NE FLASIM, JU DËGJONI

Në një artikull te Gazeta Shqiptare, Kiço Blushi denoncon atë çka ai e quan “politikë me ‘i bëjmë thirrje…’!”, dukuri e cila është përhapur në mënyrë virale, duke infektuar një pjesë të madhe të ndërfaqes midis mediave dhe palëve në komunikimin publik.

Shkruan Blushi:

Sot nuk ka lëvizje protestë, demonstrim qytetar e opozitar që kërkon një zgjidhje urgjente apo afatgjatë, me interes..vetjak, shoqëror e mbarëkombëtar e të mos nisë me fjalët “I bëjmë thirrje kryeministrit Berisha që Të përmbyturit, ata që kërkojnë dëmshpërblim për vuajtjet e diktaturës e pronat e mohuara, ata që i ka kapluar tërmeti, rrëmeti apo rrëshqitjet, ata që kërkojnë hapjen me çdo kusht të kutive, ish-ushtarakët, ish-minatorët e Bulqizës, të shpronësuarit e pakënaqur që herë pas here bllokojnë rrugët nacionale, zëdhënësit recitonjës të partive, zëmarrësit e kryetarëve, deputetët e emëruar, paraplegjikët, pensionistët, të uriturit, “të zgjedhurit”, të papunët, analistët e varur e të mosvarur, i gjithë ky milet i kënaqur e i pakënaqur i kësaj bote, herë pas here i drejtohen kryeministrit me fjalët, në mos ultimative, lutëse, në mos kërcënuese, paralajmëruese: “I bëjmë thirrje…”.

Artikulli duhet lexuar; Blushi ka kapur dhe analizuar një simptomë tipike të komunikimit publik, ku profka merr përparësi ndaj thelbit dhe dukja ndaj substancës. Këtu nuk do të merrem me çfarë ngrihet në artikull, por me diçka tjetër – dhe pikërisht me natyrën e shprehjes “i bëj(më) thirrje”, e cila po shoqëron tashmë, si lejekalim, çdo orvatje të palëve dialoguese për t’i tërhequr vëmendjen publikut, gjatë procesit të kundërvënies politike ballore.

Çfarë është kjo “i bëj(më) thirrje” pikërisht?

Para së gjithash, le të sqarojmë se shprehje të tilla i përkasin stilit të lartë ose regjistrit formal; përndryshe, në situata familjare dhe intime, përdorimi i tyre është i pamendueshëm. Nëse një çun i vogël hipën në fik, e ëma poshtë nuk ka për t’i thënë: “Të bëj thirrje të zbresësh nga fiku menjëherë!”, as ka për t’u deklaruar komshinjve se “I bëj thirrje tim biri të zbresë nga fiku menjëherë!”; një “zbrit nga fiku”, e thënë me tonin e duhur, do të mjaftojë.

Megjithatë, edhe në kontekste informale, ka një varg foljesh dhe shprehjesh të cilat përdoren në mënyrë të ngjashëm; p.sh., i jati mund t’i thotë atij çunit në darkë: “Kush të mësoi të hipësh në fik?”, por mund edhe t’i thotë: “Po të pyes edhe një herë, kush të mësoi të hipësh në fik?”

Në këtë rast të dytë, pjesa me shkronja korsive (po të pyes edhe një herë) nuk është veçse një përshkrim i shkurtër i aktit gjuhësor që kryen folësi – meqë i jati vërtet po e pyet të birin edhe një herë.

Normalisht, kur flasim, nuk i përshkruajmë as emërtojmë në mënyrë eksplicite aktet ligjërimore; përndryshe, do të na duhej ta paraprinim çdo thënie me “po të them”, “po të pyes”, “po të përgjigjem” etj. Kur dikush flet, vetëkuptohet se është duke thënë diçka; kur dikush pyet, vetëkuptohet se është duke pyetur.

Prandaj, kur akti gjuhësor përshkruhet ose emërtohet, kjo bëhet zakonisht me një qëllim të caktuar – dhe qëllimi është, të paktën si rregull, që t’i tërheqë vëmendjen dëgjuesit drejt vetë aktit gjuhësor.

Kur i jati i thotë fëmijës:

Po të pyes edhe një herë, kush të mësoi të hipësh në fik?

Jo vetëm kërkon prej tij informacionin përkatës, por edhe i lë të kuptojë se është duke e pyetur/marrë në pyetje; çka riprodhon një marrëdhënie të autoritetit – sa kohë që marrëdhënia e fëmijës me prindin është e tillë, që fëmija duhet të përgjigjet, kur prindi i bën një pyetje.

Tani, nëse një forcë politike i drejtohet, bie fjala, kryeministrit Berisha, për t’i thënë:

Ju bëjmë thirrje, zoti kryeministër, ta rishikoni vendimin e qeverisë për ta ndaluar konsumin ushqimor të qumështit të papasterizuar.

Kjo forcë jo vetëm i kërkon kryeministrit diçka konkrete – të rishikojë një vendim qeveritar – por edhe përfiton nga rasti për të (ri)shprehur pozicionin e vet si palë në dialogun politik, nëpërmjet afirmimit të kompetencës së saj për t’i bërë thirrje kryeministrit.

Në semantikë dhe në pragmatikë, folje të tilla si kërkoj, pyes, lutem, lyp, ftoj, udhëzoj, urdhëroj, diktoj etj., grup ku bën pjesë edhe shprehja jonë (i) bëj thirrje, i quajnë edhe folje direktive; prania e foljeve të tilla në thënie performative provon, drejtpërdrejt ose tërthorazi, se folësi (ose subjekti i thëniezimit) kërkon të tërheqë vëmendjen ndaj vetes, duke konfirmuar prerogativën përkatëse. Kështu, vetëm i zoti i shtëpisë mund të thotë, normalisht, ju ftoj të hyni brenda; vetëm një epror mund të thotë, gjithnjë normalisht, të urdhëroj të zbresësh nga pema, e kështu me radhë.

Megjithatë, analiza e shprehjes i bëj(më) thirrje nuk mund të ndalet këtu; sepse kjo shprehje, e përdorur në kontekste të ligjëratës së zhdrejtë, nuk është më performative.

Kështu, një gjë është të thuash:

Ju bëj thirrje, zoti kryetar i opozitës, që të ktheheni në tryezën e bisedimeve!

Dhe një gjë tjetër të thuash:

I bëj thirrje zotit kryetar të opozitës që të kthehet në tryezën e bisedimeve.

Thënia me kundrinë në vetë të dytë (ju bëj thirrje) është performative; thënia me kundrinë në vetë të tretë (i bëj thirrje zotit kryetar të opozitës) është edhe performative, edhe përshkruese.

Pyetja e parë, së cilës duhet t’i përgjigjemi tani është se kujt pikërisht i drejtohet thënia:

I bëj thirrje zotit kryetar të opozitës që të kthehet në tryezën e bisedimeve.

Publikut? Apo përsëri kryetarit të opozitës? Nëse i drejtohet kryetarit të opozitës, atëherë çfarë e dallon nga thënia e tipit ju bëj thirrje… ku folësi i drejtohet kryetarit të opozitës drejtpërdrejt?

Atëherë publikut? Përsëri jo. Një njoftim për publikun do të tingëllonte pak a shumë kështu:

I bëra thirrje zotit kryetar të opozitës që të kthehet në tryezën e bisedimeve.

Ku trajta bëra thirrje i referohet një akti ligjërimor i cili tashmë është kryer – dhe vetë thënia ka natyrë krejtësisht dëftore (bëra kështu dhe ashtu).

Prandaj kemi arsye të mendojmë se thënie të tilla si:

I bëj thirrje zotit kryetar të opozitës që të kthehet në tryezën e bisedimeve.

Ku kundrina e foljes performative del në vetë të tretë, në të vërtetë jo vetëm tërheqin vëmendjen e publikut ndaj autorit të thënies (folësit, subjektit të thëniezimit), por edhe i drejtohen formalisht kundrinës (këtu: kryetarit të opozitës), në mënyrë të tillë që ta shmangin efektin performativ, ose ndërveprimin midis palëve në komunikim.

Të gjithëve na kujtohet, nga fëminia, një situatë kur njëri prej prindërve, ta zëmë nëna, është idhnuar me të birin dhe nuk i flet me gojë. Babai ndërhyn, duke e marrë të birin nga dora, për ta afruar tek e ëma dhe për t’i thënë kësaj: “fale, se nuk e bën më”. Dhe nëna përgjigjet: ka bërë faj të rëndë, nuk e fal kurrë; duke folur në vetë të tretë, edhe pse thënia, në thelb, i drejtohet të birit, që është i pranishëm.

Shembulli mund të ndihmojë për të kuptuar se, edhe autorët e thënieve të tipit i bëj(më) thirrje… në thelb i japin publikut këtë mesazh: ne vërtet nuk duam të flasim me kryeministrin, kryetarin e opozitës (ose çfarëdo destinatari tjetër të shprehjes i bëj(më) thirrje), por duam që ju të na dëgjoni me vëmendje, kur ne bëjmë sikur po flasim me të.

Pse nuk duam të flasim? Sepse po të donim të flisnim, do t’i drejtoheshim në vetë të dytë. Përkundrazi, përdorim vetën e tretë, sepse e vetmja gjë që na intereson në këtë moment, është që ju, publiku ynë, të kujtoni se ne jemi përnjëmend të interesuar për dialog me palën tjetër.

Nëse është kështu, atëherë shprehja i bëj(më) thirrje e ka vendin në fondin e artë të bullshit-it në shqipen e sotme publike.

Natyrisht, me këtë nuk dua të them se kushdo që e përdor, e përdor në mënyrë profkatare; sepse mënyrat e të shprehurit janë ngjitëse dhe përhapen me shpejtësi, duke i kapërcyer barrierat kuptimore dhe pragmatike. Përshtypja ime është se shumëkush thotë i bëj(më) thirrje sepse i tingëllon mirë, ose i duket sikur ashtu po flet në mënyrë dinjitoze dhe mediatike, duke e paraqitur veten mirë në sy të publikut; meqë të tjerë folës që ai admiron ose imiton thonë rëndom i bëj(më) thirrje, çka ia garanton vlerën stilistike shprehjes vetë. Kjo nuk i shfajëson përdorimet e shumta; por vetëm përdoruesit përkatës; përndryshe, i bëj(më) thirrje do të bënte mirë të shporrej nga ligjërimi publik shqip një orë e më parë.

Nuk ka komente

  1. Xha xha e ndoqa menjëhere ate referencen tende, dhe iu versula artikullit te Blushit, vertet i kenaqur qe se fundi paska shkruar diçka qe ia vlenka. Si ne ato artikujt e qemotshem te ZP, qe kur te keputje nje te share per revizionizmi , duhej te keputje nje edhe per imperializmi, qe te mos krijohej pershtypje se po rreshqasim ne preherin e njerit a tjetrit, edhe ai keshtu bente. Faj ka Berisha, por ka edhe opozita.

    Por me sa duket,jeta ne organizaten e partise Blushit i ka mesuar ca marifete, kur si pa te keq thote:

    Sepse edhe në demokraci të brishta, si kjo e jona, faj nuk ka vetëm ai që është në pushtet e shndërrohet në diktator…..

    E pra, une e kuptoj se ty te interson vetem nje fraze e Blushit, per te shtjelluar nje mendimin tend, por po te ishim ende me diktatore e diktatura, Blushi nuk do te shkruante keshtu si shkruan.

    Me teseren tashme te gdhendur ne gjoks, ai me kete fraze ben punen e partise, ne gazetat e financuara prej Italisë, duke u kujtuar njerezve se kemi ca mitingje perpara dhe tani merreni vesh se pushteti nuk del nga me “i bejme thirrje…” po nga grika e puçkës!

    1. Qato,

      nuk e kuptoj dot këtë historinë tënde të konspiracionit. Blushi paska pasur një tesër të kuqe (vetëm ai, meqë po të ha meraku?)…, shkruan në një demokraci (cilën?)… në një gazetë të financuar nga Italia, bën punën e Partisë (PPSH gjë?)…

      Ndoshta unë jam pak i trashë dhe nuk të kuptoj. Bëj sevap dhe ma shpjego të lutem se Italia në këtë histori është e mirë apo e keqe.

      Shkruan: “Grika e Puçkës”

      Ke gjë ndonjë teori personale për ndonjë gjendje senile retroinfantile të Enver Hoxhës të panjohur? Për këtë ta kesh pasur fjalën?

      Scherzi a Parte.

      Nuk më duket gjë një mënyrë aq fisnike të hedhësh poshtë një artikull të Blushit ngaqë ky paska shkruar dikur para 20 – 30 vjetësh tek ZP, ndërkohë që as profesionale apo serioze nuk ka si të jetë. Blushi shkruan me shumë kurajë civile prej shumë vitesh dhe është një penë që lexohet pavarësisht nga bindjet personale të lexuesit. Ai është aq sa ka mundësi objektiv dhe mbetet një pasurim i gazetarisë shqiptare. Nëse paska shkruar para 20 – 30 vjetësh për ZP, nuk me rezulton ndonjë penë e fortë e regjimit të atëhershëm. Kjo që bën ti është hedhje balte, gjë që nuk ka më sot asnjë kuptim. Në fund të fundit Blushi, që edhe sikur njeriu më i keq i botës të jetë ka kapur një problem konkret, qe ekziston SOT në mënyrë të neveritshme në retorikën e skenës politike shqiptare. Xhaxhai e trajton si teme me kompetencën e duhur. Ajo që nuk kuptoj unë është se pse detyrimisht do të të duhej të lindte ty nevoja për t’i bërë atë lloj interpretimi aq sportiv çështjes???

  2. I bejme thirrje, meqe thirrja eshte quajtje e dickaje me ze te larte dhe ne kete rast quajtja nenkupton kerkese, atehere do te thote kerkojme me ze te larte . Keshtu ‘zeri i ulet’, zeri institucional dhe i miresjelljes supozohet se nuk sjell fryte.

    Kesi thirrjesh behen rendom edhe ne parlament, keshtu qe mund te thuhet se nuk mund te behet politike pa ‘ze te larte’.
    Po zeri i larte eshte zeri i sheshit dhe i tregut, keshtu qe ai qe ben thirrje nuk u drejtohet institucioneve por tregut dhe sheshit.
    Nga ana tjeter duke qene se kemi te bejme me kerkese, kjo mund ti drejtohet vetem institucioneve, keshtu qe mund te thuhet se tek, i bejme thirrje, kemi nje njeri qe flet me ze te larte, zeri ben ‘jehone’ ne shesh e ne treg dhe shkon i zmadhuar ne force tek institucioni.

    Pra individi qe ben thirrje paraqitet si katalizatori i nje kerkese te heshtur te sheshit dhe tregut.

    Kjo vemendje e vazhdueshme ndaj sheshit (dhe tregut), krijon ngerc ne komunikimin politik dhe publiku shquan tek sheshi (dhe tregu) vendin e perballjes politike. Politikani keshtu kthehet ne kryeturmes, sic eshte ne fakt endrra e cdo politikani te njohur shqiptar.

    Nje vendosje e ketille e dialektikes politike, deshmon qe institucionet,( ne radhe te pare parlamenti), nuk kane pavaresi prej atyre qe jane ne krye te turmes/sheshit, gjate gjithe mandatit.

    Po kjo eshte dukuri qe ne shek 21 verehet ku me shume e ku me pak kudo ne Europe, sa me teper mediat lidhin drejtperdrejt udheheqesit me popullin. Politikanet qe sherbenin si ndermjetes (ashtu si me ambasadat qe kane perhere e me teper rol spiunazhi) tashme jane te tille vetem formalisht, jane surrogate te udheheqesve, tip sozish.

    Iku edhe koha e ndarjeve, largimeve nga partite qe ishte shenje pozitive, mbledhja e votave ne masen 81% ne dy partite kryesore, eshte ogur i keq, sepse dialektika e thirrjeve i nxjerr jashte loje edhe ata 19% te ngelurit, pasi skane takat te therrasin.

  3. Pifto

    Nese i ke marre ne konsiderate gjitha anet nderhyrjes sime (edhe humorin me parate e Italise, por me duket se vertet GSH pronarin e ka italian), ne interpretimin tend dashamires, pse vetem frazen inspiruese te saj ate nuk e permend?

    Per ta kujtuar ajo ishte:

    Sepse edhe në demokraci të brishta, si kjo e jona, faj nuk ka vetëm ai që është në pushtet e shndërrohet në diktator…..

    Nese Kiço ka humbur çdo aftesi per te shquar natyren e nje vendi a qeveritari (dhe kete nuk arsye te mos e shoh me qendrimet e tij ekstreme e plot urrejtje), nese ai me ato bindje qe ka nuk sheh asnje dallim midis nje demokracie, demokraci te pakryer, diktature etj, me thuaj te lutem edhe ti ashtu mendon?

  4. Argetohem fort me analizat gjuhesore te xhaxhait… sidomos me shembujt qe jep. Une besoj se gjetja e shembullit te sakte dhe lloji i tij mes nje morie shembujsh te mire, eshte cfare dallon nje gjuhetar qe ka genin e gjuhetarit dhe qe ben analize gjuhesore ashtu sic edhe merr fryme, dhe nje tjetri qe e ben per sport apo profesion.
    Mendoj sidoqofte se vetem formalisht e ne dukje “i bejme thirrje” dhe “ju bejme thirrje” mund te analizohen si te ndryshme. Duke perdorur terminologjine e mesiperme: “Ju bej thirrje” pozon si performative, por ne fakt eshte edhe pershkruese; Gjithashtu “i bejme thirrje”, vec shpjegimit te mesiperm si dhe arsyeve te perdorimit te saj nga ndonje i infektuar padashje nga moda e te thenit “i bejme thirrje” (po ashtu e thene me lart), mund te perdoret edhe per te treguar njesimin e folesit me turmen se ciles po i flet ne procesin e “thirrjeberjes”, teksa i ben thirrje ne fakt dikujt tjeter. Kjo eshte pak me e ndershme si strategji e komunikimit publik sesa shpjegimi i dhene me lart. Besoj se qe te dyja shprehjet pasqyrojne probleme ne etiken e folesit. po ashtu qe te dyja jane manipuluese.

    1. Në fakt, ED, po mendoja më pas se i bëjmë thirrje dallon nga ju bëjmë thirrje edhe ngaqë preferohet në ato kontekste ku personi të cilit i bëhet thirrje nuk është fizikisht i pranishëm.

      Nga pikëpamja e dinamikës së ligjërimit, është normale që dikush ta ketë problem t’i drejtohet dikujt tjetër në vetë të dytë, nëse ky nuk është aty. Për më tepër, veta e dytë në këtë rast është emocionalisht e ngarkuar – herë pozitivisht, herë negativisht.

      Për shumë prej nesh veta e dytë e kundrinës (ju bëjmë thirrje) bashkëshenjon afërsi: familjaritet, ose armiqësi; prandaj përdorimi i saj, kur referenti nuk është i pranishëm në kontekst, sjell me vete një lloj angazhimi (commitment) të cilin folësi ndonjëherë nuk e dëshiron.

      Përkundrazi, veta e tretë e kundrinës (i bëjmë thirrje) bashkëshenjon mos-angazhim, nëse mund ta quaj kështu. Folësi vërtet i drejtohet tjetrit, por vetëm skiç, ose jo në mënyrë të tillë, që të investojë krejt statusin e vet në dialogun ose duelin me të.

  5. Per vete pozicionin qe kane patur, nuk besoj se prinderit e mi do te jene ndonjehere te shohin djathtas, por edhe ata nuk e fshehin nervozizmin qe u shkakton emri i K.B. Se çfare kane me te, une nuk e di. Di se eshte nga te paktat raste qe duan ta nxjerrin jashte radheve edhe nga kampi i tij, sikur i kompromenton ai emer.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin