BIDONI

nga Endrit Marku

Prej disa muajsh jetojmë me qira tek “Ali Demi”, në një nga ato pesëkatëshet e Enverit. Dhjetë vitet e fundit i kemi kaluar tek Komuna e Parisit në një bllok të ndërtuar pas viteve dy mijë. Aty, ndër të tjera, kishim parkimin tonë me qira. Shpenzimi sikur e justifikonte veten, pasi na kishte çliruar nga bezditë e përditshme të lidhura me makinën, nga ecejaket për të gjetur një vend, dëmtimet pa adresë e angari të tjera. Ndërsa presim t’i rikthehemi së shpejti rutinës së Komunës, përditë e më shumë po e njohim si banorë, jo thjesht si vizitorë, lagjen që po na mirëpret. Realiteti i të jetuarit tek blloku me pesëkatëshe i “Ali Demit” ndryshon nga jetesa e mëparshme. Në mbrëmje kthehemi me pasigurinë e të gjeturit të një vendi për të lënë makinën. Sillemi me fëmijët në sedilen e pasme në kërkim të një parkimi nëpër rrugica mbushur me makina, të ndalura anës rrugës me bllokazh ndezur, mes vendeve të zëna, dhe, këtu qëndron veçoria e këtij teksti, mes vendeve të zbrazura. Nëpër lagje ka shumë vende që qëndrojnë bosh për orë të tëra, gjithë ditën, deri darkën vonë. Në fakt ato janë pjesërisht të zbrazura pasi në mes të drejtkëndëshve të asfaltuar qëndron vetëm një objekt i vogël, që nuk e justifikon hapësirën që zë me masën që ka. Në shumë nga vendparkimet e lagjes ku po jetoj ka nga një bidon, nga ato pesëlitërshet bojë qielli, që i gjen në shumicën e shtëpive shqiptare.

Bidonët janë të lirë, janë të njëjtë, të tejdukshëm, në ta mund të gjesh ujë ose guralecë që të mos i marrë era. Nuk i dihet i zoti, pasi ata janë vendosur përballë banesave kolektive. Mbi rrugë ngrihen fasada me plot dritare. Në secilën prej tyre mund të jetë dikush që me vigjilencë pret që ti të gabosh duke e hequr bidonin. Veshët e tyre, të ndihmuar nga muret pa izolim dhe zhurmat e vazhdueshme të qytetit janë stërvitur që ta dëgjojnë heshtjen e fikjes së motorit poshtë dritares. Nëse do të guxosh ta prekësh bidonin, me gjasë do të të vijë sulmi verbal nga ndonjëra prej dritareve, e ai sulm nga verbal mund të shndërrohet shumë shpejt në konflikt me shumë të panjohura. Nëse askush nuk do të dalë, mbase sherrnaja do të të presë të nesërmen në mëngjes ndërkohë që po nxiton për në punë. Ekziston dhe mundësia e tretë, që e gjitha të zgjidhet përmes ndonjë sulmi nokturn drejtuar makinës. Përdorimi i arsyes në përballjen potenciale është deri-diku i kotë, pasi edhe po të argumentosh që parkimi është publik, nuk mund të mohosh faktin tjetër, që bidoni mbi të cilin vure duart është privat.

Marrëdhënia bidon-pronar është e veçantë, ajo duket sikur ndjek disa nga skemat e panoptikonit të teorizuar nga Benthami. Panoptikoni duhet të ishte një burg rrethor. Qelitë e të burgosurve qëndronin të dukshme përgjatë perimetrit, ndërsa më mes kishte vetëm një dhomë, ku duhet të rrinte inspektori. Aty i fshehur nga perde ose mjetet të tjera ai vështronte çdo gjë. Dhoma e inspektorit mund të kishte një ose dhjetë rojtarë brenda saj, ajo mund të ishte dhe bosh, pasi vetë vendndodhja dhe natyra e saj mjaftonin për t’i shkurajuar banorët e qelive nga kryerja e veprimeve të ndaluara.

Bidonët rrethorë qëndrojnë të paprekur nëpër rrugët e lagjes si qendra të vogla panoptikonësh. Brenda secilit prej tyre ka një inspektor që ushtron pushtetin e tij përmes së ashtuquajturës “invisible omnipresence”, e thënë shqip, gjithëprani e padukshme. Edhe sikur inspektori të ketë shkuar me pushime diku buzë detit me makinë e tij të parkuar nën hijen e ndonjë pishe, për sa kohë ka lënë enën e kauçukut ai do jetë njëkohësisht dhe tek parkimi poshtë shtëpisë, i padukshëm, por i pranishëm.

Qyteti ynë ka dhe inspektorë zyrtarë dhe janë të shumtë. Ata i sheh disa herë në javë nëpër lagje. Që kur kemi ardhur, kemi marrë tri gjoba. Pas xhirove nëpër lagje në errësirën e të ftohtin e dimrit, në disa raste kemi vendosur ta lëmë makinën aty ku me sa duket nuk lejohej. Mes shenjës së bidonit dhe shenjës rrugore, kemi zgjedhur të mos respektojmë këtë të dytën. Po të bësh një llogari, gjoba 1000-lekëshe për 10 orë është më pak se tarifat e parkimit në qendër, ndërsa 3000 mijë lekë në 10 muaj janë pak a shumë sa gjysma e tarifës mujore tek parkimi i Komunës. Mes përballjes me inspektorin e bidonit dhe gjobës nga inspektori i qytetit kur kemi qenë të detyruar të zgjedhim, kemi zgjedhur të dytën. Dikush mund të revoltohet nga ky vendim dhe ta konsiderojë shkruesin e këtij teksti si dikush që nuk respekton ligjet dhe nuk e do rregullin. Në fakt është e kundërta.

Ne si qenie njerëzore duam të mbijetojmë, me gjasë këtë instinkt e kemi të shkruar në gjenet tona. Sipas Platonit, qyteti ishte shpikje ngordhalaqësh, që nga paaftësia për të mbijetuar, të vetëm u bënë bashkë[1]Plato, 1979, p. 41. Arnheimi, studiues i gjuhës pamore, shkruan që rregulli është parakusht i mbijetesës[2]Arnheim, 1971. Qytetari mesatar, “ngordhalaqi”, që jeton duke i respektuar ligjet përgjithësisht i dëshiron strukturat e rregulluara. Mes paqartësisë që fshihet pas heqjes së bidonit bojë qielli, ai mund të vendosë të gabojë, pasi ky është i vetmi mjet për t’u futur përsëri në kornizën e rregullit. Vetëm duke gabuar, mes ndërtimit të marrëdhënies krim-ndëshkim me inspektorët e qytetit, ai ia del të hyjë brenda strukturës së legalitetit. Pra, unë zgjedh të parkoj gabim dhe të pastrohem nga ky faj, duke kryer dënimin përmes gjobës. E thënë me fjalë të tjera, qytetari shpesh zgjedh të jetë i burgosur i qytetit tij, ai është po aq i dobët, sa hapësira publike e zënë nën bidonin plastik.

Para disa muajsh parkuam në një vend të lirë, ishte zheg vere e vende kishte plot. Gjatë daljes nga makina vumë re që prania jonë po shqetësonte një zotëri që qëndronte pak më tutje. Hezitonte të fliste, por gjuha e trupit të tij po thërriste gjithë tension: Kush je ti? I fola unë i pari, e pyeta nëse kishte ndonjë shqetësim, i tregova që jetoja tek hyrja ngjitur megjithëse për pak kohë. Pasi ndërtuam një lloj besimi të ndërsjellë, zotëria e pranoi që banonte aty, që e shihte shpesh makinën tonë afër dritares së tij dhe që ky fakt e kishte bezdisur. Ndër të tjera, aty afër e linte makinën edhe djali i tij, një fuoristradë ende e gërvishtur nga dikush që ishte larguar në drejtim të paditur. Në fund më tha që kishte njerëz që vinin nga matanë Lanës për të parkuar aty dhe që kishte dyshuar që edhe ne ishim nga ata. Pra, armiku ishte matanë Lanës.

Pak javë më pas, afër vendit ku dialoguam, u shfaq bidoni i parë i rrugicës sonë. Pas disa ditësh i dyti, supozoj për fuoristradën që sapo përmenda. Përballë pallatit këto ditë numërohen të paktën pesë bidonë, të cilët shtohen me nga një çdo dy-tri ditë. Bashkësia e bidonëve e ka lënë brendinë e bllokut dhe tani po zë vend ditë pas dite gjithmonë e më afër dritares sime. Gjetja e parkimit po kthehet vërtet në problem, dhe tashmë familjarisht jemi në dilemën nëse ka ardhur koha të vendosim dhe ne bidonin tonë.

Inspektorët e qytetit vazhdojnë patrullimin e lagjes. Ata i sheh të qetë e të heshtur me blloqe nëpër duar, duke shënuar targat e makinave të shkelësve. E gjithë skena zhvillohet në praninë e pashqetësuar të bidonëve. Fundja ç’t’i bësh bidonit, ai as të flet, as të sheh, as mendon, nuk ka as targë, as zot të dukshëm. Nuk i thua dot të largohet, nuk i lë dot fletën e gjobës, as nuk e heq dot, pasi ajo nuk është detyrë e inspektorit, por e pastruesve të qytetit, aktiviteti i të cilëve përqendrohet në hapësirën përreth koshave dhe rrugëve kryesore.

Rezistenca e bidonit bojë qielli të Tiranës të fut në mendime. Mes shumë gjërash ata më sollën ndër mend një poezi të shkruar nga poeti amerikan Wallace Stevens, të cilën pa shumë pretendime e me fjalët e mia u përpoqa ta sjell në shqip. Poezia titullohet “Anekdota e kavanozit”, Anecdote of the Jar:

Vendosa një kavanoz në Tenesi
I rrumbullakët qëndronte mbi kodër
Ai e nxiti natyrën e egër
ta rrethonte kodrën.

Natyra u ngjit deri tek ai
u shpërhap rreth e përqark tashmë jo më e egër
Kavanozi i rrumbullakët qëndronte mbi tokë
i lartë si port plot me ajër.

Ai nisi të sundojë mbi çdo gjë
Kavanozi ishte gri dhe i zhveshur
Nuk pyeste për zogj e shkurre
Si asgjë tjetër në Tenesi.

Vargjet enigmatike flasin për një kavanoz qelqi, i cili megjithëse i zakonshëm dhe i pajetë, arrin të sundojë mbi gjithë peizazhin afërndenjës. Kavanozi, përmes tipareve të tij, na thotë që është vepër e krijuar nga dora e njeriut. Objekti artificial, me gjithë kufizimet e tij, e tejkalon natyrën, ndërsa kjo e fundit, megjithëse dinamike dhe plot larmi, zbehet përpara atij, madje humbet dhe tiparin e saj thelbësor, egërsinë. Përmes veprës duket sikur autori flet për efektin tjetërsues të njeriut mbi sistemet ekzistuese. Dhe bidoni plastik është sundues, përderisa askush nuk e sfidon autoritetin e tij, ai qëndron i drejtë dhe i palëvizur; ai nuk është si ato shishet e vogla, që i flakin pa adresë nga dritare e veturave. Vendosja e tij është akt i vetëdijshëm njerëzor mbi një hapësirë që, me sa duket, është e egër. Mbase hapësira publike e qytetit tonë është vërtet e pazbutur dhe pa zot si vetë natyra.

Banorët e pesëkatësheve tek “Ali Demi”, sidomos ata më të hershmit, kanë parë degradimin e mjedisit poshtë dritares, dikur lulishte pa pengesa e makina. Ata janë rritur aty, kanë luajtur në ato vende që në moshë të vogël, praktikisht një pjesë e qenies së tyre është formësuar në atë hapësirë. Është joreale të pretendosh prej tyre që ta kufizojnë hapësirën e tyre të përkatësisë brenda mureve të shtëpisë. Kemi, gjithashtu, krizën e një qyteti që po shpërthen nga brenda. Pallate të reja ndërtohen nëpër parcela që dikur ishin të zbrazura. Ato, përveç apartamenteve e ndonjë vendi për bizneset private, nuk i plotësojnë të gjitha nevojat e banorëve të tyre. Shërbimet, këta të fundit i kërkojnë nëpër lagje, nëpër rrugët, në kopshtet, në shkollat, në parqet e lojërave, nëpër vend-parkimet ekzistuese. Në këtë mishmash makina është problem më vete, duke qenë se sot për sot ajo është harxhuesja më e madhe e hapësirës urbane, gjithashtu ato:

…e izolojnë njeriun, jo vetëm nga mjedisi, por edhe nga kontakti njerëzor. Ato lejojnë vetëm ndërveprim të kufizuar, kryesisht, garues, agresiv dhe shkatërrues.(Hall)

Në hapësirat e Tiranës së ndërtuar gjatë periudhës së socializmit shohim për së gjalli pasojat e mbipopullimit, që sipas antropologut Edward T. Hall, po e çon strukturën sociale të qytetit drejt kolapsit. Gjendjen ai e ilustron shpesh përmes eksperimenteve të kryera me minjtë. Një nga mënyrat për të ulur stresin e shkaktuar nga mbipopullimi i kolonive në studim laboratorik zgjidhet duke i futur individët nëpër kuti për të shmangur kontaktet mes tyre. Kutitë mund t’i vësh njëra mbi tjetrën nëpër sa kate të duash, ata do të rriten më të qetë e të shëndoshë. Ama kolonitë e korrigjuara e kanë një problem: minjtë e kutisë janë përgjithësisht të paaftë dhe budallenj.

Qytetarëve të Tiranës i duhet ta gjejnë vetë zgjidhjen. Kush ka mundësi, transferohet në kulla shumëkatëshe, ca më mirë në blloqet e reja me parking e oborr, disa të tjerë nëpër fshatra me vila të rrethuara me mure e postblloqe, dikush tjetër ikën jashtë Shqipërisë. Ndërsa atyre që mbeten, shumica, që nuk kanë asnjë nga këto mundësi dhe që jetojnë në kufi të hapësirës së ashtuquajtur publike, u duhet të nxjerrin bidonin. Mbase ky i fundit është nga të paktat shenja qytetërimi, sado primitiv, në mes të pyllit tonë urban.

 

© 2022 Endrit Marku. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Të interesuarit për ribotim të këtij shkrimi duhet të kontaktojnë autorin.

 

References

References
1 Plato, 1979, p. 41
2 Arnheim, 1971

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin