TRI PAMJE TË RACËS

Në vijim të shkrimit të Lyss-it për racizmin tonë, po shtoj disa përsiatje, që lidhen edhe me debatin që vijoi.

Para së gjithash, vërej se fjala racë, në ligjërimin popullor, ka disa kuptime – të paktën tre – që i mbivendosen njëri-tjetrit, por që marrin vlerë pikërisht në dallimet mes tyre.

Kemi në krye racën, në kuptimin e trashëgimisë biologjike individuale ose familjare; ose sinonimike me fisin – me këtë lidhet edhe shprehja racë e keqe!, që e dëgjon ndonjëherë nga plakat (ose edhe të dhjefsha racën, etj.).

Kjo lloj race vjen në vështrim kur është fjala për të krijuar lidhje martesore, sidomos në mjediset urbane, kur vendi dhe fisi nga ku do të zgjidhet nusja ose dhëndri duhen zgjedhur në bazë kriteresh.

Mjediset urbane janë pikërisht konteksti ku shqiptarët e kanë parë veten rëndom në kontrast me shqiptarë të tjerë – që edhe janë, edhe nuk janë si ata.

Kështu, sa për të sjellë një shembull, qytetari mysliman i Gjirokastrës në periudhën osmane binte në kontakt me qytetarë të tjerë si veten ose myslimanë nga fshatrat përreth dhe çamë njëlloj myslimanë të qytetit dhe të fshatit; por edhe me shqiptarë ortodoksë nga qyteti, shqiptarë ortodoksë nga fshati dhe jevgj myslimanë që jetonin në qytet dhe flisnin shqip; më rrallë edhe shqiptarë si të mësipërmit, por nga krahina të tjera të shqiptarisë (lebër, toskë dhe gegë); pa llogaritur këtu vllehët dhe grekët ose turqit.

Rregullat e shkuesive ishin të tilla, që të parapëlqenin dyert e mira, fiset e mira dhe racat e mira; në kundërvënie me ato të këqiat.

Raca, në këtë kuptim, kish lidhje edhe me sëmundjet e trashëguara, ose me cenet gjenetike, të cilat duheshin shmangur në raste martesash si aleanca mes fiseve ose edhe vetëm familjeve; sikurse u referohej edhe mundësive financiare të familjeve që vinin në vështrim për arsye të ndryshme. Ishte një kombinim i trashëgimisë gjenetike me reputacionin, nivelin e jetesës dhe përkatësinë kulturore – ose trashëgimisë memetike.

Nga ky nivel fillestar, është kaluar pastaj në nivelin e dytë, më të lartë, ku fjala racë vjen dhe i referohet kombësisë, nën ndikimin edhe të dijes sociale romantike, ose të asaj kategorie të dijes sociale romantike e cila u kristalizua në racizmin në format e veta klasike.

Këtij niveli të ri i përgjigjet shprehja kyç raca shqiptare, e cila i përkufizon shqiptarët në bazë të gjakut (lexo: gjeneve), duke ua kundërvënë joshqiptarëve – si rregull fqinjëve grekë, sllavë, turq, etj., përballë të cilëve e në kundërvënie me të cilët vjen e formohet identiteti ynë kombëtar. Me këtë shprehje u abuzua rëndshëm gjatë Rilindjes dhe më vonë, edhe pse kryesisht për t’i dhënë një arsye krenarisë kolektive, jo për të përligjur gjë masakra, shpërngulje, spastrime etnike dhe fetare, ose përvetësime trojesh.

Ndryshe nga niveli i mëparshëm, kjo instancë e dytë e racës vjen me referenca të forta historike; në kuptimin që raca shqiptare është ajo që është (fisnike, e shëndetshme, e hijshme, etj.) sepse është e vjetër, ndonjëherë më e vjetra në Ballkan; dhe rrjedh nga pellazgët, epirotët e Pirros, maqedonët e Aleksandrit e kështu me radhë.

Koncepti është tipik i shekullit XIX, kur merret gjithandej Europës si i mirëqenë: raca si kombësi, por kombësi e këqyrur në aspektin historik ose diakronik. Këtu e gjejnë vendin edhe cilësime të tilla (në thelb blegtorale) si racë e pastër dhe racë e përzier, ose gjak i prishur, të cilat kanë mbijetuar në diskursin kombëtarist dhe i dëgjon edhe sot e kësaj dite, në gojë njerëzish që përndryshe nuk është se e kanë kokën bosh. Të vihet re edhe ndërlidhja me orientalizmin, flagrante në rastin e shqiptarëve parë prej Tjetrit por edhe prej vetes me sytë e Tjetrit – ndonëse orientalizmi duhet trajtuar veçan (krejt historia e zgjimit kombëtar shqiptar mund të shkruhet si histori e kalimit të shqiptarit mitik nga Orienti në Oksident ose nga Azia në Europë; kalim i mundimshëm, që ende nuk ka përfunduar).

Ka edhe një dallim tjetër: raca në kuptimin e trashëgimisë familjare është më tepër një armë për t’u mbrojtur ndaj rënies (biologjike, kulturore, etike, ekonomike), duke e parandaluar atë; ndërsa kjo tjetra, raca në kuptimin e kombësisë me origjinë biologjike dhe historike të përbashkët, vjen e bëhet pretekst që një grup të ndiejë epërsi ndaj grupit tjetër përbri (ne jemi bijtë e Pirros, ju rridhni prej aziatikësh).

Megjithatë, deri këtu kemi mbetur në nivelin lokal, ose në marrëdhëniet e shqiptarëve mes tyre, ose me fqinjët; dhe këtu futen edhe racat e ndryshme pak a shumë margjinale, të cilat i përkasin një harte pak a shumë të përafërt të etnive në Ballkan – meqë krahas shqiptarëve, serbëve (shkijeve), grekëve, bullgarëve etj., kemi edhe grupet më të vogla të vllehëve (çobanëve), jevgjve, magjypëve (arixhinjve), shuleve, mjeshtrave, çifutëve (hebrenjve), gollobordasve e të tjerë pakica pak a shumë të specializuara.

Kuptimi i tretë i racës, ai bashkëkohor, ka hyrë ndër shqiptarë nga Perëndimi, nëpërmjet dijes – herë të specializuar, herë pop. Natyrisht, edhe në periudhën osmane nuk kanë munguar kontaktet tona me afrikanë ose aziatikë; afrikanëve populli u thoshte (h)arapë, ndërsa aziatikëve kinezë – dhe kaq mjaftonte. Figura të tilla si prej përralle ishin më tepër kuriozitete, ose aq absolute në jetërsinë e tyre, sa të ngacmonin kryesisht intelektin, jo instinktin e vetëmbrojtjes. Unë madje do të thoja se koncepti i racës, në kuptimin që i japin atij anglezët dhe më pas amerikanët, ka mbetur në thelb i panjohur (pse i panevojshëm) për kulturën kombëtare shqiptare; e cila shumë-shumë ka shkuar deri te koncepti nazist i racës ariane, koncept fund e krye mitik, dhe gjithsesi shumë më pak empirik se ai i racës së bardhë, që u kundërvihet të zinjve dhe të verdhëve.

Nazizmi, në formë të lokalizuar dhe krejt të vulgarizuar, do t’i ndihmonte shqiptarët të ndërtonin një mit të epërsisë së tyre apriorike ndaj fqinjëve (edhe sot qarkullojnë histori për klasifikimin racor të privilegjiuar që u bënin nazistët shqiptarëve); në një kohë që racizmi tjetër veç do t’u kujtonte po këtyre shqiptarëve që, në thelb, nuk i dallonte ndonjë gjë transhendentale prej fqinjëve, veç suksesit ose dështimit relativ në histori…

Për këtë arsye edhe ndodh që, në marrëdhëniet me Tjetrin, ne ndonjëherë vijojnë ta përqafojmë pa u menduar shumë paradigmën naziste, që glorifikon racën si produkt sipëran të historisë (edhe biologjike); por as që i afrohemi paradigmës anglo-saksone, ku raca superiore nuk e shfaros atë inferioren (siç bënë nazistët me hebrenjtë), por e skllavëron, e fut në punë; ose, e segregon, e mban veç, e fut në geto, e rrethon me gardh; ose edhe më keq akoma, e kultivon si të ishte zarzavat, në kopshtin multikulturalist.

Sot e kësaj dite, ata që merren me racat në kulturën dhe dijen amerikane, tregojnë vëmendje kryesisht për tregues të matshëm (p.sh. tipare biologjike, fiziologjike ose psikologjike – ta zëmë IQ-ja ose aftësia e zezakëve me origjinë afrikano-perëndimore për të vrapuar shumë shpejt, por jo për të notuar mirë); jo për tregues cilësorë të pamatshëm, të tipit kulturor ose në përgjithësi historik.

A jemi racistë ne, si shqiptarë? Kësaj pyetjeje nuk do t’i përgjigjem, përveçse duke vërejtur se racizmi ynë, në atë masë që ekziston, është racizmi i të shtypurit dhe të varfrit; i mbrujtur me mllef dhe frikë; racizmi i atij që e sheh veten të lënë mbrapa nga historia.

Natyrisht, popujt janë racistë në mënyra të ndryshme – kush ka njohur nga afër ndonjë kinez, do ta ketë vënë re racizmin e sofistikuar, që ka zënë vend në rrënjë të identitetit të tij etnik; dhe që është diametralisht i kundërt jo vetëm me racizmin e zezakut amerikan që kthehet në darkë nga puna rraskapitëse, dhe shfryn me përbuzje, kur i ulet pranë një i bardhë në metro; por edhe me atë të të bardhit njëlloj amerikan, që kujdeset ta zgjedhë shtëpinë në një lagje ku nuk jetojnë popullsi “me ngjyrë.”

Racizmi i shqiptarit, ashtu si dhe aq sa shfaqet, është pra nënprodukt i frikës së përzier me kompleksin kolektiv të inferioritetit.

Nuk ka komente

  1. Perqasje e lavderueshme Xha Xha!

    Une desha te shtoja se perdorimi dhe aplikimi vernakular i fjales “race” eshte shume i vonshem ne Shqiperi.

    Ne periudhen e fundit osmane futja e fjales race mund te jete bere mendoj une nga tekstet e rilindasve Vaso Pasha, Sami Frasheri, etj.

    Prej ketij momenti mund te jete zgjeruar aplikimi duke u perpjekur te konkuroje perdorimet e huazuara nga turqishtja “xhins”(origjine arabe) dhe “soj”(shembuj: soj i mire/keq, xhins i mire/keq, sojli, sojsez, etj.) qe akoma perdoren normalisht ne Shqiperi.

    Fjala race(racizem) vendos nje damke te panevojshme ne (para)gjykimet qe kane ekzistuar ne shoqerine shqiptare(dhe jo vetem shqiptare), ku termat xhins and soj nuk gjykoheshin si qendrime raciste, por trende shtresezimesh sociale ne ndertimin dhe klasifikimin e marredhenieve shoqerore ose nderetnike.

    Shqiperia ka qene e izoluar((nuk jepte-merrte) nga bregu perendimor ku fjala italiane “razza” u huazuar dhe evoluoi per tu perdorur ne formen moderne qe njohim sot ne.

  2. Raca ne kuptimin e trete nuk ka hyre nga perendimi, por u mesohej nxenesve ne shkolle fillore ne lenden e gjeografise

  3. “A jemi racistë ne, si shqiptarë? Kësaj pyetjeje nuk do t’i përgjigjem, përveçse duke vërejtur se racizmi ynë, në atë masë që ekziston, është racizmi i të shtypurit dhe të varfrit; i mbrujtur me mllef dhe frikë; racizmi i atij që e sheh veten të lënë mbrapa nga historia… Racizmi i shqiptarit, ashtu si dhe aq sa shfaqet, është pra nënprodukt i frikës së përzier me kompleksin kolektiv të inferioritetit”

    Xha xha, thua se nuk do t’i pergjigjesh pyetjes, por nga ana tjeter i pergjigjesh asaj 🙂

    Ne vitet ’90 mbaj mend rastin e nje jevgu nga Korça apo nga Pogradeci qe u diplomua shkelqyeshem per matematike ne kursin e pesevjeçarit. Thuhej se te drejten e studimit e kishte marre me nderhyrjen e Skender Gjinushit, ministrit te atehershem te arsimit, qe e kishte njohur gjate nje olimpiade te matematikes. Pas diplomimit ishte nje nga kandidatet per t’u mbajtur si pedagog, por u eliminua per shkak te “races”. Ne fakt nuk dukej si jevg, vinte pak si zeshkan, (mbaj mend qe kam qene i pranishem ne nje debat ne kafe ku bashkestudente te tij diskutonin nese ishte apo jo jevg), por ata ne fakultet kishin marre te dhena te sigurta se ishte i tille. Beri perpjekje per t’u punesuar ne Ministrine e Mbrojtjes, por ministri i atehershem, i ndjeri Zhulali, thuhej se nuk e mori per te njejten arsye. Ata qe e njihnin nga afer flisnin vetem fjale te mira per te, veçse nuk harronin te shtonin “gjynah qe eshte jevg”. Nuk mora me vesh se ku perfundoi.
    Per mua, pertej teorizimeve, ky eshte racizmi shqiptar.

  4. Xha xhai: Kjo lloj race vjen në vështrim kur është fjala për të krijuar lidhje martesore, sidomos në mjediset urbane, kur vendi dhe fisi nga ku do të zgjidhet nusja ose dhëndri duhen zgjedhur në bazë kriteresh.

    Mendoj se koncepti “fis i mirë/racë e mirë” në krijimin e lidhjeve martesore ka qënë po kaq evident edhe në zonat fshatare.Duke marrë në konsideratë faktin se mbeturinat e marrëdhënieve fisnore kanë mbijetuar për një kohë më të gjatë në zonat fshatare dhe sidomos malore, fisi/raca e mirë/sua i mirë, si mentalitet dhe praktikë e krijimit të lidhjeve martesore, ka mbijetuar më gjatë në mjedise rurale.Nqs për klasat e pasura bejlero cifligare, në krijimin e lidhjeve martesore merej si bazë kryesisht rangu pasuror dhe gjenealogjia e fisit/dera e madhe/oxhaku, në popullsinë e varfër rurale, kriteri për “fisin e mire” më së shumti ishte i rendit moral/zakonor dhe namit/emrit të mirë të trashëguar nga familja me të cilën lidhej krushqi. Mjaft familje të rëna nga vafti, vazhdonin të ruanin emertimin bej dhe aga.Nje madhështi iluzive ngritur mbi nje të kaluar të humbur, fakt që e përmend edhe Koncia kur shpotit mburravecllëkun e shqiptarëve.
    Jeta e mbyllur dhe izolimi gjeografik, e përforconte akoma më shumë konceptin e fisit/gjakut, saqë, edhe kur kishin kaluar shtatë ose më shumë breza, familjet me të njëtin mbiemër, pra nga i njëti fis, nuk lidhnin martesa mes tyre.
    Në mjediset me popullsi johomogjene (rasti Gjirokastrës, Shkodrës, Korcës) nga pikpamja etnike dhe fetare, kriterit të fisit/racës/derës së mirë, i bashkangjitej edhe kriteri etnik dhe fetar.
    Sistemi socialist, përmes ndalimit të fesë , urbanizimit , barazitizmit dhe nivelimit klasor/pasuror solli një lloj emancipimi social në këtë drejtim. Mentaliteti i racës/derës së mirë, u rrudh dhe dobësua duke u zëvëndësuar me kriterin biografik sipas parimit të luftës së klasave.

    Xha Xhai : Këtij niveli të ri i përgjigjet shprehja kyç raca shqiptare, e cila i përkufizon shqiptarët në bazë të gjakut (lexo: gjeneve), duke ua kundërvënë joshqiptarëve – si rregull fqinjëve grekë, sllavë, turq, etj., përballë të cilëve e në kundërvënie me të cilët vjen e formohet identiteti ynë kombëtar. Me këtë shprehje u abuzua rëndshëm gjatë Rilindjes dhe më vonë, edhe pse kryesisht për t’i dhënë një arsye krenarisë kolektive, jo për të përligjur gjë masakra, shpërngulje, spastrime etnike dhe fetare, ose përvetësime trojesh.

    Mendoj se Rilindasit ,krijuan kultin e races shqiptare, jo si kundervënie ndaj grekëve, sllavëve dhe turqve por për t’u dalluar prej tyre, në terrenin e tri besimeve fetare ku besimi njëjtësohej me etninë. Kërkimi etnogjenezes pellazgjike dhe glorifikimi i tipareve të racës shqiptare, motiv që gjendet tek të gjithë Rilindasit, nuk frymëzohej nga motive superioriteti dhe revanshi mbi racat e tjera por nga nevoja e ngutshme e clirimit kombëtar prej turqve osmanë. Glorifikimi historisë dhe stolisja e racës shqiptare me cilësitë më të mira u përvijua paralelisht me predikimin e paqes, mirësisë dhe vllazërisë me popujt e tjere, sidomos atë grek. Kjo frymë iluministe volteriane duket qartasi tek Naimi dhe rilindas të tjerë kur predikohet vllazëria e miqësia me të Tjerët, por nënvizohet fort kombësia,: s’jemi grekë, as bullgarë/jemi vetëm shqipëtarë.
    Nuk ka asnjë ide të racës superiore dhe asnjë lloj revanshizmi ne ideologjinë e Rilindjes tonë Kombëtare. Instrumentalizimi racës dhe diskursi mbi “gjakprishurit” është me tepër dukuri e luftës për pushtet mes elitave në periudhën e post pavarsisë dhe është riaktivizuar si virus në periudhën postkomuniste.

    1. Kërkimi etnogjenezes pellazgjike dhe glorifikimi i tipareve të racës shqiptare, motiv që gjendet tek të gjithë Rilindasit, nuk frymëzohej nga motive superioriteti dhe revanshi mbi racat e tjera por nga nevoja e ngutshme e clirimit kombëtar prej turqve osmanë.

      (me ndjeni se po i bie fyellit ne nje vrime, po me duhet te theksoj)Kerkimi i etnogjenezes pellazgjike i ka rrenjet ne Macchia Albanese dhe De Rada. Ne sot e shikojme vetem me syte e tij

  5. Vezhgim i holle.

    Per shpjegimin une do i lija menjane shpjegimet psikologjike, meqe ta zeme po nga kompleksi i inferioritetit mund te shpjegohet edhe ksenofilia.

    Do ishte me mire sikur nga anet tona, te liheshin menjane per ca kohe shpjegimet psikologjike, persa kohe qe me to po shpjegohet gjithçka nga
    -infiniti ne infinit, dhe kush shpjegon gjithçka nuk shpjegon asgje.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin