SUIS-JE HUGO BARINE?

nga Toni Çaushi

Vdes dikush në rrethana tragjike – ose edhe interesante – dhe ma kërkon puna te
shkruaj për ta. Ndjek ato hapat e zakonshëm duke intervistuar ata që e njihnin personin

dhe ata që e vajtojnë, dhe në fund, shkoj tek redaktori me një portret qe kallëzon për lexuesin mbi atë që iku.

Sigurisht, sa më tragjike vdekja, aq më mirë për gazetën.

“Të lutem, mos shkruaj për të,” m’u përgjërua kunata e një 24-vjecari që vdiq në një
aksident rrugor një mëngjes Krishtlindjeje në rrugët e ngrira te Massachusetts-it duke u kthyer nga puna. “Babai i tij po thotë se nëse qoftë edhe një gjë e keqe të shkruhet për të, ‘Do e mbys me duart e mia gazetarin.’”

Kaos vijon në redaksi.

“Nuk na ka ndodhur ndonjëherë të kërcënohet dikush kështu,” thotë redaktori.

“Më vjen shumë keq që dëgjojmë një gjë të tillë,” thotë një kolege.

“Premtoj që nuk do të ndodhë më,” rikthehet i pari.

Kjo e fundit sa s’më bën të qesh, pasi u duk sikur nuk donin që te frikësohesha, ose dhe të bëj të pabërën – të më velet gazetaria dhe të lë punën.

I rrethuar në ‘cubicle’ nga sy të tmerruar, unë gjithsesi ngre supet me indiferencë.

Nuk ka ç’të më bëjë, them me vete. Është një baba qe i trokiti në derë një tragjedi “perfekte” dhe “i ka këto kjo punë.”

“This is the business we’ve chosen,” ka thënë Hyman Roth.

Shkruaj, por stepem nga një pyetje qe më lind në mendje “Dhe…a ndodh qe dikush nga ata që e njihnin të thotë diçka te keqe për atë djalë?”

E sigurisht që jo. Me vdekjen e njeriut pastrohet personaliteti në një proces gati magjik.

I ndjeri ose e ndjera ngjiten në perfeksion duke kaluar ne gojët e atyre që e kujtojnë si një figurë engjëllore i cili ose e cila erdhi e iku si dhuratë për ne të vdekshmit. Ne
mëkatarët, më pas mbetemi në tokë duke i parë nga poshtë-lart.

Për së gjalli, ai djalë me siguri kishte të metat e tij, por përgjegjësi në Marine Corps ku i ndjeri kishte shërbyer, përgjegjësit e burgut ku ai punonte si gardian, trajneri i
skuadrave sportive të gjimnazit, dhe një nga mësueset me të cilën kishte ruajtur lidhjet në moshë madhore, e përshkruan 24-vjecarin si një altruist, një njeri modest, një njeri me klas… një njeri perfekt.

Në një përleshje midis përshkrimit hidhërues të vdekjes së tij dhe vlerësimet me fjalët nderuese, mbizotëron gjithmonë e dyta. Vihet mënjanë fakti si ai vdiq, dhe ngrihen tiparet pozitive.

Ndoshta është një mënyrë subkoshiente për të ngushëlluar ata që vazhdojnë të jetojnë – një mënyrë darviniane për të mos mbetur në një sqotë emocionale që ndalon ecjen përpara të species njerëzore.

Fenomenin e përdor Jean-Paul Sartre në dramën teatrale “Les Mains Sales” si një
mekanizëm ironik në jetën e Hugo Barine, një intelektual që merr përsipër detyrën e
vrasjes në emër të Partisë së Proletariatit. Barine ka gjakim për t’u bërë ‘hero’, por duke mos qenë më trimi i shokëve, ai lufton brenda vetes gjatë dramës së Sartre-t madje dhe duke u përpjekur të gjejë arsye të fortë për të plotësuar misionin.

Shënjestra e Hugo-it është Hoederer, kundërshtari politik i Partisë; një ‘zoon politikon’ i cili në kohë thyen me sharm edhe atë pak trimëri që Hugo ndërton brenda vetes gjatë dramës. Nën “magjepsjen” e Hoederer, Hugo krijon dyshime në tabanin e tij ideologjik dhe e ka shumë të vështirë të kryejë detyrën. Madje “Partia” fillon dhe hedh dyshime mbi besnikërinë e Hugo-së për shkak të vonesës në kryerjen e misionit.

Mendërisht i paralizuar, Hugo-ja hedh idenë se mund te gjendet një rrugë e mesme ku ai mund të braktisë detyrën dhe Partia mund ta falë.

Në këtë krizë, Sartre zgjidh situatën duke përdorur të shoqen e Hugo-së, Jessica-n, si një forcë shtysë që puth Hoederer-in, dhe ajo e rënë nën efektin e sharmit. Kur Hugo-ja shikon ngjarjen, ai gjen forcë, ngre pistoletën, dhe kryen misionin, ndonëse si akt pasionant dhe jo ideologjik.

E kështu, nuk ndodh ajo që ai priste. Hugo nuk bëhet hero.

Ironikisht, dinamikat politike te situatës gjysmë fiktive që krijon Sartre për fillim vitet
‘40, (madje dhe e zhvilluar në “Iliri”) ngrenë Hoederer-in në piedestal heroi, dhe Hugo-ja përndiqet nga Partia.

“II aura sa statue à la fin de la guerre,” thote Hugo per Hoederer, i dëshpëruar, “il aura des rues dans toutes nos villes et son nom dans les livres d’histoire.”

Fenomeni i vdekjes në këtë rast përdoret nga forcat politike si bazë e një kredoje duke gdhendur një hero me personalitetin e “të rënit”.

Më vjen ndërmend shembulli i Azem Hajdarit, i cili për së gjalli ishte thjesht një
politikan gjysmë i frymëzuar nga “principet” e demokracisë, e gjysmë i rrëmbyer nga tiparet e personalitetit. Pas vrasjes iu harruan kacafytjet në podium, apo anekdotat groteske kur nxirrte armët në një akt burrërie. Pas vrasjes, figura iu ngrit në qiell nga aleatët politikë si një shpresë e humbur, madje dhe duke e shpallur dëshmor, njëkohësisht duke e përdorur si spirancë që siguronte pushtetin politik.

Paralelisht, kritikët, ndonëse janë qasur ngahera të analizojnë figurën e Hajdarit, stepen dhe kurrë nuk zhyten tërësisht në analizë vetëm për të mos kaluar caqet etike që flasin në ndërgjegje duke thënë “mos u merr me te ikurit.”

Mbi 20 vite më vonë, ajo ngjitje e figurës së tij pati dhe efekte breznore, ku e bija,
Rudina, pretendoi të ngjitej ne politikë. Ajo e beri këtë mbi shpatullat e Azem Hajdarit dëshmor, e jo atij njerëzor.

Me një fjalë, “Bëmë baba të të ngjaj, por babai që them unë, jo ai që ishe në të vërtetë.”

Nëse Hajdari nuk do të vritej në 1998, formula e politikës shqiptare do e sillte në
njëtrajtësi me politikën e sotme, aty ku për disa ka kaos, e për disa ka krim. Hajdari, pa dyshim, do të ishte pjesë e saj, dhe titulli “dëshmor” zor se do të jepej ndonjëherë.

Me këtë përqasje në mendje, më qëndrojnë gishtat pezull mbi tastierën e laptopit.
Kursori pret duke pulsuar si me padurim. Ja që ndoshta ndihem paksa në faj — sikur po ia marr jetën për së dyti subjektit tim. Familja e vuan ikjen e tij, por unë, gazetari që shkruan këto portrete, guxoj e shkruaj duke u bazuar vetëm në fjalët e disave që thonë se e njohin. “Kam detyrim ndaj së vërtetës, por ç’rëndësi ka në këtë rast,” them me vete.

Kushdo që ai të ketë qenë, nuk do bëhet dëm pasi vdekja i rrumbullakos të metat.
Përkundrazi, do të ofrohet një ngushëllim për familjarët.

Punë pa dëm.

Dëmi bëhet kur shndërrimi i personalitetit pas vdekjes gropos të vërtetat historike të një kombi duke harruar me qëllim të metat e te ikurve. Mekanizmat e Sartre-ve të Shqipërisë shkruajnë dramat, ndërsa Barine-t gënjehen se po bëjnë punë me ideologji, dhe në ndonjë vend shumë privat, aty ku ndoshta nuk dëgjohet gjë, guxojnë dhe pëshpëritin “punë me heroizëm.”

Dëmi bëhet kur përdoret pasioni që Barine-t kanë ndaj Jessica-ve, principeve të tyre, por nuk kuptojnë se është thjesht një dramë. Një fiktivitet ku në fund të ditë u duhet të pranojnë fatin ashtu si Barine, i cili në fund të dramës së Sartre-it dorëzohet tek ata që e kërkojnë.

“Irrécupérable,” thotë ai në fund.

Por unë, ndoshta e kam një shans. Gishtat bien mbi tastierë, dhe artikulli merr formë.

© 2022 Toni Çaushi, të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin