Leximi është para së gjithash akt fizik. Kur lexojmë një libër përdorim kryesisht sytë, por edhe duart, madje ndonjëherë edhe zërin, ose gishtin. Trupi merr pjesë në lexim duke iu përshtatur veprimit sipas dëshirës dhe zakonit të gjithsecilit. E dimë të gjithë se në të vërtetë lexon truri, por pa shqisat dhe gjymtyrët do të ishte e pamundur. Edhe të verbërve që lexojnë nëpërmjet alfabetit Braille u kërkohet të përdorin mollëzat e gishtërinjve.
Në librin “Të lexosh” të Georges Perec, të cilit i kam lexuar një ekstrakt, i kushtohet vëmendje leximit jo vetëm nga pikëpamja gjuhësore dhe semantike, por edhe nga ajo fizike. Shkrimtari francez përvijon edhe qëndrimet kryesore që marrim kur lexojmë. Kështu ai na kujton se lexojmë në këmbë (siç bëjmë me fjalorët), të ulur (në shumë mënyra, nga divani tek tryeza e punës, nga poltrona tek stoli i lulishtes), të shtrirë (përmbys, në shpinë, në krah), në gjunjë (siç bënë ndonjëherë fëmijët), të mbledhur kruspull (autori përmend Marcel Mauss-in që e paska mbrojtur këtë lloj leximi), në ecje (si priftërinjtë me ungjillin në dorë, ose si turistët sot me udhëzuesit).
Perec po ta kishte lexuar intervistën e kolegut të vet shqiptar Visar Zhiti, do të kishte mësuar se mund të lexohet edhe në pozicione të tjera. Shkrimtari i mirënjohur shqiptar, duke iu përgjigjur pyetjes “Cilat janë zakonet tuaja të leximit? Lexoni shtrirë në kurriz, përmbys, në tryezën e punës… ?”, rrëfen se gjatë viteve të burgut ka lexuar edhe “në këmbë, në rresht, pas kurrizit të tjetrit” (Mapo, 3 maj 2014). Nga thellësitë e së kaluarës totalitare na vjen kështu dëshmia e një mënyre tjetër leximi, gjithnjë nga pikëpamja fizike, që nuk kishte se si të parashikohej nga tradita demokratike perëndimore. Zhiti nuk jep hollësi të tjera, as nuk flet për objektin e leximeve të tij, por na sjell ndërmend vargonjtë e asaj kohe, që edhe pse mund të mungonin, të paktën simbolikisht ua lidhnin këmbët të burgosurve në rresht. Në imagjinarin perëndimor nuk mungojnë zinxhirët në këmbët e njerëzve të veshur me vija, por në duart e tyre janë disi të papërfytyrueshme librat ndërsa rrinë, ose ecin ngadalë, në rresht për një.
T’i inventarizosh të gjitha qëndrimet kur lexojmë nuk është e pamundur. Pozicionet nuk janë të pafundme. Megjithatë, gjërat ndryshojnë me kalimin e kohës. Le të marrim shembullin e gishtit. Deri në fillore shumë prej nesh lexonin duke e ndjekur rreshtin me gisht, çka ishte krejt normale në atë moshë, por që bëhej gati e turpshme kur rriteshe. E njëjta gjë ndodh me zërin. Kur je i vogël lexon me zë të lartë, duke shqipëruar rrokjet njërën pas tjetrën, shpeshherë ngadalë, duke hezituar dhe duke iu kthyer shkronjave. Mirëpo një i rritur nuk mund t’ia lejojë vetes të përdorë gishtin ndërsa lexon gazetën, ose ta shijojë revistën me zë të lartë. Do të shikohej shtrembër nga të tjerët përreth.
Ka edhe pozicione të tjera leximi. Më vjen ndër mend rasti i bandave muzikore që i lexojnë partiturat ndërsa janë duke ecur, ose drejtues automjetesh që e lexojnë gazetën edhe në intervale semaforësh, ulur vërtet por duke i dhënë makinës (çka është tejet e rrezikshme nëse fillon ecjen). Po gratë e shkreta që detyrohen të lexojnë në gatim e sipër? Në një dorë lugën e drunjtë, duke përzier gjellën, në tjetrën librin, në rastin më të mirë atë të kuzhinës. Por nuk duhet harruar edhe sistemi ReadingMate, për të cilin është folur kohë më parë; një lloj syzesh që të mundësojnë leximin ndërsa vrapon, sepse lejon fokusimin e shkronjave ndërsa trupi është në lëvizje e sipër. Zgjidhje ideale për individin postmodern që e kalon kohën ose në zyrë mbi letra, ose në palestër mbi tapis roulant.
Por pyetja mund të shtrohet edhe në të kundërt. Në çfarë pozicionesh nuk mund të lexojmë? Në vertikale, me siguri është e pamundur; ndoshta edhe kur notojmë, por mbi të gjitha nuk mund të lexojmë kur bëjmë dashuri. Kjo në praktikë, se teorikisht është e mundur, meqë Kamasutra e përjashton leximin e filozofisë orientale në çastet intime, por edhe në atë rast mund të ketë përjashtime.
Po të shikosh sot trenat, autobusët, tramvajet, metrotë, do të vëresh njerëz që e përdorin gishtin në lexim e sipër. Kthim i gjysmëanalfabetizmit ose i vështirësive në lexim? Jo. Sot kemi mjete moderne të komunikimit e të leximit njëkohësisht, pjesa më e madhe të cilave bazohet në teknologjinë touch screen. Për të lexuar një libër, një gazetë, ose revistë, në iPad ose tablet duhet të përdorësh gishtin për ta çuar faqen ose paragrafin më tej. Në këtë pikë nuk mund të mos të na vijë ndërmend detaji i librit helmues tek “Emri i trëndafilit” i Umberto Eco-s (për ata që nuk e mbajnë mend, bëhej fjalë për faqet e helmuara të kopjes së fundit të vëllimit të dytë të Poetikës së Aristotelit, që fliste për komiken dhe të qeshurën).
Sidoqoftë, të gjitha pozicionet e leximit janë qëndrime që shprehin liri, sepse libri në dorë është shenjë dhe akt lirie, çlirimi, emancipimi, madje edhe kur jemi në rresht, të mpirë e të prangosur.
Pishak, si gjithnje shkrimet e tua ngrene probleme qe kemi per tendence t’i harrojme. Mendoj se kohet tona duhet t’i ngreme nje monument leximit ne metro. Une nuk e di si do te ishte jeta ime keto pothuaj njezet vjetet e fundit, po qe se nuk do te lexoja gjate udhetimit ne metro. Kujtoj vite me pare kur punoja disi larg shtepise dhe kthehesjha ne mesnate me metrone e fundit. Isha pothaj vetem apo ne shoqerine e ndonje te dehuri apo prostitute. Bezdisem shume kur me flasin njerez te panjohur, me perjashtim te rastit kur me kerkojne ndihme per gjesendi. Nuk e kisha marre ende zakonin e te lexuarit ne metro dhe ndihesha pothuaj i trishtuar. Ate qe ishte kohe e humbur, kohe e vdekur, vetem te lexuarit m’a ktheu ne nje nga periudhat me te bukura te dites. Por me kohe vura re se nuk mund te lexoja me gjekundi po qe se nuk ndjenja lekundjen e lehte te metrose sime automatike, shume te rehateshme dhe mjaft te bolleshme. Kjo ka rendesi sepse fjala vjen ne Londer vetja me duket sikur jam ne nje metro kukullash, ndersa ne Paris nuk lexon dot sepse ka kallaballek te madh dhe gjithnje do te ndjesh nje berryl ne ije.
Ke shumë të drejtë Lyss. Madje unë do t’ia ngrija monumentin leximit të metrosë mu në metro. Edhe unë mundohem ta shfrytëzoj kohën e metrosë, autobusit, trenit, për lexime çfarëdo. Edhe vetë Peizazhe të fjalës, nëpërmjet mjeteve të reja teknologjike, e lexoj shpesh në udhëtim e sipër. Pozicionet janë të zakonshmet: ulur ose në këmbë, i pari më komod si qëndrim, më pak natyrisht i dyti. Kur ka shumë njerëz në metro ose në bus, leximi bëhet i vështirë, jo vetëm nga bërrylat, por edhe nga ata tipat që zgjasin kokën si lejlek dhe mundohen t’i hedhin një sy faqes tënde. Bezdia që ndjen njeriu ndoshta ka lidhje me faktin se leximi është, midis të tjerash, edhe akt intim: midis teje dhe librit.