TË FLASËSH MIRË, TË SHKRUASH KEQ

Në çdo orë mësimi që shkuam, nga fillorja në klasën e fundit të gjimnazit, takuam nxënës që e zotëronin mirë shqipen e folur standard por që, sipas mësueseve, kishin probleme si me standardin e shkruar, ashtu edhe me të shprehurit me shkrim.

Asgjëkund nuk dëgjuam të folur në dialekt, madje as në dialektin e Tironës, që përndryshe priret të përcaktojë regjistrin e shqipes bisedore urbane në kryeqytet – madje i vetmi person që fliste një tironçe të lehtë qytetare ishte njëra prej mësueseve.

Përshtypja ime është se kjo cilësi e shqipes së folur i detyrohet shumë televizionit; ndërsa problemet me gjuhën e shkruar shpjegohen më shumë me leximet e pamjaftueshme dhe interferencat edhe sintaksore nga shqipja stenografike që përdorin sot fëmijët në komunikimin me SMS ose në chat.

Sërish, puna e Ndërakademikëve së bashku me vëmendjen që po u kushtojnë atyre mediat më duket pa lidhje me sfidat gjuhësore të shkollës.

Do të më thonë se Shqipëria nuk është Tiranë dhe se kalimi nga dialekti në standard, në të dyja nivelet, edhe të shkruar edhe të folur, mbetet traumatik në periferitë rurale; por, në fakt, sa u përket zhvillimeve demografike, Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shumë Tiranë, pa çka se ky nuk është ndonjë zhvillim për t’u përshëndetur.

Pyetëm, në fillore, nëse kishte aty fëmijë që kishin ardhur në Tiranë me familjet e tyre nga provinca e thellë, veçanërisht nga Veriu. Na treguan një djalë, i cili i kishte prindët nga Tropoja – por që nuk kishte pasur kurrfarë vështirësie për t’u integruar në standard; madje ishte nga më të mirët në klasë.

Çfarë është më e rëndësishme, mësuesja pothuajse nuk e kuptoi pyetjen që i bëmë, meqë integrimi gjuhësor i fëmijëve bartës të dialektit, të paktën në atë shkollë me nxënës relativisht të zgjedhur, nuk shihej si problem.

Ndërkohë, kolegia ime ishte në gjendje të dallonte, me veshin e saj të stërvitur, nuanca të lehta dialektore në ligjëratën e fëmijëve; por vetëm në nivelin fonetik.

Mësimi i shqipes në shkollë kërkon vëmendje të ngutshme; dhe këtë e nxjerr në pah edhe orientimi i fundit (apo vendimi?) për ta bërë të detyrueshëm testimin gjuhësor të studentëve në universitetet; por ta lidhësh këtë me dialektet, gjeografinë dhe rezistencën lokale mund të mos përkojë me realitetin fare.

Nxënësit kanë vështirësi në të shkruar; ose pikërisht në një aktivitet i cili duhet mësuar me vetëdije, nëpërmjet praktikës sistematike dhe kontaktit të pandërprerë me shkronjën. Meqë dialekti, me përkufizim, nuk ekziston në trajtë të shkruar, atëherë vështirësitë aktuale të mësimit të shqipes në shkolla nuk mund të adresohen duke e rritur vëmendjen ndaj dialektit dhe, veçanërisht, ndaj gegnishtes.

Këto janë vetëm përshtypje, natyrisht; por në kushtet kur mungojnë studime të gjera dhe statistikisht relevante, përshtypjet marrin rëndësi tjetër.

No Comments

  1. Nese eshte keshtu, pra qe flitet mire dhe shkruhet keq standardi, pse atehere duhen pranuar si normale ndryshimet e fundit qe propozon Keshilli Nderakademik, qe pervec shumesit p.sh teater-teatro, sugjeron edhe reduktimin e “ë” se pathekse ne disa fjale qe ne regjistrin e folur priret te bjere? Pra, sa kohe qe kemi nje perdorim verbal te mire te standardit, atehere problemi fonetik nuk qendron. Pyes ngaqe ne intervisten me Aleksander Furxhiun, Ju deklaruat se “ndryshimet e propozuara nga Keshilli nuk kane asgje te keqe ne vetvete”, por ato kane si minus se largojne vemendjen nga problemi kryesor qe eshte mesimi i standardit ne shkolla. Ne driten e ketij vezhgimi qe sillni ketu, propozimet e Keshillit, i bie te jene kryekeput arbitrare.

    1. Me sa kuptoj unë, në propozimet e veta, Këshilli Ndërakademik mbështetet mbi kritere thjesht formale dhe strukturore, jo në vëzhgime në terren.

      1. Gjithsesi, mua më duket i arsyeshëm propozimi për të shkruar antar, njëlloj si lojtar dhe amtar; por i paarsyeshëm arsyetimi se ky ndryshim duhet bërë ngaqë ë-ja paratheksore është dobësuar. Fakti që drejtshkrimi i shqipes u themelua mbi parimin fonetik nuk detyron gjë që ta ndryshojmë atë drejtshkrim sa herë që ka ndryshime në fonetikë.

  2. Jam i paqarte nga titulli flet mire(shqipen e folur standarde) por e shkruan keq(shqipen e shkruar standarde).

    Kjo ka nevoje per tu sqaruar, sepse si gjuhe qe shkruhet bazuar kryesisht ne fonetike, si eshte e mundur te kete kaq mosperputhje.

    Mua me tingellon sikur ka nje kontradikte, megjithate prandaj 2xha mund te na beje nje elaborim ne lidhje me gjuhen e folur standarde vecanerisht ne kryeqytet.

    Si eshte e mundur te kete nje konflikt kaq shume dimensionesh midis fonetikes (se folures) dhe shenjave, simboleve fonetike kur e folura transliterohet ne te shkruar, transferohet ne tekst? Per cfare gabimesh drejtshkrimore behet fjale?

    Shpresoj te jem shprehur qarte aq sa duhet “to make sense” ne ate qe kam dashur te them.

    1. Për fat të keq, nuk patëm rast t’i shohim gabimet e nxënësve në shkrim; që flisnin mirë, këtë e dëgjuam ne vetë; që kishin probleme në të shkruar, ose që shqipja e tyre e shkruar nuk ishte në lartësinë e të folurës, këtë na e thanë mësueset. Por nuk është thjesht punë drejtshkrimi, nga sa kuptova unë.

      1. Xha Xha, nese te jepet rasti te besh observime te tilla ne ore mesimi, do te ishte me interes te na sillje nje investigim me te detajuar rreth deshmise te mesueseve “shqipja e tyre e shkruar nuk ishte në lartësinë e të folurës”, sidomos nese dyshohet qe nuk eshte thjesht ceshtje drejtshkrimi.
        Zakonisht te folurit(me perjashtim te rastit te fjalimeve te parapregatitura) eshte me spontan, njesia baze e gjuhes se folur eshte intonacioni. Kurse gjuha e shkruar ka per njesi baze fjaline. Fjalite jane karakteristike e gjuhes se shkruar; nxenesit parasegjithash perballen me rregullat sintaksore, semantike te njesise te tekstit, fjalise. Ne shkrim, fjalia duhet te jete e plote qe te mundet rri ne kembe me vete, ne ndryshim nga gjuha e folur, ku kallzuesi dhe subjekti i tij, mund te krijojne njesi lineare, pa qene ndoshta nevoja te kene nje ndarje me thike si eshte rasti i fjalise te shkruar.
        Kur vjen puna tek shkrimi, nga vete natyra, kerkon nje planifikim me rigoroz, ku pervec kallzuesit dhe subjektit(kryefjales) ka nevoje edhe per strukturat, pjeset e tjera mbeshtetese te fjalise. Pra nuk mjafton te dish te nisesh fjaline me shkronje te madhe, apo te vesh shenjat e pikesimit ne fund te fjalise, qe jane pjese e drejshkrimit, por duhet te hapesh nje perspektive te re ne te kuptuarin e koncepteve, te shprehurin e mendimit abstrakt.
        E kam shume me dyshim theniet e mesuesve; jam dakord qe shkruajne keq, por kjo eshte me shume e lidhur me strukturen e fjalise, aspektet gramatikore, sintaksore, semantike, aftesine abstraguese dhe te formulimit te mendimit, sesa thjesht drejtshkrimi.
        Te shkruash mire ka te beje me shume me nje menyre (te re) te menduari, te mesuarit te zbatimit te formave sintaksore dhe strukturave te tekstit, bile nese eshte e nevojshme, futja e formave te reja, nese do te ndohmoje per te konceptuar me thelle dhe shprehur si duhet mendimin.
        Te shkruarit keq, kur te folurit qendron me larte eshte nje argument qe nuk te bind kollaj, sepse te dy jane mediume shume te ndryshme dhe veshtire te krahasueshme. Struktura e fjalise se shkruar, nuk ka te beje shume me drejteshkrimin. Keshtu qe gishti duhet drejtuar tek edukatoret e gjuhes, qe duhet te jene te pergatitur mjaft, qe te mund t’i mesojne nxenesit te shkruarit me nje nivel te kenaqshem, gje qe ka te beje me shume me anen strukturore te gjuhes qe te transmetoje ne nje nivel te pelqyeshem te menduarin abstrakt.
        Prandaj shoh nje kontradikte, sic edhe permenda ne komentin e fillimit, qe duhet zhbiriluar per te shkuar tek e verteta.

        1. Pas pak do të nxjerr një shkrim të koleges sime, dhe që ndoshta ndihmon në këtë diskutim, sepse merret pikërisht me fjalinë, sintaksën dhe metodikën e gjuhës shqipe në shkollë. Përndryshe, kemi ndërmend t’i vazhdojmë vizitat tona dhe, kushedi, të hedhim në dorë edhe materiale të shkruara nga nxënësit.