EKONOMIA E ATOMIT

Kriza energjetike që ka pllakosur botën ka bërë që diskutimet për centralet bërthamore të shtohen dita ditës. Vetëm pak kohë më parë, propozimi i kryeministrit Berisha për të bujtur në Shqipëri centralet bërthamore italiane kapi lehtësisht faqet e para të gazetave, duke ndezur edhe më tej debatet për energjinë bërthamore. Mirëpo, deri më sot, kundërshtarët e atomit kanë diskutuar mbi baza kryesisht ideologjike, të diktuara nga frika të pavetëdijshme ose nga incidentet e llojit Çernobil. Por çfarë ndodh po qe se kundërshtarët e kapin problemin nga pikëpamja ekonomike?

Debatet publike në Itali për ndërtimin e centraleve bërthamore janë pothuajse të detyrueshme. Energjia në Itali mungon: përftohet kryesisht nga tecet ose importohet nga jashtë, kurse përqindja e energjisë së ripërtërishme është krejt e papërfillshme. Qeveria Berluskoni vendosi që të fillojë nga studimet për ndërtimin e centraleve bërthamore. Me sa duket opinioni publik nuk është ai i viteve tetëdhjetë, kur nëpërmjet referendumit vendosi mbylljen e centraleve bërthamore. Tek e fundit, as incidenti i fundit në Krsko (Slloveni) nuk krijoi ndonjë alarmizëm të madh. Nga ana tjetër, ta kesh centralin në Xhenova apo në jug të Francës, nuk është se ka ndonjë ndryshim të madh për italianët nga pikëpamja e rrezikut, ndërkohë që për ekonominë është domethënëse. Ndërmarrjet e paguajnë energjinë elektrike shumë më tepër se kolegët e tyre francezë apo anglezë; po kështu qytetarët.

Kurrë ndonjëherë ndërhyrjet e politikanëve shqiptarë nuk kanë pasur tempizmin që pati oferta e Berishës për t’i pranuar në territorin shqiptar centralet bërthamore italiane. Pati edhe politikanë italianë që e “kishin një mendje të keqe” për t’i sjellë centralet këtej detit, por ekspertët shpjeguan se për arsye sigurie kjo nuk mund të bëhej. Kështu që ia vlente më mirë që centralet të ndërtoheshin në Itali. Kundërshtarët e energjisë bërthamore nuk patën shumë peshë. Në Itali, dolën të dërmuar nga zgjedhjet e fundit (opinioni publik i konsideron si fajtorë për stanjacionin ekonomik dhe për plehrat e Napolit), kurse në Shqipëri të gjelbërve nuk është se ua kanë vënë veshin ndonjëherë.

Deri dje akuzave ideologjike të të gjelbërve mund t’i përgjigjeshe lehtë. Por si t’u bëhet kundërshtimeve të studiuesve si Jeremy Rifkin, që e shikojnë negativisht atomin më shumë për shkak të paefektshmërisë ekonomike se sa për teoritë e fanatikëve të klimës? Rifkin bën një arsyetim të thjeshtë ekonomik. Sipas tij sot janë në punë 439 centrale bërthamore që prodhojnë rreth 5% të energjisë globale. Që kjo energji të ketë ndikim pozitiv tek mjedisi duhen ndërtuar 3 centrale çdo 30 ditë për 60 vitet e ardhshme. Në këtë mënyrë do të prodhohej 20% e energjisë totale dhe ndryshimi do të ndihej realisht. Mirëpo ky ritëm është i pamundur sot për sot. Kina ka porositur 44 centrale të reja për 40 vitet e ardhshme për ta dyfishuar fuqinë prodhuese, ndërkohë që nevojat për energji rriten në mënyrë progresive.

Përveç problemeve të përhershme që lidhen me magazinimin e skorieve bërthamore, është edhe problemi i uranit. Sipas studimeve të agjencisë ndërkombëtare, urani do të fillojë të pakësohet nga vitet 2025-2035. Çmimet pra do të rriten siç po ndodh me naftën dhe prodhimi i kësaj energjie nuk do të jetë me leverdi. Kësaj i shtohet problemi i ujit. Rifkin thotë se 40% e ujit të pijshëm në Francë përdoret për ftohjen e reaktorëve. Siç dihet uji po bëhet gjithnjë e më i pagjetshëm.

Interesante analiza e modeleve energjetike. Energjia bërthamore është e centralizuar, nga lart poshtë. Lipsen investime kolosale dhe po aq investime për mbrojtjen e tyre gjeopolitike. Që këtej edhe propozimi i Rifkin për prodhimin “në rrjet” të energjisë, duke filluar nga modelet e ripërtërishme.

Personalisht nuk e di nëse Rifkin ka të drejtë apo po flet për fantashkencë. Di që ndërtimi i centraleve bërthamore kërkon shumë kohë. Di gjithashtu se Shqipëria, si vend i vogël që është, nuk do ketë nevoja energjetike si Kina, meqë nuk besoj se do e mbështesë zhvillimin e saj në industrinë e rëndë. Nga ana tjetër, tarracat shqiptare, të mbushura plot e për plot me antena satelitore e me panele diellore, sikur ma bëjnë më të pranueshme idenë e Rifkin-it për prodhimin e energjisë nga poshtë. Në qoftë e pamundur, le të mos u dorëzohemi pa kushte modeleve të vjetra. Le të shikojmë përpara, të paktën mendërisht.

10 Komente

  1. Pikerisht kosto e larte e centraleve atomike kane bere qe ne Amerike te mos ndertohet asnje central i ri 30 vitet e fundit. Nga ana tjeter per te ndertuar nje central duhen rreth 1 Miliard dollare dhe rreth 5 vjet. Pra ndertimi zgjat shume e ka kosto te larte.

    Shqiperia mund te ndertoje nje industri energjitike te bazuar krejtesisht ne nxjerrjen e energjive te rinovueshme (uji, dielli, era, biomasa). Kjo ka te mira jo vetem ekonomike per mund ti sjelle Shqiperise dhe ate brand-in pozitiv aq shume te munguar si shteti 100% jeshil etj. Sidoqofte per kete duhet vullnet politik e strategjik. Berisha keput mufka me parqe energjitike, TEC-e qymyri apo nafte ne Vlore e Durres dhe opozitaret kryesore shkruajne editoriale mbi Tanin e Top-it, gjeniun e shekullit te njezete dora vete. A nuk eshte kjo per te qare? Shihni artikullin e fundit te Lubonjes tek blogu i tij per kete pike.

  2. Edhe ju enderoni shume! Politikat e energjise behen me kembe ne toke dhe jo me enderra. Ne pjesen me te mire te botes se zhvilluar dhe ne Indi shfrytezimi i burimeve alternative te energjise eshte i subventionuar nga shteti. Pa keto subventionime, si ne forme clirimesh nga taksat ose ne forme te investimeve direkte (pra injections) keto projekte nuk kishin per te ekzistuar. Prova me e mire eshte ajo e Gjermanise qe eshte vendi i pare ne bote per zhvillimin e teknologjive te shfrytezimit te burime alternative.

    Para nje muaji doli ministri i ambjentit ne Gjermani Sigmar Gabriel dhe i beri parlamentaret esell per sa i perket retorikes mbi biomasen dhe perzjerjes (miximit) te ethanolit te perfituar nga bima me benzine, per te kursyer dhe per te ruajtur ambjentin. Ky program i qeverise gjermane, i financuar ne disa forma nga qeveria, deshtoi komplet, pse: ngase perfitimet ekonomike dhe politikat e ruajtjes se ambientit nga keto menyra nuk jane aspak eficiente dhe per me teper aspak ekonomike. 1. Perdorimi i biomases per te prodhuar energji eshte nje faktor i pakesimit te prodhimit te dritherave dhe rritjes se cmimit te dritherave ne bote (pervec faktoreve te tjere si spekulacioneve te kapitalisteve dhe hedgefonds, politikave ekonomike te vendeve perendimore dhe Transnatinal corporations), cpyllezimit ne Brazil etj. 2. Edhe per ambjentin nuk kane asnje efekt pozitiv, pervec se negativ, si psh. shkaterrimi biodiversitetit etj.

    Sidoqofte, kjo nuk do te thote qe Sala te ndertoj centrale berthamore, porse ne duhet te behemi me esell dhe te ndergjegjshem per problemet energjitike dhe te ndjekim politika energjitike me agresive, politika reale dhe te fillojme te shfrytezojme me mire pozicionin tone gjeopolitik.

  3. kapedani:

    “….2. Edhe per ambjentin nuk kane asnje efekt pozitiv, pervec se negativ, si psh. shkaterrimi biodiversitetit etj….”

    Si efekte ngative kundrejt ambientit, perpara atij te shkaterrimit te biodiversitetit, qendron ndotja e ambientit me dyoksidin e karbonit nga mjetet bujqesore dhe shpenzimet e energjive te tjera gjate perpunimit te biomases per prodhimin e E 85. Tashme eshte vertetuar praktikisht se E 85 nuk ka me ato avantazhe qe vende te ndryshme po e nxisnin per te lehtesuar sado pak varesine nga hidrokarburet qe po shtrenjtohen cdo ore. Per Brazilin behet nje perjashtim per faktin e ekstetensivitetit ne mbjellje dhe infarstrukturen e shperndarjes se etanolit.

  4. une nuk jam specialist energjie por ka disa perfundime qe mund ti nxjerresh me rregull treshi. Si ishte e mundur qe pjesa me e madhe e energjise ne kohen e komunizmit nxirrej nga uji (hidro)? Kur dihet se Shqiperia ka akoma kapacitete ujore te pashfrytezuara pse qenkerka tani nxjerrja e nje pjese te madhe te energjise nga uji kaq e pamundur dhe pa kembe ne toke? Pertej argumentimit se biomasa zvogelon token bujqesore perse nuk duhet qe Shqiperia te nxjerre qofte dhe nje pjese te vogel energjie nga biomasa kur dihet sasia e madhe e tokes se lene djerre ne Shqiperi. Fundja cfaredo lloj energjie nga biomasa ul sasine e energjise qe duhet nxjerre nga burime me pak te pastra si qymyri etj. Perse nuk duhet nxitur ne Shqiperi instalimi i paneleve diellore per ngrohje (jo ato per rryme) per ndertimet e reja? Pra jane disa rregulla te thjeshta qe kane efekt te madh.

  5. Zgjidhja e optimale e problemit energjitik per gjithe njerezimin eshte decentralizimi i prodhimit dhe perdorimi i energjive te pastra(lehtesisht te riperteriteshme)..Pra kapilarizimi si kusht baze. Une, ti, ai, ajo prodhojme energjine per vete dhe tepricat ja kalojme rrjetit te perbashket. Une(person, familje) nuk mund te prodhoj energji berthamore apo te ndertoj termocentral me nafte apo qymyr! Per fat te mire energjia egziston dhe eshte falas per te gjithe! Mema natyre i ka menduar edhe keto..na ka dhene ujin, diellin, eren. Problemi eshte se askush nuk mund t’i monopolizoje keto burime energjie, dhe per rrjedhoje as nuk mund ti shese ato. Pra nuk eshte “buon senso” qe shtyn ndermarrjet apo investuesit per te prodhuar energji por mundesia per fitim. Kur interesat per fitim futen ne fusha te tilla me rendesi paresore dhe ja kalojne edhe interesave te kolektivit gjithcka nderlikohet dhe pak nga pak fillojne absurditetet. Psh. ne shumellojshmerine e tipollogjive te parqeve gjenerative impiantet qe perkojne me nje kthim gati te menjehershem te kapitalit te investuar ose BEP(break even point) jane ato berthamore. Kjo ndodh sepse ne preventivin e pergjithshem per ndertimin e ketyre impianteve merren si modele akoma sot ne gjithe boten ato te nje termocentrali te pergjithshem, pa futur ne zerat e bilançeve kostot e ndotjes apo luhatjen e ç’mimit te uranit. Mijera algoritme simulojne kostot, fitimet dhe prodhimtarine ne MW/h (megawatt/ore) por asnje prej ketyre syresh fut ne zerat e kostove ndotjen e ambientit apo rrezikun e rrezatimit. Mbi te gjitha ajo qe nuk kuptojne investuesit e ketyre bemave eshte qe edhe energjia berthamore nuk mund te shfrytezohet pa fund. Minierat e nxjerrjes se uranit jane detyrimisht te shterueshme. Qe prej te pakten 9 vjetesh shume vende qe kishin nxjerre dhe magazinuar uranin per perdorim ushtarak kane filluar te shesin oksidin e ketij te fundit per te ushqyer reaktoret berthamore duke e ngritur jashtezakonisht c’mimin. (te pakten 10 here). Edhe metoda e centrifugimit per pasurim nuk mund te perdoret ne pafundesi. Si perdundim Komuniteti Europian ka nxjerre disa rregullore ku thuhet qe nje perqindje e kapacitetit prodhues vendet e komunitetit duhet qe ta kene me baza energjie te riperteritshme.Vendet Europiane duhet t’i pershtaten kesaj rregulloreje brenda nje kohe te caktuar. (Ja apo Rumania fiku reaktoret)Ketu fillon perzierja e Shqiperise ne kete çeshtje. Italia per nga kapaciteti i prodhimit e tejkalon nevojen e saj te brendeshme. Por duke qene se gati 90% e parkut gjenerativ eshte i bazuar mbi “carbon fossile” eshte e detyruar tashme t’a importoje nje pjese te nevojave te saja nga vende qe i jane pershtatur rregullores Europiane duke ja ngritur koston fatures energjitike dhe prodhimtarise industriale. Me se fundi pas nje marreveshje me Qeverine Shqiptare u vendos qe ne Vlore dhe ne Galatina te Brindisit te ngriheshin strukturat e nevojshme dhe kavoja nenujore per shkembimin e energjise midis dy vendeve pasi Shqiperia prodhon vetem energji te paster duke shfrytezuar hidrocentralet, por ka nevoje per me teper energji sesa kapaciteti prodhues. Ketu po ndalem se u lodha. Kush do te dije me shume dhe me hollesi pse doli ideja per ndertimin e centralit berthamor ne Shqiperi te ngreje doren.

  6. Sot po lexoja për projektin interesant të shfrytëzimit të sistemit të balonave, pra energjisë së erës. Sipas projektit në letër, mjaftojnë 200 balona për të zëvendësuar një central bërthamor. Uroj të jetë i suksesshëm.

  7. He na thuaj njeher pse u ngrit kjo ide? Une nga hulumtimi dhe fantazia ime (e perzjere me mendesine time tendecioze per teori konspirative) kam arritur ne konkluzion se Sala ishte Jokeri i disa industrialisteve atje ne Itali me ne krye Berlusconin. Nuk behej fjale te ndertohej ndonje central berthamor ne shqiperi, porse ti behej presion klases politike dhe popullsise atje per te ndertuar dhe rindezur reaktoret berthamore ne Itali, qe italia i kishte ndaluar me referendum popullor. Sala (ose me mire keshilltaret e Sales) iu fut kesaj loje qe ishte sic thashe me shume mediatike sesa reale dhe konkrete. Qe ky opsion u largua tani nga tavolina, pra ndertimi i nje centrali ne shqiperi, flet me shume per teorine time, pasi kjo ka lidhje me zhvillimet ne Itali.

    Sidoqofte jam i hapur nese dikush ka nje version me konkret dhe large mendesise sime.

  8. Per fat te keq nuk shpjegohet me dy fjale. Arsyeja eshte tejet teknike dhe e rrenjosur kryekeput ne ligjet e reja te shkembimit te energjise.
    Nuk eshte Sala apo Fatosi qe vendosin per keto gjera. Per fat te keq qeverite shqiptare pas viteve 90-te nuk kane krijuar nje plan zhvillimi strategjik per perballimin e kerkeses gjithnje ne rritje te energjise . Kjo solli situaten qe sot e njihni te gjithe. Praktikisht tani Shqiperia duhet te fuqizoje linjat e saj te kapacitetit te larte per te qene e arritshme nga pjesa tjeter e botes per te bere te mundur pra shkembimin e energjise ne nivel rajonal. Ne kete kuader po ndertohet edhe linja Bitola(maqedoni)->Elbasan -> Vlore -> Galatina(Itali). Nga ana tjeter ne Itali, per te ndertuar centrale berthamore, duhet te rishikojne nje referendum te bere menjehere pas ndodhise se Cernobilit. Ne kete referendum u vendos qe Italia nuk do te ndertonte reaktore berthamor brenda territorit te vet. Kjo beri qe te ndertoheshin nje qerre me termocentrale e hidrocentrale. Mirepo Italia ka firmosur traktate(KYOTO) qe kufizojne masen e hedhjes se tymrave te CO2 ne atmosfere, perveç faktit qe fossilet kane arritur çmime te llahtarshme. Kjo e ben Italine vend importues te energjise. Ajo importon energji kryesisht nga Franca dhe me duket se edhe nga Slovenia* dhe Rumania. Linja e shkembimit me Shqiperine do te jete me interes per ne(shqiptaret) pasi do te japim energji te prodhuar nga burime te rinovueshme per te importuar energji termocentralesh. Sipas marreveshjes ajo tona vlen me shume se italanka..pra ka nje cmim shitjeje me te larte. Jo vetem kaq..po energjia qe Italia do te importoje nga Shqiperia eshte me ekonomike per ta se ajo qe prodhojne me qymyr. Kjo do te beje qe ne Itali (pershembull) do te munde te fiket nje termocentral per periudhen e dimrit. (Ndermarrja per shtrirjen e kavos nenujore eshte pronesi e Dalema-s.) Mirepo Italia me 200kV nuk zgjidh problemet e saja per energji qe jane ku e ku me nevojat tona. Raporti eshte dicka si: Nqs Italia ka kerkese 70 000 megawatt/vit :Shqiperia aty tek 3/4 mije megawatt/vit. Kjo vazhdon te jete nje permbledhje e informacioneve qe duhet te dije dikush per te kuptuar pse do kerkoje ENEL S.P.A te ndertoje central nuklear ne Shqiperi. Sidoqofte qeveria shqiptare ne kete mes hyn me pak se asgje. Perveç faktit qe ve ne radhe te pare interesin ekonomik dhe jo “buon sensin”(qe nuk ja di perkthimin shqip)ajo nuk ka asnje gisht ne kete mes->vazhdon…

  9. tani per tani mendoj qe ne shqiperi ka perparesi te tjera; ne lidhje me energjine berthamore: eshte e kote te diskutohet, qeverite shqiptare nuk jane ne gjendje as te administrojne, as te ndertojne dhe as te ndermjetesojne per çeshtje kaq delikate e te rendesishme, jo vetem per shqiperine por edhe per fqinjet dhe gjithe kontinentin.
    ps jo se jam nostalgjik per “llampat” e fabrikes se Vlores, por sot rrezik edhe poçat qe te shesin ne treg jane pa garanci;
    pse enderrojme kot (qofte per mire o per keq): qe kur mbaruan ndihmat e Kines ne Shqiperi nuk eshte vene asnje tulle per ndonje veper te rendesishme, edhe te vogel: nuk mirembajme dot hidrocentralet qe kemi, kemi nje rrjet qe eshte per ibret; sa larg jemi nga hidrocentralet, merre me mend nga …. centralet berthamore.

  10. Ulkonje, per fat te mire cdo gje shpjegohet me dy fjale, sidomos kur behet fjale per nje politikan, i cili duhet ti reduktoj problemet komplekse dhe 101 alternativa ne 2-3 probleme, aktore dhe zgjidhje, nese deshiron qe te marri ndonje vendim.

    Nuk shoh ndonje gje te re ne tekstin tend, pervec se ndryshimit ne perspektive, por sic thashe cdo gje reduktohet ne (a) problem, (b) zgjidhje dhe (c) aktore (cfare, ku, si dhe kush) qe jane ose pjese e problemit dhe e zgjidhjes. Ky mbase eshte edhe ndryshimi i nje analisti me nje kronikan. Pra kemi te bejme me Aktoret (Industrialistet, (Enel), Medien, dhe Salen), Problemin energjitik dhe (ku?) instituticional.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin