RRETH KOLIQIT

Ernest_KoliqiKëto ditë, pas një shkrimi të Ardian Ndrecës dhe një shkrimi tjetër, të mëvonshëm, të Visar Zhitit, ka pasur debate rreth rehabilitimit të plotë të Ernest Koliqit, personalitet i shquar i letrave dhe e kulturës shqiptare sidomos në vitet 1930 dhe pas Luftës II në emigracion.

Regjimi komunist e dënoi Koliqin si kolaboracionist me fashistët, dhe jo pa arsye – meqë veprimtaria e tij publike, në shërbim të Italisë fashiste dhe të qeverive kukulla në Tiranë; si dhe posti i kryetarit të Këshillit të Lartë Fashist që pranoi të mbante në vitin 1943, nuk lënë shumë shteg për interpretime.

Se çfarë qëndrimi kërkojnë këta kolegë të mbahet ndaj Koliqit, kjo varet shumë nga kuptimi që i japin ata rehabilitimit. Vepra letrare e Koliqit tashmë është botuar dhe përfshirë në bibliotekën e letërsisë kombëtare; krahas asaj të Fishtës, të Mjedës dhe të autorëve të tjerë të koinesë shkodrane. Në këtë kuptim, rehabilitimi i Koliqit, si veprim në thelb i nevojshëm, është duke u kryer.

Por a mund të rehabilitohet edhe si figurë historike, një kolaboracionist i fashizmit? Kjo është pyetja djegëse, që përshkon ndërhyrjet publike të Ndrecës dhe të Zhitit; dhe që kërkon debat.

Debati shkon në rrënjët e rendit politik, social dhe kulturor të Republikës; sepse kjo lindi në 1945, si pasojë e fitores ndaj fashizmit; ndaj po atij fashizmi të cilit Koliqi i shërbeu me zgjedhje, jo me detyrim.

Thonë, të dy autorët, se Koliqi vërtet bashkëpunoi me fashistët, por nuk i leu duart me gjak; përkundrazi, e shfrytëzoi postin dhe autoritetin për të ndihmuar çështjen kombëtare – p.sh. duke ndihmuar arsimin shqip në Kosovë.

Edhe kjo nuk diskutohet; madje shërben si dëshmi se edhe gjatë Luftës II gjërat nuk kanë qenë të prera me thikë, bardhezi, sikurse kanë dashur më pas fitimtarët t’i përshkruajnë.

E megjithatë, dënimin e këtyre figurave bashkëpunuese nuk është se e eksperimentoi për herë të parë Shqipëria e Enver Hoxhës; ashtu u veprua aso kohe në mbarë botën – shembulli i Ezra Pound-it të vjen në mendje.

Nuk ka dyshim as edhe se rendi i tanishëm, në Shqipëri dhe në botë, është në thelb vijim i çka u sanksionua në fund të Luftës II Botërore; dhe se legjitimiteti i fitimtarëve të djeshëm mbetet në efekt edhe sot.

Koliqi dhe shumë të tjerë në vitet e Luftës zgjodhën të rreshtohen në kampin fashist; edhe pse, në rastin e Koliqit, pas gjase me qëllime fisnike.

Ndërkohë, Italia e Mussolini-t nuk erdhi në Shqipëri që të mbante me bukë popullin shqiptar, por në kuadrin e ekspansionit të saj me dhunë; madje e përdori Shqipërinë edhe si bazë nisjeje për të sulmuar një shtet fqinjë – Greqinë.

Italianët erdhën në Shqipëri si pushtues; dhe lufta e organizuar kundër tyre si pushtues, e udhëhequr nga Fronti Na-Çl, ishte një nga faktorët që e ndihmoi pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë pas luftës, edhe pse zyrtarisht ajo kish bashkëpunuar me italianët më parë dhe me gjermanët më pas.

Në këtë logjikë vështrimi të historisë, përpjekjet atdhetare të Koliqit, për fat të keq, nuk ngrenë peshë, sikurse nuk ngrenë peshë qëllimet e tij të mira.

Çfarë ende nuk është bërë me këtë autor dhe personalitet të kulturës shqiptare, është njohja, botimi, popullarizimi dhe studimi i veprimtarisë së tij kulturore pas Luftës, kur jetonte në Itali; dhe veçanërisht aktivizimi i tij në revistën “Shêjzat”, e cila duhet ribotuar e plotë, si thesar i një mendimi kulturor shqiptar alternativ; ose të panënshtruar ndaj ideologjisë komuniste.

Përndryshe, rehabilitimi politik i Koliqit nuk i vlen gjë kulturës shqiptare; por vetëm politikës së sotme.

Nuk mund të rishkruash historinë e Shqipërisë në vitet 1939-1944 dhe ta konsiderosh përplasjen e atëhershme si të një rendi me këtë të tanishmen mes PD-së dhe PS-së. Në fakt, vetë legjitimiteti, kombëtar dhe ndërkombëtar, i Republikës së sotme shqiptare është fituar në 1945 dhe i referohet asaj date të fitores ndaj Fashizmit dhe Nazizmit.

Do të ishte gabim, pra, të këmbëngulej me këtë rehabilitim politik; për të cilin Koliqi vetë si personalitet i kulturës dhe i letrave nuk ka nevojë. Përkundrazi, çka duhet sqaruar, është se vepra e Koliqit, para dhe pas Luftës, mund dhe duhet të konsiderohet veçan nga veprimtaria politike e autorit; dhe se ajo vepër i takon sot qytetarit shqiptar, ndërsa veprimtaria politike e Koliqit, për fat të keq, i takon koshit të plehrave të historisë.

Me fjalë të tjera, Koliqi nuk i plotëson kushtet për t’u shpallur shenjtor i shqiptarisë, sikurse mund të dëshirohet nga disa qarqe; edhe pse nuk është i vetmi, në këtë pozicion.

Ekziston rreziku, në këtë mes, që këmbëngulja për rehabilitimin politik të Koliqit ta jetërsojë këtë autor nga një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare (ose të gjithë ata që ende e konsiderojnë rendin global të dalë nga Lufta II Botërore si vijë ujëndarëse të vlerave politike) pikërisht në një kohë kur kultura shqiptare ka nevojë të ngutshme për t’i rikthyer në qendër të vëmendjes këta autorë, të cilët u shurdhuan nga censura e regjimit totalitar.

Nuk ka komente

  1. Z. Vehbiu. I lexoj me kenaqesi analizat tuaja dhe ju uroj me shume dashamiresi e respekt. Sidoqofte, ne rastin konret, mendoj se gabon dhe bie edhe ti ne nje lloj “ideologjizimi” pasi nuk mund te thuash se veprimtaria politike e Koliqit “duhet hedhur ne kosh te plehrave”. Ndoshta mund te kemi edhe nje interpretim paksa pozitiv te veprimtarise se tij politike nen nje kendveshtrim qe Koliqi vete e pohon “si veprimtari kunder kuqalasheve qe do te shkaterronin Shqiperine”. Dhe ne fakt kuqalashet e shkaterruan vertete Shqiperine.
    Pra e shikoj analizen tende shume te njeanshme. Shume intelektuale te atyre viteve e kishin kuptuar diabolizmin e komunizmit dhe shikonin tek fashizmi (sipas meje duke gabuar) nje lloj shprese per te shpetuar Shqiperine nga komunizmi.
    Une vete jam kritik me vperimtarine politike te Koliqit, Harapit, Krujes e mjaft te tjetreve por nuk jam ekstremist ne gjykim. Per mua kolaboracionist me i rrezikshem dhe me i demshem ishte ai i jugosllaveve, alias, enver hoxha.

