KUR DEBATI KTHEHET NË FUSHËBETEJË

nga Gentiana Minga

Liria e mendimit ndryshe, e gjykimit e për rrjedhojë e shkrimit, në Shqipëri, vihet në praktikë pa siklete të mëdha, por shpesh shkëmbimi i tyre, kur qasjet janë të kundërta, pa u shoqëruar me përbaltje, fyerje, hamendësime paranojake, polarizim të publikut, është i rrallë. Kemi të drejtën të ushtrojmë lirinë e mendimit, por druajtja prej ndonjë reagimi të egër, ndonjë keqkuptimi, ngacmimi pa dashje i ndonjë orteku që mund të të marrë përpara, shpesh provokon bllokim. Për të përforcuar diçka që tingëllon banale, por që në debatet intelektuale shqiptare ngjan se nuk vihet shumë në praktikë, çdo mendim ndryshe, qoftë ky bashkëbisedim apo polemikë e edukuar, ese, përsiatje, kritikë letrare, qoftë kjo e mangët apo e plotë, me themele të dobëta apo argumentime bindëse shkencore, me tone të ndezura, thumbuese, por në asnjë mënyrë fyese, përbuzëse e diskriminuese, ka të drejtën të tentojë, po ashtu si edhe të dështojë, për të vënë në diskutim, për të shpluhurosur, për të çmontuar modele mendimi të hershme, për të riparë pozicione e problematika që munden edhe të diskutohen, edhe të rivlerësohen. Këtu do të bënte përjashtim vetëm mendimi i kujt nuk do të na duhej apriori, o sepse mund të vijë prej ndonjë truri klinikisht të sëmurë apo të pakulturuar, apo nëse autori do të vinte në përdorim gjuhën e urrejtjes, të racizmit, e kështu me radhë. Edhe më e rëndë nëse do të rezultonte të ishte apo të kishte qenë një kriminel, ordiner apo i ish-diktaturës, dikush që ka firmosur ekzekutime, që ka vrarë e prerë njerëz. Përndryshe, a është gati shoqëria jonë, rrethet tona kulturore ta mirëpresin (kupto jo të bashkëndajnë) një formë ndryshe të “mendimit” kritik, pa e shndërruar domosdoshmërisht në një fushëbetejë? Merrni dy intelektualë të mirëfilltë, me lexues të tyre, me përqasje letrare, historike apo politike ndoshta të ndryshme, me përvojë jete po ashtu, por jo për këto arsye pronarë absolutë të së vërtetës e çka do të ishte më e dëmshmja, të së drejtës për përbaltje të tjetrit. Më konkretisht, fjalën e kam për shkrimin “Akademikët e urrejtjes ose Mjerim Intelektual i Nashove të rinj, polemikë nga Jozef Radi” (për më tepër që i replikohet atij të A. Vehbiut “Idhuj të zgavërt”) Artikulli është i Jozef Radit, autor që personalisht e lexoj me kënaqësi, e po ashtu shfletoj edhe faqen e tij sa herë të mundem, ngase edhe aty gjej shkrime e studime interesante, pjesë nga histori e personalitete që nuk i njohim aspak, prozë e poetikë cilësore, por mbi të gjitha, letërsi e dëshmi të gjalla të viktimave të ish-diktaturës, letërsi e dëshmi me të cilat kurrë nuk duhet të ngopemi, e për të cilat institucionet bëjnë sikur bëjnë, ose thjesht i injorojnë. Jo më pak se dy-tre ditë më parë, në këtë blog lexova një shkrim kushtuar Vangjel Koças, një figure për mua e panjohur e që duhej zbuluar patjetër, me një kontribut, siç shprehet autori i shkrimit, dr. Samim Visoka, të paçmueshëm sidomos në fushën e kritikës. Ishte, thotë dr. Samim Visoka:“Një kritik konstruktiv e pozitiv. Një kritik fisnik, bashkpuntor e këshillonjës; një shok i sinqertë i kulturës. Nuk u rrëmbye kurrë nga mëria, ahmarrja, thash e themet ose çështjet personale”.

Ndaj, me gjithë keqkuptimet që mund të ketë sjellë shkrimi i mësipërm i A. V, apo lëndimet e paimagjinuara që mund të ketë provokuar, unë nuk arrij të kuptoj, se si një intelektual të mos mundet apo të mos dojë t’i parashtrojë qasjet e tij, po ashtu siç i bëri me një elegancë e profesionalizëm për t’u pasur zili autori Visar Zhiti, në shkrimin “Kur idhujt zgavrohen”, pa nevojitur kësisoj t’i kavërdisë me nofka drejtuar autorit, fyerje, adresime biografike (cit. nashoja i NY, hetues, gjyqtar, prokuror, polic, pjellë mediokriteti, mjeran etj.), po ashtu edhe bashkëpunëtorëve të PF-së, që vërehen prej tij të kenë të njëjtën gjuhë të pronarit të PF-së, “provokuese, sharëse, tallëse, ironizuese, deri në një farë ligësie të pashpjegueshme”, duke i goditur kështu me të njëjtin modus operanti që ia vë re Vehbiut, cit: “në turmë, ta haj kush ta hajë” “Haxhiademi si piketë për ata që shohin larg dhe ata që shohin rrotull”.

Ja pse, ndoshta, në Shqipëri është vështirë të bëhet çfarëdolloj kritike letrare, shkëmbimesh apo replika mendimesh. Ja pse përdoret XY -ni për të trajtuar një shqetësim në përgjithësi e jo një autor në veçanti.

Unë besoj se autorët kanë shumë përgjegjësi mbi modifikimin e gjendjes shpirtërore e mendore të lexuesve. Kush shkruan e lexohet, në rastin më të mirë, mund të na përsosë shijet e të na pasurojë më shumë gjuhën, mund të na ofrojë modele dialogu më të drejta e më të hijshme, më pak të dhunshme e më fort të dobishme. Ne, lexuesit, mund të kemi përkatësi politike të ndryshme, mund të kemi shije letrare të ndryshueshme, mund të jemi pa dyshim lexuesit e thekur të njërit, por edhe të blogjeve e faqeve të tjera. Mund të jemi shkrimtarë, poetë, punëtorë, pleq, të majtë, të djathtë, me të mirat e mangësitë tona, me cenet tona vetjake apo familjare të shumëngjyrshme, me sfidat tona të pathëna, me forcën e dobësitë e tona. Të shumtë në përpjekje për t’u thyer sa më lehtë përgjatë kësaj rruge jete që të çon tek tjetra, e duke u kujdesur për t’u ndotur sa më pak. Por mbi të gjitha: “Na jena njerëz për aq sa dijmë me dashtë/ për aq sa ndjejmë me heshtë/ e për aq sa n’heshtje lejojmë me u dashtë/ Na jena njerëz për aq sa dijmë me ndry tjerë njerëz/ jo ndër burgje cmirash e urrejtjesh/ por ndër lutje t’përbashkta dashnie e humbje.”*

*shkëputur nga poezia “Na jena njerëz” e Jozef Radit.

 

© 2022 Gentiana Minga. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin