madhe brenda veprimtarive njerëzore. Nëse te dinamizmi i mbretëreshës dhe pompoziteti i mbretit dikush sheh të riprodhuar familjen tipike europiane, një tjetër vëzhgues do të gjente të riprodhuar, te dinamizmi i gruas në kuzhinë dhe pompoziteti i burrit që lexon gazetën në kolltuk, raportet që ekzistojnë midis mbretit dhe mbretëreshës në fushë të shahut.
    Me këtë veç dua të them që, ngado që të rrotullohemi, modeli i të gjitha modeleve është gjuha; e cila na ofrohet si një lloj algjebre e historisë dhe e marrëdhënieve njerëzore, duke përfshirë lojërat dhe familjet; prandaj nëse duam të bëjmë psikoanalizë, ndoshta gjuha do të ishte edhe më i përshtatshmi i pacientëve për ta shtrirë në divan – me kusht që të na shtrihej…
    P.S. Lake, ke të drejtë, po e korrigjoj shprehjen.

  12. O xhaxha i je larguar shume realitetit plak dhe te ka humbur syri kritik.

    1. teorite freudiane te psikoanalizes jane me origjine hebreje. Qe ti kuptosh keto teori me mire duhet te kuptosh biblen dhe kabalistiken, kabala nje lloj misticizmi hebre. Sic e tha dikush ketu, me duket se agjenti, ato jane njekohesisht dhe rezultate te pervojes personale te nje personi rritur me komplekset e inferioritetit brenda nje familje fetare. Per kete teze ka studime biografike te gjithefaresoj.

    2. Kabalizmi, dmth. mistika e shkronjave dhe symbolika (edhe numerologjia), metoda te perdorura ne komentimin e Torah (sidomos ne ate te babilonis, meqe ekzistojne dy versione) nuk jane metoda shkencore te kerkimit te se vertetes, porse jane methoda jokonvencionale. te isha une do ti ndaloja te studjoheshin neper universitete pervec se ne ato teologjike.

    3. Psiko-analitika si nje metode jokonvencionale shkencore, eshte hedhur poshte nga komuniteti epistemic (shkencor), ka gjetur hyrje nga S. Zizek ne analizen e veprave letrare, porse ta leme aty. Per analizen e gjuhes ke metoden e F. Sausseure dhe strukturalizmin si metoda shume te mira, metodat post-strukturaliste si ajo e Derrida jane metoda ne dukje te sofistikuara, porqe nuk arrijne ne asnje konkluzion. Pra, edhe pse ato arrijne te zbulojne forcen qe i krijon keto konstrukte gjuhesore, ata nuk japin asnje alternative, Terry Eagleton ka nje kritike shume te mire ne kete pike.

    4. Nese do metoda te mira kritike te kerkimit jane ato marxiste dhe deri diku Foucault (meqe e kishe permendur diku, dhe kur permend prudencen e shoqerise viktoriane, mos e fut ne kontextin shqiptar, ne nuk kemi te bejme fare me ate lloj prudence, jemi popull oriental dhe romantik nga kjo pike, i kendojme seksualitetit se nuk e perjetojme, nuk jemi as puritanist por as te shthurur dhe hipokrit) post-marxistet si Derrida mund te kene ndonje kritike me vend, porse sic thashe metodat e tyre nuk japin asnje alternative mbas kritikes se tyre.

    5. Po ku qendron problemi me i madh me keto teori? Sic thashe tek mungesa e alternatives, dhe me keq tek ndotja dhe konfuzioni qe krijojne keto ne kokat e njerzve, madje dikush i ka akuzuar dhe per vrullin e madh qe kane marre neo-conservativet sot. Zizek, Lacan, dhe deri diku dhe Guatari me Deleuze me shume spekulojne mbi te verteten, kur e verteta eshte me thjeshte se sa behet. Psh. ne konstruktin e gjuhes, ti vertet mund te besh sikur zbulon nje lloj strukture psikoanalitike, qe synon te na tregoj se eshte dicka e qellishme per te fshehur ose nxjerre ne pah nje emocion ose kushtezuar nje disposition mendor, por eshte spekulim, nuk ka te bej me te verteten. Shume gjera ne kete bote ndodhin spontanisht, shume te tjera kane strukture dhe system, porse jo gjithmone me qellim per te ndikuar tek e pandergjegjshmja.

    6. Gjuha eshte ka nje linje zhvillimi mijera vjecare, cfare te duket vetja ty qe e ke zbertheke kodin gjenetik, adn, kesaj gjuhe, e dekodifikon sic te pelqen ty? Zot? Derrida e fillon analizen e tij me fjalen biblike: “ne fillim ishte fjala, dhe fjala ishte Zot”, porse perpara Zerit (die Stimme) ose fjales se shkruar ishte robi, dhe para fjales Zoti, me tej cdo gje tjeter eshte misticizem.

  13. Avash o milet i blogut, se po te leciteni me me vemendje e kam bere helaq me teper se ju Frojdin. Mjafton vetem fakti qe e kam vene ne rresht me Marksin (Xha Xha, ku jeton ti ne Islande, i harrove dosjet, burgjet dhe shantazhin politik?).
    Xha Xhai thote:
    “më habit reduktimi që ia bëjnë lojës interpretimet psikoanalitike”
    Pergjigje: nje nga akuzat me te idhta antishkencore eshte se shkenca eshte reduktuese. Por shkenca nuk mund te jete ndryshe pervec se reduktuese, dhe pikerisht per kete arritjet e saj qe shijon i gjithe njerzimi, perfshire dhe kompiuterin qe ke para surratit, i cili lidh mbylltesirat e universit egocentrik me hapsirat e universit virtual, te krijuar vetem nga dy numra 0 dhe 1 (ose soft dhe hard, mendje dhe trup, spermatozoid dhe ovul, mbret dhe mbretereshe, babi dhe mami, subjekt dhe objekt etj).
    Kjo pune eshte njesoj si te akuzosh Nene Terezen si fanatike, e cila, po te kishte qene e lire ne mendime, dhe te tjera fjale qe mbarojne me “ime” – si fjala vjen ledi Dajana”ime”-, atehere India dhe Inglizi do te kishte dale ne driten e mamit dhe te babit (bile ndoshta dhe Shqiperia).
    Xha Xhai thote:
    “bukuria i përket një sfere tjetër ku Freud-i nuk ka punë të futet”
    Pergjigje: po ja qe futet pa te marre doren ty dhe Kadarese – rojtareve te bukurise se ameshueshme -, dhe ke pare t’i qe edhe bukuria futet tek Frojdi (sic futet tek Ajnshtajni qe “besonte” se ekuacioni i bukur eshte i vertete), dhe per kete e akuzojne se ka shkruar romane dhe se do te ishte me mire te sheronte skollomenton e shoqerise se lumtur austro-hungareze. E bukura e bukurise eshte se terheq te gjithe, prandaj dhe bukurite qe lexoj neper postime, reduktuar shkencerisht ne shprehjen artistike “bjeri se i bie bukur” avazit “Lojera me gjuhen”.

    Me thene te drejten as me rreh fare tek romanet e Frojdit, Kadarese dhe Xha Xhait, kritika ime ne thelb drejtohej kunder mendesise postmoderne e cila konsideron fene dhe filozofine, deri edhe shkencen e mirfillte si nje lloj arti. Por sic duket interneti dhe gazetat nuk e kane botuar akoma lajmin per keto “lojera me gjuhen” filluar nga Nicja, vazhduar nga Dilthey, Rorty, Derrida dhe dishepuj te tyre te shperndare si kakerdhi ne kater anet e botes, te cilet po i fusin nje t’pallume gjuhes – shtruar ne divanin e psikonanalistit – me aq lezet, sa qe edhe Frojdi vete do te jargavitej … .

  14. Agjent dhe Kapedan, më duhet t’ju drejtohem me shprehjen e vjetër shqipe:

    Drangër-drungër këmborë e madhe, qumështi gjysmë okare.

    Emrat e filozofëve dhe të dijetarëve që këputni i keni të mëdhenj e të rëndë, duke ua kaluar për nga zelli edhe studentucëve të vitit të parë të filozofisë; por nuk po thoni asgjë tuajën këtu, as njëri as tjetri.

    Ndoshta më duhet t’ju kujtoj që t’i ulni tonet, se jeni në shtëpinë e tjetrit. Nuk ju ka kërkuar kush që të tregoni sa të dijshëm jeni, as sa klasë shkollë keni. As jeni duke impresionuar kënd me erudicionin prej snobësh. Deri tani vetëm sa u keni treguar baballarëve arrat.

    Seriozisht, ndonjëherë e kam të vështirë t’ju trajtoj si dy persona të ndryshëm – ju bashkon kapadaillëku më shumë se ç’iu ndajnë adresat e IP-ve dhe pikëpamjet.

    Më vjen keq, tha, por ky diskutim mbyllet këtu, sepse nuk i shërben kujt, madje as mua.

  15. Xhaxha, e di qe e ke mbyllur, por thjesht dua te shtoj dicka. Ne paralelin qe heq mes shahut dhe gjuhes, dua te ve ne dukje se paraleli me i madh ekziston ne faktin se te dyja kane nje numer te kufizuar, te numerueshem rregullash strikte, nderkohe qe kombinacionet e arritura brenda kufinjve te ketyre rregullave jane te panumerta, te pafundme. Pervec asaj pjese te gramatikes qe percakton gjinine, ka edhe te tjera rregulla gramatikore qe percaktojne nje pafundesi kombinacionesh qe mund te luhen pa u thyer keto rregulla. Ne kete aspekt rregullash dhe kufinjsh, kategorite “kompetitive”, “estetike” dhe “etike”, reduktohen ne ate te paren, qe eshte kategoria llogjike. Si shembull i reduktimit te ketyre kategorive te mepasme ne kategori llogjike, mund te marrim Deep Blue, qe nuk eshte gje tjeter pervecse nje program, per te cilin do te ishte absurde po te thuhej se eshte kompetitiv, se ka kenaqesine e te shijuarit bukurine qe levizjet qe kryen mund te arrijne, apo se ka qellime fisnike te nje etike hamletiane. Orientimi i ketij programi nuk mund te jete gje tjeter pervecse strategjia e arritjes se nje qellimi te caktuar pa shkelur kufinjte e rregullave te dhena, shkurt, logjike matematike. Une e di qe ti e sheh shahun ne shume me teper plane se ai matematikor, por fatkeqesisht, pretendimet e tjera te shahut, u shkaterruan historikisht nga precizioni matematik i Deep Blue. Nder te tjera aspekte ku do na qante zemra si ne lidhje me shahun, vlejne per t’u permendur programe te cilat mund krijojne kryevepra estetike ne muzike, e per me teper ne pikture ku keto te fundit i kapercejne ku e ku kryeveprat e dores se njeriut, nderkohe qe nuk eshte larg dita kur nje program te shkruaj nje kryeveper letersie. Eshte thjesht ceshtje eksperience.

  16. Lulian, në fakt diskutimin nuk e kam mbyllur, desha vetëm t’i jap fund një degëzimi që po prodhonte shumë mllef dhe falsitet, pa i shtuar asgjë temës. Këtej e tutje vetëm nuk po duam të lejojmë komente të cilat, në një mënyrë ose në një tjetër, u drejtohen haptazi autorëve të blogut ose komentuesve të tjerë.
    Mua nuk më bind shumë krahasimi yt me “Deep Blue”, madje edhe me programin që kam në kompjuterin tim dhe që gjithnjë më mund në gradimet e larta; madje edhe kur e tejkaloj kohën e të menduarit. Komentatorë të shumtë e konsiderojnë kompjuterin që luan shah njëlloj si automjetin që na çon nga pika A në pikën B me shpejtësi të madhe, pa e komprometuar, megjithatë, atletikën si sport. Sot asnjë vrapues nuk do të guxonte të bënte garë me një motocikletë, por stadiumet e garave të atletikës gjithnjë mbushen plot, së paku në nivele të larta.
    Ka specialistë të shahut që e kalojnë kohën duke u përpjekur të gjejnë pozicione të cilat kompjuteri nuk arrin t’i zgjidhë dot; të tjerë propozojnë ndryshime të rregullave se si renditen gurët në fillim të lojës; por në përgjithësi kompjuteri, madje edhe “Deep Blue”, nuk ka ndikuar në suksesin e shahut, as në nivelin estetik të lojërave.
    Kjo edhe për një arsye paradoksale – kompjuteri nuk bën gabime, gjen gjithnjë zgjidhjen më të saktë e më të shpejtë, edhe pse zgjidhja më e saktë dhe më e shpejtë në një pozicion shumë rrallë kërkon marifete e kurthe taktike dhe sakrifica, të cilat janë shpirti i kombinacionit. Shahistët edhe sot e kësaj dite mrekullohen pas lojërave të ish kampionit të botës Mihail Tal, edhe pse analizat kompjuterike kanë treguar se shumë prej kombinacioneve të Tal-it ishin të pambështetura dhe mund të ishin kundërshtuar me sukses.
    Mund të bëhet një krahasim me raportin midis pikturës dhe fotografisë – p.sh. një portreti të ekzekutuar edhe ashtu, edhe kështu. Fotografia është zgjidhja logjikisht më e pastër e paraqitjes së dikujt në dy përmasa; por portreti i pikturuar përmban zakonisht shumë më tepër, sidomos për sa i përket pranisë së vetë autorit atje. Edhe një lojë shahu, si produkt i dy lojëtarëve bashkëpunues, e ka bukurinë në personalitetet e atyre që luajnë, në stilin e tyre, çka shprehet jo vetëm në formën e të luajturit, por edhe në gabimet që bëhen, në mundësitë që nuk shfrytëzohen, në pasaktësitë, ngurrimet. Një lojë shahu çfarëdo është edhe produkt i të gjitha atyre versioneve, të asaj loje, që nuk u luajtën kurrë. Kompjuteri nuk ka personalitet, prandaj në lojën e kompjuterit të gjitha këto mungojnë; sepse kompjuteri gjithnjë zgjedh në bazë të vlerësimit numerik që i bën situatës në skakierë.
    Për këtë arsye nuk të kuptoj edhe kur thua që një ditë kompjuteri mund të shkruajë letërsi; ndoshta më mirë të thoje që, një ditë, tekste të prodhuara nga kompjuteri do të lexohen si të ishin letërsi. Në të vërtetë, inteligjenca artificiale ka dështuar bujshëm, deri më sot, në përdorimin dhe manipulimin e gjuhëve natyrore, duke përfshirë këtu edhe përkthimin. Askush nuk ka gjetur ndonjë mënyrë për ta bërë kompjuterin të marrë vesh se edhe thënia më e pafajshme, si “plasëm vape,” mund të ketë kuptimin “hape pak dritaren.” Natyrisht, mund të shkruhen programe që të përftojnë shprehje gjuhësore gramatikisht të pranueshme; por kaq nuk mjafton, meqë gjithnjë e më tepër po duket sikur esenca njerëzore, ose shpirtërore, e produkteve të tilla si ligjërimi, ose arti, ose edhe shahu, ka të bëjë më tepër me gabimin dhe papërsosmërinë, sesa me ekzekutimin e përpiktë të një bashkësie udhëzimesh.
    Tani, mund të më thuash se kompjuteri mund të programohet edhe të bëjë gabime; çka është e vërtetë, me kusht që programuesi të dijë të dallojë midis gabimeve “të mira” dhe atyre të tjerave, që shpien në dështim ose në katastrofë.

  17. Duke mare shkas nga diskutimi i fundit , me vjen ne mend roboti qe eshte sajuar kohet e fundit per te shperndare mjekimin ne spitale. Kuptohet qe ai programohet ne fillim te dites. Vertet, kjo mund te quhet nje aritje nisur nga fakti qe ne spitale sot po behen shume gabime nga personeli pasi ngaterrohen dozat. Kjo, jo vetem komplikon gjendjen e pacientit, por sherben edhe si shkas per te nisur nje beteje ligjore me spitalin vete. Eshte krejtesisht e pa mundur qe roboti te filloje te reduktoje ose shtoje dozat e mjekimit pa nderhyrjen e personelit.

    Vertet. Kompjuteri nuk mund te programohet qe te beje gabime ne shah. Bile’, edhe fjala programim per te “humbur” besoj se nuk qendron. Software-i shahut per kompjuter, pergatitet vetem per te fituar. Nese nje rast i tille do te ishte i mundur, atehere nuk do te luhej me te. Eshte tjeter gje ne se ai “gradohet” ulet ose larte. Duke e graduar ate, ne nuk bejme gje tjeter vecse ulim ose zgjerojme memorjen e tij per te bere nje parashikim te shume levizjeve te kundershtarit ne parapritje.

    Ne shah kam qene dhe jam i dobet.

  18. Argumentet qe ke shprehur, i kisha ne mendje gjate gjithe kohes qe po sillja shembullin e kompiutrit. Vetem se kam frike se qe te jem ne gjendje t’i shpreh vete, do te me duhet te ndermarr nje gjuhe pedante dhe obskure ne konkluzionet qe do nxirrja, ashtu si edhe kam shprehur me lart skepticizmin ndaj objektit si pershkrim i te vetmes njohje te mundur, asaj subjektive. Ne kete aspekt, edhe pse gjuha apo shahu nuk jane vecse rregulla strikte ne thelb, sic e verteton per mendimin tim besnikeria dhe njohja e ketyre rregullave nga kompjuteri dhe fitorja qe arrin, planet e tjera te shahut apo te gjuhes (estetike, kompetitive, etike, per t’i qendruar kategorive te dalluara prej teje) nuk jane vecse kategori subjektive, te dalluara ne subjekt, dhe prej subjektit, ne varesi te karakterit apo personalitetit te subjektit. Duhet qe kompiuteri te jete subjekt, apo te kete personalitet, sic e ke shprehur ti, qe te jete ne gjendje te dalloje ato planet e tjera. Nuk besoj se subjektiviteti i kompiuterit mungon per shkak te mungeses se mesimit prej gabimeve. Me sa me kujtohet, Deep Blue u promovua pikerisht per aftesine qe kishte per te mesuar nga gabimet. Kjo nuk eshte vecse pjese e programimit te tij, sidoqofte. Ne qofte se do flasim per shkaqet e sakta te subjektivitetit, ato jane dhimbja dhe frika nga dhimbja, pa permendur ketu nje dije absolute mbi ekzistencen e vdekjes dhe nje padije absolute mbi natyren e saj. Kjo eshte ajo eksperienca me te cilen e mbylla, duke qene ne dijeni se nje kompiueter nuk mund t’a arrije.

    Nuk me duket ndonje ndryshim i madh midis nje kompiuteri qe ben letersi dhe nje shkrimi prej nje kompiuteri i cili do te lexohej sikur te ishte letersi. Kjo vjen si rrjedhoje e natyres mimetike te artit. Nuk me duket ndonje cudi e madhe qe nje kompiuter te kopjoje amalgamimin e stileve te autoreve te ndryshem, duke zhvilluar keshtu nje stil te vecante, me nuanca te secilit prej autoreve, por pa qene me shume stili i njerit autor se sa i tjetrit. Ne kete drejtim edhe nje autor njerezor mund te zberthehet ne baze te influencave artistike ndaj te cilave eshte subjekt. Do te mungonin eksperiencat reale te dhimbjes nga kompiuteri, por ne leter nuk jemi ne gjendje t’a dallojme. Edhe pse simboli perpiqet te paraqesi dhimbjet dhe eksperiencat e autorit, ne fund te fundit nuk eshte vecse simbol, gjuhe, e cila nuk eshte eksperienca vete, por qe na ben te mendojme per te, implikon ate. Gjuha nuk ben dallim, nuk flitet nga autori, nuk flet madje as autorin, por lexuesin e saj. Keshtu psh, nderkohe qe nje amator shahu duke studiuar Deep Blue vs. Kasparov do te mund te gjente te gjitha kategorite e shahut qe ke permendur, eshte absurde te mendosh se keto jane te krijuara nga Deep Blue. Fundja gjithe arti nuk eshte i tille, por pranohet si i tille. Letersia nuk do te ishte letersi po te mos lexohej si e tille, pavaresisht nga autori. Dallimi qe ben midis te shkruarit letersi dhe te lexuarit te dickaje si te ishte letersi nuk me duket i sakte, pasi merr per te qene faktin se shkrimi vjen perpara leximit. Mierpo, duhet me pare qe bota te kuptohet nga subjekti, te lexohet, ne menyre qe me pas te shkruhet.

    Shume dakord qe kompiuterat nuk jane gje tjeter pervecse mjete. Inteligjenca artificiale nuk eshte gje tjeter pervecse mjet, si ajo makina qe te con nga pika A ne piken B. Ne sherbim te njeriut dhe me pasoja te mira ne qofte se perdoren si duhet dhe me pasoja te keqia ne qofte se nuk perdoren si duhet. Asgje me teper se kaq. Mirepo ajo qe dua te them, eshte se edhe gjuha eshte mjet. Si te tilla, paraleli i hequr mes gjuhes dhe teknologjise mund te arrije deri aty sa te perdoren si te njejta dhe te kryejne funksionin e njeri tjetrit. Kompiuteri eshte vete gjuha. Deep Blue eshte vete shahu. Secili mjet ka nje funksion te caktuar nuk diskutohet, por nuk eshte cudi qe te perdoret dara ne vend te pinces, dhe anasjeltash. Pasojat e mosperdorimit te mjeteve te caktuara ne funskionin e caktuar, nuk mund te merren lehte me mend, sidoqofte qellimi eshte ne funksion te perdoruesit me shume se sa te mjetit, dhe qe te arrihet qellimi “one has to make do.” Ne qofte se nje kompiuter nuk kupton qe “plasem vape” do te thote gjithashtu “hap dritaren”, kjo do te thote se nuk eshte programuar per kete funksion. Keqkuptimi qendron ne konceptin se njeriu mund te krijoje. E vemtja gje qe njeriu mund te beje eshte t’i sherbeje vetes duke zhvilluar teknika sa me efektive.

    Pak a shume kete doja te thosha, pavaresisht gjuhes qe perdora. Mbetet per t’u diskutuar statusi subjektiv dhe ndoshta krejt i pabaze i krijimit, nevoja ndoshta, per te fetishizuar krijimin perballe teknologjise, si dhe nevoja e anasjellte.

  19. “Lojera me gjuhen” nuk eshte njelloj si te themi; ‘Gjuha e lojes’, por ka nga te dyja llojet.
    Si dhe xha xhai mendoj se artificialia me e zhvilluar eshte prap produkt i atij qe e krijon, dhe qe nga ai moment qe te dyja bashke ‘krijimi’ dhe krijuesi fillojne nje udhe, ajo, eshte tjeter per te dy.

    nje shembull;

    Kemi anijen kozmike dhe kozmonoautin, nisen per ne udhetim qiellor. Njeriu (kozmonauti) nuk prodhoj anijen, si rrjedhoj s’di ate qe di ai qe rri ne tok (shkencetari), edhe anija s’di cbehet me te por prap udheton per bukuri. Pervoj, mbresa, njohuri nga udhetimi sjellin te dy, edhe kozmonauti edhe anija kozm., ndersa ato te kozmonautit jane ‘lojera me gjuhen’, ajo e anijes eshte ‘gjuha e lojes’.

    ‘lojerat me gjuhen’ nuk duhen te ngaterrohen me gjuhet e lojrave.

Comments are closed.