    Me konsiderate. albert p. nikolla
    albertnikolla@libero.it

    1. I nderuar z. Nikolla,

      Ju falënderoj që kontribuoni në këtë debat në blog.

      Mendimi im është se Koliqi kurrsesi nuk mund të dënohet si antikomunist.

      Por unë gjithashtu besoj se komunizmi nuk do të kish triumfuar kurrë në Shqipëri, pa u pushtuar Shqipëria prej Italisë Fashiste.

      Për fat të keq, duke u vënë në shërbim të italianëve, edhe pse me qëllime atdhetare ose të tjera fisnike që unë s’kam arsye t’i vë në dyshim, Koliqi ndihmoi tërthorazi, por në mënyrë vendimtare, instaurimin e komunizmit në vend.

  2. Bash keshtu, fjale per fjale argumentonte edhe Gebelsi, apo Fuhreri dora vete. Madje edhe kur persekutonin (zhduknin jo publikisht) hebrenjte e justifikonin si lufte kunder judeo-bolshevizmit. Pra fashistet shqiptare, ne nivel ligjerimor, nuk kishin kurrfare dallimi nga homologet e tyre “serioze”.

  3. Eshte interesante se edhe Zhiti, po sidomos Ndreca, jane firmetare te nje peticioni ku kerkohet te shpallet ‘gjendje pushtimi’ i gjithe 500-vjecari nen sulltanet osmane, si edhe te perjashtohet nga numerimi tek ‘tanët’, shprehimisht, cdo shqiptar prej vezireve dhe pashallareve te lindur e rritur nen kete sundim (qofte dhe nen kete pushtim). Per keta vezire qe kane lindur para se te vije lajmi i mire i kombit, ne kohen e perandorive e principatave, nuk duhet te aplikojme ndonje kontekstualizim, po duhet t’i gjykojme kolaboracioniste me mendesite e viteve 2000.

    Kurse duhet justifikuar, mirekuptuar, apo deri nuk duhet qortuar fare nje burre me nje barre mend, ne kohen e shtetit-komb, qe shkon e punesohet po vezir tek nje aparat i sapoinstaluar nga nje fuqi e huaj, qe ia pushtoi para pak muajsh shtetin e njohur nderkombetarisht si te tille.

    Se ky hapi shkolla shqipe ne Kosove!

    Me kete kriterin hapjes se shkollave do behemi pak lemsh se xhaxhi Enver mbetet burre i keq edhe pasi hapi universitetin e pare dhe u mesoi shqip e kendim me detyrim jo vetem shqiptareve nje per nje, po edhe grekeve e bullgareve.

    Po me fashizem, ky i priste rrugen komunizmit!

    Po edhe komunistet po i prisnin rrugen fashizmit, qe edhe na kishte pushtur biles, apo?

    Se kolaboracionistet e vertete ishin ata te jugosllaveve!

    Dmth pseudo-nacionalistet i dhurojne kuroren e mbretit Italise, shkrijne kufinjte me ta, por kolaboracioniste dalin antifashistet qe rimoren me lufte Shqiperine e 1913, duke riparuar edhe gafat e kundershtareve te vet profashiste, prej te cileve desh na hoqen Jugun e Shqiperise, si kompensim Greqise rezistente. Ndersa pushtimi e kolonizimi serb i Kosoves ishte ratifikuar prej Europes, prej kohesh, nga ana tjeter sic del nga dokumentat e hierarkeve fashiste, Italia planifikonte transport ‘qindra mijera’ kolonesh ketej Adriatikut. Nuk ka fare kuptim krahasimi ‘kolaboracionistet tane jane me te mire se tuajt’. Po kjo kryesisht pse antifashistet shqiptare nuk e plotesojne teknikisht asnje milimeter perkufizimin si kolaboracioniste.

    Pra, gjithe ky stermundim kot, pa kuptim, se sic thote dhe autori me siper, Koliqi eshte shkrimtar fillimisht, pra nuk ka nevoje fare per ndonje rehabilitim, pse eshte sot e gjithe diten pjese e antologjive e teksteve mesimore, diskutohet e botohet pa asnje problem! Pse kerkojme te mirekuptojme doemos edhe anetarin e partise fashiste tek shkrimtari? Mos ndoshta keshtu, ne proces e siper, fillojme pafajesojme me tej edhe sekretaret e partise komuniste, se po u mirekuptuan te paret, pse valle duhen gjykuar te dytet?

    Koliqit i lejohet te jete jo vetem shkrimtar, i admiruar prej vleres se vepres, jo vetem studiues e botues i respektuar per produktin kulturor, por tashme edhe aktivist politik, i mirekuptuar per zgjedhjet e veta te viteve ’40. Por dr. A. Ndreca, ne te njejten rubrike ku elaboron rehabilitim gati ne totalitet te Koliqit, po aty propozon te hedhim tej Kasem Trebeshinen, per mekate ideologjike te personazheve te veta ne romanin ‘antishqiptar’ “Mekami”, apo per ‘krime lufte’, pse ka ekzekutuar, me urdher te komandes partizane, dy njerez te gjykuar armiq, ndoshta krejt padrejtesisht. Dmth ta pranojme sic ‘ishte koha’ anetarin e partise fashiste, ministrin e qeverise kuislinge, asaj qe vriste e priste njerezit e rezistences, dhe te mos i ofrojme ndonje trajtim as te ngjashem kolegut te vet shkrimtar, luftetar te rezistences.

    Qe ka nje kriter ne te gjitha keto orvatje kontradiktore, kjo kuptohet, por nuk ky nuk eshte as moral, as ‘nacional’, si po prezantohet.

  4. Xhxh: “Por unë gjithashtu besoj se komunizmi nuk do të kish triumfuar kurrë në Shqipëri, pa u pushtuar Shqipëria prej Italisë Fashiste.”

    Eshte nje teori qe argumenton rreth “pasojave, rrjedhimeve te paparashikuara” ne histori. Si shembull sillet ardhja e Hitlerit ne pushtet kur u nderpre plani amerikan Dawis qe ndihmonte Gjermanine te pagonte reparacionet e luftes. U be sebep Depresioni ne Amerike.

    Kur pushtoi Hitleri Cekine, thuhet se Musolini u ndje kaq keq, sa qe vendosi ne vrik te pushtonte Shqiperine, duke shkuar edhe kundra keshilles te mbretit te Italise.

    Si mund te gjykojme figura te tilla si Koliqi? Kolaboracionizmi si term ka formuar breza te tere, dhe t’i thuash atyre qe Koliqi pa qene fashist, pranoi postin e ministrit, nuk kontribon aspak qe te ndryshojne gjykimin e tyre.

    Ishte ky Koliqi qe duke qene fanolist, nje nepunes i asaj qeverie, u detyrua te mergonte pese vjet, e te kthehet ne atdhe vetem kur Zogu beri amnistine.

    Si mund te gjykojme Koliqin qe u formua nen influencen e Gurakuqit dhe Currit, te cilet i konsideronte Burrat e Dheut?

    Diku ai shkruan: Trimnija ka vlere kur perdoret me vend e me kohe per te nxjerre soje fryte te dobishme. Thote Fishta:

    I urti kurr nuk ngutet
    Prej burrnis e jo prej tutet.

    Te kujtojme se Koliqi dhe Cabej u ndodhen ne te njejten barke, kur e pane te arsyeshme te pranonin postin e ministrit te arsimit, duke marre njollen e kolaboracionizmit te lakuar me kaq zell nga historiografia e pas luftes.

    1. Thua:

      Kolaboracionizmi si term ka formuar breza te tere, dhe t’i thuash atyre qe Koliqi pa qene fashist, pranoi postin e ministrit, nuk kontribon aspak qe te ndryshojne gjykimin e tyre.

      Po a nuk ka qenë Koliqi Kryetar i Këshillit të Lartë Fashist? Si është kjo punë kështu – pa qenë fashist dhe prapë Kryetar i Këshillit të Lartë?

  5. Kam bindjen se informacioni qe sjell eshte i pasakte. Koliqi ka qene vetem minister i arsimit ne qeverine Verlaci.

    Ernest Koliqi nuk ka qene asnjehere anetar i partise fashiste. Te tjerat me ngjajne te jene nje takse e padrejte qe i rendohet Koliqit.

    Pervec, ka qene kryetar i institutit te studimeve shqipare , pararendes i ASHSH krijuar ne 1940. Midis te tjereve anetare te ketij instituti ishin Cabej, Xhuvani, Poradeci.

    1. U fol per bashkepuntore te jugosllaveve. Ne librin e tij te fundit per luften italo-greke, autori Arben Puto, citon nje burim te vetin, te poshteshenuar ne nje prej faqeve te librit nen pergjegjesine e tij, se ne vitin 1967, sovjetiket dhe jugosllavet koordinuan nje perpjekje per te rrezuar Enver Hoxhen. Si kontakt u perzgjodh Panajot Plaku dhe Dushan Mugosha qe do te viheshin ne lidhje me Ernest Koliqin ne Rome dhe Abaz Kupin ne Blegjike. I pari pranoi-kuptohet me te njejtin parim per te hequr Kuqalashet, por tani me ndihmen e kuqalasheve te rinj-ndersa Bazi, sa pa Dushan Mugoshen, ktheu krahet dhe refuzoi.

    2. “…ka qene kryetar i institutit te studimeve shqipare , pararendes i ASHSH krijuar ne 1940…”

      Kam lexuar me se nje here qe Koliqi ka qene kryetar i atij Instituti, sikurse kam lexuar nga A. Ndreca, Eugjen Merlika etj. se kryetar ka qene Mustafa Kruja. Kush ka qene kryetari i vertete?

    1. Në burimet që kam unë, posti i Kryetarit të Këshillit të Epërm Korporativ Fashist konsiderohet si i barasvlershëm me atë të Kryetarit të Partisë Fashiste. Përndryshe unë nuk di të them nëse ka ndryshime apo jo mes këtyre dy institucioneve.

      E megjithatë, le të pranojmë se Koliqi ka qenë vetëm (vetëm!) Kryetar i Këshillit të Epërm Korporativ Fashist. Them se, që ta ketë pasur këtë post, duhet të ketë qenë anëtar i Partisë Fashiste?

      Më ndihmo, Read Me. Dukesh më i informuar se unë. Unë mund të sjell si referencë këtë faqe, shumë dashamirëse ndaj Koliqit: http://sq.wikipedia.org/wiki/Ernest_Koliqi.

    2. ka ndonje ndryshim midis tyre? ..te dyja kane ne fund fjalen “fashist e”; te dyja jane pjese te nje organizimi fashist

  6. Read Me shkruan:

    “Te kujtojme se Koliqi dhe Cabej u ndodhen ne te njejten barke, kur e pane te arsyeshme te pranonin postin e ministrit te arsimit, duke marre njollen e kolaboracionizmit te lakuar me kaq zell nga historiografia e pas luftes.”

    Kjo është e pavërtetë. Çabej NUK e pa të arsyeshme të pranonte postin e ministrit të Arsimit, e refuzoi atë.
    Dy herë.
    Italianëve dhe gjermanëve.

  7. Zonja Cabej,

    Kerkoj falje per infon e pasakte, qe krijoi nje insinuate te padeshiruar.

    Ishin kohe te turbullta dhe nuk e di se ne cfare rrethanash me eshte keqkuptuar oferta me pranimin.

    Nga info qe kam dhe leximet e mija mund te kem mbetur i paqarte.

    Emrin e Cabejit nuk e njollos apo hedh ndonje hije ngaterrimi im. Faleminderit per reagimin e menjehershem dhe me vend.

    Duhet qe te behen perpjekje qe cdo info e pasakte qe serviret ne internet te diskretitohet.

  8. Duke perjashtuar kontributin kulturor dhe letrar te Koliqit, kontributi i tij politik ne Shqiperi filloi dhe mbaroi me funksionin e tij si minister i nje qeverie fashiste. Ç’ka ketu per te rehabilituar?
    Vete Italia gjate asaj periudhe kishte intelektuale dhe shkrimtare shume te shquar qe ishin fashiste, si p.sh. Giovanni Gentile e Gabriele D’Annunzio. Sot italianet vleresojne dhe studiojne kontributin e tyre intelektual dhe letrar, por njeherazi denojne mbeshtetjen ideologjike dhe politike qe ata i dhane fashizmit. Nuk kam degjuar ndonjehere te kerkojne rehabilitim politik per ta.
    Kontributi “antikomunist” i Koliqit kufizohet ne pergjegjesine morale qe ai ka per denimin dhe vrasjen e shume patrioteve antifashiste shqiptare.
    Sa per Çabejn, mos e ngaterroni fare ne kete diskutim, sepse perveç bashkepunimit si studiues me Institutin e Studimeve Shqiptare, nuk pati asnje lloj angazhimi politik dhe ideologjik.

  9. Keshilli i Eperm Fashist Korporativ kishte atributet e cka konsiderohet sot parlamenti, perderisa parlamenti ishte “i suprimuem”, bente aprovimin e ligjeve nen mbreterimim e Viktor Emanuelit III.

    Caktohej nga mbreti dhe nuk ishte kusht qe te ishe anetar i fashos.

    Eshte nje botim zyrtar i parlamentit shqiptar si me poshte, ku mund te gendet edhe emri i Koliqit si perfaqesues i Shkodres. Sic mund te lexohen emrat, shumica nuk kane qene anetare te partise fashiste.

    http://www.parlament.al/graphics/foto/Ligjv%EBn%EBsit%20Shqiptar%EB.pdf

    Me qe jami tek fashizmi i Koliqit, me poshte duke perdorur te njejten leter drejtuar Karl Gurakuqit lexojme:

    “Telegrami i em asht autentik, por i drejtuem Duçes me 13 prill, mbas zbarkimit të trupave italjane (7 prill), mbas vendimit t’Asamblesë me i ofrue kunoren e Skanderbeut Mbretit të Italis (12 prill). Prandaj un konfirmohem në gjendje të krijueme, s’kërkoi as ndrrime as ndërhymje. Telegrame si i emi janë nisun me mija nga Shqipnija: prej çdo Bashkije e prej çdo njeriu në nji funkcjon pak si të lartë.

    Ata qi shkruejnë kundra nesh, të gjithë kanë veshë divizën fashiste dhe i kanë shërbye regjimit, sot të shamë, deri në ditën e tij të fundit. Asnjani nuk dha dorhjekje. Patriotizmi i tyne filloi kur në Stalingrad Hitleri ngeli. Deri n’at ditë, na u lëvyrshin e na brohoritshin.

    Ti e din mirfilli se na këta i kemi pasun në dorë me i asgjansue; përkundrazi u kemi ba nderna, i kemi gradue, ndihmue me bursa e me shpërblime të jashtëzakonshme. Shifi, tashti si siellen me ne! Mbahen si fituesa të luftës, ndersa Enveri po e shqynë kombin t’onë, Enveri qi e muer fuqin me ndihmën e këtynë patriotave të mëdhenj! Na, s’paku, bame Shqipnin e Madhe: ngjati pak vjet, po ai fakt i madhnueshëm do të jesi si preçëdent në histori të Ballkanit. Ata shka bane? U kruhet fundi i shpinës në deshir të nji kulltuku. Plasen m’u ulë në nji shkamb sundimi. Kalojnë mbi kufomen e t’et për me arrijtë në nji post ministri!”

    Te tregosh historine e te ndash heroin, patriotin nga tradhetari e kolaboracionisti eshte nje detyre Jo fort e lehte.

    1. Read me, të falënderoj për sqarimin.

      E megjithatë, ja se c’thotë Enciklopedia Italiane Treccani, e vitit 1948, për natyrën e këtij Këshilli t’Epërm Fashist Korporativ:

      L’unico organo caratteristico era il Consiglio superiore fascista corporativo, formato dai componenti del Consiglio centrale del partito fascista albanese e dai componenti effettivi del Consiglio centrale dell’economia corporativa, quale espressione del potere legislativo.

      (http://www.treccani.it/enciclopedia/albania_res-1824132f-87e5-11dc-8e9d-0016357eee51_(Enciclopedia-Italiana)

      Përkthej: Këshilli i Epërm Fashist Korporativ ishte krijuar nga anëtarët e Këshillit Qendror të Partisë Fashiste Shqiptare dhe nga anëtarët efektivë të Këshillit Qendror të Ekonomisë Korporative, si shprehje e pushtetit legjislativ.

      Edhe vetë Jakomoni e pat quajtur “të parakohshëm” ripagëzimin e Parlamentit shqiptar si Consiglio Superiore Fascista Corporativo, me arsyen se “idetë dhe institucionet e Partisë Fashiste Shqiptare nuk kishin depërtuar në shoqërinë shqiptare” …

  10. “Koliqi dhe shumë të tjerë në vitet e Luftës zgjodhën të rreshtohen në kampin fashist; edhe pse, në rastin e Koliqit, pas gjase me qëllime fisnike.
    Ndërkohë, Italia e Mussolini-t nuk erdhi në Shqipëri që të mbante me bukë popullin shqiptar, por në kuadrin e ekspansionit të saj me dhunë; madje e përdori Shqipërinë edhe si bazë nisjeje për të sulmuar një shtet fqinjë – Greqinë.”

    E njejta gje mund te thuhet edhe per Ismailin, psh:
    Ismaili dhe shume te tjere ne vites pas Luftes zgjodhen te rreshtohen ne kampin komunist; edhe pse, ne rastin Ismailit, pas gjase me qellime fisnike.
    Nderkohe, Partia e Enverit, nuk erdhi ne Shqiperi qe te mbante me buke popullin shqipetar, (megjithse pikerisht propagandoi kete), por ne kuadrin e ekspansionit te saj me dhune; madje e perdori qeverine si baze nisje per te sulmuar inteligjencen shqipetare mirefilli.
    Atehere, cfare duhet te bejme me veprat e Ismailit, ti hedhim ne kosh te plehrave ?? Meqe si antar i partise komuniste beri edhe ai si shume te tjere gabime te vogla te cilat ndihmuan ne perfeksionim e diktatures komuniste.

    Mirepo me poshte vazhdon :
    “Përkundrazi, çka duhet sqaruar, është se vepra e Koliqit, para dhe pas Luftës, mund dhe duhet të konsiderohet veçan nga veprimtaria politike e autorit; dhe se ajo vepër i takon sot qytetarit shqiptar,
    ndërsa veprimtaria politike e Koliqit, për fat të keq, i takon koshit të plehrave të historisë.”

    Atehere pyetja qendron : A mund te ndahet vec vepra nga autori? Une them se po; mirepo natyra njerzore nuk na lejon te perqendrohemi totalisht tek vepra pa gjykuar edhe autorin. Do te ishte shume e thjeshte te lexonim pa ditur se kush shkruan qe te mos arrinim te mbartnim me vete peshen e gjykimit per secilin autor.

    Dhe vazhdon:
    “..kultura shqiptare ka nevojë të ngutshme për t’i rikthyer në qendër të vëmendjes këta autorë, të cilët u shurdhuan nga censura e regjimit totalitar.”

    Mendimi i mesiperm eshte domosdoshmeri per kulturen dhe kohen tone te humbur.

  11. Si argument ne te mire te patriotizmit te Koliqit sillet fakti i shkollave shqipe te hapura ne Kosove kur ai ishte minister arsimi.

    Ne librin e tij me kujtime “La politica dell’Italia in Albania” Jacomoni thote se ishte ai vete qe urdheroi hapjen e shkollave shqipe ne Kosove.
    Ne ate liber sillen nje mori episodesh, faktesh dhe hollesish te tjera qe te lene te kuptosh se Verlaci, Merlika dhe ministrat e tyre nuk benin asgje pa urdhrin, lejen dhe miratimin e Jacomonit. Çdo shkrese qe ata nenshkruanin, kunderfirmosej edhe nga “keshilltaret” italiane te cilet vareshin dhe i referonin drejtperdrejt Jacomonit. Ne kete kuptim, Koliqi ne fakt nuk ka qene minister, por thjesht nje burokrat, nje lloj sekretari i Jacomonit. Qellimet e mira e fisnike qe permenden ketu, sipas meje katandisen vetem ne deshiren per t’u bere “minister” dhe per te marre nje rroge te majme.
    E meqe ra fjala per parate, kujtoj shijen e keqe qe me ka lene leximi i asaj pjese te leterkembimit mes Koliqit dhe zyrave te Akademise italiane ku diskutohej mbi shperblimin qe duhej t’i paguhej Çabejt per hartimin e pyetesorit te atlasit dialektologjik dhe punen qe do te bente ne terren per atlasin. Diskutime te shpifura te tipit “Çabej ka kerkuar xxx lira, por ne fakt boll i ka yyy, i dalin e i teprojne”, etj. etj. Ja, me keto merrej ministri Koliqi, se gje tjeter ne dore nuk kishte.

  12. Eshte ne interes te publikut dhe lexuesit qe figura si e Ernest Koliqit te eksplorohet ne te gjitha dimensionet: si njeri, si politikan, si shtetar dhe si artist i fjales dhe pendes.

    Vepra e tij nuk mund trajtohet e vleresohet jashte konteksit te jetes dhe aktivitetit te tij.

    Shkrimi i Xhaxhait sebashku me artikujt e tjere pavarsisht veshtrimit te ndryshem i jep nje shtyse dhe ndihme perpjekjeve per te rivleresuar figura si Koliqi.

  13. Te me fale zonja Cabej por mesa kam lexuar, vellai i te madhit Eqerem Cabej dhe xhaxhai i Brikenes ka qene zyrtar i qeverise se kohes se pushtimit nazist, me sakte prefekti i Gjakoves qe permblidhte edhe Tropojen. E them kete qe kjo puna e te etiketuarit kolaboracionist dike duhet shikuar pak me me urti se kane qene pune te ngaterruara atehere.

    Kolaboracionist eshte fjale e rende, shume e rende dhe duhet argumentuar para se te quhet dikush i tille. Pse mos ta shikojme ashtu sic une mendoj se eshte se keta figura nuk kane qene fashiste si bindje por s’kane pasur mundesi tjeter per te shpetuar veten dhe vendin e tyre megjithese vendin nuk arriten ta shpetojne.

    1. highlander

      po e prish muhabetin. Ajo Zonja nuk foli për vëllanë e të atit por për këtë vetë. Pse kjo dëshirë barbare për të shkatërruar me dashje një bashkëbisedim?

  14. Për aq as ka bërë i kanë dhënë titullin që jepet në të tilla raste por duke e lexuar bëmat e tijë mu kjtua Epopeja e Ballit Kombëtarë Shqipëri e shqipëtarëve vdekje tradhëtarëve dhe kësaj i thonë për inat të sime vjere do fle me mullixhinë

  15. Shiko, Nushë:
    A ka send mâ të mrekullueshëm në kët botë se me i sjellë qytetnimin nji kombi zhytë n’errsin e padijes?
    Ai qi kalon nëpër popull tue hjedhë farën për nji jetë mâ të mirë, ai qi e ndriçon me nji dritë mâ të bukur tokën qi na ushqen, ai qi bân me ngadhnjye agimet në muzgun e pacaktuem të shpirtnave; shkurt: kush i difton popullit nji udhë të re qytetnije të vërtetë, â i denjë me qênë i nderuem si gjymsë perendije.
    -Ti bân mjaft.
    -Orët e mësimit qi nap në konvikt mos i njeh aspak. Për at punë paguhem mirë prej Shtetit. Â Detyra e eme, ajo. Por, në Shqipni, për me bâ diça, nuk mjafton me krye vetëm detyrën.
    -Sa mêndime të zorshme ke aty mbrêndë…
    Këto, kujt nuk i kujtohen, i ka shkruar Ernest Koliqi tek novela Gjaku, (Hija e maleve, Zarë 1929). I rimorra nga një ribotim i sodit, i shkëputa nga konteksti letrar e rrjedha kronologjike për të krijuar kontekst e përshtatur formatit të komentit, si një mjet për të gjykuar (fjalë e rëndë, por në mendjen time më shumë peshon gjykimi) sa shkruhet rreth Koliqit, me pretendimin se Koliqi autor gjykon Ernest Koliqin njëlloj si ai ka gjykuar personazhin Dodë. Novela është e kahershme, besoj se sa shkruhet në të hedh dritë edhe mbi motivet nxitëse të Koliqit, dhe hap ca dyer labirinthesh që duhen ndjekur. Qënë vepër letrare gjuha e saj është e sinqertë, fjalët e saj janë të lakuriqta, pa nevojën të shpjegojnë akte e veprime e për më tepër të veshin petka përgjigjesh e bëjnë tualet justifikimesh.
    Nga aq sa lexohet më sipër, Koliqi, dhe brezi i tij në emër të të cilit ai nuk ka druar të shprehet, kanë një mision. Fisnik. Koliqi është i drejtpërdrejtë dhe i hapur për “një udhë të re qytetnije të vërtetë”, por i mbyllur të tregojë se cila është kjo udhë. Shkruar, për më saktë –botuar, mbas mërgimit të tij, fjalia të bën të mendosh se ai ndërkohë e përjashton udhën që e çoi në mërgim si udhën e duhur. Hyrja në hise perendisë me gjymsë perëndinë, tregon se dhe shpresat që udha e re të jetë e perëndishme janë gjysmuar. Ernest Koliqi nuk ka një udhë të vetën, ndaj ai është i gatshëm të nderojë këdo që do ti diftojë popullit nji udhë të re qytetnije të vërtetë.
    Nacionalizmi. Komunizmi. Fashizmi. Nazizmi.
    Âsht përgjegjsi e madhe, pasha Zotin. A po jo? Âsht përgjegjsi e rreptë. A bâjmë mirë na qi i ushqejmë ata kalamâj me idé të marruna pá shqyrtim nga okcidenti? Due me thânë: a âsht e arsyeshme t’u napim mësim si t’ishin djelm Evrope? Âsht e para herë qi gjaku i tyne, mbas qinda e qinda vjeç, po vjen në përpjekje me kulturë. A ka me mujtë me u hy për palcë shpirti i ksaj kulture? A po njohtunit e ndryshme kanë me i veshë me nji lustër të sypërfaqshëm, me nji lëvore të ligësht qi bjen me të parën rasë? Ndoshta kështu rrisim një brez të rijsh gjysmakë të cilve kultura u shlyen ndiesit e freskëta primitive tue u lânë, në vênd të tyne, nji ndërgjegje të ndriçueme për gjymsë, pezull ndër parime të panguluna…
    Me besimin se oksidenti do të ishte ai që do ta gjente udhën e re, por hezitues në pa shqyrtimin e saj, frika dhe meraku më i madh i Koliqit mbetet të jetë mundësia apo pamundësia e shqiptarëve për ta absorbuar e thithur shpirtin kulturës eksidentale e si pjesë natyrale të tyre. Ndërkohë ai di të dallojë në ndiesit e freskëta primitive të shqiptarëve veset dhe virtytet, ai kërkon të shrranjoset vesi e forcohet virtyti, që në trut e njoma të foshnjevet. Ai vetë, si Dodë apo si Ernest do të orvatet të zhvillojë nji ideal jete vërte shqiptare, bazue mbi prirje të mira qi trashëguem nga të parët duke shkruar një libër leximi me pesë vëllime. Edukimi, arsimimi është mjetin me të cilin do përshkohet udha ende e padiftuar. Novela, prej kësaj pike sillet rreth gjakut e gjakmarrjes, i cili mbase, mbase, i ka zënë dhe kritikët letrarë që në titull duke e trajtuar atë posaçërisht për gjakmarrjen.
    Duket e lehtë të lidhësh veprimtarinë e Koliqit në një pjesë të jetës me secilin nga izmat, zori më i madh është ti hysh mendimeve të zorshme që ndikuan në vendimmarjet për të bërë më tepër se detyra. Kemi në dorë një çelës të thyer. Bëri ai dhe brezi i tij, apo do të bënte ai dhe brezi i tij pakt me cilindo për të arritur të mrekullueshmen? (arritjen e të cilës shumë e kontestojnë apo, shumë thonë që s’është arritur) Duke mos pasur deri këtu një udhë, Koliqi hidhet, më saktë jam unë ai që e marr guximin, të tregojë ç’do të ndodhë nëse udha hipotetike është e gabuar dhe ai ndjehet fajtor:
    -Kam mujtë me ikë… U dorzova pse due me pasë ndeshkimin për faj qi kam bâ e për me diftue para gjyqit se fajtorë mâ të mëdhenj në kët vrasë, jeni ju, autoritetet!
    Un s’e kam mêndue kurr se e qes kët pushkë: nji forcë qi s’dij m’e spjegue m’i mori mênt e ma rrëmbeu vullnetin.
    …jeni ju, autoritetet! – është akuzë që më godet.
    As unë s’e di kush mi morri mentë e po shkruaj, por them – po me ndihmën e humorit të Koliqit, se nuk pretendoj të jem djaloshi tek Nusja e mrekullueshme, e të qëlloj në shënjë me dy komente.
    -Me sa fyshekë e vrani at shêj, burra?
    Si breshni iu drodhën përgjegjet.
    -E vras me pesë fyshekë.
    -Un e vras me katër.
    Ata qi ishin mâ larg aviteshin me marrë pjesë.
    -Largohu se e vras un me tre.
    -Sa për at shêj, un e vras me dy fyshekë.
    Tjerët ia pritën:
    -Qit, pra, e kallzona marifetin tand.

    1. Se pari, duhet ndare gjykimi i vepres letrare nga gjykimi i veprimit politik te autorit. Mund te sillja ketu dhjetra shembuj nga letersia boterore, por nuk po e bej se ti i di mire.
      Se dyti, askush nuk ve ne dyshim faktin se Koliqi ishte kulturalisht i orientuar kah Perendimi.
      Se treti, ketu po flitet vetem per rehabilitimin e Koliqit politikan, sepse, sikurse e tha Xha Xhai, Koliqi shkrimtar sot eshte plotesisht i rehabilituar. Me fjale te tjera, shkurt dhe thate, bashkepunimi i Koliqit me pushtuesit fashiste ishte apo jo veper patriotike? Apo ishte veper antipatriotike? Njera apo tjetra? Kaq!

      Sa per te shkuaren letraro-patriotike te Koliqit, bota ka njohur burra me te shquar e me te kaluar patriotike shume me te ndritur qe shkelen ne derrase te kalbur. Nga shqiptaret kujtoj Mustafa Merliken, nje nga nenshkruesit e Deklarates se Pavaresise, qe e hodhi vete ne koshin e plehrave patriotizmin e tij qysh kur per inat te Zogut vendosi te flere me poshtuesit fashiste.

      Te kujtoj edhe Marshallin Pétain, kryeheroin francez te Luftes se Pare Boterore, idhullin patriotik per brezat e rinj te pasluftes, qe ne pleqeri vendosi te kryesonte qeverine kukull te Vichy-se, duke lare duart me gjak francez per llogari te Hitlerit.
      Pas luftes francezet e denuan me vdekje! Sikur te mos i kishte falur jeten De Gaulle, do ta kishin shkuar ne plumb edhe pse plak 90 vjeçar. Vdiq ne burg gjysme i paralizuar e i mbuluar nga te pegeret e veta. As varr nuk i dhane! E sot nuk e ka rehabilituar kush. Nuk i shkon kujt ndermend t’i ngreje permendore shesheve te Frances.

  16. Në Shqipëri kriteri ideologjik nuk mjafton për të gjykuar, besoj unë.
    Pra ishe a s’ishe fashist gjatë Luftës II nuk është kriter i mjaftueshëm, por a ishe apo jo kundër okupatorit.
    Qëndrimi ndaj okupacionit ka qenë atëherë kriteri dallues. Ishe kundër okupacionit pa kushte e pa lëshime?
    Im atë ishte i tillë, ideologjitë i shihte në një distancë të baraslarguar. Nuk donte as fashizmin as komunizmin. Dhe me gjithë admirimin për artin e kulturën italiane, urrente Italinë pushtuese. Nuk qe nga ata që mendonte se më mirë Italia sesa sllavët a ku di unë kush tjetër. Pushtimi ishte njësoj pushtim, prej ngado që të vinte.
    Ai e miq të tij ishin të rinj atëherë, rreth të tridhjetave, me kulturë e formim perëndimor, por kriter të parë kishin pavarësinë e Shqipërisë.
    Mund të ishin me pikëpamje të majta, si Skënder Luarasi, ose liberale, si ai vetë, por bashkoheshin në këtë kriter.
    Dhe kam frikë se njëherë që ky kriter shkelej, me çfarëdo justifikimi qoftë, kutia e Pandorës hapej e s’myllej më.
    Për të gjykuar qëndrimin ndaj pushtuesit të individëve të veçantë pastaj, në Shqipëri them se rastet se duan parë një nga një.
    Tashmë një pjesë e arkivave janë hapur për hulumtuesit dhe dokumentet kanë filluar të botohen.
    Sa për të dhënë një shembull:
    Historiani Tanush Frashëri, në librin e tij shumë të pasur me dokumente arkivore “Ali Këlcyra, arsistokrati kuqezi”, Tiranë 2005, ka qindra a mos mijëra dokumente arkivore të MAE (Ministero degli Affari Esteri), të ACS (Archivio Centrale dello Stato), të MI (Ministero degli Interni) etj. etj. nga të cilat del qartë se veprimtarë të rëndësishëm shqiptarë ndërmjet dy luftrave ishin “kontakte” të italianëve. Sa për të ilustruar me një shembull mes morisë që gjenden në librin e sipërpërmendur:

    (Citim nga faqe 19): “Paskëtaj letrat me të dhënat M. Merlika, ato të 8 tetorit dhe të 17 tetorit 1933 nisi t’ia dërgojë drejtpërdrejt Faralli-t, kryetar i Zyrës Shqipëria në MAE, ndërsa për të kuvenduar vetëm për vetëm me M. Krujën u ngarkua funksionari i Zyrës, kavalier Castellani, të cilit letrat M. Kruja ia dërgon me pseudonimin Vittorio Pucciani, via del Trafaro, 146 Romë.”

    Brezi i Krujës (e Koliqit), ndryshe nga brezi i tim eti, jetuan kohët e vështira mes dy luftrave, kur vihej në diskutim ekzistenca e shtetit shqiptar. Frika për Shqipërinë mjerisht i hodhi një pjesë syresh në rrjetat e shërbimeve të fshehta të fqinjëve. Dhe kush tha “po” njëherë, duket se s’mund të përgjigjej “jo” më vonë.
    Më shumë për këtë kanë vuajtur besoj ata vetë. Të duash atdheun aq fort sa ata e të pranosh të bashkëpunosh me armikun “më pak të keq” nga frika e një “më të keqi” duhet të ketë qenë dilemë gërryese. Për më tepër që u detyruan të rrojnë thuajse gjithë jetën në syrgjyn.
    Janë personalitete tragjike.
    Përpjekja për t’i kuptuar, duke i venduar në rrethanat e kohës e pa farë paragjykimi qoftë negativ qoftë pozitiv, ky do të ishte një “rehabilitim”.

    Veprat natyrisht duhet të botohen shterueshëm, dhe ato po botohen.
    Koha do t’i vlerësojë.

    PS Xhaxha, ndjesë nëse e personalizova këtë diskutim.

    1. “Të duash atdheun aq fort sa ata e të pranosh të bashkëpunosh me armikun “më pak të keq” nga frika e një “më të keqi” duhet të ketë qenë dilemë gërryese. Për më tepër që u detyruan të rrojnë thuajse gjithë jetën në syrgjyn.”

      Kam frike se dilema e mesiperme, e shprehur hapur nga Merlika, ka qene vetem nje justifikim meskin. Per sa i perket sinqeritetit idealist te justifikimeve te tilla, une “do te shpetoja” vetem Anton Harapin.
      Pjesa derrmuese e “patrioteve” te tjere ish-antizogiste qe me vone bashkepunuan hapur me fashistet, ne fakt ia kishin shitur me para antizogizmin e tyre sherbimeve sekrete italiane qe pergatiten pushtimin. Askush prej tyre nuk punonte ne syrgjyn. Jetonin ne Itali me parate e spiunllekut.

  17. Dua t’i shtoj fjaleve te Brikenes vetem nje rresht : dhe te mos perdoren per axhenda te tjera sic duket hapur se po behet me Koliqin ne kete rast.

    Te mos harrohet se te justifikosh Koliqin eshte te fyesh Cabejn qe i tha jo bashkepunimit me okupatorin.Ishin ne te njejtat rrethana por reaguan ndryshe.
    Me kujtohet nje thenie e te paharruarit Cabej ‘Atdhetarizmi nuk eshte nje medalje qe e var ne qafe sa here te duhet’

  18. Cabej shkruan :

    “Arësyeja e kësaj kërkese është se si mis i këtij Instituti figuron atë Fulvio Cordignano, të cilin unë vërtet as nuk e njoh personalisht, veçse njihet botërisht si armik i rreptë i racës shqiptare.”

    Kurse Koliqi:

    “Kapidanin, Kolë Bibën, Cordinianon e shkretë, t’an e dekun t’Ismailit, mue na sulmojnë poshtërsisht.

    Po me P. Cordignano-n e shkrete, tash qi ka dekë e hy në dhe, ç’kanë? Ajo punë, q’i ndjeri bani, u harrue. Pse m’ngjallë? Nji artikull, qoftë edhe i pavend, nuk mund të rrzojë vlerën e sa e sa vëllimeve të çmueshme qi pasunojnë studimet albanologjike dhe zdrisin thesarin e kultures shqiptare. Le qi s’kanë ndiesi në zemër, as për të gjallë as për të dekun, pra nuk u kanë mbetë dy fije tru në kaptinë: të tillë shkrime na ulin para të huejvet dhe lanë gjurmë të damshme në shpirtnat të Shqyptarvet. ”

    Se ketejmi nuk eshte e veshtire te kuptohen motivet qe qendrojne ne themel te zgjedhjes se tyre, i pari mohimin , i dyti pohimin e okupatorit,ose mbase me mire Cabej i qarte dhe konseguent ne mbrojtjen e interesave kombetare, Koliqi , ne rastin me te mire shperfilles i tyre.. Keto zgjedhje kushtezojne edhe vleresimet e sotme.

    Edhe nje fraze qe nuk eshte jashte kontekstit: Cdo njeri ka nje model ne jete. Nuk flas ne lidhje me aktivitetin shkencor sepse si Cabej nuk ka te dyte,rralle mund te gjesh autore qe te japin nje egzaltim mendor si ai. Por eshte dhe njeriu . Kam pasur rastin ta takoj E.Cabejn vetem njehere per 10 min , fatkeqesisht ne ditet e tij me te veshtira, fare pak muaj para se te ndahej nga jeta dhe nuk kam per ta harruar kurre fisnikerine e atij burri te shquar e te rralle. Dua te them qe ne zgjedhjet e veshtira nevojiten te dyja, gjykimi dhe morali, qe mbase Koliqi i ka pasur te dyja te cunguara.

    1. Mua letra e Çabejt më tregon, ose më mirë më konfirmon, se nuk shkon që ai dhe Koliqi të trajtohen së figura të ngjashme, por me fate të ndryshme.

      Se po t’i vëmë të dy në një plan, atëherë do të dalë ndonjëri nesër dhe do të thotë se Koliqin e persekutuan sepse ishte gegë dhe katolik, ndërsa Çabejn jo, sepse ishte nga Gjirokastra.

      Në fakt, Koliqi zgjodhi vetë t’u afrohej italianëve, që para Luftës; kushedi me qëllime të mira – por qëllimet nuk ngrenë shumë peshë.

      Italia e pushtoi Shqipërinë, sulmoi që nga Shqipëria Greqinë, dhe pastaj kapitulloi; duke i krijuar edhe Shqipërisë së Pasluftës probleme.

      Më bëri përshtypje që, dy komentet e lëna ndaj shkrimit tim në FB, ishin të dyja nga persona që kishin zgjedhur të vinin në dukje, me të madhe, meritën e Koliqit si çelës i shkollave shqipe në Kosovë.

      Relapso e tha këtu mirë – Koliqi një copë ministër i një qeverie kukull ishte atëherë; dhe çelja e shkollave, së bashku me gjithë veprimtaritë e tjera që shoqëruan bashkimin e Kosovës me Shqipërinë (londineze) u vendosën tjetërkund.

      Nuk më duket se ka arsye të rrëmbushemi sot, nga ai bashkim nën hyqmin e okupatorit fashist; në fakt, ai e komprometoi çështjen kombëtare menjëherë pas Luftës.

      Duhet t’ia ngremë një monument Koliqit në Kosovë, thoshte një komentues; në vazhdën e prirjeve të sotme, për t’i shndërruar trojet shqiptare në kopshte monumentesh.

      Por, nëse duhet të jenë konsekuentë me veten, këta ndërtues monumentesh duhet t’ia ngrenë statujën Mussolini-t!

  19. Per te shkuar drejt Evropes, po na shohin syte se elita e veteshpallur, huazon sa mitet e Komunizmit per Mesjeten per Skenderbeun dhe perballjen antiosmane te shqiptareve, te ciles i jep nje pehash kryqezate, aq edhe imponon mite te reja si ky i Koliqit viktime e oksidentalizmit te tij. Eshte nje loje qe zbulon qarte natyren sektare dhe dogmatizimin qe fshihet pas Integrimit te shqiptareve si proces qe sugjerohet se ka si parakusht cedimin politik ndaj te vertetave te pamohueshme. Eksponentet katolike po sherbehen si alternative eprore per kultivimin e shijeve estetike te shqiptarit, si nje lendine hyjnore e harruar, teksa prelatet katolike si mundesi per te korrigjuar Njeriun e Ri me horizonte te reja etiko-morale.
    Hyrja e Shqiperise ne Evrope, aq me shume hyrja e shqiptareve, nese do te ndodhe dikur, cfaredo lloje gjeje qe te bejne keta apologjetet e primordialitetit, do te jete nje sprove multikulturalizmi per vete Evropen, per vete larushine identitare te shqiptareve. Nese ka nje alternative monofonike per afrimin me Evropen, si valence kulturore, asocacion shpirteror dhe afirmim origjine, kjo eshte Gjuha. Te tjerat mua me duket se jane mite qe po behen turshi.

    1. Bie dakord plotesisht me ate qe thua persa i takon qasjes se njaneshme katolike te raportit mes shqiptareve dhe Europes. Ajo nuk mund te jete pike kontakti ekskluzive me kontinentin meme. Ka shume pika te tjera te takimit po ashtu.

      Por nuk mund te mos “mahnitem” me kete paragrafin e fundit te komentit tend:

      “Hyrja e Shqiperise ne Evrope, aq me shume hyrja e shqiptareve, nese do te ndodhe dikur, cfaredo lloje gjeje qe te bejne keta apologjetet e primordialitetit, do te jete nje sprove multikulturalizmi per vete Evropen, per vete larushine identitare te shqiptareve. Nese ka nje alternative monofonike per afrimin me Evropen, si valence kulturore, asocacion shpirteror dhe afirmim origjine, kjo eshte Gjuha. Te tjerat mua me duket se jane mite qe po behen turshi.”

      Wow… Eshte megjithemend i hatashem ky koment! Ti theollogos ose

      1) je duke folur per Caucasian Albania, qe shpjegohet ketu se c’eshte http://en.wikipedia.org/wiki/Caucasian_Albania

      ose

      2) je ne kontakt me ca zona aq te largeta te kultures, politikes, dhe mendimit saqe ne qe jemi ne Shqiperi e prej Shqiperie as qe mundemi te kemi akses. Ndaj po presim ndonje te derguar te atyre sferave te larta te na sjelle si kumt sekretin e padeshifrueshem te integrimit tone kulturor ne Europe!

  20. Pjese nga letra e doreheqjes: “Arësyeja e kësaj kërkese është se si mis i këtij Instituti figuron atë Fulvio Cordignano, të cilin unë vërtet as nuk e njoh personalisht, veçse njihet botërisht si armik i rreptë i racës shqiptare.”

    Duke e ditur sa e veshtire ishte ne ate kohe te lundroje ne ujrat e turbullt te politikes, midis pushtuesit dhe cliruesit, midis fashistit dhe komunistit, midis ateistit dhe besimtarit, midis atdhetarit dhe tradhetarit, midis kolaboracionistit dhe patriotit, mbetem krejt i paditur bile edhe i habitur rreth nje mendimi kaq te perhapur ne ate kohe nder shqiptare: kaq negativ per jezuitin italian Fulvio Cordignano-n, i konsideruar si armik i rrepte i races shqiptare.

    Une megjithe perpjekjet e zelleshme per te mesuar me shume rreth bios “politike” te tij, nuk kam gjetur ndonje citim per te deshmuar nje opinion te tille.

    Nese mundet, cfare mund te deshmohet me pak fjale, per te dhene nje pergjigje shterruese perse-se te nje vleresimi te tille

    1. Me pak fjale:
      Fulvio Cordignano, prift jezuit dhe albanolog i shquar, autor veprash leksikografike, studimesh letrare, gjuhesore e antropologjike, ne vitin 1941 botoi nje artikull ne “Rivista d’Albania” qe botohej ne Rome nga Akademia Italiane, me titull: “L’Albania nella storia e nella vita – ossia visione panoramica di un piccolo mondo primitivo”.

      Ishte nje artikull i mbushur me gjykime negative, perbuzese dhe fyese per Shqiperine dhe shqiptaret qe pershkruheshin si njerez primitive, te eger, pa bosht, pa parime, oportuniste, hipokrite, injorante, dredharake, te pabese etj. Tek ai shkrim, fjala vjen, eshte teorizuar per here te pare interpretimi sipas te cilit kodifikimi i beses ne kanun u be i domosdoshem per shkak te prirjes se natyrshme te shqiptareve per te qene te pabese, pra duhej nje norme e kodifikuar ne te drejten e tyre zakonore qe malesoret te detyroheshin te mbanin fjalen e dhene.

      Eshte çudi qe ai artikull arriti te botohej ne ate reviste qe perndryshe kishte tjeter fryme.

      Artikulli shkaktoi nje furtune reagimesh ne Shqiperi. Jane te shumte artikujt, librat, broshurat e veçanta, letrat e hapura, peticionet qe u botuan asokohe ne proze dhe ne vargje, me autore te veçante dhe grupe autoresh, si pergjigje per Cordignanon. Praktikisht Cordignano u be simboli i antishqiptarizmit.

      Ne kete fryme do kuptuar edhe reagimi i Çabejt.

      1. Relapso te faleminderit.

        Do te ishte me interes te perkthehej dhe te botohej ky artikull qe ka anatemuar shqiptaret, duke e kthyer autorin ne pariah te shqiptarizmes.

        Me ngjan nga pershkrimi i shkurter qe na solle, sikur Cordignano te kete lexuar Jungun ne ate kohe dhe te jete influencuar prej tij per te pershkruar arkitipet shqiptare, imazhet arkaike te sjella me kaq besnikeri nga nenshtresa kolektive e pandergjegjeshme deri ne shekujt moderne.

        Ne fakt, ky artikuj duhet lexuar dhe duhet t’i behet te njohur publikut shqiptar sepse vetem keshtu mund t’i bejme nje radiografi dhe te gjykojme me sakte mbi antropologjine e shqiptarizmit, si nje mekanizem mbrojtes i veseve e virtuteve kombetare.

        Duket qe edhe Cordignano vete te kete lene jashte kontrollit demonet e tij, te krijuar pergjate qendrimit te tij te gjate ne Shqiperi, demonet emotive dhe mendimet/paragjykimet e krijuara e fshehura ne skutat e mendjes se tij te mprehte, qe ne ato rrethana sic duket klithnin per te shperthyer jashte. Ai vete mund te jete viktime e Jungut!

        Kur ne si komb kemi paragjykimet tona per veten tone e per njeri-tjetrin, imagjino se si mund te na paragjykojne te tjeret qe na shohin si qenie laboratori te studimeve te tyre albanologjike apo ne daci antropologjike.

        Ne lidhje me kete, po sjell nje grimce te vogel(qe kurrsesi nuk afrohet me riperkursionet e insinuatave te Cordignano-s) si nje lloj paralelizmi figurativ: nese ne ambjentin e perzjere ku ka te zinj dhe te bardhe, dikush i bardhe permend fjalen Negger, kjo mund te shkaktoje deri edhe nje reagim violent nga ana e te zinjve. Kurse te zinjte midis vedit mund ta perdorin pa teklif kete fjale, duke krijuar ilaritetin e nevojshem, por aspak zemrim.

        Nje reagim pak a shume i ngjashem iu rezervua edhe studiuesit tjeter te kohes Oliver Jens Schmitt-it. Historia duket se ka ciklet e saj, perseritet.

        1. Une artikullin e Cordignano-s e kam lexuar dhe e shumta kam vene buzen ne gaz, dike ndier keqardhje per kete prift te frustruar qe, pasi i kushtoi jeten studimeve albanologjike, ne pleqeri e beri si lopa qe i bie me shkelm koves pasi e ka mbushur me qumesht.
          Por reagimet e shqiptareve fill pas botimit te artikullit jane plotesisht te kuptueshme, po te kemi parasysh se ai artikull u shkrua nga nje italian dhe u botua ne organin zyrtar te akademise italiane, pikerisht kur Shqiperia ishte e pushtuar nga Italia.
          Cordignano me ate artikull ringjalli me shume patriotizem dhe antifashizem tek shqiptaret sa ç’kishte bere vete pushtimi fashist.

        2. Besoj se te kuptoj mire. Edhe mua me vjen te qesh me keto “lajthitje” te nje si Cordignano.

          Por ne pleqeri entuziazmi bie dhe nuk mjaftojne deshirat e mira per te pare qe kombi per te cilin i ke kushtuar nje pjese te jetes nuk ben tutje, por ne rastin me te mire qendron ne vend.

          Sic duket frustracionet e jezuitit kaq te lidhur me Shqiperine ishin nje mesazh prej Zotit, 🙂 per t’i zgjuar shqiptaret te vene ne gjume nga te mirat, bolleku, shkollimi dhe kultura qe kishin vershuar ne pjesen e viteve te mjaltit( te spagetit dhe marmallates) ne Atdheun e pushtuar prej Italise fashiste.

          Kam verejtur te njejtin frustracion edhe nga nje personalitet i njohur italian i letrave, perseri ne vitet e tij te pleqerise kur shkruan per shqiptaret dhe Shqiperine. Flitet per Indro Montanelli-n. Duket se nuk ndryshon shume nga Cordignano per mendimin qe ka per shqiptaret. Por opinionin e tij te shkurter e ka shkruar ne 1997.

          Sic duket ne pleqeri nuk ke cfare te humbasesh, kur vjen puna per te lene te lire mendimet dhe opinionet e verteta qe te jane dashur vite per t’i kristalizuar.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: