INTERTEKSTI BIBLIK

Para dy ditësh, në reagim edhe ndaj shkrimit të Sokol Çungës për antologjinë e poezisë shqipe, Teuta Toska nxori këtë status në Facebook:

Libri i parë që duhet të lexohet i plotë nëse do të jesh shkrimtar, përkthyes, kritik letrash e arti është BIBLA. Përndryshe je pa lidhje me pjesën më të madhe të kulturës botërore. Por je pa lidhje edhe me një pjesë të rëndësishme të kulturës së shqipes […]

Shqetësimi vë gishtin në plagë – duke ekspozuar një arsye themelore të cektësisë sonë kulturore – dhe këtu kam parasysh brezin tim, por edhe kulturën shqip të shekullit XX, në raport me kulturën Perëndimore. Dhe pikërisht, atë që BIBLËS, si tekst, dhe si përmbledhje narrativash dhe personazhesh dhe urtësie, po i rrezikohet seriozisht statusi intertekstual.

Me këtë kam parasysh jo rolin e BIBLËS si libër i shenjtë për të krishterët anembanë botës, përfshi edhe ata në Shqipëri – por rolin e BIBLËS si tekst të trupëzuar në indin kulturor të Perëndimit, ose si kod që i shërben krijimit dhe funksionimit të kulturës Perëndimore si gjuhë mbi gjuhë. Këtë rol BIBLA e luan nëpërmjet intertekstualitetit, që nuk është veçse aftësia e disa njësive të kodeve të komunikimit – fjalëve, shprehjeve, figurave poetike, personazheve ose narrativave – për t’iu referuar drejtpërdrejt atij libri dhe për ta rinxjerrë kuptimin të plotë vetëm në marrëdhënie me të.

U fol këto ditë për statujën e Davidit, nga Michelangelo, dhe për estetikën e trupit lakuriq dhe funksionin e lakuriqësisë së trupit në art. Nuk më duket e mundur dhe aq më pak e dëshirueshme, që imazhi i asaj statuje të riprodhohet dhe të përflitet shkëputur nga rrëfimi biblik për Davidin dhe Goliath-in, njëlloj siç nuk mund të komentohet statuja seriozisht, pa marrë në konsideratë raportin e Rilindjes Europiane me Krishterimin.

Deri vonë, njohja e botës biblike ishte po aq pjesë e formimit kulturor të njeriut europiano-perëndimor sa edhe, të themi, alfabeti dhe matematika; aq më tepër në ato shoqëri ku kisha merrte pjesë aktivisht në arsimimin e fëmijëve. Sot kjo nuk po ndodh më, për shkak të laicizimit, multi-kulturalizmit dhe ndërrimit paradigmatik – prandaj edhe mund të gjesh rëndom të rinj që njohin më mirë super-heronjtë e Marvel Comics dhe bëmat e sagës Star Wars, se bëmat e heronjve në Bibël dhe parabolat e Jesuit nga Ungjijtë.

Në një pikëpamje, edhe Davidi biblik ishte një lloj super-heroi, që plotëson një funksion të caktuar në skemat narrative biblike; dhe si i tillë, për ata që nuk janë të krishterë, nuk ka ndonjë epërsi narrative ose morale ndaj një heroi të ngjashëm me të, por folklorik (p.sh. Gjergj Elez Alia që vrau Bajlozin), ose pop-kulturor (Kyle Reese që vrau Ahnold-in, në blockbuster-in Terminator 1). Ka qarqe kulturore të krishtera që e vajtojnë dobësimin e intertekstualitetit biblik në kulturë ngaqë e këqyrin si simptomë shfetarizimi dhe degradimi të përgjithshëm. Por unë këtu dua të shpreh një shqetësim disi tjetërlloj.

Si shoqëri, në momentin e tanishëm, ne vijmë nga një traditë gjysmë-shekullore afetarizmi (në mos ateizmi trashaman), ku çdo lloj diskursi mirëfilli fetar ishte i ndaluar me ligj dhe përndiqej politikisht; dhe nga një traditë më e hershme, ku pjesa më e madhe e popullsisë ndiqte fenë Islame. Edhe të krishterët mes nesh si komb nuk e kanë pasur të lehtë ta përpunojnë një diskurs kulturor të tyrin – paçka se Rilindja Kombëtare ishte në masë të madhe vepër e tyre. Pa u zgjatur shumë, sepse nuk është vendi, në Shqipëri (dhe aq më tepër në Kosovë) intertekstualiteti kulturor biblik ka qenë në rastin më të mirë sipërfaqësor në mos rudimentar.

Përkundrazi, që me fillimet e Rilindjes Kombëtare, elitat tona kombëtare janë kthyer me fytyrë nga Europa – duke e pritur prej andej Dritën; dhe duke punuar fort, për ta sjellë kulturën europiane – me shkrimtarët, me artistët, me filozofët e saj, por edhe me tekstet dhe artin e saj dhe vlerat e saj – mes shqiptarëve. Shekulli XX ishte shekulli kur Europa erdhi në Shqipëri, më parë si dëshirë e elitave, pastaj në formën e teksteve të përkthyera dhe të imazheve (filmave) dhe të vetë mitit të Europës, si vend i dritës, i dinjitetit njerëzor dhe i mirëqenies shpirtërore. Madje vetë propaganda totalitare antiklerikale dhe antifetare u orvat ta paraqiste dhe ta reklamonte kulturën Perëndimore “progresive” edhe si një triumf të arsyes ndaj “obskurantizmit fetar” dhe të ndriçimtarisë kundër errësirës mesjetare të dominuar nga botëkuptimi fetar. Ashtu u rritëm duke dëgjuar më shumë për Giordano Bruno-n, se për Vatikanin, edhe pse i pari është epifenomen i të dytit.

Ky model dhe vizion i Europës, që mbetet sot e kësaj dite i gjallë sidomos në programet dhe përpjekjet e elitave kulturore, e sjell me vete intertekstualitetin e krishterë (biblik), por jo gjithnjë sjell me vete kodet për deshifrimin dhe normalizimin e tij brenda një kulture si jona. Të ndodhur përballë teksteve që vijnë nga Europa – përfshi këtu veprat e artit, doktrinat filozofike dhe morale, doktrinat politike – ne mjaftohemi shpesh me lexime sipërfaqësore, sepse nuk i kemi mjetet dhe automatizmat kognitivë për t’u futur më thellë. E admirojmë Davidin e Michelangelo-s si trup të bukur, por na humbasin krejt konotacionet biblike dhe kornizimet e Rilindjes Europiane. Na pëlqejnë harmonitë vokale të kantatave të Bach-ut, por pa e pasur idenë se kujt i kushtohen ato kantata e çfarë thonë. Admirojmë katedralen e Köln-it, por kryesisht ngaqë është e madhe dhe e komplikuar, siç admiron fëmija hipopotamin.

Mjafton një vizitë në Louvre a në Musei Vaticani, për t’u bindur se, pa intertekstualitetin biblik, një pjesë e madhe e veprave të artit, që mbahen sot si më të çmuarat e trashëgimisë kulturore perëndimore, nuk do t’i kuptonim dot; ose do t’i lexonim në mënyrë naive. Mjafton një vizitë në kishat dhe katedralet e Romës, për t’u bërë të vetëdijshëm rreth paaftësisë sonë, që të kuptojmë dhe të admirojmë majat e qytetërimit Perëndimor – ose atij qytetërimi të cilit duam t’i bashkëngjitemi.

Për këtë bindemi edhe më fort, kur na qëllon të ndodhemi përballë një vepre arti me temë nga mitologjia klasike, të cilën arrijmë ta kuptojmë, sepse mitologjinë klasike greko-romake na kanë lejuar jo vetëm ta njohim disi më mirë se atë biblike, por edhe ta integrojmë më mirë në kulturën tonë. Ashtu disa prej nesh e përjetojnë më natyrshëm agoninë e Laokoon-it, te skulptura e njohur në Muzetë e Vatikanit, se agoninë e Jesuit të kryqëzuar, në pikturën e njohur të Velázquez-it.

Po ashtu, kur gjendemi përballë një pikture si Dasma në Kanë (Veronese), me siguri jemi në gjendje të admirojmë ngjyrat, dinamikën dhe variacionin e figurave, harmoninë gjeometrike, dritëhijet, mbase edhe organizimin e kompozimit si skenë teatri, por nuk do të na shkojë menjëherë mendja për shndërrimin e ujit në verë, nga Jesui, me kërkesë të nënës, as rolin që kjo mrekulli luajti për të krijuar reputacionin e Jesuit e kështu me radhë…

Nuk do ta kuptojmë dot rëndësinë (alegorike) që ka ky moment për Krishterimin, dhe që është arsyeja pse është pavdekësuar në pëlhurë. Ngaqë na mungon në bagazhin kulturor rrëfimi përkatës, me të cilin do të fillonim ta lexonim pikturën, e përjetojmë artin në mënyrë fare gjysmake. Të mësuar – të paktën brezi im – me imazhe tribunash politike dhe polifotosh burrash të Byrosë Politike nuk do ta gjejmë dot kodin e duhur, për të kuptuar se çfarë përfaqësojnë simbolikisht tryezat e mbushura dhe festa. Pesëdhjetë vjet ekspozita të pikturës së Realizmit Socialist në Tiranë na i kanë gjymtuar shqisat e perceptimit. Në të njëjtën mënyrë, nuk do të jemi as në gjendje ta krahasojmë tablonë e Veronese-s, me paraqitje të ngjashme të po kësaj dasme, nga artistë të tjerë të periudhës së Rilindjes.

Për gjysmë shekulli, regjimi totalitar u përpoq të krijonte Njeriun e Ri, i cili mes të tjerash do të rritej i lirë nga “bagazhi toksik” i botëkuptimit fetar dhe i intertekstualitetit biblik, që mbante të infektuar mendësinë e njeriut në Perëndim. Edhe pse dështoi në këtë ndërmarrje, ai regjim ia arriti megjithatë të sterilizonte segmente të mëdha të kulturës kolektive dhe të kodeve të komunikimit social dhe kulturor, duke hequr prej andej sfondin e rrëfimeve dhe të kuptimeve të krishtera – me shpresë që ta mbushte pastaj zbrazëtinë e krijuar me mitologjitë e veta (Vojo Kushi, Shkurte Pal Vata).

Për fat të keq, ata breza me të cilët u eksperimentua kështu, i japin sot tonin jetës kulturore shqiptare – edhe pse shpesh nuk arrijnë të harmonizojnë dëshirën e tyre për Europë dhe për Perëndim, me zotërimin e kodeve të nevojshme për të hapur dyert drejt hapësirës kulturore europiane. Si pasojë e kësaj dis-harmonie, zakonisht ne vetëm kujtojmë se po komunikojmë me Europën, falë një kontakti që e mbajmë në rrafshin elementar pragmatik. Me shumë gjasë, partnerët tanë në Europë e pikasin këtë mangësi te ne dhe druhen t’i zënë besë sinqeritetit, me të cilin u themi: “ne jemi si ju, ne jemi ju.”

Nuk kam ndonjë recetë si mund të zgjidhet kjo; e shumta që mund të arrijmë, mendoj, është të bëhemi të vetëdijshëm për padijen tonë strukturore, mangësinë në kodet intertekstuale, distancën tonë ende kritike nga Perëndimi; dhe ashtu, në vend që t’i rrëfejmë vetes përralla për “identitetin tonë europian”, të ndërtojmë një identitet tonin, si orientim mikpritës ndaj Europës, ashtu siç ka qenë, ashtu siç është dhe ashtu siç do të jetë nesër; gjithë duke mbajtur parasysh se edhe Europa vetë nuk po e gjen dot më drejtpeshimin, midis identifikimit me të kaluarën e vet dhe realitetit që aktualisht e mundon.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kopertina: Paolo Veronese, Nozze di Cana, 1562-1563, Louvre.

10 Komente

  1. Nese Bibla studiohet ne aspektin metaforik dhe jo te drejperdrejte eshte burim i madh mencurie pasi natyra njerezore nuk ndryshon .Pavaresisht prej progresit te madh teknologjik ,psikologjikisht nuk jemi shume larg cifuteve te lashte te kohes kur u shkrua Bibla.

  2. E con la Vergine in prima fila

    E bocca di rosa poco lontano
    
Si porta a spasso per il paese
    
L’amore sacro e l’amor profano

  3. Bibla eshte produkt i mirefillte lindor; krishterimin ”perendimor” e ben perberesi platonian ne nje ane dhe perfshirja e formave te ndryshme te paganizmit indo-europian m’ane tjeter.
    Nqs na ngeli europianizimi tek Bibla dhe kodet e saj, atehere le te merremi me shkrimet e shenjta hebraike me mire, se jane me origjinale se Bibla.

    Kur flitet per kryevepra te caktuara te se kaluares me motive fetare, kemi te bejjme thjesht me ushqimin ideologjik te pakicave sunduese te se kaluares europiane.
    Popujt europiane, perfshire shqiptaret, duke qene 90% katundare dhe analfabete e kane detyruar kishen t’u pershtatej nevojave te tyre mijeravjecare bujqesore e blegtorale qe kishin prodhuar hyjni e festa stinore, duke mbivendosur ndonje figure biblike apo martir ( duke nisur me Krishtlindjen ne ekuinoksin e dimrit apo diten e diellit).

    Pastaj bibla eshte e merzitshme, veper shume e dobet dhe e kufizuar si ne elementin filozofik, ne ate rrefimtar e gjuhesor, ne fantazi apo edhe historik.
    Qyteterimi antik greko-romak prodhoi nje volum te madh kulturor me baze pagane, qe u zevendesua per 1 mije e kusur vjet nga nje liber medioker ( me perjashtim te Zanafilles).

    1. Kam mendimin qe komenti juaj eshte produkt i padijes ne ceshtje te krishterimit si identififikues i kultures perendimore, dhe me tej i padijes ne ceshtje me te pergjitheshme. Nuk po e zgjas shume, por e para, ju me sa duket nuk e dini qe Bibla ka dy korpuse perberes, e para “Dhjata e Vjeter” (ose Testamenti i Vjeter) qe nuk eshte tjeter gje vec “shkrimet e shenjta hebraike” sic i quani juve, dhe e dyta “Dhjata e Re” ose Ungjijte qe nuk perben ne vetvete ndonje kontribut judaist, por eshte pershkrimi i ndodhive qe lidhen drejt per drejt me jeten dhe vepren e Jezus-it. Padjija ne ceshtje me te pergjithshme zbulohet kur ju flisni per “ekuinoksin e dimrit”. Sa per dijenine tuaj ekuinokse ka dy, i pranveres dhe i vjeshtes (meqe ju pelqen ti lidhni me stinet) dhe ndodhin kur dita barazohet me naten. Ai “i dimrit” suhet SOLSTIC, perkatesisht ka edhe nje te veres. Nenshtresa greko-romake e kultures evropiane eshte pikerisht ashtu, NENSHTRESE. Adoptimi i krishterimit ne kulturen europiane ka evoluar mendesin europiane dhe eshte bere pjese integrale relevante e identiteti aktual evropian.

      1. Startrekpikard keni te drejte qe ngaterrova solsticin me ekuinoksin, por thelbi besoj ngelet i njejti, krishterimi iu mbivendos festave e hyjnive pagave kudo qe ishte e mundur,
        Dhjata e re qe vini ne dukje eshte biografia e nje Dadid Koperfildi te 2 mije vjeteve me pare qe tregonte historira e barsaleta,, por veshtire se dicka me shume, megjithe vullnetin e mire dhe dashamiresine qe mund te nxirret nga kapelja e nje kritiku te shek. 21.

        Meqe ra llafi, Jezui apo Jezusi, duhet te quhet Gjoshi ne shqipen kishtare te tradites, gje qe perben per mendimin tim nje ceshtje me interesante per shqiptaret sesa kush, si e qysh, nje personazh rokambolesk ka ndikuar ne historine e shqiptareve ( ne kemi qene gjithnje te shpata e askurre tek dashuria per tjertrin ).

        Nqs europianizmi varet nga nje sharlatan, falemnderit por po e kaloj kete dore: letrat japin probabilitet me te larte, jane me bujare per ke eshte i duruar.

        1. Dhjata e vjeter eshte sinteze e parimeve morale te kulturave parardhese te lindjes se mesme te cilat konsiderohen si themeli i qyteterimit perendimor .

        2. Ndersa komenti juaj i meparshem shkelqente nga padija, ky i dyti zbulon urrejtje. A buron nga ateizmi, apo nga qe jeni ithtar i nje feje tjeter ka pak rendesi. Ne kete bote ka vend per te gjithe, si per ata qe duan, ashtu edhe per ata qe urrejne.Me shpresen qe gjitheçka ndryshon thelbesisht nqs kembejme Jezus-in me Gjoshin.

  4. Alba, aty ska asnje sinteze te ndonje morali universal te Lindjes se lashte, sepse s’ka pase, nuk ka e s’ka per te pase ndonje moral universal, por edhe sepse faktikisht ka perzgjedhje te parimeve te ndryshme ( egjiptiane dhe sumero-babiloneze) perzier me parimet e botekuptimit cifut (perfshire ketu moralin sui generis te Gjoshit).

    Dule, retorika e krishtere ngjan si pas pilafit. Iu futem fese me dy luge po ngelem me nje grusht mizash ne dore dhe si komb jemi katandisur si bisht luge. Tani ka ndonje me garuzhde ne brez, qe i duket se u be deti kos dhe nuk ia pret luga lugen, por ne teresi ngaqe jemi djegur prej qullit po i fryjme kosit.
    Do te me japesh pilaf me gozhde, por po flet vete si mbi gozhde, a thua se ketu ka nevoje te sqarohet se nuk na ka prere e njejta sharre.
    Ne fund, sharra qe pret shkelqen edhe vete, por ty duket se vetem te ha gjuha.

    1. Kryegjata, me metafora guzhine dhe marangozesh, e kam fjalen me pilaf, qull e kos dhe me gozhde e sharra nuk shpiegon ndonje gje te madhe pervec filozofise se Shaban Qoses, qe mesa duket e ke pervetesuar. Po sic te thashe edhe me pare kjo bote e madhe ka vend per te gjithe dhe siç pat thene nje poet kripto-bektashi: “Rron shqiponja ne maje te malit, rron edhe miza ne prapanice te kalit”.

      1. Nuk jane metafora guzhine e marangozesh, por shprehje (frazeologji) popullore.
        Ky poeti i kripur bektashi hyri ne teme si bytheqiqer, por gjithsesi e ngjelmeta eshte me e pranueshme sesa e helmeta.
        Feja si snobizem eshte shperfytyrimi me i plote i konceptit te besimit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin