KISHA DHE MARIA NË VARGUN E BOGDANIT

nga Sokol Çunga

Diskutimet e natyrës teologjike, aq më tepër kur ato zhvillohen në gjuhën shqipe, janë veçanërisht interesante, pasi pakkush mes shqipfolësve ka informacion dhe formim për biseda të tilla që mbështeten edhe në studim. Diskutimet në Peizazhet e Fjalës ndër kohëra i kisha menduar më shumë si të nënshtruara ndaj rregullit të pashkruar: “Në takimin e parë me ndonjë vajzë mund të flasësh për gjithçka, përveçse për politikë dhe teologji”. Mirëpo, pas artikullit shkruar nga z. Kaon Serjani [këtu], i cili mban një qëndrim kritik mbi baza teologjike referuar artikullit tim [këtu], ndjej detyrimin moral ndaj atij publiku, i cili ka ndjekur debatin që pasoi antologjinë poetike “Veshun me diell, mbathun me hanë”, si dhe ndaj vetë z. Serjani, për të shpjeguar premisat e mia në një pjesë të atij artikulli.

Mëtova, pra, në artikull, se “vajza Mri, e bukura ma fort se zanë”, së cilës i referohet vargu “Me dielli veshun’, e mbathunë me hanë” (ndërkaq titulli i antologjisë që u bë shkak i bisedave përmes artikujve është: “Veshun me diell, mbathun me hanë”), është vetë Virgjëresha Mari, mëma e Jezu Krishtit. Z. Serjani, në artikullin përmendur më sipër, përmes argumenteve që sjell, pohon se personi “vajza Mri” në vargun përkatës të librit të Zbulesës, kreu 12, nuk është Shën Maria, por vetëm Kisha e Krishtit. Kësisoj, pavarësisht se Bogdani përmend me emër vajzën Mri, teologjikisht, sipas z. Serjani, kemi të bëjmë me Kishën, jo me Marinë.

Në artikullin, që u bë zanafillë e disa artikujve botuar në Peizazhet e Fjalës [shih kronologjikisht: këtu, këtu, këtu] dhe në Defekt Teknik [këtu] trajtova mospërputhjen, gjithmonë sipas meje, mes vargut të Bogdanit, huazuar nga teksti biblik, dhe një antologjie, e cila në një pjesë të saj përfshin edhe autorë të periudhës së komunizmit. (Për këtë temë, më qartë shih këtu.) Në aq sa shkrova, m’u duk e tepërt të futesha në stërhollime debatesh teologjike nëse “vajza Mri” është Kisha, apo vetë Shën Maria, apo të dyja. Tashmë jemi larguar shumë nga ajo temë, dhe ky shkrim është larg diskutimit të parë. Duke vijuar bisedën që çeli z. Serjani, po shtroj këtu, sa më shkurt mundem, ato argumente që më ngjan se duhen marrë parasysh kur i referohemi specifikisht kreut 12 të librit të Zbulesës.

Dua të sqaroj, që në fillim, se kur shkruan “Kur e krahason këtë përkthim me vargun e përkthyer nga Bogdani (duke besuar që na e kanë përcjellë saktë prof. Omari dhe Çunga) vihet re se në përkthimin e Bogdanit lihet jashtë fjala ‘dymbëdhjetë’”, z. Serjani e ka fjalën për Cuneus Prophetarum, Shkalla IV, Ligjërata III, “Sibila Libika”, jo për ndonjë përkthim a referim të Zbulesës, kap. 12, të përmendur nga prof. Anila Omari apo Sokol Çunga që referon prof. Omarin. Z. Serjani nuk e ka saktësuar këtë pasi, siç përfytyroj, nuk ka pasur përpara veprën e Bogdanit, por është mbështetur vetëm në artikullin tim. Do të kishte qenë e udhës ta sqaronte vetë këtë pjesë, pasi në këtë botë ku pakkush priret të lexojë thellësisht, të tilla mëtime lënë hapur edhe shtegun se Sokoli referon e shkruan qesim. Bogdani nuk ka përthyer Zbulesën, vetëm ka përdorur një pjesë të vargut 1 nga kapitulli 12 i Zbulesës, afërsisht 1/3 e tij. Si rrjedhojë, nuk shkrova për të diskutuar Bogdanin si përkthyes të Zbulesës në tërësi a pjesërisht, por diskutova përdorimin e një vargu të Bogdanit nxjerrë nga konteksti tekstual, dhe nga fryma e tekstit.

Pa hyrë në diskutime të hermeneutikës biblike, ajo që duhet thënë e para është se pavarësisht tekstit që shqyrtojmë, duhet të kemi parasysh se komenti duhet t’i përshtatet realitetit brenda të cilit është konceptuar, shkruar dhe shpërndarë teksti. Kjo vlen sa për Çetën e profetëve të Bogdanit, aq edhe për Zbulesën e Joanit. Kësisoj, pyetja nuk është vetëm se çfarë përfaqëson “vajza Mri” e Zbulesës, por çfarë sheh teksti i Bogdanit tek ky togfjalësh. Tek “Sibila Libika”[1] Bogdani vendos në gojën e orakullit të Libisë një këngë kushtuar Shën Marisë. Për të arritur këtë, përmend mrekullitë e Krishtit, siç ato shkruhen në tekstet ungjillore (shëroi të verbër, të çalë, të sëmurë, ngjalli të vdekur), si dhe përmend armiqësinë e judenjve kundër Marisë dhe Krishtit (emigrimin e tyre në Egjipt, Mateu 2:14-15, por edhe më pas, kur Krishti fillon predikimin). Pavarësisht se ç’mendonte vetë Bogdani për identitetin e “vajzës Mri”, nuk duket se ai vetë synon të ngrejë debat mbi identitetin e Gruas së Zbulesës 12. Siç e kemi thënë edhe në shkrimin e parë, Çeta e profetëve është tekst katekitik, jo trajtesë teologjike. Për këtë arsye mendoj se nuk është rasti të shqyrtojmë identitetin e Gruas përmes thjerrës së Bogdanit.

Më tej, teksa bie dakord me interpretimin e z. Serjani për sa i përket identifikimit të “vajzës Mri” me Kishën e Krishtit, nuk bie dakord me përjashtimin e personit të Marisë nga ky identifikim. Këtë do të përpiqem të argumentoj më poshtë.

Përpara se lexuesi që nuk njeh tekstin të zbresë në rreshtat e mëposhtëm, do të ishte mirë të lexonte Zbulesën, kreun 12. Nuk po vendos këtu të gjithë tekstin e kreut në fjalë, por kushdo mund ta lexojë këtu ose në fund të këtij shkrimi, sipas përkthimit më të ri në gjuhën shqipe, botim i Shoqërisë Biblike Ndërkonfesionale të Shqipërisë, Tiranë 2020.

Përpara tablosë së Zbulesës 12 (por edhe të gjithë tekstit të Zbulesës, në fakt), që ngjan si letërsi simbolike e shek. XX shkruar edhe me ndihmën e haluçinogjenëve, teksti i ungjillorit Joan bëhet i vështirë për t’u interpretuar. Për shkak të gjuhës tejet simbolike, identifikimi i Gruas me Marinë është kundërshtuar e pranuar që në shek. III dhe, siç duket, vijon edhe më pas. Historikisht janë mbajtur 4 qëndrime lidhur me identitetin e Gruas: 1. Është Kisha e Krishtit; 2. Është simbol i Kishës së hershme, ajo e Dhiatës së Vjetër dhe e Dhiatës së Re; 3. Është Virgjëresha Mari; 4. Është edhe Kisha e Krishtit, edhe Virgjëresha Mari.[2]

Matanë diskursit teorik, të mos harrojmë se për ungjillorin dhe apostullin Joan, Maria ishte person shumë i afërt dhe i dashur. Nga gjithë nxënësit e tjerë, Joani kishte pasur afërsi më të madhe me të gjatë kohës kur predikonte Krishti. Nën kryqin e Golgotës, nga gjithë nxënësit, vetëm Joani ndodhej pranë Marisë, dhe pas porosisë së vetë Jezuit: “Grua, ja yt bir” (Joani 19: 26-27), apostulli u kujdes për Marinë si për nënën e tij. Pra, në tekstin e Zbulesës nuk po flet vetëm ungjillori i hyjfrymëzuar, por edhe dëshmitari okular dhe njeriu i afërt.

Në sytë e ungjillorit Joan, Gruaja e Zbulesës është sa nëna e Zotit, që mbajti dhe lindi Krishtin, po aq dhe Kisha, stolisur me lavdinë e 12 apostujve dhe të shenjtorëve. Ikja e Gruas në shkretëtirë është edhe strehimi i Kishës nën mbrojtjen e Zotit në kohë përndjekjeje, por edhe largimi i Marisë, Jozefit dhe Krishtit në Egjipt, për t’i shpëtuar Herodit. Dragoi që sulmon Gruan dhe të Birin është Satanai, por po aq dhe simbol i Herodit që urdhëroi vrasjen e çdo foshnje, duke synuar të vriste vetë Krishtin. Lumi që del nga goja e dragoit janë sulmet e Satanait kundër Kishës, por po aq dhe simbol i gjakut të foshnjave që vrau Herodi. Këto ngjarje të jetës së Jezuit përshkruhen qartë tek Ungjilli sipas Mateut, kap. 2: 13-16. Ndërkaq, 1263 ditët që Gruaja qëndroi në shkretëtirë (ose afërsisht 3.5 vjet) përputhen me kohën gjatë së cilës Jezui qëndroi në Egjipt: sipas traditës, pothuaj 3.5 vjet. Duket, pra, se elementet që na jep teksti i Joanit kanë më shumë se një mënyrë interpretimi, dhe në të njëjtën kohë do të ishte marrëzi disfunksionale të ndërmerrnim interpretimin e çdo simboli të tekstit të Zbulesës. Këtu vjen çasti kur i lëmë stërhollimet për të tjera raste dhe modestisht përmbahemi, duke mos imponuar mendimet tona tek të tjerët.

Nuk duhet të harrojmë në këtë diskutim dhe një element tjetër, prej të cilit kushtëzohen mënyrat e ndryshme të interpretimit të Biblës në përgjithësi, dhe të kreut konkret të Zbulesës në veçanti: tradita. Për Kishën e 7 Sinodeve (d.m.th., Kishën e Lindjes dhe Kishën e Perëndimit) imazhi i Virgjëreshës Mari është fort i rëndësishëm në jetën kishtare, sa në liturgji, aq dhe në përvojën vetjake. Tradita e pas Reformës së Luterit nuk tregon të njëjtën ndjeshmëri ndaj imazhit të Marisë. Edhe bibliografia që përmend z. Serjani në artikullin e tij përputhet me këtë traditë të dytë, duke mohuar krejt të parën. Këtë element z. Serjani ka harruar ta shënojë në artikullin e tij, çka do të kishte qenë deontologjikisht e nevojshme për të mos krijuar konfuzion, teksa synon të korrigjojë një element, të cilin rrethanat e artikullit tim të parë nuk e parashtronin të detyrueshëm ta analizoja, por as do të kishte qenë funksionale.

Në fund, duhet theksuar se debatet teologjike ekzistojnë që me formimin e komuniteteve të para të krishtera. Teologjia rreket të sistemojë dhe të rendisë atë dije që mund të nxirret prej teksteve dhe traditës (më shumë prej së dytës), dhe gjatë këtij procesi është e zakontë të lindin diskutime. Nga ana tjetër, si çdo disiplinë e shkencave shoqërore, teologjia nuk është shkencë ekzakte. Ndërkaq, kurrsesi teologjia nuk synon të zëvendësojë përvojën vetjake të besimtarëve, cilëtdo qofshin këta. Për më tepër, teologjia e shek. XIX-XXI e shkollës së higher criticism nuk ka efekte prapavepruese, të paktën jo mbi Pjetër Bogdanin dhe kohës së cilës i përkiste ai.

(c) 2023 Sokol Çunga. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Shtojcë
[Tekstin që kam bashkëlidhur me hyperlink nga faqja bible.com po e vendos edhe këtu:]

Zbulesa, kreu 12
Gruaja dhe dragoi

1Pastaj në qiell u shfaq një shenjë e madhe. Ishte një grua e veshur me diell, e cila nën këmbë kishte hënën, ndërsa mbi kokë mbante një kurorë me dymbëdhjetë yje.
2Ngaqë ishte shtatzënë, gruaja bërtiste nga dhimbjet e mundimet e lindjes.
3Në qiell u shfaq edhe një shenjë tjetër. Ishte një dragua i madh, i kuq, që kishte shtatë kokë e dhjetë brirë dhe mbi kokë shtatë kurora të vogla.
4Bishti i tij tërhoqi një të tretën e yjeve të qiellit dhe e hodhi mbi tokë. Dragoi qëndroi para gruas që ishte gati për të lindur, që të gëlltiste foshnjën e saj sapo të lindte.
5Gruaja lindi djalë. Ai do të sundonte kombet me skeptër të hekurt. Atëherë foshnja u rrëmbye dhe u dërgua pranë Perëndisë e fronit të tij.
6Pastaj gruaja iku në shkretëtirë. Atje kishte një vend që ia kishte bërë gati Perëndia. Në atë vend do ta ushqenin për një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë.
7Atëherë në qiell u bë luftë. Mikaeli dhe engjëjt e tij luftuan kundër dragoit. Dragoi luftoi bashkë me gjithë engjëjt e tij,
8por nuk fitoi dhe për ta nuk kishte më vend në qiell.
9Dragoi i madh, gjarpri i lashtë, që quhet Djall dhe Satan, mashtruesi i gjithë botës, u hodh në tokë e bashkë me të edhe engjëjt e tij.
10Atëherë dëgjova një zë të fortë në qiell që tha: «Tani erdhi shpëtimi, fuqia e mbretëria e Perëndisë tonë dhe pushteti i Krishtit të tij. Paditësi i vëllezërve tanë, ai që i padit para Perëndisë tonë, ditë e natë, u hodh poshtë.
11Ata e mundën me gjakun e Qengjit e me fjalën e dëshmisë së tyre dhe ishin gati të jepnin jetën e të vdisnin.
12Prandaj, gëzohuni, o qiej e ju që banoni atje! Mjerë ju, o tokë e det, se djalli zbriti te ju me zemërim të madh, duke e ditur se i ka mbetur pak kohë».
13Kur dragoi pa se e hodhën në tokë, filloi të ndjekë gruan që kishte lindur foshnjën.
14Gruas iu dhanë dy krahët e një shqiponje të madhe, që të fluturonte për në vendin e saj në shkretëtirë, ku do të ushqehej për tri vjet e gjysmë larg gjarprit.
15Atëherë gjarpri nxori nga goja ujë si një lumë pas gruas, që atë ta rrëmbente rrjedha.
16Por gruan e ndihmoi toka, e cila hapi gojën dhe përpiu lumin që kishte nxjerrë dragoi nga goja.
17Dragoi u zemërua me gruan dhe shkoi për të luftuar me pasardhësit e tjerë të saj, me ata që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe dëshmojnë për Jezuin.
18Ai mbeti mbi rërën e detit.


 

[1] Në këtë çast duhet përmendur se kjo pjesë e tekstit të Pjetër Bogdanit është një rindërtim i lirë në shqip, me mjete artistike, i tekstit latinisht të Guillaume Rouillé: Promputarii iconum insigniorum A’ seculo hominum, subiectis eorum vitis, per compendium ex probatissimis autoribus desumptis. Prima pars. Lugduni, 1553, fq. 38. Falënderoj prof. Bardhyl Demiraj për këtë informacion. Libri gjendet on-line këtu.

[2] Bibliografia për këtë temë është mjaft e gjerë. Po citoj një pjesë. Nga Patrologiae Cursus Completus, Series Graeca (më tej PG): Metodi, peshkop i Olimpit, PG 18, 28 V; Hipoliti, peshkop i Romës, PG 10, 725-788; Andrea, peshkop i Cezarsë së Kapadokisë, PG 106, 216-457. Nga Patrologiae Cursus Completus, Series Latina (më tej PL): Anonymi, Tractatus, Ad Novatianum haereticum, PL 3, 1205-1218; In B. Joannis Apocalypsim expositio, PL 35, 2417-2452; Primasii, Adrumetani episc, Commentariorum super Apocalypsim B. Joannis, Libri 15, PL 68, 795-936; S. Gregorii Magni, Moralium Libri sive Expositio in B. Job. PL 75, 527-76, 782; S. Paterii, De testimoniis in Apocalypsim S. Joannis apostoli, PL 79, 1107-1121; Alulfi, Expositio super Apocalypsim B. Joannis apostoli, PL 79, 1397-1424; Bedae Venerabilis, Explanatio Apocalypsis, PL 93, 133-206. Tekstet mund të gjenden elektronikisht këtu dhe këtu.

1 Koment

  1. Nje pyetje kam per Sokolin, por jo me karakter teologjik. Nga pikepamja redaksionale a eshte korrekte qe antologjizuesi ta pershtase vargun e Bogdanit, madje edhe duke ua ndryshuar rendin fjaleve, para se ta vendose si titull te antologjise? Sipas meje, nese po, pra nese nje nderhyrje e tille i lejohet antologjizuesit, atehere vargu ne fjale nuk duhet reklamuar si i Bogdanit por si i Rudolf Markut.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin