MENDIME TË PAKREHURA (LXXXI)

(nga Stanislaw Lec*)

Tregoje ç’ke në vete, pa u zhveshur lakuriq.

Edhe arti i elokuencës i detyrohet artit të ventrilokistit.

Fantazia nuk e ka të drejtën për të qenë shpifje.

Artisti nuk bënte dot më përpara: publiku i ishte shtrirë te këmbët.

Mos ndiqni gjurmët e të mëdhenjve, se do të mbyteni! Në bajgat e tyre.

Ka një kategori gjenish, ku vetëm ata janë në gjendje të zbulojnë gjenij.

Kur ëndërroj, kam autorët e mi të preferuar, që nuk ekzistojnë kur jam zgjuar.

Po sikur fjalët t’u flasin më shumë fjalëve, se njeriut?

Atij që ia kanë zënë gojën, mos i kërkoni që t’jua thotë.

Një autor tragjik i denjë për emrin që mban, i përdor lotët me pikatore.

Kritiku duhet të vendoset ose nga ana e sallës, ose nga ana e skenës; përndryshe, perdja mund t’i bjerë në qafë si gijotina.

Arti nuk u kërkon artistëve talent, por vepra.

Thellësia dhe niveli i lartë: nuk janë e njëjta gjë.

Eunukët i përdorin edhe për të mbikëqyrur mendimet.

Kur i sheh gjithë këto statuja, thua se ende nuk kemi dalë nga epoka e bronzit.

Si rrufeja në qiell të kthjellët: kështu duhet të vdesë optimisti.

Publiku gogësinte, duke treguar dhëmbët.

Politika: gara me Kuaj të Trojës.

Zoti provoi kushedi sa fjalë, para se ta gjente atë që krijoi botën.

Refuzoni që t’jua imponojnë lirinë e fjalës para lirisë së mendimit!

Një vepër nuk e krijon detyrimisht autorin.

Para një fjale dridhuni nga emocioni, jo nga frika!

Mos ia hiqni penën nga dora, se mund të rrëmbejë topuzin.

Arti lulëzon atje ku e kanë plagosur.

Mungesa e epilogut nuk e pengoi publikun që të dilte nga salla.

As fjalorët nuk janë për t’u marrë tekstualisht.

Edhe gjuha e kërcënimit ka dialektet e veta.

 


(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Nouvelles pensées échevelées (frëngjisht).

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin