NJË METAFORË GRAFIKE

Nëse ka një ngjashmëri në paraqitjen dhe mënyrën e qëndrimit të disa sundimtarëve a tiranëve të së shkuarës, kjo vjen sepse shtatoreve të atyre që iknin (arsyet po jua lë t’i imagjinoni vetë) jo rrallë u hiqej koka, madje pa thyerje (gjithçka ishte parashikuar të bëhej me kllaposje)  dhe mbi të vendosej koka e sapogdhëndur e sundimtarit  të ri.

Në raste të tjera kjo ka të ngjarë të ndodhte sepse me kohë u arrit në një fiksim përfundimtar të imazhit me të cilin duhej të paraqiteshin pushtetmbajtësit supremë (çdo epokë ka prodhuar skemat e veta). Kështu shpjegohet (të paktën kështu shpresoj se mund të shpjegohet) pozicioni i përafërt i i trupit të shpenguar, me njërën dorë të ngritur në apo mbi lartësinë e supit, thjesht me një gjest perandorak, të shtatoreve të Oktavianit, Mark Aurelit (edhe kur është mbi kalë), Trajanit, Domicianit, Titusit, Vespasianit e deri te Kostandini i Madh etj.

E megjithatë ndihesh ca turbullt para dy, të themi, “natyrave të qeta me diktatorë”, dy fotografive, të E. Hoxhës dhe A. Hitlerit, ngjashmëria e të cilave është e tillë sa po t’i marrësh negativet e këtyre dy imazheve dhe t’i vësh mbi njëri tjetrin, do të vëresh se çdo linjë gjen korresponduesen e saj, se asnjë fakturë nuk mbetet në ajër. Përputhja është perfekte! A. Hitler

Në rastin e parë, Fotografia i përket fundit të viteve tridhjetë, kur Hitleri është instaluar mirë në pushtet, në rastin e dytë, E. Hoxha kalon në revistë trupat, pas përfundimit të L2B, pra menjëherë pasi ka ardhur edhe ai në pushtet, por që gjithçka tregon se ndihet mjaft mirë në të e nuk ka ndërmend ta ndajë me të tjerë.

E. HoxhaGjysma e parë e shekullit që shkoi ka njohur mjaft diktatura, shtete autoritaristë, regjime korporatistë, por paraqitja në publik të veshur me uniformë, me vështrim triumfues dhe me njërën dorë të shtrirë e me tjetrën të shtrënguar në rripin e mesit, është veçori thuaj përjashtimore e diktatorit gjerman dhe atij shqiptar. Të të dy rastet pozicioni i trupit, shtrirja e uniformës së kompletuar me çizme, gjymtyrët, këndi i kthimit të kokës majtas ka arsye të forta të na tërheqë vemëndjen.

Përafërsisht e gjen edhe te B. Musolini, F. Franko apo te A. Salazari, që të tre diktatorë, por në shumicën e rasteve edhe pse dorën e majtë e mbajnë në lartësinë e mesit, përgjithësisht në to shtrëngojnë një lloj skeptri apo një palë doreza të bardha, shenjë se u pëlqen të shijojnë jo vetëm forcën por edhe lavdinë e pushtetit. Mund ta gjesh një gjest të tillë edhe te ndonjë energumen ushtarak i parëndësishëm, të ndonjë diktator aziatik apo afrikan, por nese kjo ndodh thjesht për efekt pasqyrë.

Në një pozicion të tillë as mund të mendohet që Hoxha të ketë imituar Hitlerin. Në të dy rastet gjesti është nativ, origjinal, hë për hë, i vetvetishëm, spontan. Shikoni rrotull të dyve, askush nuk guxon të bëjë të njëjtën gjë, pra në vetvete këtu nuk kemi të bëjmë me dhunën e imazhit. Në pozicionin e dhënë ata nuk i imponohen kërkujt, nuk i kërkojnë askujt t’i imitojë, madje do të qe një apostazi e vërtetë, po ta bënte ndokush. Ky pozicion është krejt personal. Ai është gjesti i tyre. Në dukje protokollar, por jo aq.

Eshtë interesante të vërejmë, se megjithëse evoluojnë në mjedise të ndryshme, ata përpunojnë të njëjtin stil ikonografik, kanë rekuizitë të ngjashme, dekor të përafërt. Por edhe pse me siguri kanë menduar që nëpërmjet atij ceremoniali të transmetojnë gjësendi tjetër, në të vërtetë, me këto fotografi të zgjedhura me kujdes ata kanë prodhuar diçka që u ka dalë fare duarsh. Duke dashur, supozoj, të identifikohen si forca e popullit në pushtet (duke lënë të kuptojnë se është e këshillueshme që edhe ky i fundit t’ua ketë ca frikën), ata u shndërruan kështu në vetë imazhin e dhunës në perspektive. Një dhunë pa konture, që kurrë nuk mund ta marrësh me mend se deri ku shtrihet, një dhunë me të cilën diktatorët manipulojnë vërtet jo vetëm ndjenjat por edhe parandjenjat tona.

Kronologjikisht, të dy fotot janë realizuar në përfundim të një etape të rëndësishme, në atë të konsolidimit të pushtetit të të dy diktatorëve. Dhe qëndrimi e gjestikulacioni kërkon të shënojë tamam këtë gjë. Shkurt, mbyllet një periudhë përpjekjesh, dështimesh, poshtrimesh dhe dyshimesh dhe fillon një fazë ekstaze orgazmike për ta. Dhe terrori për të tjerët.

Duket sikur dora secilit i ka shkuar vetiu te rripi i mesit, por ky nuk është pozicioni i dikujt që nuk di ku të vendosë duart. As i dikujt që kërkon të shmangë dridhjet e Parkinsonit. (Kjo do t’u ndodhë të dyve, por më vonë). Në të vërtetë nuk kemi të bëjmë as edhe me një gjest falik. Dora e tyre vërtet është vendosur në pozicionin më afër të mundshëm në publik të gjenitaleve të tyre. Por ajo nënkupton një mise en scène të një përmjerrjeje publike e simbolike përgjatë gjithë bulevardit, është shprehje e një dëshirë të papërmbajtur e gati brutale që gjithkush të ndjejë erën e urinës së tyre dhe të mësojë se cili është zot i atyre territoreve këndej e tutje, madje deri në përfundim të kohëve. Të dy do të vdesin në pushtet, në fakt.

Duke bërë këtë përqasje figurative, nuk dua të them se studentët e viteve ’90 në Shqipëri kanë vërejtur ngjashmëri të tilla dhe mbërritën në përfundimin se më mirë se gjithçka tjetër periudhën funeste që kërkonin të linin pas e përcaktonte dikotomia: Enver-Hitler. Personalisht, kur e dëgjova së pari e mora më fort si një shfryrje zemërimi, natyrisht të përligjur por nuk shihja shumë elementë për ta krahasuar Hoxhën me Hitlerin. Në fakt, më shume se për dikotomi e merrja për diafoni, e njejta melodi por në shkallë të ndryshme. E. Hoxhën më së shumti e shihja si një despot fshati, apo në rastin më të mirë si një diktator xhepi, pra mendova se duheshin ruajtur proporcionet. Se qe fjala për dy sisteme të ndryshme dhe nuk e di se çfarë parametrash duheshin përdoruar për të pasur një pamje më të qartë. Mbi të gjitha duheshin pritur kohë më të qeta dhe nuk duhej rënë në kurthin e gjykimeve emocionale të kundërshtarëve të sistemeve përkatës, mendimi i të cilëve i kishte motivet fort transparente.

Në të tilla raste, duket se ka më shumë interes gjykimi i të ngjashmëve, i atyre që janë nga e njëjta anë e barrikadës, që njohin motivet historikë të lindjes së ideologjive të majta, njohin periudhën e saj romantike dhe që me mendimin e zhvilluar kritik kanë ndjeshmëri më të madhe ndaj devijimeve të rastit. Kështu, A. Glucksmann, një filozof që lexohet gjithnjë me interes (ka një të kaluar marksiste dhe për këtë më ka interesuar mendimi i tij për regjimet e Lindjes komuniste), thotë gjatë një analize për sistemet totalitarë (që e kam sjellë edhe më parë në PTF), se nuk sheh shumë ndryshim midis dy regjimeve (nazizmit dhe komunizmit) dhe për këtë sjell faktin se që të dy prodhuan kampe përqëndrimi. Me tej më vijnë ndërmend mendimet e një majtisteje të famshme (interesi pë të cilën mbetet gjithnjë i gjallë), nga më fanatiket në mbrojtjen e çështjeve të më të dobtëve, të pambrojturve e të pafuqishmëve, por që u çlirua nga ideologjia komuniste jo si Glucksmann-i kur lexoi Arkipelagun Gulag, por diçka më vonë kur nëpër botë u ngritën zërat në mbrojtje të revoltës polake. E kam fjalën për Susan Sontag. Diku, gjatë një takimi njujorkez në përkrahje të Solidarnos-it, ajo tronditi të pranishmit duke thënë se: “komunizmi është një fashizëm – një fashizëm që ia ka dalë mbanë”.

Më pëlqen të sjell edhe mendimet e dikujt, që e kam njohur pak, por me të cilin kam shkëmbyer edhe më pak. Eshtë fjala për P. Plazman, një marksist gjerman, burrë inteligjent që punonte si përkthyes dhe folës i Radio Tiranës për seksionin e gjuhës gjermane. Ndryshe nga folësit francezë, italianë apo spanjollë, me të cilët i lejonim vetes ndonjë shaka, formimi i thellë marksist i Plazman-it na shtinte gjithnjë frikën se mos keqkuptoheshim.

Lexoj së voni se edhe atij i ka bërë përshtypje thirrja e studentëve: Enver – Hitler. I qe dukur pak ekstreme, në fillim. “Por parë nga perspektiva e sotme, – thotë ai,- Enver Hoxha në fushatën e tij të terrorit të brendshëm, duket se ka lënë me distancë prapa edhe Hitlerin: në Gjermani kishte gjithmonë forma të ndryshme të rezistencës, kurse në Shqipëri përkundrazi, çdo përpjekje ishte e ndaluar e mbytej në embrion”.

Arsyetimi për të gjetur motivet e pathëna psikologjike që ka në origjinë ngjashmëria e këtyre fotografive, mund të shtrihet edhe në elementë të themi “comportamentalë, reaktive”, në qëndrimin ndaj fenomeneve të ndryshme, që shihen si “konkurrente”. Kështu, të gjithë i mbajmë mend ulërimat e Hoxhës në famëkeqin Plenium i IV-të, kundër “devijimeve” në letërsi e arte, kundër artit “të degjeneruar”, gjë që pati pasoja të paimagjinueshme në jetën e shumë vetë (internime, burgosje, pushkatime). E pra, të drejtën e autorësisë mbi termat “art i degjeneruar” e mban Hitleri dhe ndihmësit e tij të cilët i kanë përdorur gjysmë shekulli para Hoxhës për disa nga artistët më të mëdhenj të shekullit. Por, ndërsa do të qe gabim, përsëri, të mendohet se Hoxha ka imituar atë, nuk mund të mos shihet qartë se mekanizmat shtytës janë të njejta: urrejtja ndaj artistësh arti i të cilëve nuk shpinte ujë në mullirin e tyre.

Më tutje, të gjithë kujtojmë autodafet hitleriane të djegjes së librave të autorëve të ndryshëm, por pak është folur për librat që u vunë në indeks në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, pas plenumit të mësipërm. Meqë e kam jetuar si një traumatizëm atë periudhë, kujtoj se jo vetëm autorët bashkëkohorë, jo vetëm të gjithë poetët amerikanë e anglezë, por edhe autorët latinë, madje edhe versioni i poemave të De Radës në italisht ishin të ndaluara për publikun etj.. Këtu nuk dua të përmend gjëra që sot janë harruar fare, masakrimin e repertorit të transmetimeve muzikore. F.v.j. J. S. Bahu dhe të gjithë kompozitorët e atyre anëve, deri te Shtrausi u hoqën nga repertori i transmetimeve. Për këtë të fundit, Hoxha e dha vetë shpjegimin duke na thënë se Danubi blu në të vërtetë, ndryshe nga sa thotë Shtrausi nuk është blu, por i kuq. Se ku ishte lidhja, edhe sot nuk e shkoklavis dot. Pjesërisht Betoveni dhe Mozarti transmetoheshin, por me kusht që të paraqiteshin nga folësit si “kompozitorë përparimtarë!” Dhe tani një suitë në c major nga kompozitori përparimtar, W. A. Mozart…

Po ç’lidhje kanë të gjitha këto me ngjashmërinë e fotove? Në fakt nuk lidhen me ngjashmërinë e fotove, por me ngjashmërinë e natyrës së personazheve të tyre. Por e gjitha kjo kishte për qëllim që të vija te pyetja: A është e mundur që motivet e brendshme të ngjashme t’i shtyjnë individë krejt të ndryshëm (madje në dy pika të ndryshme të globit) drejt gjestesh të jashtme të njëjta a më saktë t’i shprehin mendimet e tyre më të fshehta nëpërmjet gjestesh instiktivë të ngjashëm? Shkurt, pse në një çast të caktuar ceremonial e simbolik, atyre u shkon dora në atë vend ku zakonisht qëndron arma? Një akt i munguar? Mbetet për t’u parë, por duhet thesuar se shtrëngimi i rripit të mesit nuk është vetëm është diçka që i përgjigjet një impulsi të çastit (kërkim instiktiv i diçkaje që e ka zakonisht vendin aty, se kjo të bën të ndihesh më i sigurtë), por gjen shprehje edhe te kodet rregullues të ushtrimit të dhunës të regjimeve diktatorialë.

Ekzekutimi

Një përgjigje të mundshme për një gjest të tillë, që nuk përsëritet më tej, e gjejmë edhe në një foto tjetër (të fondit shqiptar), ku siç shihet, paraqitet qëndrimi sipas rregullores i një skuadre pushkatimi, gjatë një ekzekutimi të vërtetë të një armiku të regjimit. Një gjest i tillë duket se krijon stabilitet fizik e psikologjik gjatë ushtrimit të dhunës.

Eshtë kjo foto e fundit që përcjell në formë më të shtjelluar, si të qe një metaforë grafike, zgjatimin e mëtejshëm të gjestit të përbashkët të dy diktatorëve, një gjest në dukje protokollar, por që projektonte mesazhe mjaft të qarta për të ardhmen e vendeve ku ata kishin marrë pushtetin në dorë.

Nuk ka komente

  1. Lyss duke qene se eshte nje pjese e rendesishme me te cilen na kane ushqyer qe ne fillore, ne fotografine ne fjale, EH se kishte marre akoma pushtetin. Bile ishte ne nxitim per t’i treguar misioneve te aleateve se une(besoj se eshte fotografi e marre prej oficereve te tyre) se une po bej capat per te fituar legjitimitetin para syve tuaj, pra duhet te merreni me mua shpejt.

    Fotografia eshte bere ne Berat(evidente), ku Enveri po drejtohej per nga kinemaja e qytetit, ne qender. Po te shohesh nje fotografi te marre ne ca caste me vone, do te kuptosh se nuk flitet per ndonje parade, por ecje ne rrugen kryesore te qytetit ku ne nje krah eshte Osumi dhe ne krahun tjeter dyqane. Rruget jane mbushur me popullin e bute qe nuk e ka idene ndoshta se cfare do te ndodhe ne sallen e kinemase.

    Partizanet, si me uniforma bashibuzukes po shoqerojne “clirimtaret dhe fitimtaret”, sic mund te shihet ne foton poshte.

    http://www.enver-hoxha.net/images/fotoalbumi/04-kriegszeit-1939-1944/79.jpg

    1. Read Me,
      Fotoja që sollët ka shumë vlerë. Megjithatë mendoj se konkluzionet i ke paksa të gabuara.

      Fotografia a parë e Lyss duhet të jetë marrë diku nga fillimi, dhe e dyta (juaja) diku nga fundi i marrshimit në qyetet, me të drejtë Berati.

      Po ashtu, ka shumë mundësi që spektatorët në fotografinë e parë të kenë qënë qytetarët (sa më të “butë” – të padijshëm? – aq më të manipulueshëm). Kurse në të dytën qartësisht partizanët.

      Për rrjedhoj kemi edhe dy qëndrime apo poza të ndryshme në të dy fotografitë. Hoxha nëse midis qytetarëve konfirmonte pushtetin, midis të vetëve nuk duket se i ka pasur punët aq të lehta. Në kuptimin që nuk duhet t’ua ketë pasur edhe aq besën “besnikëve”.

      Dhe ndryshe nga sa thua, s’ka dyshim që bëhet fjalë për paradë. Kjo konfirmohet nga rreshtimi i pandryshuar përgjat intervalit midis dy fotografive. Pra nuk ekziston informaliteti, dhe ka një koreografi që është ndjekur me rrigorozitet. Plus edhe faktit që është fotografuar më shumë se një herë i njëjti eveniment. Nga aleatët apo jo nuk dihet. Porse dyshoj se këta kanë pasur ndonjë dëshitë apo interes t’i kultivojnë imazhin Hoxhës.

      Kurse ajo fotoja e dytë nga Lyss, ekzekutimi, është konfirmimi i mëvonshëm se poza e Hoxhës vërtet rrezatonte sigurinë e pushtetit. Vetë ngjarjet që vijnë pas këtyre fotove nuk të lejojnë të japësh ndonjë konkluzion tjetër përvec atij të dhënë në shkrim.

      1. Te mos keqkuptohemi: nuk vura ne dyshim ngjashmerite ose te perbashketa e pozave dhe qe te dy ishin pjese e skotes se diktatoreve. Njeri(Hitleri) ishte ne pushtet, tjetri(EH) akoma. Itenerari i EH ne ato dite ishte nga sarajet e Vrionasve, ne hyrje te rruges qe te con tek kalaja(Porta e Pashait) tek kinemaja e qytetit. Berati konsiderohej prej disa kohe i cliruar.

        Partizanet dhe anetaret e “qeverise demokratike” te ardheshme strehoheshin neper shtepite e zengjineve te Beratit (me hir apo me pahir).

        Kronologjine e fotografise me duket se e kam treguar saktesisht ne komentin me siper. Dy fotografi, dy pozime pergjate nje ecje, por qe mund te komentohen ndryshe. 🙂

        1. R.M., nuk e njihja ketë foto te dyte, por sikundër e konfirmon edhe u i z, nuk ka dyshim qe parakalimi po zhvillohet ne Berat. Kjo do te thote se fotot janë shkrepur ne përfundim te Mbledhjes se dyte te Beratit, diku nga fundi i tetorit 1944. Pra, është çasti i kur Keshilli Antifashist Nacional Clirimtar vendosi shndërrimin e Komitetit Antifashist në Qeveri Demokratike të Shqipërisë. Është pikërisht ketu ku vendoset që dikasteret e krijuara ne Kongresin e Përmetit të quhen ministri dhe titullarët ministra.

          Ai shoku në qendër të fotografisë ka mundësi që vetëm dy orë më parë të jetë emëruar Kryeministër.

          Po nuk më besuat mua, shikoni se si e shtrëngon dorën e majtë, madje edhe të djathtën e ka mbledhur grusht! Nuk jam i sigurtë nëse kokën e ka ulur per të fiksuar mire ne kujtesë fytyrat e atyre që bene ca grimasa, kur ai u vetemrua. Ne te vertete eshte ne Berat qe shume vete po i degjojne emrin per here te pare. Gjate gjithe luftes qarkullonin emra te tjere si Bedri Spahiu, komandat i zones se para Operative , ne veri njihej Gjin Marku e burra te tjere. Po si thote nje fjale, emri qe degjon se fundi, eshte ai qe ka shume shanse te te mbetet ne kujtese…

          1. Lyss: “Ne te vertete eshte ne Berat qe shume vete po i degjojne emrin per here te pare.”

            Ne Berat jane fillimet e ngritjes se kultit, si ne shembullin e fillimeve te Cezareve te tjere. Emri i EH fillon te shkruhet ne muret “e historise te parrullave shqiptare”.

            Dalja nga salla e kinemase duke buzeqeshur…konfirmimi i liderit 22 Tetor, 1944.

            http://www.enver-hoxha.net/images/fotoalbumi/04-kriegszeit-1939-1944/82.jpg

            17 Nentor 1944 hyrja triumfante e qeverise demokratike ne Tirane. Udheheqesi dhe Kryeminister njekohesisht, buzeqeshje dhe lule ne duar.

            http://www.enver-hoxha.net/images/fotoalbumi/04-kriegszeit-1939-1944/92-38-0-eh.jpg

            Duke ngjitur shkallet e tribunes, para hotel Dajtit duke mbajtur nje tufe lule. Cezari i zgjedhur shijon brohoritjet e ushtrise dhe popullit. Popull, ja ku e keni, shikoni me se fundmi kush eshte Cezari i ri.

            http://www.enver-hoxha.net/images/fotoalbumi/04-kriegszeit-1939-1944/98.jpg

            Burimi i fotove: http://www.enver-hoxha.net/content/content_shqip/fotoalbumi04.htm

        2. Read Me, kush eshte ky shoku me rroba civile qe ka gjithmone perkrah Enveri?

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin